Dorëshkrimet e Naum Priftit do t’i dhurohen Arkivit Qendror

Pas vizitës së motit 1965 në cilësinë e gazetarit, Naum Prifti “rikthehet” në Arkiv nëpërmjet veprës së tij, për t’u radhitur denjësisht krah personaliteteve më të spikatura të kulturës shqiptare.

Me mijëra dorëshkrime të gazetarit, shkrimtarit, dramaturgut dhe përkthyesit Naum Prifti, do t’i shtohen pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). Në harkun kohor të këtij muaji, kjo tërësi dokumentesh do të kalojë nën zotërimin e AQSH-së, si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej të bijës së shkrimtarit, Julika Prifti.

“Arkivat janë bazat e një shoqërie të shëndoshë. Në sajë të digjitalizimit, të kushteve optimale të ruajtjes dhe të shërbimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është e vetmja strehë e sigurt për përjetësimin e të shkuarës historike. Besojuani të kaluarën këtij tempulli kujtese, në emër të gjeneratave që do të vijnë”, fton AQSH.

Naum Prifti u nda nga jeta në vitin 2023, në moshën 91-vjeçare, në SHBA./KultPlus.com

Opingat ilire të fotografuara nga Pazari i Shkodrës në vitet ’40

Pazari i Shkodrës, në vitet ’40 – fotografitë sjellë nga Arkivi Qendror paraqesin disa punues opingash ose siç u thonë në gegërisht, apânga.

Këto lloj këpucësh, sipas dëshmive më të hershme arkeologjike u përkasin shek V-IV p.e.s dhe tregojnë, se kanë qenë element i kulturës ilire, sepse dalloheshin nga sandalet e tipit klasik greko-romak dhe më vonë, nga llaptiet e sllavëve.

Dëshmi të mëvonshme janë të shek XVI në disa vepra të Onufrit.

Visheshin nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Greqi (arvanitasit) dhe fshatrat arbëreshë të Italisë.

Ka disa forma të punimit të tyre.

Më të thjeshtat bëheshin prej një cope të vetme lëkure në trajtë katërkëndëshi këndrejtë, ku buzët rudheshin me retra lëkure, duke u afruar pas këmbës e pastaj shtrëngoheshin me gjalma prej leshi.

Ndër variantet e tjera të punimit të opingave dallohen: opinga lope, me retra, me gjuhëzë, opinga me përkresa, me tufëza, me xhufka, opinga me prroqe e të tjera. / KultPlus.com