“Kinemaja shëtitëse” në Berat

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit po vijon nismën për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.

Programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.

Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror.

Pas shfaqjeve të suksesshme në Kukës, kinemaja shëtitëse nisi mbrëmjen e 21 qershorit, ndalesën 3-ditore në qytetin e Beratit, me shfaqjen e filmit “Vdekja e kalit”. Në shfaqjen e filmit ishin të pranishëm edhe një pjesë e krijuesve si dhe aktorëve protagonistë.

Të pranishmit mundën të dëgjonin edhe mbresat e kujtimet nga regjisori i filmit, Saimir Kumbaro, aktorët kryesorë Timo Flloko e Rajmonda Bulku, në praninë e drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria.

Edhe sot “Kinemaja shëtitëse” do të projektojë një tjetër film në Berat, për të vazhduar më tej, misionin e saj në të tjera qytete./atsh/ KultPlus.com

Rrëfimi i Poradecit: Si më ndihmoi Fan Noli për bursën e studimit (VIDEO)

Një video e rrallë e Lasgush Poradecit është postuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Në këtë video Poradeci tregon se si Fan Noli kishte reaguar menjëherë pasi nuk kishte dëgjuar emrin e Poradecit në listën e bursave që do të dorëzoheshin dhe se si e kishte  e kishte ndihmuar të merrte bursë studimi për albanologji.

… Babai e deshte shumë kulturën. Teneqexhi qe, po e deshte… Më dërgoi në Manastir mua. Ai (gjimnazi) qe rumunce. Atje bëra poezi. Pastaj filloi lufta e përbotëshme… Kurse ti tani më bëhesh regjisor me gjimnazin, me universitetin, me gjëra të tëra… Në tre gjuhë mezi e mbarova gjimnazin.

Unë s’kisha bursë. Mori vesh Fan Noli pastaj. “Po Lasgush… Lasgush Poradeci, – tha, – s’ka bursë?” Se ia thanë emrat. “Jo, i thanë, – s’ka bursë”. “Po si, – tha, – s’i keni dhënë bursë atij?!”. Edhe bëri telegram në konsullatën tonë të Rumanisë ku qe sekretar Asdreni. “Lasgush Poradeci emërohet bursier i shtetit, për të bërë studime në albanologji, të niset për Berlin”, tregon Lasgush Poradeci në video./ KultPlus.com

https://fb.watch/an43ZQZWuX/

Restaurohet filmi i njohur shqiptar, së shpejti edhe premiera

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ju fton në premierën e restaurimit të filmit “Vde kja e kalit” (1992), me regji nga Saimir Kumbaro, të Hënën, 20 shtator, ora 19:00 në Parkun Olimpik, Tiranë.

Kjo premierë është pjesë e programit “Netët e filmit arkival”, bashkëpunim i AQSHF me Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë, që do të zhvillohen nga data 20 – 22 Shtator, 2021. Hyrja falas dhe në respektim të plotë të masave COVID19.

Restaurimi i filmit VDE KJA E KALIT  u mundësua falë programit A Season of Classic Films, nismë e Shoqatës së Kinematekave Evropiane – ACE: Association des Cinémathèques Européennes që AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Filmit u restaurua falë punës së ekspertit Izraelit të restaurimit, Shai Drori, dhe kineastit Australian, Steven Kastrissios.

Bazuar në një histori të vërtetë, është filmi i parë dramatik i prodhuar pas rënies së regjimit komunist. Kushtet e vështira dhe me buxhet të ulët gjatë xhirimit të “Vde kja e kalit” pasqyrojnë më së miri sfidat e jashtëzakonshme shoqërore dhe ekonomike me të cilat u përballën kineastët tanë në vitet 1990.

Megjithatë, “Vde kja e kalit” ka një vitalitet të papërsëritshëm në kinematografinë shqiptare, dhe mbetet një pikë referimi në kinemanë e pazbuluar të vendit tonë. Jemi të lumtur që falë ACE kemi arritur ti japim një jetë të dytë këtij filmi të rëndësishëm që pasi tronditi publikun në premierën e tij në 1992, do të ketë tani mundësinë të shihet sërish në ekranin e madh me parametrat e duhur teknik. Në këtë premierë do të kemi kënaqësinë të kemi të ftuar personalitete të fushës dhe supriza të botës arkivale. / KultPlus.com

Iris Elezi emërohet drejtoreshë e ‘Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit’

Iris Elezi është zgjedhur në krye të ‘Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit’ në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Kulturës.
“Pas përfundimit të procedurave të konkurrimit të hapur dhe publik për pozicionin Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, referuar procedurave të ndjekura nga komisioni i ngritur për vlerësimin e dosjeve konkurruese Znj. Iris Elezi përmbush kërkesat në përputhje me kriteret e vendosura”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com