‘Arrëthyesi’ i TKOB me turne në Itali

Përralla magjike e Çajkovskit, “Arrëthyesi”, pas gjashtë shfaqjeve në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, këtë herë do t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë.

Solistët dhe trupa e baletit, të përgatitur nga koreografi Edi Blloshmi dhe baletmaestër Alisa Gjoni, nisen drejt Italisë për ta ngjitur këtë kryevepër klasike në dy skena prestigjioze.

“Përralla magjike e ‘Arrëthyesit’ do të tregohet në Teatro di Piacenza më 5 janar dhe në Teatro Nuovo di Udine më 6 janar. Baleti është një gjuhë universale, dhe këtë fillim viti, ‘Arrëthyesi’ i TKOBAP dëshmon se arti nuk ka kufij, vetëm horizonte të reja për t’u arritur”, thuhet në njoftimin e TKOB.

“Arrëthyesi”, me muzikën e magjishme të Çajkovskit, vjen në TKOB çdo fundviti, duke tërhequr gjithnjë e më shumë një publik të ri në moshë. Ky balet, me subjektin e një përralle, është kthyer tashmë në një ikonë të periudhës festive, në të gjitha teatrot anekënd botës dhe pa dyshim që edhe TKOB nuk mund ta “prishte” këtë zinxhir festiv mbarëbotëror.

Baleti “Arrëthyesi” premierë nën dirigjimin e të famshmit Sergio Alapont

Sonte në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit do të shfaqet premiera e produksionit të ri të baletit “Arrëthyesi”. Si rrallëherë më parë, biletat e gjashtë netëve të shfaqjes, u shitën në kohë rekord.

Sipari i 6 netëve mbushur me magji, ngrihet sonte në orën 19:00. Kësaj here, vepra e Çajkovskit do të dirigjohet nga dirigjenti spanjoll Sergio Alapont, i njohur për pasionin, energjinë dhe frymëzimin që sjell në podium.

Alapont është një nga figurat më të shquara të dirigjimit të brezit të tij. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opéra-Théâtre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera.

Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura, si London Philharmonic Orchestra, RTÉ Concert Orchestra, Orchestre National d’Ile de France dhe Arena di Verona. Alapont ka dirigjuar emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si Plácido Domingo, Gregory Kunde dhe Anna Pirozzi. Regjistrimet e tij janë publikuar nga labelë prestigjiozë si Universal Music, Signum Classics dhe RAI.

Në vitin 2016, Alapont u nderua me çmimin “Dirigjenti më i mirë” në GBOSCAR – L’Eccellenza dell’Opera për performancat e tij të shkëlqyera të operës “Aida” në Teatro di Sassari./atsh/KultPlus.com

‘Arrëthyesi’ vjen premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës për festat e fundvitit

 “Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, do shfaqet premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës për festat e fundvitit.

Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme me koreografi të Ilir Kernit dhe dirigjimin e Boian Videnoffit, vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes dy institucioneve.

Shfaqja jepet në sallën Salla AMC Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë, më 16 dhe 17 dhjetor 2023 ora 19:30/KultPlus.com

Shfaqja ‘Arrëthyesi’ së shpejti premierë nga Baleti Kombëtar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës

Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen e shumëpritur “Arrëthyesi”, si dhuratë të fundvitit për publikun.

Datat 16 dhe 17 dhjetor janë rezervuar për premierën e kësaj shfaqje e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës.

Nën koreografinë e Ilir Kernit, “Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, do shfaqet për herë të parë në Prishtinë.

Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme do të shfaqet në Sallën AMC duke filluar a ora 19:30. / KultPlus.com