Adnan Kafazi, një histori e pushtetit, tradhtisë dhe triumfit të kinematografisë së Kosovës

Uranik Emini

Kinematografia e Kosovës ka bërë bujë globalisht dhe një nga filmat e saj të fundit, “Adnan Kafazi”, nuk bën përjashtim. Kjo aventurë rrëqethëse tregon historinë e Adnanit, një njeriu që mban pushtet të pamasë në “Qytetin e Madh” dhe kontrollon gjithçka që ndodh atje, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore. Por mbretërimi i terrorit të Adnanit do të marrë fund pasi treshja legjendare e Vucha, Zagi dhe Bullit kthehen në qytetin e madh me një mision për ta rrëzuar atë, shkruan KultPlus.

Vucha, Zagi dhe Bulli jetonin të fshehur në Meksikë, por e kaluara e tyre kthehet përsëri për t’i ndjekur kur marrin një lutje të dëshpëruar për ndihmë nga Qoqa, një njeri që dikur i besonin, por që i tradhtoi. Treshes i kërkohet të shpëtojë Uman, një grua e bllokuar në një nga kafazet e Adnanit dhe të tjerët që po përballen me vdekjen e sigurt. Megjithatë, këtë herë treshja është e gatshme të bëjë gjithçka për të shpëtuar jetën e tyre. Me ta është edhe Lina, një grua transgjinore që dikur ishte një gangster famëkeq, por tani ka bashkuar forcat me treshen e famshme.

Ndërsa lundrojnë në botën e rrezikshme dhe të korruptuar të Qytetit të Madh, treshja do të përballet me pengesa dhe sfida të shumta, por ata janë të vendosur të kenë sukses në misionin e tyre. Ata janë të motivuar nga besimi i tyre në drejtësi dhe dëshira për të shpëtuar jetën e Uma-s dhe të tjerëve. Kolona zanore e filmit, me meloditë e saj, i shton një shtresë emocionale kësaj historie tashmë të fuqishme.

Mesazhi qendror i filmit për vetëfuqizimin dhe vendosmërinë vihet në jetë përmes forcës dhe guximit të treshes, të cilët refuzojnë të mposhten nga shanset e grumbulluara kundër tyre. Ata janë të vendosur të rrëzojnë Adnanin, i cili u tradhtua nga gruaja e tij, të cilën ai e kishte keqtrajtuar për kaq shumë kohë. Filmi thellohet në kompleksitetin e marrëdhënieve, dinamikën e pushtetit dhe ndikimin e abuzimit tek individët, gratë dhe shoqëria.

Adnan Kafazi është një festë vizuale për sytë, me kinematografi që të lë pa frymë që kap bukurinë dhe diversitetin e Kosovës dhe njerëzve të saj. Regjisori i filmit ka krijuar një botë sa familjare dhe ekzotike, duke tërhequr audiencën në zemër të historisë dhe duke i mbajtur ata të mbështetur në sediljet e tyre.

Filmi ka shumë të papritura, të cilat e bëjnë edhe më unik këtë film, i cili është vazhdim i filmave “Diamanti”, “Zonjusha”, për të kompletuar siç duhet trilogjinë.

Si përfundim, Adnan Kafazi është një film që nuk duhet humbur. Është një histori e fuqishme e vetëfuqizimit, vendosmërisë dhe triumfit të shpirtit njerëzor.

Pjesë e këtij filmi ishin aktorët: Dukagjin Podrimaj, Fatmir Spahiu, Besart Sllamniku, Dafina Zeqiri, Shkumbin Istrefi, Xhejlane Terbunja, Armend Baloku, Muhamed Arifi, Lulzim Bucolli, Edita Sllamniku, Armond Morina, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Alesia Xhemalaj, Arta Muçaj, Ernest Malazogu, Olimpia Smajlaj, Blin Sylejmani, Arjanit Marmullaku.

Si producent të filmit janë: Dren Berisha, Genc Berisha, Valon Jakupaj, Rita Krasniqi, Dukagjin Podrimaj, Besart Sllamniku, Dafina Zeqiri. Ndërkaq, regjisori i këtij filmi është Genc Berisha, ndërsa pjesë e skenarit ishin, Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli e Rita Krasniqi.

Regjisori Genc Berisha, tha në konferencë për shtyp pas filmit që është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura deri tani, derisa për të kënaqësia më e madhe është pjesa që kanë arritur ta shfaqin këtë film në ekranin e madh.

“Jam shumë i kënaqur me rezultatin që kemi arritur dhe me ekipin që kemi pasur, mezi kam pritur që t’ia nis pjesës së tretë, i kemi parë vështirësitë nga filmat e kaluar dhe tani i kemi kaluar shumë më lehtë. Kemi qenë një ekip shumë më i madh edhe mendoj që edhe këta kanë qenë shumë më profesional se herët e kaluar”, tha Berisha.

Aktori dhe skenaristi, Besart Sllamniku, lajmëroi se ky film nuk ishte paraparë kur u bë “Diamanti”, por u planifikua pas përfundimit të “Zonjushës”.

“Kur e kemi bërë filmin ‘Zonjusha’ nuk e kemi ditur që do ta bëjmë filmin ‘Diamanti’, por kur e kemi bërë ‘Diamantin’ ne e kemi ditur që do të bëhet ‘Adnan Kafazi’. E kemi ditur edhe sinopsisin dhe ka qenë një plan të cilit nuk kemi arritur ta realizojmë, ky film ka pasur shumë më herët për t’u realizuar, por për shkak të pandemisë është vonuar”, u shpreh ai.

Një nga protoganistët e filmit, Armond Morina, i cili erdhi për filmin e tretë dhe të përfundojë trilogjinë e filluar, u shpreh i lumtur që Kosova po eksperimenton me stile të tilla.

“Unë mendoj se kemi arritur që të bëjmë një film të mirë dhe të shfaqim se Kosova ka potencial për të bërë edhe filma me tematikë të aksionit, dramës e komedisë. Kemi punuar si një ekip për një kohë të gjatë dhe kemi shfaqur punën tonë”, tha Morina.

E pyetur nga gazetarët nëse janë përpjekur të tregojnë një pjesë të problemit të shtypjes së grave dhe diskriminimit të vazhdueshëm që pranojnë në ditët e sotme, aktorja Edona Reshitaj i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke pohuar se një gjë e tillë është synuar të bëhet në filmin “Adnan Kafazi.

Një problematikë të cilën Sllamniku dëshironte ta theksonte ishte pjesa e mungesës së kinemave në qytete të Kosovës.

“Fatkeqësisht, shoqëria jonë është një shoqëri e cila nuk ka qejf që i’i shfaqë problemet e gruas, sidomos në aspektin, një shoqëri që ka dëshirë ta lërë gruan të heshtë dhe të mos i shfaq problematikat që i ka ajo. Shpresoj që ky film do t’i vetëdijësojë gratë, por edhe më me rëndësi është që të vetëdijësohen burrat, sepse burrat janë problematika pse gratë janë të izoluara dhe nuk mund ta shprehinë lirinë e tyre.

Adnan Kafazi është një krijim mjeshtëror që bashkon artin dhe tregimin në një mënyrë që kapërcen kohën. Me pamjet e tij mbresëlënëse, skenarin emocionuese dhe narrativën magjepsëse, ky film ka potencialin të bëhet një klasik i përhershëm.

Ky film pati premierën mbrëmë në Cineplexx me mbi 1100 bileta të shitura, dhe tani do të vazhdojë të jetë në repertorin e tyre.

Ndërkaq, ai pritet që të udhëtojë edhe nëpër vende të ndryshme në Evropë. Fillimisht në Tiranë, për të udhëtuar pastaj në Gjermani, Zvicër, Mbretëri të Bashkuar etj./KultPlus.com

Trilogjia e përkthyer ndryshe si “ylber i dyfishtë”, Adnan Kafazi pret një finale shpresëdhënëse

Uranik Emini

Në historinë e filmave botërorë është shumë e vështirë të krijosh tre filma të suksesshëm, pra tre filma që në thelb përbëjnë një “trilogji”. Pavarësisht nga shanset e pamundura, regjisorët herë pas here ia dalin të krijojnë jo vetëm një përfundim të madh, por edhe një film të mrekullueshëm final në një trilogji – atë që është, statistikisht, më i vështiri për t’u arritur, shkruan KultPlus.

Gjatë gjithë kohës regjisoru duhet shpresuar që gjithnjë të mbetet aktiv dhe i angazhuar, që kasti të jetë ende i çasshëm dhe i kënaqur, gjithashtu që studioja të vazhdojë t’i ndihmojë ata dhe se çdo episod pasues është financiarisht mjaft i dobishëm për të justifikuar një tjetër. Kështu, regjisori Genc Berisha bashkë me aktorët, skenaristët e producentët po synojnë një gjë të tillë

Pas “Zonjushës” dhe “Diamantit”, ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin. E janë pikërisht Vuqa, Bulli dhe Zagi, si të vetmit që kanë guxim ta kundërshtojnë, kështu shpjegon regjisori Genc Berisha në një intervistë për KultPlus.

Xhirimet e përfunduara

“Xhirimet kanë përfunduar dhe filmi është në procesin e montazhes. Xhirimet kanë zgjatur rreth 1 muaj në periudhën qershor-korrik. Ky film është vazhdimësi e filmave të kaluar, e të njëjtin e përcjellë zhanri dramë-krim-komedi”, thotë tutje Berisha.

Gratë – risit e reja në këtë film

“Kësaj here në film risi do të jetë pjesëmarrja e madhe e grave, të cilat edhe kalojnë nga rolet dytësore, në role kryesore. Kjo ka qenë edhe gjatë punimit të skenarit dhe ndryshimi i nevojshëm, duke e parë që në filmat e kaluar ka munguar kjo dukuri”.

“Adnan Kafazi” – filmi ideal për të mbushur plot një sallë të kinemasë

“Planet për premierën janë për në janar të vitit të ardhshëm. Edhe ky film, rrugëtimin e ka për në kinema, kështu që premiera e parë do të jetë aty. Poashtu, pritshmëritë i kam shumë të mëdhaja, që ky film ka me sjell një numër të madh të publikut në kineame. Duke e ditur që kemi një kastë të njohur të aktorëve: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamet Arifi, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Arta Mucaj, Armond Morina, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Terbunja e shumë të tjerë. Gjithashtu, edhe tema ka risi dhe befasi që presim të pëlqehet nga publiku”, vazhdon ai.

Aktorët e rinj

“Filmi “Adnan Kafazi” e ka një vazhdimësi nga Diamanti, ku përveç roleve që kanë qenë deri tani, mund të përmendi që pjesë e filmit do të jenë edhe Armond Morina në rolin e Adnanit, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Rita Krasniqi,e po ashtu do të jenë edhe Majk e Dafina Zeqiri”, përfundon regjisori i shumë filmave e serialeve shqip.

Ndërkaq, producentja e skenaristja, Rita Krasniqi, njofton për KultPlus se skenari është shkruajtur nga Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli dhe vetë ajo.

“Filmi ka përfunduar xhirimet dhe tash është në procesin e montazhës. Por akoma nuk kemi ndonjë datë të premierës saktësisht”, thotë ajo për KultPlus.

Filmi nga syri i aktorit

Një ndër aktorët kryesor në këtë film, Armend Baloku, ka thënë për KultPlus se filmi është xhiruar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, por kryesisht i fokusuar në Prishtinë.

“Xhirimet kanë shkuar mirë. Ka qenë një atmosferë pune, ku secili ka qenë në krye të detyrës. Ka qenë gjithashtu një kënaqësi me bashkëpunu me një kastë të tillë të aktorëve, poashtu më është bërë qejfi që kemi bashkëpunuar edhe një herë me Genc Berishën, Besart Sllamnikun, si dhe Rita Krasniqin”.

Finalja e madhe shpresëdhënëse

“Besoj se do të kemi një film interesant, duke u bazuar në imagjinatën e Besart Sllamnikut, i cili mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer. Besoj se njerëzit do ta pëlqejnë. Gjithashtu shpresoj se kur ta shohim premierën të kënaqemi edhe ne duke e shikuar. Shpresojmë për një finale të mirë”, përfundon ai.

Ashtu si struktura me tre akte e një drame, libri ose filmi, një trilogji përfaqëson tre pjesë të një historie në tërësi. Një fillim, një mes dhe sigurisht një fund. Një trilogji, e thënë siç duhet, mund të përmirësojë një histori, të mbajë audiencën në terësi dhe t’i japë më shumë thellësi filmit./KultPlus.com

Gjobë për aktorin që dështoi reprizën e “Bordel Ballkanit”

Teatri Kombëtar i Kosovës ka vendosur që aktori Armend Baloku të gjobitet me 444 euro.

Ky është vendimi që ka marrë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, pasi Baloku në shenjë proteste nuk ka marrë pjesë në reprizën e shfaqjes “Bordel Ballkan” të martën mbrëma. Pas mungesës së tij, institucioni është detyruar ta anulojë dhënien e shfaqjes.

Vendimi i drejtorit Agim Sopi i është dërguar Ministrisë së Kulturës të mërkurën. Ky veprim i Sopit bazohet në Rregulloren për stimulimin dhe përgjegjësitë e ansamblit rezident të TKK-së. Por gjoba është e papranueshme për aktorin Baloku dhe sipas tij, drejtori i përgjithshëm, Agim Sopi, dhe udhëheqësi artistik Agon Myftari nuk janë njerëz të denjë për ta udhëhequr Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Drejtori Agim Sopi ka thënë se në bazë të Rregullores, aktori që nuk vjen në reprizë të shfaqjes pa arsye detyrohet të paguajë gjysmën e biletave, në rastin e dytë, të gjitha biletat dhe në rastin e tretë i ndërpritet kontrata e punës. “Pasi salla e TKK-së ka 296 karrige, Baloku do t’i paguajë gjysmën e biletave, që i bie për 148 karrige nga tri euro, që i bie 444 euro”, ka thënë Sopi, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com

Anulohet shfaqja “Bordel Ballkan”, kthehen mbrapa rreth 400 shikues

Shfaqja “Bordel Ballkan”, njëra prej më të shikuarave në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është anuluar të martën, 20 minuta para kohës kur është dashur të niste.

Këtë veprim TKK-ja e ka ndërmarrë pasi aktori Armend ka refuzuar të marrë pjesë në shfaqje në shenjë proteste për pakënaqësitë e tij ndaj institucionit ku punon, TKK-së. Kësisoj TKK-ja nuk ka hapur dyert për ata që kanë rezervuar mbi 100 bileta dhe të tjerët që kanë lënë t’i presin biletat pak para se të niste shfaqja.

“Me përgjegjësi mund të them se rreth 400 veta janë kthyer mbrapa sonte. Kjo është njëra prej shfaqjeve më të shikuara në TKK dhe sonte kanë ardhur shumë njerëz pasi ka kohë që nuk është dhënë ‘Bordel Ballkan’”, ka thënë organizatori i TKK-së, Beqir Beqiri. Në mbrëmjen e së martës drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësi artistik nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike të gazetës.

Aktori Armend Baloku ka refuzuar të luajë duke përdorur si shkas disa akuza sipërfaqësore për udhëheqësit e TKK-së. Këtë e ka bërë nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

“Në shenjë proteste sonte nuk do të interpretoj në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’”, ka shkruar ai në profilin e tij. Aty ka shkruar se ka kohë që ka reaguar përbrenda institucionit, lidhur me nivelin e ulët, qoftë të organizimit nga ana e menaxhmentit, qoftë nga ana artistike e, sipas tij, fatkeqësisht asgjë nuk ka ndryshuar.

Akuza brenda stafit të TKK-së shpërthyen javën e kaluar midis drejtorit të përgjithshëm, Agim Sopi dhe Këshillit Drejtues, që nisën në lidhje me programin e këtij viti, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Armend Baloku: Në shenjë proteste sonte nuk do të interpretoj në shfaqjen “Bordel Ballkan”

Për dike teatri është vend që siguron pagën, për dikë teatri është vetvetja

Nga Armend Baloku – aktor i TKK-së

Ka kohe që kam reaguar përbrenda institucionit teatrorë më të lartë në vend, lidhur me nivelin e ultë, qoftë të organizimit nga ana e menaxhmentit, qoftë nga ana artistike, e fatkeqësisht asgjë nuk ka ndryshuar. Fatkeqësisht nuk ka ec para shtëpia jonë e përbashkët, por ka ngelur aty ku ka qenë që një kohë të gjatë. Improvizim pas improvizimi, klan pas klani, pas premierave dhe shkëlqimeve të rrejshme, të cilat për konkurrencë kanë vetveten, duke mos u ballafaquar asnjëherë me ndonjë kritikë serioze profesionale, por me një kritikë të emocionit të rrëmbyeshëm të momentit.

Aty ku personalja është e fuqishme, profesionalja nuk dallohet as nga stratosfera. A ka personale? Ka sepse në province nëse nuk ke ambicie për tu zhvilluar profesionalisht, është normale që ambicia për të manipuluar është e fuqishme, sepse energjia duhet të kanalizohet diku, ndërsa tema rreth kulturës, në këtë rast rreth teatrit, pra profesionit që ndoshta e kemi zgjedh me “vullnet”, asnjëherë nuk kanë zënë vend në diskutime. Pyes pse? Se e njohim fort dhe s’ka më se çka të mësohet, apo se mungojnë informatat më elementare, të cilat do të duhej ti kishte një profesionist i vërtetë? E kur ky nivel zë vend në udhëheqje të institucionit kulturorë të shtetit, siç është teatri, atëherë e kemi të garantuar dështimin e produktit nga i cili rrezikon shoqëria të ngelet prapa, sikur që është përcaktuar paraprakisht udhëheqja e teatrit që ta lë prapa trurin e vet. Kur ky nivel udhëheqë me institucionin më të lartë teatrorë në vend, sigurojmë premiera apo shkëlqime të rreme, të cilat siç e thash më lartë, kanë veten konkurrencë.

E si mundet njeriu ta konkurrojë vetveten? E si mundet njeriu të ketë këtë nivel e të jetë i kënaqur? Jemi të kënaqur? E duam këtë nivel të kulturës që ti futet në palcë fëmijëve tanë, për çka do të na akuzojnë nesër? E duam këtë nivel për frytin tonë? Për pasardhësit tanë? Është ky perëndimi? Unë jam i bindur me tërë qenien time se jo. Nuk besoj që as juve ju pëlqen.

Edukata varet nga prindërit, e gjatë jetës kultura imponohet edhe nga të tjerët. Cilat elemente kulturore do të na imponohen nga teatri ynë? E duam teatrin i cili përqafon tabunë? Tabunë që të bënë të mos guxosh të diskutosh sepse është e ndaluar. Mungesa e dijes ta ndalon diskutimin. ( shih 12 Angry Men 1957).

Teatri Kombëtar i Kosovës ka obligim që përbrenda të ketë fuqi mendimi, e jo fuqi grushtash. Teatri Kombëtar i Kosovës ka nevojë për thellim në studim, për të inskenuar e shërbyer para publikut atë produkt për të cilin është shkrire mund e është derdhur djersë, për të shtyrë qytetarin të mendoj, e jo që e shtyn të zgërdhihet bashkë me aktorin në skenë. (Pa e përmendur Stanislavskin, ju kujtohet monologu i Hamletit mbi lojen e aktorit?).

Teatri Kombëtar i Kosovës me që është i popullit, ka obligim kombëtar, shtetëror, njerëzor, që të prodhoj atë që e fisnikëron shoqërinë, mbi bazën e analizës dhe zbërthimit, në të kundërtën pse duhet të shkojmë në shkollë për të nxënë mbi aktrimin? Mos ndoshta udhëheqja e TKK-së mendon së shkolla është rrugë e gabuar? Nëse po, atëherë e kanë obligim, mbi të gjitha qytetar, që ta ngritin zërin, e jo ta ndalin hovin, i cili është i pandalshëm për zhvillimin e kualitetit përbrenda. TKK ka obligim që talentin dhe punëtorin ta mbështes dhe ta shtyjë me çdo kusht përpara, që artin e tij ta qoj edhe më larg, duke i krijuar mundësi për thëllim në studim, e jo ta ngulfat e ta vështirësoj zhvillimin. Duke ngulfat, një ditë ngulfatet ardhmëria e vendit. E ngulfatja e vendit d.m.th. mungesë patriotizmi. Zef Pllumi thot “Atdheu nuk janë malet, fushat e prrojet kot: atdheu është e drejta jote, nderi yt, puna e djersa jote. Kush nuk vdes për to, nuk vdes për kurrgjë tjetër”.

Teatri Kombëtarë i Kosovës nuk mund ta ndal punëtorin i cili punën e ka besim, e ka pjesë të edukatës. Puna njeriun e fisnikëron, e lartëson, e jo lloji provincial që e do skenën për të marr një copë page, për lavdi, shkëlqim të rrejshëm dhe që ja ka frikën punëtorit të zellshëm përbrenda.
Teatri është mendim. Është thirrje. Jo vend ku mbahet shpina me dorë dhe thuhet “Piii erdhi koha për të dal në skenë”. Për të tillë nuk ka vend askund në një shoqëri të zhvilluar, ndërsa në provincë (siç po ndodh) marrin edhe institucionin teatror në dorë.

Kam reaguar shumë përbrenda institucionit teatrorë, sepse jam i edukuar që teatrin ta trajtoj si fytyrën dhe frymën time, por kotë. Kam reaguar edhe atëherë kur shfaqjet prezantohen para publikut si gjysmake, pa pjesët përbërëse, por kam hasur në vesh të shurdhër. Na është dashur vet nga grupi(gjatë shfaqjes) të mbulojmë elemente të cilat nuk munden lehtë të mbulohen, por talenti i bashkëpunëtorit tonë (aktor) vije deri aty, sa që gjatë shfaqjes, të bëjë muzikën vet, vetëm sa për të dhënë sado pak atmosfere të shfaqjes së dikurshme kur ishte e kompletuar. Ai është vullneti shembullor për një dashamirë arti apo interpretuesi teatror.

Kam reaguar se shfaqjet prezantohen pa bërë analizat e duhura. Shfaqen ashtu të pa fuqishme për të bërë thirrje. Sa për të mbushur letrat dhe arsyetuar shpenzimet. E bënë këtë një artist? E bënë një njeri normal? Bëni me të hollat tuaja ashtu, apo ndoshta kjo është më lehtë sepse janë të shoqërisë. Popullit. E dini se në shekullin 21 shfaqjet e dështuara konsiderohen grup njerëzisht të dështuar? E dini se shfaqja e dështuar nënkupton mungesë mendimi? Prandaj duhet angazhimi i ekipes përbrenda për ta ngritur më lartë shfaqjen, rrjedhimisht mendimin e vet. Ansambli i aktorëve ka vetëm një arsye pse ndonjëherë nuk shkëlqen: Udhëheqja.

Sot në provincë lartësohesh me lajme të rreme, por në një vend të zhvilluar është tema e debatit ajo që e bënë dallimin. Prandaj çdo shfaqje tregon nivelin tonë. “Serioziteti” i udhëheqjes së teatrit, (menagjment e artistik) ka bërë te mundur, që regjisorët e huaj të marrin të hollat duke mos dhënë asnjë përgjegjësi për rezultatin e shfaqjes, sepse që në fillim nga qasja e udhëheqjes e kuptojnë, se ky vend është provincial dhe i krijohet automatikisht regjisorit përshtypja, se edhe ekipa teatrore është brum ( nivel) i saj.

Kjo është tërësisht e zakonshme sepse ndodh pothuajse rregullisht. I rregullt është edhe presioni që u bëhet regjisorëve për të angazhuar aktorët që i rrinë prapa udhëheqjes. Presione për të zgjedhur filan aktorin, për filan rolin, përkundër faktit që regjisori ka bërë filan përzgjedhjen më herët. Kjo na ndodh përbrenda neve që punojmë aty, paramendojeni se çfarë ndodh me aktorët e jashtëm, të cilët nuk janë pjesë e ansamblit. Unë jam argumenti për këtë. Kjo mua personalisht me ka ndodhur, edhe pse paraprakisht me vullnetin e regjisorit jam përzgjedhur edhe aktor edhe asistent njëkohësisht, për shkak të nevojave të tij dhe lehtësimit për teatrin, për të pasur informata më të detajuara rreth tekstit, gjë që na obligon profesioni që e kemi, e që unë i kisha mundësitë që ti prezantoj. Për të kapur nivelin më të lartë, duhet gjithsesi analiza, mundi e djersa që të na jap shkëlqimin e vërtetë. Sepse na duhet thëllim në zbërthim për ta zhdukur shprehjen tabu. E kur bëhemi analitik, tabuja ligësohet dhe s’ka më asnjë kuptim. Kur thellimi në analizë është serioz atëherë edhe zhveshja në skenë behet pjesë normale, sepse është normale dhe njerëzore. Sepse ashtu na ka lindur nëna.

Kjo udhëheqje a ka sjell nivelin aty, sa artistët që janë jashtë TKK-së as mos ta mendojnë angazhimin e tyre në këtë institucion, përpos kur të brendshmit refuzojnë kategorikisht që të luajnë! Ju them, kurrë nuk do të vini në shprehje deri sa kjo udhëheqje është në krye të këtij institucioni. E dini pse? Sepse nuk kanë vizion për teatrin. Sepse nuk jetojnë me teatrin. Sepse e duan pagën ose ndihen mirë kur lagjja i thërret drejtor. ( Kjo thirrje e vjetër që nuk zë vend më në perëndim, pos në vende anadollake) Pra jo, nuk kanë vizion. Doni dëshmi? Argumente? Ju jap plot. Sa të doni. Pa ndërprerje. Por fillimisht po ju siguroj se nuk kam ambicie për ta udhëhequr teatrin. (Para një viti e gjysmë jam ftuar që të drejtoj bordin e teatrit dhe s’kam pranuar). Dua ta ndihmoj shoqërinë nëpërmjet profesionit tim. Po ua thot aktori i cili nga institucioni me i lartë teatrorë në vend (TKK) është vlerësuar për angazhimin e tij me notën më të larte, te cilin vlerësim mund ta gjeni edhe në TKK edhe në Ministri të Kulturës, e me falni për mungesën e modestisë, por është e vërtetë, këto vlersime me kanë ndjekur që nga dita e parë kur e kam regjistruar aktrimin si student.

Janë po këta drejtues që ikën dhe i lan aktorët në institucion vetëm , kur e kuptuan se dikush po u vjen në zyrë i revoltuar për shkak te shfaqjes “Bordel Ballkan”. Pra e lëshuan institucionin nga frika. E lëshuan detyrën shtetërorë. Pse kishin frike? U fshehën nga diçka që ne aktorët nuk e dimë? Po të ishim në luftë i bie që komandantet dezertuan. Nga ai moment ata më nuk do të duhej të ishin udhëheqës. Të paktën po të kishin ndërgjegje që i vret, por më poshtë se provinca çka mund të ketë? E kur e shfrytëzon udhëheqjen për të krijuar servil, atëherë udhëheqja behet e rrezikshme për zhvillimin e shoqërisë. Por jo të gjithë janë të interesuar për të luajtur servilin. Servili prodhon servil. Vizionari shpërndan siguri, fuqi, integritet dhe ndikon që edhe të tjerët ti kenë ato virtyte.
Çka shpërndau udhëheqja e teatrit? Cilat virtyte? Cilat kualitete? Ato në teatër nuk po vërehen. Pos tym duhani e aromë urine, që e kanë mbështjell teatrin nga zyrat e deri në qendër të skenës, gjë e cila i prishë hundët kolegëve dhe mua, bashkërisht, çdo natë kur dalim në skenë. (Të mos flas edhe për punëtorët teknik të cilët i kanë ankesat e veta serioze). E skena, për ata që nuk e dinë, është vendi i barabartë me vendet e kultit, qendrën e faltores, si xhamia për muhamedanet, kisha për kristianet e sinagoga për hebretë. Si gjiri i nënës ku merr fuqi fëmija. Ashtu është skena për aktorin, për çka udhëheqja nuk e di ose as që do t’ia di. Por praktika e vazhdueshme e ka dëshmuar që nuk e ka në plan, sepse arti në vend të vogël sipas tyre nuk ja vlen. Me gjithë atë udhëheqin. E me gjithë atë, ka te tjerë që besojnë për dallim prej tyre. Çka do të arrijë shteti, rrjedhimisht shoqëria, nga ky teatër me një udhëheqje që ka dyshime? /KultPlus.com

Sakrifica për një shfaqje, aktori i TKK-së tregon për lëndimet që i shkakton shfaqja “Bordel Ballkan” (FOTO)

Dje Aktorët Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, anuluan shfaqjen ‘Bordel Ballkan’, duke u futur kështu në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre drejtuar MKRS-së, shkruan KultPlus.

Kësisoj mbrëmë njëri ndër aktorët e kësaj trupe Armend Baloku, shpalosi nëpërmjet rrjetit social Facebook, disa fotografi që tregojnë lëndimet që ka pasur gjatë shfaqjes ‘Bordel Ballkan’. Me këto fotografi dhe me një mbishkrim Armend Baloku, ka treguar se pagat që kanë aktorët e këtij teatri janë të mjerueshme, duke pasur parasysh punën që bëhet.

“Foto ne vazhdim tregojne demtimet qe i kam pasur nga shfaqja e fundit ne Teatrin Kombetar. Keto demtime i kam cdo here pas shfaqjes “Bordel Ballkan”. Nuk kam pushim as te shtuneve e as te dieleve. Po ashtu nuk kam pushim as diteve qe shteti yne ka feste. Prova mbaje qe nga mengjesi e deri naten vone. #proteste #mbeshtetjeperteatrin #mbeshtetjeperaktoret”, ka shkruar Baloku.

Që nga sot e deri në 9 ditët e ardhshme repertori i TKK-së, do të vazhdoj ashtu siç ka qenë ndërsa pas 10 ditësh nëse nuk plotësohen kërkesat e aktorëve, atëherë ata kanë thënë se do ta përshkallëzohet situata dhe do të bllokohet i gjithë repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com