Fillon java e “Arkivit të Hapur” në shënim të 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës

Në shënim të 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, dje, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave, filloi java e “Arkivit të Hapur”.

Në këtë ngjarje morën pjesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore.

Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, i quajti arkivat gardianë të trashëgimisë dokumentare, që janë një testament themelor i kulturës dhe kujtesës sonë historike, që duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme.

Duke diskutuar arritjet e deritanishme gjatë mandatit të plotë 4 vjeçar, ai përmendi gjashtë fushat në të cilat është ndërhyrë dhe investuar, përfshirë reformën ligjore, sikurse miratimin e ligjit të ri për arkivat dhe hartimin e miratimin e tetë akteve nën-ligjorë; strategjinë afatgjatë shtetërore për zhvillimin e arkivave 2025-2031; përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe kushteve të ruajtjes së materialit arkivor; digjitalizimin masiv të materialit arkivor; lansimin e sistemit elektronik të menaxhimit të materialit arkivor; si dhe, strukturën e re organizative dhe kapacitete të rritura profesionale.

Ndërsa, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, ka prezantuar projektet dhe të arriturat e ASHAK-ut, duke veçuar digjitalizimin e dokumenteve arkivore si dhe investimet dhe rinovimet në ndërtesën qendrore të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës si dhe zgjerimin e hapësirave arkivore në Mitrovicë, Pejë ,Gjakovë dhe Gjilan.

Gjatë kësaj ngjarje u lansua Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Materialit Arkivor, i cili do të krijojë qasje të lehtë në materialin e digjitalizuar arkivor nga jashtë, si dhe do të lehtësojë sistemimin e brendshëm të këtij materiali.

Përgjatë javës së “Arkivit të Hapur” do të zhvillohen përplot aktivitete, kryesisht me nxënësit e shkollave të kryeqytetit./KultPlus.com

“Arkivit të hapur” të GKA i shtohen veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë

Veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë (1990-2000), i shtohen “Arkivit të hapur” të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se, “të fshehtat” e Galerisë, tashmë janë të hapura për të gjithë, përpara nisjes së procesit të restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të ambienteve të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura”.

Ministrja Margariti pak ditë më parë tha se, “do të vazhdojmë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të ri në Pedonale, por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës”. /KultPlus.com