Shfaqja “Grua” nga regjisorja Arlinda Morina vjen premierë në TKK

“Grua” është premiera e radhës në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Adaptuar nga vepra “Ara” e autorit Mario Calivaj dhe nën regjinë e Arlinda Morinës, dhe asistent regjie Butrint Lumi, kjo shfaqje vjen nën lojën e aktorëve Minka Berisha dhe Qëndresa Loki.

Shfaqja trajton një temë të ndjeshme të cilën regjisorja e shpalosë përmes këtyre fjalëve: “Sikur të gjitha gratë të cilat nuk janë të barabarta në asnjë aspekt edhe këto dy gra të braktisura mundohen ta gjejnë një vend, një strehë në një shoqëri patriarkale. Historia e këtyre grave si shumë të tjerave është e dhimbshme dhe e padrejtë, janë të braktisura dhe të hedhura në rrugë për të vetmen arsyje, sepse mitra e tyre nuk mbanë më fëmijë.”

Shfaqja vjen premierë ditën e premte në ora 16:00. / KultPlus.com

Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta, zgjodha gratë që japin forcë dhe energji

Jeta Zymberi

Nëse koha nuk shfrytëzohet në gjëra të dobishme, atëherë ajo është e destinuar të na shkatërrojë. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë, njerëzit e kanë shfrytëzuar kohën në mënyra të ndryshme. Për shumëkënd, kjo periudhë ka shërbyer për njohjen e vetvetes, dikush ka zhvilluar artin e dikush tjetër ka zbuluar dhunti të reja tek vetja. Kështu, regjisorja Arlinda Morina e njohur me emrin Liki, e cila karakterizohet për energjinë dhe dashurinë ndaj artit, për herë të dytë ka dëshmuar se me jetën duhet luftuar dhe koha duhet shfrytëzuar për gjëra të dobishme. Pas ballafaqimit të saj me sëmundjen e Leukemisë, ndaj secilës asnjëherë nuk u dorëzuar, por e kaloi këtë sfidë duke ndarë imazhe e thënie motivuese me njerëzit, për të izolimi për shkak të pandemisë ishte më i lehtë dhe vetëm sa i dha mundësi edhe më shumë të shfaq një tjetër talent të saj, atë të fotografisë.

Aktoret më të dashura për publikun, kanë zënë vend në fokusin e Arlindës, aty ku ajo gjeti forcë për të kaluar këtë periudhë. Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Arta Muçaj, Anisa Ismaili, Xhejlane Tërbunja, Rina Krasniqi, Zana Hoxha, Aurita Agushi e Rajmonda Ahmeti janë vetëm disa nga fytyrat që janë bërë pjesë e kësaj serie të fotografive që ka një qëllim tejet human e për të cilin Arlinda ka folur më gjerësisht në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Si pasojë e virusit Covid-19, njerëzit janë izoluar nëpër shtëpitë e tyre që disa muaj, fillimisht na trego sa ishte e vështirë kjo periudhë për ju si artiste?

Arlinda Morina: Mbyllja për mua nuk ishte problem, se tamam unë hoqa maskën që kisha për shkak të sëmundjes (Leukemia Plasma Cell) e vendoset ju të gjithë (pak shaka), përndryshe unë isha e mësuar me izolimin dhe kreativitetin tim e kam zhvilluar edhe në mbylljen time të mëhershme por edhe tani. Për artistët mbyllja sjell ide, akumulon dhe kur del jashtë shpërthen si një bombë me plot artë.

KultPlus: Njerëzit janë munduar që përmes një forme apo tjetrën të sjellin diçka përmes së cilës përmbushin vetën dhe kënaqin të tjerët, e padyshim ky është arti, ju keni zgjedhur artin e fotografisë për ta kaluar sa më lehtë këtë periudhë izolimi, jeni marrë edhe më herët me fotografinë apo ky është “efekti i karantinës”?

Arlinda Morina: Unë përgjithësisht jam marrë me skenar, regji filmi e teatër, fotografin e kam pasur edhe lëndë në fakultet dhe gjithmonë e kam dashtë por nuk i kam kushtuar kohë, kësaj radhe këtë dashuri timen e vura në funksion. Fotografitë janë realizuar me telefon iPhone 6+ dhe më vonë ja bashkova edhe një teleobjektivë. Me siguri fotografët profesionistë qeshin me këto fotografi, por qëllimi im nuk është të bëhem fotografe, thjeshtë kam gjetur një formë për të kaluar kohën time të daljes 90 minutshe me diçka nga perspektiva ime subjektive dhe objektivi im i vogël kinezë. Efekti i karantinës e ka nxjerrë një fotografe amatore.

KultPlus: Ju keni zgjedhur të fokusoni artistet tona, si e keni bërë përzgjedhjen e atyre që doni t’i fotografoni, apo janë kryesisht njerëzit që ju rrethojnë në përditshmëri?

Arlinda Morina: Përzgjedhja ka ardhur nga shpirti sepse kisha nevojë të zgjedhë aktore të suksesshme dhe interesante që të marrë energjinë e tyre sepse në si qenie jemi sociale dhe kemi nevojë për energji, e unë zgjodha aktoret gra që të marrë energjinë sensuale, artistike, ekzotike e deri të vuajtjet shpirtërore të tyre. Takimet i kam mbajtur në distancë dhe kam fotografuar me teleobjektivë ku distanca është e largët.

KultPlus: Cili është mesazhi që doni të përcjellni përmes këtyre fotografive, apo janë thjesht fotografi të çastit?

Arlinda Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta. Fuqia e tyre, bukuria, dashuria, josha dhe vuajtjet fisnike janë disa nga mesazhet që përçohen edhe përmes këtyre fotografive. Kjo seri e fotografive do të vazhdojë, do të ketë ende artiste të cilat do t’i zbuloj në ditët në vijim.

KultPlus: A keni menduar të hapni ndonjë ekspozitë apo diçka të tillë me këto fotografi?

Arlinda Morina: Këto fotografi në vete përmbajnë një qëllim human. Ideja është të organizoj një ankand dhe fotografitë të dalin në shitje. Të gjitha fitimet do të dhurohen për fëmijët që luftojnë me sëmundjen e Leukemisë.

KultPlus: Cilat janë anët pozitive dhe ato negative që kanë ndikuar tek Arlinda gjatë kësaj kohë të pandemisë, na selekto disa prej tyre?

Arlinda Morina: Unë jam tip që kam pas periudha të mbylljes shpesh. Kjo është hera e katërt që e përjetoj mbylljen. Unë lirisht mund të them që jam vetë karantina. Kjo periudhë ka ndikuar në forma të ndryshme tek secili. Me të vërtetë ata që merren me artë e kanë pasur më të lehtë. E mira e gjithë kësaj ka qenë koha që na është ofruar e të cilën jemi munduar ta shfrytëzojmë sa më mirë, mbi të gjitha ta njohim veten sado pak. Ndërsa anët negative nuk po i përmendim fare duke uruar që gjithçka po përfundon shumë shpejtë.

KultPlus: Krejt për fund, cili është mësimi më i mirë që e keni marrë gjatë kësaj periudhe e që do ta ndaje me lexuesit e KultPlus?

Arlinda Morina: Duajeni sa më shumë familjen sepse ata vlejnë më shumë së çdo gjë në jetë! / KultPlus.com