Armend Nimani i nominuar për masterklasën që organizohet nga World Press Photo.
Në mesin e 216-të të nominuarve për të marrë pjesë në masterklasën Joop Swart, që organizohet nga Fondacioni për Fotografi World Press, është edhe fotografi kosovar Armend Nimani.
World Press Photo ka publikuar listën e plotë të të nominuarve për këtë masterklasë, aty është edhe fotografi nga Kosova Armend Nimani. Kurse në fazën e ardhshme, do të bëhet përzgjedhja e 12-të finalistëve nga një juri e pavarur dhe profesionale. Finalistët do të ftohen në Amsterdam për një masterklasë në fund të këtij viti.
Përzgjedhja e finalistëve do të bëhet gjatë Festivalit World Press Photo, i cili do të mbahet me 13 dhe 14 prill në Amsterdam.
Masterklasa Joop Swart organizohet nga World Press Photo çdo vit që nga viti 1994 dhe mbahet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij lloji të masterklasës. Qëllimi është që të bëjë së bashku individë të cilët kanë eksperiencë për realizimin e fotolajmeve me fotografët e rinj, për të ndarë njohurit dhe përvojat e tyre.
Armend Nimani është ndër fotografët më të mirë shqiptarë. Nimani gati çdo javë ka fotografitë e tij të publikuara në El Paisin spanjoll, në The Guardian dhe në mediat tjera kryesore. / KultPlus.com