Me arkivol në krah, zyrtarët shëndetësorë janë ndalur në mes të rrugës dhe u janë drejtuar shoferëve.
U janë lutur që të respektojnë masat dhe të përshtaten me normalitetin e ri në Xhakarta.
Bartja e arkivolit me ekipin të veshur me pajisje mbrojtëse, është pjesë e një fushate të shtetit për të vetëdijesuar njerëzit se koronavirusi ekziston dhe vret.
Numri i të infektuarve në Indonezi ka arritur në 180 mijë dhe 7 mijë e 500 të vdekur.
“Është punë e lodhshme, sepse njerëzit nuk e kuptojnë rrezikun e COVID-19 dhe se mund të jetë fatal”, thotë Riki Mulyna, që çdo ditë bart në krah arkivolin e izoluar me qëllim që të frikësojë të tjerët.
Ai thotë se njerëzit nuk e dinë se mbajtja e maskës është e rëndësishme. Për këtë shkak shpreson se bartja e arkivolit do t’i bëjë që të kuptojnë seriozitetin e sëmundjes.
Efekti i kësaj fushate është vërejtur menjëherë te banorët. Shumë prej tyre thonë se bartja e arkivolit i ka shtyrë që të kuptojnë pasojat e koronavirusit.
Shfaqja e përditshme e arkivolit filloi më 28 gusht. Plani ishte që fushata të zgjaste vetëm dy javë, por autoritetet kanë vazhduar me planin deri në fund të muajit shtator.
“Shpresoj se kjo do ta tmerrojë publikun dhe do të rrisë ndërgjegjen e tyre”, ka thënë një zyrtar i qytetit.
Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka paralajmëruar se piku i pandemisë mund të jetë në muajin shtator. Xhakarta është epiqendër e përhapjes së virusit në Indonezi. 25 për qind e rasteve janë nga kryeqyteti./ KultPlus.com