FIFA: Armëpushim njëmujor ruso-ukrainas gjatë Katar 2022

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të vendosin një armëpushim njëmujor gjatë Kupës së Botës në futboll, në Katar.

Infantino u tha udhëheqësve në samitin e grupit G20 të ekonomive të mëdha në Indonezi se ”Kupa e Botës siguron një platformë unike për paqen dhe unitetin, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth pesë miliardë njerëz në televizion”.

“Kështu që apeli im për të gjithë ju është që të bëni një armëpushim të përkohshëm njëmujor, aq sa kohëzgjatja e Kupës së Botës”, theksoi ai gjatë një dreke me udhëheqësit e G20-ës në ishullin indonezian të Balit.

“Ju jeni liderë botërorë. Ju keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë”, shtoi ai.

Kupa e Botës nis në Katar të dielën mes kritikave për respektimin e të drejtave të njeriut nga vendi, veçanërisht në lidhje me punëtorët që ndërtuan stadiumet.

Ndërkohë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i Thomas Bach u ka kërkuar qeverive të dërgojnë sportistë në ngjarjet ndërkombëtare bazuar në meritat e tyre sportive, jo nga përkatësitë politike.

“Sportet ndërkombëtare do të shpërbëhen nëse pjesëmarrja vendoset mbi baza politike”, tha Bach në të njëjtin tubim në Bali./ atsh / KultPlus.com