Zjarri në ish-arkivin shtetëror në Kukës, Bido: Nuk u cenua asnjë dokument

Ish- Arkivi Shtetëror Vendor në Kukës është përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, Ardit Bido, i cili tha se nuk janë djegur dokumente me rëndësi, por vepra të mykura të ish- diktatorit Enver Hoxha apo dokumente të tjera të mykura.

“Asnjë zjarr në arkiva nuk ka rënë. Kur na çmendën pse i mblodhëm arkivat në godina arkivore e u thoshim “zjarri” nuk na besonin”, theksoi ai.

Bido sqaroi se, “zjarri i rënë në Kukës është në godinën e Ish-Arkivit Shtetëror Vendor”.

Sipas tij, ASHV Kukës gjendet i plotë e i paprekur në godinën e ndërtuar enkas për arkiv në qytetin e Rrëshenit.

“Para dy vitesh kur u ndërmor kjo reformë, ishim të qartë se asnjë dokument arkivor nuk mund të lihej në godina që nuk kishin kushtet e ruajtjes. Ndaj, duam të sqarojmë se lajmi i rënies së zjarrit në ish-godinën e Kukësit nuk cenon asnjë dokument, që prej vitesh ruhet sipas standardeve arkivore, siç i ka hije arkivave shqiptare! Ai lajm fakton se lëvizja e paprecedentë e grumbullimit të arkivave vendore në godina mirfilltazi arkivore ishte e domosdoshme e fatmirësisht u krye në kohën e duhur”, tha Bido.

“Në godinën në Kukës kishin mbetur vetëm materiale për jashtë përdorimit, si disa vëllime të mykura të veprave të Enver Hoxhës apo dokumentacion i mykur masiv kontabël; që prisnin procedurën e asgjësimit”, shtoi Bido. / KultPlus.com