Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Dr.Arsim Gërxhaliu, është dekoruar me çmimin Kryqi i Nderit të Argjendtë, përcjell KultPlus.
Me kërkesë të presidentit të komisionit të të Volksbundit z.Wolfgang Schneiderhan, ambasadori gjerman në Kosovë, z.Jörn Rohde, dhuroi çmimin për Dr.Gërxhaliun.
Ndërkaq, lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Odës së Mjekëve, ku ndër të tjera theksohej se ky çmim nderon jo vetëm Dr.Gërxhaliun por edhe gjithë Odën e Mjekëve të Kosovës. / KultPlus.com
Përfaqësuesit e organizatave dhe këshillave koordinues të familjarëve të personave të pagjetur, kërkojnë nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë që të punohet më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga konflikti i viteve 1998-99.
Anëtarët e Grupit dialogues të Kosovës për personat të
zhdukur me Serbinë, kanë thënë se ekipe të caktuara nga Kosova janë duke punuar
dhe duke bërë kërkim në disa lokacione në Rashkë të Serbisë, te vendi i quajtur
Kizhevak, për varreza masive.
Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Instituti të Mjekësisë Ligjore
dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të zhdukur me Serbinë, ka
thënë për Radion Evropa e Lirë, se nga fillimi i javës një ekip nga Kosova
është duke bërë kërkime në vendin e quajtur Kizhevak në Serbi.
Ai tha se në këtë vend ka katër vjet që herë pas here bëhen
gërmime.
“Thuajse qe katër vjet jemi duke punuar në minierën e
Kizhevakut, por e dimë se aty për 20 vjet janë hedhur mbeturinat e minierës dhe
gurë dhe ka ndërruar reliefi. Në vazhdimësi kemi problemin e dëshmitarit për
shkak edhe të ndërrimin të reliefit, por në ato vende ku po i tregon
(dëshmitari) jemi duke gërmuar. Në Kizhevak do të qëndrojmë të paktën tri javë
duke bërë dhe ndërrimin e ekipeve dhe varësisht nga nevoja, do të qëndrojmë edhe
më tutje”, ka thënë Gërxhaliu.
Bashkëpunimi me autoritetet në Serbi për çështjen e të pagjeturve, është shprehur Gërxhaliu, vazhdon sipas ritmit të njëjtë.
“Ne që nga viti 2003 bashkëpunojmë me grupet punuese me
Serbinë dhe ky bashkëpunim nuk është ndalur kurrë, pavarësisht ndërrimeve
politike në të dyja vendet, sepse e gjithë puna bazohet në çështjen
humanitare”.
“Kurse, sa u takon çështjeve të tjera [dialogut politik
Kosovë – Serbi] janë organe tjera, të cila vendosin edhe pse çështja e të
zhdukurve nuk duhet të lihet anash, por normal që duhet t’i jepet një prioritet
i veçantë për arsye se faktikisht 20 vjet kaluan dhe e dimë fare mirë se
familjarët e të zhdukurve kanë filluar ta lënë këtë botë dhe thjesht kërkohet
një azhurim më i madh i punës”, ka theksuar Gërxhaliu.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Serbia ende nuk ka
pasur asnjë rast të identifikimit dhe riatdhesimit të mbetjeve mortore të
personave të pagjetur të Kosovës.
Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur kanë
thënë se puna dhe komunikimit ndërmjet delegacioneve shtetërore për çështjen e
personave të pagjetur të të dyja vendeve, është duke vazhduar.
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të
familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e
Lirë, ka theksuar se në Serbi dyshohet se ka varreza masive, për të cilat duhet
të bëhen kërkime.
Grajçevci ka thënë se pa një presion ndërkombëtar, Serbia
nuk do të tregojë asnjëherë për fatin e personave të zhdukur.
“Pa një trysni të madhe të faktorit ndërkombëtar, do të
thotë të Këshillit të Evropës, dhe të Këshillit të Sigurimit, Serbia nuk do t’i
tregojë rastet sepse 1200 persona nga Kosova i ka dërguar të gjallë deri në
Prokuple dhe atje janë evidentuar se kush janë dhe i kanë shpërndarë. Do të thotë
të gjithë kanë shkuar të gjallë deri në Serbi”.
“Thashë janë edhe 1200, për fatin e të cilëve ende nuk dihet
dhe këtë e dinë vetëm strukturat ushtarake dhe policore. E dinë në çfarë
drejtimi i kanë dërguar dhe ku janë ata njerëz”, tha Grajçevci.
Edhe Grajçevci tha se kjo çështje që nga përfundimi i luftës
është kërkuar që të diskutohet në instancat më të larta ndërkombëtare.
Ndryshe, për varreza ku supozohet se ka të varrosur persona
të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe, gërmimet kanë vazhduar edhe në Kosovë.
Javën e kaluar në periferi të Komunës së Podujevës është hapur një varreze ku
janë gjetur mbetjet mortore të një personi.
Autoritetet thanë se në vendin e njëjtë kanë përfunduar
gërmimet pasi nuk ka indikacione për mbetje mortore të personave të tjerë.
Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i
personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë.
Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat
zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.
Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197
serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600
persona të pagjetur.