Gjermania ndihmon FSK-në me 1 milion euro donacion

Ministria e Mbrojtjes ka pranuar sot donacion me vlerë prej një milion eurosh për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express, ministry Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it.

Tutje, njoftohet se Mehaj ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qeverinë gjermane.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Gjermania vazhdon mbështetjen konkrete për modernizimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it. Vlera e donacionit është 1 milion euro.

Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje shumë të madhe për qeverinë gjermane e cila, sikur më parë, vazhdon mbështetjen e madhe në të gjitha aspektet, në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së. / KultPlus.com

Instruktorët ushtarakë amerikan stërvisin pjesëtarët e FSK’së për ndihmë mjekësore

Ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se instruktorët amerikanë kanë stërvitur pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për reagim dhe shkathtësi për ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Express.

Ai ka publikuar edhe disa fotografi gjatë stërvitjes së pjesëtarëve të FSK’së

Mehaj ka thënë se do të vazhdojnë me ngritjen e aftësive profesionale bashkë me partnerët amerikan.

Shkrimi i tij i plotë:

Instruktorët ushtarakë amerikan stërvitin pjestarët tanë për reagim të duhur dhe me kohë, si dhe shkathtësitë për ndihmë mjekësore në fushëbetejë.

Bashkë me partnerët tanë të pazëvendësueshëm amerikan vazhdojmë suksesshëm në ngritjen e aftësive tona profesionale.

#StrongerTogether / KultPlus.com

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka bashkëpunim të përditshëm me NATO-n dhe objektivë e Ministrisë që udhëheq ai është anëtarësimi në NATO.

Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.

Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.

“Rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët tanë. Në këtë drejtim e veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Mehaj.

Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në muajin mars një kontingjent të FSK-së në Kuvajt. Ka qenë ky misioni i parë i kësaj force jashtë Kosovës.

Gjatë raportimit të martën, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, e pyeti ministrin Mehaj se cili është plani i Ministrisë së Mbrojtjes për anëtarësim në NATO, duke përmendur faktin se në bazë të rregullave dhe procedurave të NATO-s, Kosova nuk mund të anëtarësohet, pasi janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Lidhur me këtë, Mehaj tha se Kosova e ka të domosdoshme të ketë ambasador në NATO, por shtoi se procesi i zgjedhjes së tij nuk ka nisur.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e Kosovës nga këto katër vende është pengesë për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, hyrja në partneritetin për paqe e jep një garanci për një kohë të caktuar që Kosova mund të futet në NATO.

“Një e arritur e FSK-së që garanton një proces të përkrahjes së atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, me mbështetje të partnerëve tanë strategjikë, [është se] ne kemi kaluar prej misionit paqësor në mision ushtarak, siç ishte ky i fundit me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Ibishi.

Sipas tij, FSK-ja ka ngritur një organizatë profesionale me standarde të miratuara të NATO-s dhe, duke rritur kapacitetet e saj, shtoi ai, mund të shkurtohet edhe periudha e tranzicionit, që është paraparë të zgjasë 10 vjet.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore, për të transformuar mandatin e FSK-së në ushtri.

Si bëhet anëtarësimi në NATO?

“Politika e dyerve të hapura” të NATO-s bazohet në dokumentin themelues të Aleancës, sipas të cilit, anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Sipas kësaj politike, çdo vendim për zgjerimin duhet të merret “me marrëveshje unanime”.

Për t’u anëtarësuar në Aleancë, vendet pritet t’i respektojnë vlerat e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të plotësojnë disa kritere politike, ekonomike dhe ushtarake, të përcaktuara në Studimin e Zgjerimit, të vitit 1995.

Këto kritere përfshijnë një sistem politik demokratik, të bazuar në një ekonomi tregu; trajtimin e drejtë të popullatës pakicë; angazhim për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore; aftësinë dhe vullnetin për të dhënë kontribut ushtarak në operacionet e NATO-s, si dhe përkushtim ndaj marrëdhënieve dhe institucioneve demokratike civilo-ushtarake. / KultPlus.com

Mehaj takime në Pentagon, ripërsërit ofertën për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj po vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sot ka pasur takime në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, ku është pritur nga zv.Asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper.

Në këtë takim, Mehaj e ka ripërsëritur ofertën e Kosovës që SHBA-ja ta krijojë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

“Ministri Mehaj e ritheksoi ofertën e Kosovës për SHBA-në për krijimin e një baze të përhershme ushtarake në Kosovë, për të kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në nivelin rajonal”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Mehaj dhe Cooper u dakorkduan edhe pqr rritjen e pjesëmarrjes në misione dhe ushtrime të përbashkëta të ushtrisë amerikane dhe FSK-së.

“Ministri Mehaj me znj. Cooper u dakorduan bashkërisht për veprime konkrete sa i përket anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, blerjeve ushtarake përmes FMS (Foreign Military Sale), avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në misione dhe ushtrime të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e MB-së:

Ministrit Mehaj i rikonfirmohet nga znj. Cooper, mbështetja e plotë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes

Në vazhdim të takimeve në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj me delegacionin e tij, u pritë edhe nga zv.Asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, znj. Laura Cooper dhe më pas në nivel të delegacioneve realizuan konsultimet bilaterale për çështjet e mbrojtjes.

Me këtë rast, znj Cooper, ka shprehur konsideratat e larta për zhvillimet e suksesshme në fushën e mbrojtjes, duke falënderuar posaçërisht ministrin Mehaj për përkrahjen e forcave amerikane në procesin e akomodimit të refugjatëve afganë.

Znj.Cooper në emër të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, konfirmoi përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global, të dëshmuar edhe me rastin e bashkë-zbarkimit në misionin paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, si dhe rolin e madh në nivelin rajonal.

Nga ana e tij Ministri Mehaj, e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e lartë znj Cooper, për përkrahjen e vazhdueshme dhe partneritetin e shkëlqyeshëm duke i shprehur gatishmërinë maksimale për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, ndërveprueshmërinë ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, duke vënë theksin në ushtrimet e përbashkëta si dhe mundësitë për bashkë-zbarkime të reja në misione të përbashkëta me Ushtrinë Amerikane.

Gjithashtu, Ministri Mehaj e ritheksoi ofertën e Kosovës për SHBA-në për krijimin e një baze të përhershme ushtarake në Kosovë, për të kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në nivelin rajonal.

Ministri Mehaj me znj. Cooper u dakorduan bashkërisht për veprime konkrete sa i përket anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, blerjeve ushtarake përmes FMS (Foreign Military Sale), avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në misione dhe ushtrime të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së.

“Tani na mbetet që të gjitha objektivat e përbashkët të angazhohemi t’i realizojmë bashkërisht, me besim e vullnet të plotë, përkushtim dhe angazhim vetëmohues, si dhe qeverisje të mirë dhe transparencë të plotë. Partneriteti me SHBA-në dhe mbështetja e pazëvendësueshme që më është konfirmuar është ngjarje historike për të ardhmen e sigurtë të vendit tonë dhe gjithë rajonit.” tha në fund ministri Mehaj. / KultPlus.com

Kosova i ofron Amerikës mundësinë e krijimit të një baze të përhershme ushtarake

Kosova i ka ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

Ky propozim, në emër të Qeverisë së Kosovës, është dhënë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, i cili në Pentagon zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.

Sipas një njoftimi për media, ministri Mehaj ka thënë se krijimi i një baze të tillë do t’i kontribuonte “shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”.

Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që SHBA-ja ka në Kosovë.

Ndërkaq, nënsekretari Kahl, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, “duke theksuar se vizioni i presidentit amerikan, Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare”.

Po ashtu, Mehaj dhe Kahl kanë biseduar edhe për punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, teksa nënsekretari Kahl ka premtuar se përkrahja e shtetit të tij për FSK-në do të jetë e vazhdueshme.

Të dy e kanë vlerësuar lart partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt dhe pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e forcave të NATO-s “Defender- Europe’21”.

Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, dërgoi në mars në Kuvajt një kontingjent të FSK-së, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force./ KultPlus.com

Kosova dërgon trupat e FSK-së në Shqipëri, Mehaj: Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e trupave të FSK-së për të ndihmuar në situatën me zjarret për shkak se ato nuk po arrin të mbahen nën kontroll.

Ndërkaq, pak minuta më parë, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj ka publikuar disa fotografi të FSK-së, ku ka njoftuar se tashmë veçs janë nisur trupat e FSK-së në mbështetje të Shqipërisë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Mehajt.

I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë.

Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë.

Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.

Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë.

Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona! / KultPlus.com

FSK ngrit gjendjen e gatishmërisë për shkak të përmbytjeve

FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë të njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës, pas reshjeve që përfshinë vendin tonë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaji cili thotë se këtë ja ka bërë të ditur edhe Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Qytetarë të dashur të vendit tim, Situata meteorologjike që nga dita e djeshme është në monitorim dhe vlerësim permanent të plotë të autoriteteve profesionale të FSK-së. Sot kam kontaktuar direkt, ministrin Sveçla dhe i kam komunikuar se me direktivën time, FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës”, ka thënë ai, përcjell KultPlus.

Ai thotë tutje se FSK është e gatshme që të kryejë detyrat e mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe lokale për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Bazuar në Sistemin e Menaxhimit të Integruar të Emergjencave dhe Planit të Reagimit Kombëtar, FSK është e gatshme të realizoj misionin kushtetues dhe detyrat e saj ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile qendrore dhe lokale. Gjithashtu, jemi në gatishmëri të plotë që me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion të ofrojmë shërbimin vetëmohues për ndihmë qytetarëve tanë”, ka shtuar ai. / KultPlus.com

Armend Mehaj: Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj sot ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë nga forcat serbe që masakruan mbi 8 mijë njerëz. Mehaj së bashku me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuan viktimat.

Ai tutje është shprehur se mban shpresa për për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë si dhe për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

“Bota nuk duhet të heshtë. Ne nuk duhet të heshtim. Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me zv.kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë, ku bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 26 vjetësh u masakruan nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.

Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!

Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!

Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërsohen.

Bota nuk duhet të heshtë.

Ne nuk duhet të heshtim.

Sepse HESHTJA është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.

Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.

Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.

Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, “Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”

Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.

Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme. / KultPlus.com

Gjenerali Clark në Kosovë, nga sot është këshilltar special i ministrit Mehaj

Ish-komandanti i trupave të NATO-s, Welsey Clark, nga sot do të jetë këshilltar special i Armend Mehajt, ministrit të Mbrojtjes së Kosovës.

Clark e ka pranuar ftesën e Mehajt për të qenë këshilltar i tij. Ai sot ka ardhur në Kosovë ku është takuar me ministrin Armend Mehajn dhe Rrahman Ramën, komandatin e FSK-së.

Gjenerali amerikan e ka udhëhequr fushtatën 78-ditëshe të NATO-s kur kanë bombarduar caqet e ushtrisë serbe./ KultPlus.com

Ministri Mehaj me vendim për 4 Korrikun: Në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritet flamuri amerikan

Për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Armend Mehaj, ka uruar popullin amerikan për këtë festë, duke marr vendim që në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritet flamuri amerikan. KultPlus ju sjell të plot urimin e ministrit Mehaj.

Miq të dashur amerikan,

Zyrtarë, diplomatë e ushtarakë,

Të dashur qytetarë të vendi tim,

Sot bashkë me urimin e 4 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam marrë vendim që në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritet flamuri amerikan në kujtim dhe nderim të të gjithë burrave e grave të kombit amerikan, të cilët me sakrificë të madhe dhe vendimin e tyre historik ndryshuan fatin, jo vetëm të kombit amerikan, por edhe të gjithë popujve tjerë liridashës në Botë.

Vlerat amerikane, natyrshëm janë pjesë e identitetit tonë shtetëror dhe qytetarë, sepse e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë qëndrojnë të palëkundura në themelet e Lirisë, Barazisë dhe Drejtësisë së 4 Korrikut.

Si Ministër i Mbrojtjes dhe si qytetarë i Republikës së Kosovës, uroj nga zemra të gjithë burrat e gratë e vendit mik, SHBA-së, me të cilët bashkë, si një trup i vetëm, po rrugëtojmë në zhvillimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës.

Urim të veçantë për të gjithë, ushtarakët e Forcave Amerikane për shërbimin vetëmohues për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë dhe anekënd Botës.

Një urim të veçantë edhe për të gjithë vëllezërit amerikan në armë me të cilët shërbyem së bashku në operacionet e përbashkëta.

Paqi gjithmonë bekimin e Zotit ju bashkë me vendin dhe bashkëkombësit tuaj.

Gëzuar 4 Korrikun!

Gëzuar Ditën e Pavarësisë!/KultPlus.com

“Pa mua”, shfaqja që u prezantua për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Mbi gjashtëdhjetë pjesëatër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të shoqëruar edhe nga Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Armend Mehaj, kishin zënë vendet në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe me emocion prisnin të shihnin nga afër lojën e aktorëve në shfaqjen “Pa mua”, me tekst të Samuel Becket, e që për publikun e Kosovës ka ardhë shfaqje e ndarë në dy pjesë, pjesa e parë me regji të Shkurtë Aliut, kurse pjesa e dytë me regji të Alban Beqiraj.

Ishte një ndërlidhje jo e zakonshme në ambientin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku një audiencë e tërë ishte me uniformë, përderisa mjeshtërisht, në dërrasat e skenës, rolit të saj i jipte shpirt aktorja Donika Ahmeti, e në pjesën e dytë me rolet e tyre luajtën; Rajmonda Ahmetaj, Afrim Muçaj dhe Labinot Rraci.

Shkurtë Aliu në lidhje me këtë paraqitje para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës  u shpreh të jetë entuziaste, pasi që sipas saj, edhe më herët kanë pas audiencë nga ushtarët, por që kanë ardhë në mënyrë individuale, por që një shfaqje të prezantohet enkas për një audiencë të tillë, sipas saj është hera e parë.

“Ideja ishte e imja, dhe përgjigja ishte e menjëhershme edhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, ishte një emocion i veçantë”, ka thënë Aliu për KultPlus.

Kurse ministri Armend Mehaj është shprehë se iniciativa të tilla do të mirëpresin edhe në të ardhmen.

Shfaqja “Pa mua”,  kishte premierën në muajin shkurt, kurse tashti vazhdon reprizat në kuadër të repertorit të TKK-së./ KultPlus.com