Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot është zgjedhur anëtar i Kryesisë së re të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo duket se e ka ngazëllyer shumë atë.
Për këtë ka njoftuar edhe në Facebook, duke publikuar një fotografi të tij nga tubimi. Mirëpo, postimin e njëjtë, Zemaj e ka rishpërndarë më vonë duke e quajtur veten ministër.
“Shumë sukses Minister”, ka shkruar ai. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm duke e fshirë atë.
Zemaj si duket do të jetë ministër i Shëndetësisë në detyrë deri të hënën më 22 mars, ku pritet të votohet qeveria e re dhe vendin e tij të ministrit pritet ta zë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje./ KultPlus.com
Situata pandemike është temë e ndjeshme për shumë nga ne, prandaj edhe Kryeminstri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, Valbon Krasniqi dhe zëvendësminstrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj.
Situata pandemike e cila filloi me 13 mars, 2020 e deri më 15 mars, 2021, ku Kosova regjistron rreth 77,827 raste me COVID-19, ku 65,060 persona fatmirësisht janë shëruar por 1,715 raste nuk patën fatin e tillë. Kosova gjithashtu është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka filluar procesin e vaksinimit, edhe pse kjo do të duhej të ndodhte në Shkurt. Hoti tregon se institucionet përkatëse janë duke i kryer përgatitjet e nevojshme, dhe sapo të vijë rasti, menjëherë do të filloi vaksinimi i qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë: “Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite”./ KultPlus.com
Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, është mbledhur sot për të diskutuar për situatën epidemiologjike në vend.
Me këtë rast, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se nëse nuk respektohen masat aktuale, do të rikthehen masat e mëhershme.
“Nëse vazhdon disiplina dhe ruajtja e kësaj qetësie pandemike, ne mund të ecim së bashku, për ndryshe duhet të rikthehemi në masat të cilat kanë qenë obligative për ne”, ka thënë ai.
Përndryshe, Zemaj ka folur edhe për fushatën zgjedhore.
Ai ka thënë se fushata ka kaluar me pasoja të lehta në gjendjen me pandeminë, dhe se tani vendi ka hyrë në një fazë tjetër.
“Ne apelojmë për respektim dhe ndërmarrje të masave për menaxhim të infektimit me COVID-19. Është e domosdoshme të respektohet nga të gjithë ajo që është proklamuar, maska, distanca dhe ajrosja e lokaleve”, ka shtuar ai./Express/ KultPlus.com
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar pullën postare, dedikuar personelit shëndetësor që kanë humbur jetën gjatë ballafaqimit me Covidin-19.
Në prezantimin e saj ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se mundi dhe sakrifica e bërë nga personeli shëndetësor janë munduar t’i vlerësojnë përmes kësaj pulle postare, transmeton KultPlus.
Ai ka shtuar më tej kërkesën e tij që të mos mbingarkohen institucionet shëndetësore.
Ndërsa përfaqësuesi nga Posta e Kosovës, ka thënë se personeli shëndetësor e meriton emrin heronj. Pulla postare mban emrin” “Heronjtë mantelbardhë”,
Gjithashtu, mirënjohjet u janë akorduar mjekëve dhe infermierëve që ishin prezentë. Mbi 30 punëtorë shëndetësorë në Kosovë kanë vdekur në krye të detyrës gjatë pandemisë. / KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor mund të përfundojë më herët se që është i paraparë me kalendarin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Zemaj ka pohuar se kjo do të bëhet për të lehtësuar situatën me gripin sezonal dhe COVID-19.
“Sot do të ulemi pasdite, kemi marrë edhe raportet e IKSHPK-së dhe do të shohim për mbarëvajtjen e aktiviteteve shkollore, po insistojmë të shkurtohet gjysmëvjetori i parë, dhe ta lehtësojmë këtë pjesën me gripin sezonal edhe me Covid”, ka thënë Zemaj para mediave.
Ndryshe, trendi i rritjes së rasteve me coronavirus në Kosovë është duke vazhduar, në 24-orët e fundit janë konfirmuar 626 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 5.
Nga 13 nëntori në fuqi kanë hyrë edhe masat e reja kufizuese, ku komunat janë kategorizuar sipas numrit të personave të infektuar me coronavirus./ Gazeta Blic/ KultPlus.com
Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se do t’i ashpërsojnë masat.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj tha se në takimin me komandatin e KFOR-it, Gjeneral major Michele Risi ka diskutuar lidhur me luftimin e koronavirusit.
“Duke u bazuar në rritjen e rasteve pozitive në dy javët e fundit, do të jemi të detyruar që edhe më tej t’i ashpërsojmë masat. Është vlerësim i përbashkët që para së gjithash, për siguri, duhet ta ruajmë shëndetin publik, andaj edhe duhet të veprojmë për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes”, ka shkruar Zemaj.
Kujtojmë se në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 546 raste me COVID-19 në Kosovë./ KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth situatës epidemiologjike në vend. Zemaj ka paralajmëruar se mund të ketë izolim sërish dhe rikthim të karantinës, nëse ka rritje të numrit të rasteve me COVID-19, raporton Express.
“Në karantinë mund të na kthejë vetëm nëse ne e humbasin kontrollin e kujdesit. Për këtë arsye secila hapje është bërë me masat e vlerësimit dhe mbikëqyrjes. Ne do t’i shtojmë këto ditë, sepse në lëvizje nëpër komuna të ndryshme e kam parë se nuk po mbahet partneriteti dhe devotshmëria për respektim të masave që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës. Këto ditë do ta shtojmë komunikimin me Inspektoratin Sanitar dhe Policisë së Kosovës dhe do të kërkoj zbatim strikt të masave”.
“Çdo rritje e numrit të infeksioneve mund të na kthejë në aspekte restriktive që mund të nënkuptojë diku mbyllje, izolim, apo kufizim të lirisë së lëvizjes. Nuk do të kemi asnjë pardon, sepse për mua primare është ruajtja e shëndetit publik”, ka deklaruar ai.
Sipas Zemajt, ndryshimi i qasjes ka dhënë rezultate produktive në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.
“Ishte një qasje tjetër që dha rezultate produktive në vetëdijesimin e opinionit. Për mua kjo u kthye në rezultate pozitive, sepse kaloi niveli i komunikimit nga ‘virusi nuk ekziston’ në ‘virusi ekziston dhe po merr jetë”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka deklaruar edhe se po provojnë që deri në muajin dhjetor të sigurohen 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal.
“Kemi siguruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave që në krahasim me vitin e kaluar është më i lartë. I posedojmë 160 mijë e 500 vaksina që në fund të këtij muaji do të shpërndahen, derisa pjesa tjetër është në proces të sigurimit. Gjatë dhjetorit presim edhe pjesën tjetër që duhet të arrijë në 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal që është bukur e vështirë, sepse mungesa e tyre është evidente në tregun evropian”. / KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot është takuar me estradën. Ai njoftoi se ata do të përfshihen në paketën ekonomike, për kompensim.
Ai tha se rekomandimet që mori sot do t’i shtrojë për diskutim që masat e marra të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë, edhe për artistët.
Njoftimi i plotë:
Në një takim me estradën, theksova se ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, duke u kujdesur me tërë mundësitë që të pengojmë sëmundjet, para shërimit. Të tilla janë edhe masat anticovid.
Ato vendime, janë jo çdo herë të lehta, por domosdo duhet respektuar.
Sigurisht, rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i shtroj për diskutim që masat e ndërmarra të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë, edhe për artistët.
Besoj, ceka në takim, me paketën ekonomike të gjitha veprimtaritë që janë dëmtuara nga pandemia duhet të përfshihet për kompensim.
Punë të përbashkët, rezultate të përbashkëta andaj vlerësimi e pastaj edhe përgatitja për ecjen më tej do te jenë fokus i punës sonë të përbashkët!
Secili të japim maksimumin për ta luftuar virusin. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës dje ka miraturar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, për lirimin e disa masave, ku ndër to është edhe heqja e kufizimit të lëvizjes.
Ministri, Armend Zemaj e konfirmoi gjatë fjalimit të sotëm para mediave, të cilin e ndau edhe në Facebook.
“Qeveria e Kosovës dje ka miratuar rekomandimet e MSh-së për lirimin e disa masave që kanë të bëjnë më heqjen e kufizimeve në lëvizje, zgjatjen e orarit të gastronomisë, lejimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore, dhe disa masave të tjera, të cilat u japin më shumë frymëmarrje veprimtarive të tjera, me qëllim që edhe ato të zhvillohen gradualisht pas një fazë të vështirë si për sektorin shëndetësor, ashtu edhe për ekonominë dhe sektorët e tjerë”, u shpreh ai
Fjalimi i plotë i postuar në Facebook:
Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Ju falënderojmë shumë që keni ardhur sot në këtë konferencë për media dhe gjithashtu edhe për raportimin e rregullt dhe korrekt lidhur me situatën me pandeminë Covid-19 në Kosovë.
Rezultate pozitive të shënuara në javët dhe ditët e fundit, sigurisht janë kontribut edhe i juaji me raportimet dhe storiet e përditshme nga klinikat dhe repartet, ku profesionistët tanë shëndetësorë kanë punuar që nga fillimi i pandemisë për të menaxhuar një situatë të re, të panjohur më parë dhe me shumë rreziqe, për çka ju jemi mirënjohës.
Siç e dini, falë punës së përbashkët të gjitha institucioneve shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së, SHSKUK-së, Kujdesit Parësor, kryetarëve të komunave, Policisë, Inspektorateve, zjarrfikësve dhe shërbimeve të tjera, për momentin kemi një situatë më të qetë sa i përket Covid-19 dhe si rezultat i kësaj:
Qeveria e Kosovës dje ka miratuar rekomandimet e MSh-së për lirimin e disa masave që kanë të bëjnë më heqjen e kufizimeve në lëvizje, zgjatjen e orarit të gastronomisë, lejimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore, dhe disa masave të tjera, të cilat u japin më shumë frymëmarrje veprimtarive të tjera, me qëllim që edhe ato të zhvillohen gradualisht pas një fazë të vështirë si për sektorin shëndetësor, ashtu edhe për ekonominë dhe sektorët e tjerë.
Të gjitha aktivitetet e lejuara dhe ato që janë lejuar më parë duhet të zhvillohen duke u bazuar ekskluzivisht në protokollet përkatëse sektoriale dhe në udhëzimet e Manualit për ndalimin e përhapjes së Covid-19.
Por, nga kjo konferencë, dua të tërheq vërejtjen, se bazuar edhe në kompetencat që tashmë MSh-së dhe institucioneve të tjera u janë dhënë me LIGJIN PËR PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË COVID -19, për ata që i shkelin rregullat, më nuk do të shqiptohen vërejtje paraprake, por do të shkohet drejtpërdrejt në gjoba dhe, urojmë të mos ndodh, por do të shkohet edhe në mbyllje të lokaleve apo veprimtarive që i shkelin rregullat e përcaktuara për menaxhimin e Covid-19.
Që të lehtësojmë zbatimin e masave, unë kam nënshkruar dje edhe vendimin për masat e përgjithshme mbrojtëse dhe për përdorimin e maskës mbrojtëse në mënyrë obliguese , kurse, me qëllim që qytetarëve t’u lehtësojmë informimin se ku duhet dhe ku nuk duhet bartur maskën dhe gjithashtu edhe institucioneve zbatuese, kemi vënë në dispozicion për të gjitha palët, qysh mbrëmë edhe Udhëzuesin për përdorimin e maskës mbrojtëse dhe mbulesave të fytyrës në komunitet të përgatitur nga ekspertët tanë, duke u referuar edhe në praktikat dhe udhëzimet që kanë bërë OBSH dhe ECDC.
Pra, po punojmë që jo vetëm të marrim masa, por edhe të lehtësojmë zbatimin e tyre dhe në të njëjtën kohë të rrisim edhe monitorimin me qëllim që të ruajmë shëndetin publik që është prioriteti i parë.
Për këtë qëllim, këto ditë do të shtojmë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja.
Një informacion tjetër që dua ta ndaj sot me ju dhe qytetarët është se këtyre ditëve në Kosovë është duke qëndruar një mision prej rreth 25 ekspertëve të Institutit prestigjioz “Robert Koch” nga Gjermania, i cili po analizon nevojat tona dhe reagimin tonë ndaj Covid-19, dhe po punojnë bashkë me ekipet tona që përgjigja e mëtejme ndaj pandemisë të jetë sa më e suksesshme dhe duke u bazuar edhe në përvojën e mirë gjermane.
Lajmi i mirë është se Instituti “Robert Koch” ka futur në listën e vet Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së për njohjen e testeve PCR të Institutit tonë.
Pra, siç e shihni, kemi pasur mjaft aktivitete dhe rezultate të mira gjatë kësaj kohe, ndërsa nga kjo konferencë ju bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë më përgjegjësinë më të lartë masat mbrojtëse duke bartur maskën, ruajtur distancën dhe higjienën, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim së bashku.
Punë e përbashkët po tregohet e suksesshme dhe ne duam ta vazhdojmë këtë komunikim dhe bashkëpunim.
Në vazhdim profesor Ramadani do të komunikojë rezultate ditore për Covid-19, ndërsa dr. Valboni të dhënat rreth të hospitalizuarve në ShSKUK.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se situata me koronavirus në shkollën “Mustafë Venhari” në Vushtrri nuk është e mirë. Disa arsimtarë e nxënës kanë rezultuar pozitiv.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj thotë duke pasur parasysh hulumtimin aktiv epidemiologjik dhe mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike, IKSHPK’ja ka bërë testimin e të gjithë arsimtarëve dhe nxënësve të klasës së pestë të shkollës “Mustafë Venhari” në Vushtrri, ku më pas disa kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Nuk ka treguar për sa persona bëhet fjalët, megjithatë ka njoftuar se është rekomanduar që në këtë shkollë të zhvillohet skenari “C”.
“IKSHPK ka rekomanduar që mësimi në këtë shkollë nga skenari “A” të kaloj në skenarin “C”, mësim online”, shkruan Zemaj, duke shtuar se testimi i mësimdhënësve, por edhe i nxënësve nëse vërehen simptoma, do të vazhdoj por nëse duhet, do të bëhet ritestimi i tyre./ KultPlus.com