DPA shpall thirrjen për botim artikujsh në revistën “Arkivat Shqiptare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) shpall thirrjen drejtuar studiuesve dhe arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, për të dorëzuar punimet e përgatitura për botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”.

Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido në një deklaratë për shtyp tha se “në vazhdën e një tradite tashmë solide, DPA-ja do të kurorëzojë bashkëpunimin e vijueshëm me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), me publikimin e numrit të radhës të revistës “Arkivat Shqiptare””.

Sipas tij, ky botim përmbledh trajtesat e studiuesve dhe të arkivistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

“Synimi i këtij publikimi, është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, e mëvetësuar nga historia apo shkencat e tjera të përafërta”, tha Bido.

Në këtë numër të revistës, do të përfshihen punime mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.

“Në përgjigje të kësaj thirrjeje, ekspertët, arkivistët, studiuesit e arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare, përfshirë edhe pjesëmarrësit në punimet e Konferencës së VIII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, duhet të dërgojnë punimin e tyre drejtpërdrejt në aplikacionin botime.arkiva.gov.al, deri më datë 15 shtator”, tha Bido.

Nëpërmjet revistës “Arkivat Shqiptare”, që është e vetmja e llojit të vet në mbarë trojet shqiptare, mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe bashkëndarja e rezultateve të arkivistikës në nivel kombëtar./atsh/KultPlus.com

‘Nxjerrja e dokumenteve historike nga arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane’

Nga Gjon Keka

Do të ishte tepër e dobishme për kombin tonë, nëse institucionet tona akademike, ato të arkivave, bibliotekave instituteve të historisë e albanologjisë dhe fushave tjera kërkimore të ishin të interesuara të nxirrnin dokumentet arkivore e bibliotekare mbi historinë e kombit tonë arbëror europian nga arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane që ruhen aty.

Një kordinim i mirë me këto institucione dhe formimi i një grupi studiuesish e historian të fushave të ndryshme e periudhave të ndryshme historike, pastaj lidhja apo bashkëpunimi me arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane do të kishte një dobi të madhe në përmbushjen e misionit të madh të gjetjes dhe mbledhjes së dokumenteve të historisë së kombit tonë e cila është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe do t’i shërbente të vërtetës dhe forcimit të themeleve të autoktonisë ,gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar arbëror europian.

Prandaj nisur nga kjo, i ftoj institucionet, si ato akademike, të arkivave e bibliotekave dhe instituteve që të bëjnë të mundur me anë të mbështetjes së shtetit tonë dhe ambasadave në vendet ku ka dokumente historike të kombit tonë që të krijohet një grup studiuesish, specialistësh e historianësh dhe të nxjerrin si bletat mjaltën për historinë e kombit tonë, ashtu që brezat ta mësojnë të vërtetën dhe bota të njohë edhe më mirë të kaluarën dhe kontributin e iliro-arbërorëve në historinë e njerëzimit.

Nëse kjo iniciativë e imja dëgjohet do të ishte në dobi të kombit tonë dhe historisë së saj, unë këtu ku jam do të jem i gatshëm që së bashku të nxjerrim dokumentet historike që ruhen në arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane e në këtë rast në bibliotekat dhe arkivat e Austrisë.

Por, nëse kjo iniciativë nuk dëgjohet atëherë, nuk kam se çfarë të bëjë, duhet që me forcat vetanake dhe mundësit t’i qasem e të vazhdojë hulumtimet në arkiva dhe biblioteka që deri sa të jem gjallë të nxjerrë dokumentet historike që janë mbuluar nga pluhuri i harresës e që janë të shumëta dhe me shumë vlerë e interes për zbardhjen e plotë të së vërtetës së historisë së kombit tonë arbëror europian. / KultPlus.com

Nisin përgatitjet për botimin e numrit të 57 të revistës “Arkivat shqiptare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës kanë nisur punën për përgatitjen dhe botimin e numrit të 57 të revistës shkencore “Arkivat shqiptare”.

Synimi i kësaj reviste është të mbledhë ekspertë dhe studiues të arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët për çdo vit diskutojnë për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionit, si dhe vizionit të punës të arkivave në realitetin e sotëm.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ftojnë studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe, të kontribuojnë në këtë revistë me studime.

Përveç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u bëhet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë për ruajtjen e kujtesës kolektive. Afati i dërgimit të artikujve është data 3 shtator 2021 dhe për të gjithë artikujt e pranuar do të dërgohet email më 17 shtator 2021.

Temat e propozuara:– Crowd sourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara nga përdoruesit– Automatizimi i arkivave dhe etika– Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave– Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit– Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin– Trashëgimia arkivore e përbashkët përtej kufijve gjeografikë– Arkivat, përgjegjësia, qasja në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale– Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore– Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare– Etika dhe arkivat– Ndryshimet klimaterike dhe arkivat– Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional– Turizmi dhe promovimi i arkivave.

Në artikujt duhen respektuar kritere të cilat gjenden në adresat www.chicagomanualofstyle.org, ose për me tepër informacion dhe specifika të tjera mund të shihni faqen zyrtare www.arkiva.gov.al / KultPlus.com

Si shpëtuan arkivat shqiptare pa u dërguar në Beograd?

Vendosja e regjimit komunist u shoqërua me konfiskimin jo vetëm të pasurive të tundshme dhe të patundshme të atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë, por dhe me “përvetësimin” e bibliotekave personale, që individë të njohur kishin krijuar me shumë mund e sakrifica për dekada e shekuj me radhë.

Skuadra të ngritura anembanë vendit ku merrnin pjesë punonjës të Sigurimit të Shtetit, specialistë të dërguar enkas nga Tirana (nga Ministria e Arsimit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, etj) sekuestruan dhe hartuan inventarë të posaçëm për bibliotekat e personave të arrestuar.

Shumica e këtyre librave, duke shfrytëzuar raportet e shkëlqyera që ekzistonin me Jugosllavinë përfunduan në Beograd, disa në Bibliotekën Kombëtare dhe pjesa tjetër në shtëpitë e atyre që morën pjesë në këtë fushatë.

Për fat të keq, të njëjtin fat patën edhe shumë dokumente me vlerë për historinë tonë kombëtare. Fillimisht dokumentacioni i shtetit shqiptar u grumbullua pa asnjë kriter shkencor dhe administrativ për tu kontrolluar nga organet e Ministrisë së Brendshme, prokuroria dhe gjykatat. Kjo në funksion të luftës politike për arrestimin edhe dënimin e kundërshtarëve të regjimit komunist. Sipas kujtimeve të shefit teknik të arkivit, Injac Zamputit, materialet arkivore të institucioneve të ndryshme mbasi ishin shfrytëzuar nga hetuesia e gjykatave “popullore”, duheshin kërkuar mes ndyrësirave të bodrumeve, që më parë kishin shërbyer për kafshët. “Fondet e kalbëzueme i kemi nxjerrë me lopata dhe i kemi transportue me karro dore e, pastaj, kemi nisë spastrimin e tyre”. Ai shkruan se dy a tre shtëpi në qytetin e Durrësit ishin plot e përplot me shkresat e Ministrisë së Brendshme dhe të Luogotenencës (Mëkëmbësisë së Përgjithshme). Ato ishin grumbulluar aty gjatë marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë, gjoja për t`i çuar në fabrikat e letrës, por në të vërtetë,-thekson ai,-për të pasuruar arkivat e shërbimit sekret.

Në fakt, ishte e vërtetë se dokumentet arkivore fillimisht vlerësoheshin sipas vlerës operative që ato kishin për Sigurimin e Shtetit. Por nuk mund të mohohet fakti se ato shpëtuan për një fije pa u dërguar në Beograd, falë prishjes së Stalinit me Titon në vitin 1948 dhe ndikimit që ky raport pati në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

Sidoqoftë biblioteka të tëra dhe kushedi sa dokumenta përfunduan drejt Jugosllavisë gjatë “muajve të mjaltit” 1944-1948/Hasan Bello, Shekulli. / KultPlus.com