Arrestohet një tjetër person i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se ka ndaluar edhe një person të moshës madhore, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur në qershor të këtij viti.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11 vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente. /KultPlus.com

Aktivisti Gjinovci lirohet nga policia pasiqë ekspozita nuk kishte elemente të veprës penale

Sot, duke filluar nga ora 11:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, është mbajtur ekspozita e parë e plagjiaturës në Kosovë, e cila erdhi pas një pune 3 vjeç e gjysmë të ORCA-s, në të cilën u shfaqën plagjiaturat e ministrit të arsimit, Ramë Likaj, njofton KultPlus.

Mirëpo, aktivisti Rron Gjinovci i cili ishte edhe organizator i kësaj ekspozite, sot u shoqërua në polici. Ai përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka njoftuar për rastin.

”Qytetarë, sapo u shoqërova në stacionin policor Qendra për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj. Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë më parë. Kjo po ndodh kur Ministër i Brendshëm është Agin Veliu i qeverisë jolegjitime Hoti’, është shprehur Gjinovci në statusin e tij.
Ndërkaq ky i fundit është liruar menjëherë pasi u konstatua se aktiviteti i sotëm nuk kishte elemente të veprës penale.

”Ju njoftojmë se aktivisti Rron Gjinovci u lirua nga stacioni i policisë pasi u konstatua nga prokurori kujdestar se aktiviteti i sotëm nuk kishe elemente të asnjë vepre penale. Atij iu shqiptua vërejtje verbale për mosrespektim të procedurave për lajmërimin e aktivitetit.”, njoftoi ORCA. / KultPlus.com