Rezultatet e testit “PISA”: Kosova në katër vendet e fundit

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

Digjitalizimi i arsimit: 32 llaptopë në shkollën me mbi 1.200 nxënës

Viti i ri shkollor në Kosovë, prej kohësh, nuk nis pa ndonjë sfidë – sivjet ishte sigurimi i teksteve shkollore, vjet ishte greva e mësimdhënësve.

Por, ajo që e përcjell vazhdimisht, është mungesa e digjitalizimit të shkollave në epokën e bumit digjital.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit [MASHTI], të publikuara vitin e kaluar në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, tregojnë se numri i kompjuterëve në shkollat publike të Kosovës është 9.138, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.

MASHTI nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë nëse këto statistika kanë ndryshuar.

Tekste shkollore për klasë të ndryshme të arsimit fillor, të ekspozuara në një librari në Prishtinë. 23 gusht 2023. 

Por, në një konferencë në muajin prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka konfirmuar ato dhe ka thënë se Qeveria e tij ka ndarë një buxhet prej 18 milionë eurosh – për një periudhë trevjeçare – për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla.

REL-i pyeti Zyrën e Kurtit se sa shkolla janë pajisur, ndërkohë, me kompjuterë, por nuk mori përgjigje.

Përse është i rëndësishëm digjitalizimi i arsimit?

“Digjitalizimi e bën mësimdhënien dhe mësimnxënien më atraktive dhe është në përputhje me ‘modën e të rinjve’, të cilët janë gjithnjë e më shumë në internet. Atraktiviteti rrit, pastaj, përqendrimin dhe rezultatet e mësimnxënies”, thotë Jonuz Salihu, ekspert i çështjeve të arsimit, për Radion Evropa e Lirë.

REL-i vizitoi këtë javë Shkollën Fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, ku mësimi zhvillohet në mënyrë klasike, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të pajisjeve kompjuterike. Aty nuk ka pasur ndonjë investim së voni.

Drejtori Skënder Halimi tha se shkolla me 1.276 nxënës ka 32 llaptopë në kabinetin e Teknologjisë Informative.

“Jo të gjithë llaptopët janë funksionalë, pasi janë të modelit të vjetër – të viteve 2012-2013. Këto pajisje i shfrytëzojnë nxënësit për lëndën e Teknologjisë Informative, por edhe arsimtarët dhe mësuesit për nevoja të shkollës”, tha Halimi.

Valbona, e cila ka dy vajza që i ndjekin mësimet në këtë shkollë, thotë se digjitalizimi i teksteve shkollore do të ishte një ndihmesë e madhe për të.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se, për shkak të peshës së rëndë të librave në çantë, detyrohet që çdo ditë t’i dërgojë dhe t’i marrë vajzat nga shkolla – njëra në klasën e pestë në ndërrimin e paradites, tjetra në klasën e shtatë në ndërrimin e pasdites.

“Digjitalizimi do të ishte shpëtim edhe për vajzat, edhe për mua… Vajzat kalojnë shumë kohë me telefona… Ndoshta do të ishte edhe më atraktive për mësim dhe do ta lehtësonte shkuarjen në shkollë”, thotë Valbona.

Edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës thonë se digjitalizimi i arsimit është një proces i domosdoshëm, meqë mësimnxënia aktuale nuk përkon me epokën digjitale.

“Do të kishim përfitime të mëdha”, thotë kreu i këtij këshilli, Besnik Dragusha. “Do të rritej cilësia, pamja vizuale e teksteve, si dhe do të bëhej përditësimi i tyre me informacione të reja”.

Për më tepër, shton ai, do të rritej ndërveprueshmëria e nxënësve, si dhe bashkëpunimi i tyre me mësimdhënësit.

Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard në Prishtinë, i cili merret me çështje të edukimit, shprehet ngjashëm, por shton se ky proces, njëherësh, është edhe “kompleks”.

“Digjitalizimi nuk nënkupton vetëm kalimin e librave nga të printuara në elektronike, mirëpo kërkon shumë zhvillim, përmirësim të materialeve që duhet të jenë më interaktive”, thotë ai.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mbi 94 për qind e ekonomive familjare kanë qasje në internet.

Digjitalizimi i arsimit është ndër pesë objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila është miratuar në fund të vitit të kaluar.

Në këtë dokument thuhet se gjatë një periudhe 5-vjeçare do të punohet, mes tjerash, në përgatitjen dhe prodhimin e materialeve mësimore digjitale për lëndë dhe klasë të ndryshme, si dhe në furnizimin e institucioneve edukative-arsimore me rrjet cilësor të internetit dhe me pajisje të nevojshme teknologjike.

Për këtë synim janë ndarë 52 milionë euro, nga rreth 323 milionë sa parashihet të jetë kostoja e përgjithshme e strategjisë.

Cilësia e arsimit

Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 nxënës që ndjekin shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi 1.000 shkolla.

Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të vendit është kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare.

Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Në dy teste të PISA-s më 2015 dhe 2018 – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.

PISA u mbajt edhe në vitin 2022, por rezultatet e këtij testi pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti./REL/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti zbulon tri ofertat e Qeverisë në këmbim të ndaljes së grevave

Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media tha se këshillit grevist ua ka thënë tri gjëra për të cilat ata u zotuan se do ta pyesin anëtarësinë.

Kurti tha se këshilli grevist nuk e pyeti anëtarësinë por sapo dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë raporton Gazeta Express.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të këshillit grevist për të cilën ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim se do ta pyesin anëtarësinë, porsa dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë, kur e pyetën anëtarësinë.  Oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmbajtësore për Ligjin për Pagat. Do te jene pjesë përmbajtësore për diskutime publike për ligjin mbi pagat. Ua dham lajmin atyre të parët, sepse këtë javë fillon diskutimi publik. Dy të tjerat ishin që bashkë me BSPK do ta bëjmë reformën e sistemit pensional, që të bëjmë diferencimin e kategorive të ndryshme, duke e hequr pragun famëkeq 15 vjet përvojë punë, dhe u zotuam që tek barnat esenciale të shtojmë edhe 10 milionë euro”, ka thënë Kurti teksa ka treguar ofertën shtesë për krerët e sindikatave.

Ai tha se në takim i është kërkuar që të lëvizë nga pozicioni.

“Në takim më është thënë kryeministër lëviz, por unë të paktën kam lëvizur 10 herë vetëm në drejtim të kërkesave të sindikatave, prandaj për këtë arsye kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla dhe mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Nuk bën bojkot e grevë shtetit sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që s’ka pas komunikim, problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut”, tha ai. / KultPlus.com

Nagavci ndryshon mënyrën e vijimit të vitit shkollor: Me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se viti shkollor do të ndahet në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë), për, siç tha ajo, vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve.

Sipas Nagavcit, ky ndryshim është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve.

“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është inicuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci tha se udhëzimi i ri administrativ reflekton në përmbajtje cilësore të vlerësimit të nxënësve, shkarkimin e ngarkesës administrative për mësimdhënësit, informimin me kohë të nxënësve dhe prindërve për suksesin dhe rezultatin e nxënësve në lëndët e caktuara.

“Ky Udhëzim Administrativ për vlerësimin e nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulës është në diskutim publik deri më 23 qershor 2022, prandaj ftoj të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë edhe gjatë këtyre ditëve me komente profesionale, në mënyrë që këtë dokument të rëndësishëm ta kemi sa më cilësor”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com

20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend

Më 20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend.

Gjergj Kokoshi u lind në Shkodër më 1904, studimet i kreu në Itali dhe Francë për filozofi, më pas mori titullin doktor në Paris për letërsi. Në vitin 1930 ai u kthye për tu bërë pjesë e trupës akademike në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë.

Në vitin 1944 emërohet Ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Enver Hoxha, ku organizoi kongresin e arsimtarëve antifashistë dhe hartoi platformën për një arsim cilësor. Kokoshi pa kaluar shumë kohë jep dorëheqjen më 13 janar 1945.

Më pas ai dënohet me 30 vite burg dhe dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel aty ku edhe vdiq në vitin 1960.

Gjergj Kokoshi nuk u martua asnjëherë dhe nuk la pasardhës. / KultPlus.com

Reagon rrjeti i OSHC-ve për arsimin parauniversitar lidhur me situatën e krijuar së fundmi në sistemin arsimor të Kosovës

Rrjeti Ombrellë i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (RrOOSCAP) është duke e parë me shqetësim të lartë situatën e krijuar së fundi në sistemin arsimor të Kosovës si pasojë e mungesës së dialogut mes akterëve relevantë.

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpërndarjen e mjeteve financiare shtesë në muajin prill 2022 pa asnjë konsultë paraprake me palët relevante, ka barrikaduar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për hyrje në grevë dhe bllokadë totale të arsimit nga data 20.04.2022 duke mos konsideruar asnjë mjet tjetër sindikal. Në anën tjetër, pas publikimit të raportit me rezultate shqetësuese lidhur me përceptimet e nxënësve mbi cilësinë e arsimit, Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) pritet të marshojë në 29 komuna të Kosovës me kërkesa specifike për rritjen e mirëqenies dhe cilësisë në arsim.

Rrjeti fton me urgjencë Zyrën e Presidentës së Republikës së Kosovës (ZPRK) të përfshihet në këtë mes duke e ngritur problematikën në fjalë në nivel kombëtar përmes themelimit të “Këshillit Kombëtar për Cilësi në Arsim”. Kjo me qëllim të lehtësimit të komunikimit mes palëve që tanimë kanë bllokuar çdo kanal komunikimi mes vete dhe parandalimit të veprimeve që thellojnë më tej krizën në arsim. Rrjeti inkurajon Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të rimendojnë pozicionet dhe qëndrimet aktuale duke u hapur për diskutime dhe gjetje të zgjidhjeve optimale për të shmangur çfarëdo veprimi që shkon në dëm të nxënësve të Kosovës.

Me këtë rast, rrjeti përkrah dhe qëndron pas kërkesave të Këshillit të Nxënësve të Kosovës (KNK) që ndërlidhen me kthimin e vëmendjes kombëtare në çështjet që ndërlidhen me arsimin, specifikisht rritjen e mirëqenies dhe cilësisë së arsimit në Kosovë. Në fakt është momenti i fundit, tanimë edhe i tejkaluar, për të prioritizuar dhe vënë në qendër të vëmendjes përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë dhe kjo vlen për të gjitha institucionet dhe të gjithë akterët tjerë shtetëror dhe social që në një apo tjetër mënyrë kanë ndikim në sistemin edukativo-arsimor të Kosovës.

Organizatat anëtare të rrjetit, njohin të drejtën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për paga më të dinjitetshme në të gjithë sektorët, përfshirë këtu edhe në sektorin e arsimit. Por, nuk është aspak e drejtë dhe korrekte të që kjo të bëhet duke e rrezikuar edhe më tej mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe është krejtësisht e papranueshme që të bëhet në dhe mbi kurriz të nxënësve. Prandaj, kërkojmë me ngulm nga SBASHK që të zëvendësojë grevën me mjetet tjera sindikale që shprehin pakënaqësitë dhe artikulojnë kërkesat përkatëse karshi institucioneve.

Për fund, rrjeti i përbërë nga Kosova Education Center (KEC), organizata ETEA, Kosova Center for Distance Education (KCDE), Kosovar Youth Council (KYC), Peer Educators Netëork (PEN), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM), Qendra per Studime te Avancuara FIT, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Teach For Kosova, organizata TOKA dhe Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE) – shpreh gatishmërinë përkatëse për të ofruar çfardo ndihme dhe ekspertize përkatëse për të gjitha palët e lartëpërmendura lidhur me inicimin e dialogut, themelimin e “Këshillit Kombëtar për Cilësi në Arsim” dhe parandalimin e përkeqësimit të gjendjes në sistemin arsimor të Kosovës. / KultPlus.com

Sot shënohet dita ndërkombëtare e arsimit

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. 

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, në shenjë kremtimi të rolit të arsimit për paqen dhe zhvillimin.

Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.

Pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe mundësi jetësore për të gjithë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur. /KultPlus.com

Shqiperia po zbrazet, 10 mijë fëmijë më pak këtë vit në klasën e parë

Mësuesit rrezikojnë vendin e punës në institucionet arsimore për shkak të rënies së numrit të regjistrimeve.

Pas kërkesës për informacion që Top Channel i drejtoi Ministrisë së Arsimit mësoi se: në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar në klasë të parë vetëm 20 235 fëmijë, rreth 10 mijë fëmijë më pak se në vitin e shkuar shkollor.

“10 mijë fëmijë më pak do të thotë 350 klasa të para më pak, pra 350 mësues më pak të arsimit fillor. Ne para 5 viteve kemi pasur nga 6 klasa paralele, sot kemi 4. Ky problem ndihet e do të vazhdojë të ndihet edhe më shumë. Në Sauk, në shkollën ’28 Nëntori’, në shkollën time ku punoj ‘Marie Logoreci’ ka një klasë më pak”, tha Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Arsimit në Tiranë.

Në 20 vitet e fundit sipas të dhënave të INSTAT popullata e fëmijëve të ciklit 9 vjeçar ka pësuar rënie me 48%. Numri i ulët i regjistrimeve vihet re edhe në klasë të dhjetë, ku janë regjistruar 17 145 nxënës, 1.2% më pak se vitin e kaluar.

Risia e regjistrimeve këtë herë ishte aplikimi online përmes e-Albania, e sipas drejtorisë së përgjithshme të arsimit parauniversitar ende 0.2% e fëmijëve nuk janë regjistruar kjo për shkak të disa problematikave si pamundësia për të aplikuar apo prindërit nuk respektojnë juridiksionin e shkollave ku u përket për arsimim dhe neglizhimi për t’i regjistruar në shkollat ku dëshirojnë. /Top Channel/ KultPlus.com

Revista “Mësuesi”, në ndihmë të arsimtarëve të shekullit të kaluar

Revista “Mësuesi”, drejtuar nga Karl Gurakuqi, ishte një revistë didaktike në shërbim të mësimdhënies që përfshinte artikuj të ndryshëm ndihmues dhe këshillues për mësuesit dhe botohej në vitet ’20 të shekullit XX.

Artikujt trajtonin tema të ndryshme mësimore, çështje të didaktikës, metodikës etj.

Veç tyre revista përcillte edhe informacione zyrtare të dobishme lidhur me arsimin. / KultPlus.com

‘Jetojmë në një botë ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria’

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës.

Galeano shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.

Ndërsa KultPlus ju sjell këtë deklaratë të famshme të Galeanos, që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.

‘Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.’/ KultPlus.com

Mandela: Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për ta ndryshuar botën

Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

KultPlus, jua sjell disa nga thëniet frymëzuese te ish-Presidentit te Afrikes se Jugut.

“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.

“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket” / KultPlus.com

‘Shumica e fëmijëve janë inteligjentë, shumica e të rriturve janë budallenj. Diçka nuk shkon mirë me arsimimin’

Sot shënohet dita ndërkombëtare e arsimit, si një datë e përvitshme për të shënuar shtyllën emancipuese të njeriut, shkruan KultPlus.

E vendosur më 24 janar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2018, kjo ditë përkujton rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, KultPlus ju sjell thënie që ndërlidhen me simbolikën e kësaj date:

Lumturia e njeriut përbëhet nga arsimi dhe edukimi, jo nga pasuria që fati i jep dhe i merr.

Sot e kam kuptuar se mësuesi më i mirë është ai që mëson nga nxënësi i tij.

Sa më i paarsimuar është një person, aq më e madhe është pikëpamja për veten e tij.

Është më e lehtë të gjykosh arsimin e një personi nga pyetjet e tij, sesa nga përgjigjet e tij.

Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta.

Ndërsa shumica e fëmijëve janë inteligjentë, shumica e të rriturve janë budallenj. Pra, diçka nuk shkon mirë me arsimimin.

Mësojmë shumë, dimë pak, nuk pranojmë asnjë

Sa më pak të lexojmë, aq më e dëmshme është ajo që lexojmë.

Koha ideale për të filluar formimin e karakterit të një fëmije është njëqind vjet para lindjes së tij.

Mësuesi mediokër flet. Mësuesi i mirë shpjegon. Një mësues superior demonstron. Mësuesi i madh frymëzon. / KultPlus.com

UP-ja konfirmon se zv.ministri i Arsimit është student

Zëvendësministri i Arsimit, i emëruar ditë më parë nga Qeveria, Driton Bardheci, është ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, dekani i këtij Fakulteti, Ahmet Shala.

Ai ka thënë se Bardheci i ka regjistruar studimet në vitin akademik 2015/2016.

“Ai është student i drejtimit inxhinieri industriale dhe menaxhment, ende nuk i ka përfunduar studimet për është afër përfundimit. Sa i përket suksesit të tij nuk mund të lëshohem në komente të tilla sepse ai ende nuk i ka përfunduar studimet”, ka thënë ai.

Emërimi i Bardhecit si zëvendësministër i Arsimit ka ngjallur reagime të shumta tek shoqëria civile e organizatat studentore.

“Koha” ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës përse është emëruar zëvendësministër një person pa studime themelore dhe nëse do të anulohet ky vendim por deri tash nuk ka marrë përgjigje.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj nuk është përgjigjur që nga dje, ndërkaq shefi i kabinetit të tij, Gëzim Berisha ka thënë se deri tash i vetmi zëvendësministër i emëruar në MASH, është Bardheci.

“Kjo është informata që e kemi, nuk e kam pa që ka dalë sot në punë. Mirëpo për detaje tjera drejtohu te Qeveria sepse ata e kanë emëruar”, ka thënë ai përmes telefonit.

Edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të MASH, Agim Bërdyna ka thënë përmes telefonit se sipas informatave që i ka deri tash zëvendësministër në këtë institucion është vetëm Bardheci, por që sipas tij, ende s’ka marrë ndonjë dokument zyrtar për këtë.

Bardheci tash e disa vite është aktivist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherësh edhe kryetar i Rinisë së kësaj partie.

Ai një ditë më parë ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është emëruar zëvendësministër i Arsimit, por më pas e ka mbyllur profilin e tij. “Sot, u emërova zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E falënderoj kryetarin Ramush Haradinaj dhe strukturat e AAK-së për besimin e dhënë! Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që t’i shërbej shtetit tim dhe gjithë juve që më mbështetët në çdo periudhë. Zotohem se do të përkushtohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mija njerëzore dhe profesionale, në mënyrë që të përballemi suksesshëm me të gjitha sfidat gjatë reformës së sistemit arsimor”, ka shkruar Bardheci në Facebook.

Ai që nga dje nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËN, rreth emërimit të tij. Koha.net / KultPlus.com

Gjilani nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e cilësisë së arsim

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi Caritasin zviceran në Kosovë për implementimin e projektit “Vendosja e standardeve parashkollore të cilësisë së lartë duke përforcuar arsimin, shkencën dhe ekonominë – Shpresë”.

Marrëveshja ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe ofrimin e shërbimeve në nivelin e  arsimit parafillor në komunën e Gjilanit, përmes përmirësimit të shërbimeve të qëndrueshme për trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të edukatorëve parafillor në nivel komunal si dhe duke krijuar një mjedis miqësor ndaj fëmijëve, në klasat e arsimit parafillor.

Ky projekt përfshin organizimin dhe ofrimin e trajnimit për edukatorët ekzistues të nivelit parafillor dhe  zyrtarëve në Komunën e Gjilanit, organizimin e sesioneve për monitorim të cilësisë dhe mentorim për edukatorët e trajnuar parafillor, mobilizimin e pikave përkatëse kontaktuese për arsimin në nivel komunal, avokimi në nivel komunal për arsimimin e mëtejshëm të edukatorëve në arsimin parafillor, sikurse edhe ofrimin e pajisjeve dhe materialeve didaktike për pesë  klasat e përzgjedhura.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica dhe drejtori i Caritasit zviceran për Kosovë, Kreshnik Basha.​ / KultPlus.com

Krasniqi: Arsimin e organizojnë dhe e drejtojnë të diturit, ata që duan ta arsimojnë e përparojnë kombin

Në një shkrim për Arsimin në Kosovë, nga Jakup Krasniqi, u shpreh se, një vendim i ligjshëm apo i paligjshëm qoftë, në shoqërinë tonë me të drejtë ka nxitur një debat. Nuk është edhe aq e rëndësishme se çfarë është përmbajtja e debatit, e rëndësishme është gjendja në arsimin tonë në përgjithësi e në atë të lartin në veçanti, përcjell KultPlus

Cila është kjo gjendje dhe a mundet kjo gjendje t’i përshkruhet një Ministri të urtë e të kulturuar, siç është Ministri Bytyqi? Jo! Kur problemet i kanë krijuar të tjerët ndër vite, askush nuk thotë pse krijuam shumë mami (lexo institucione të pavarura), për te mbytur arsimin e lartë? Populli thotë: “Shumë mami e mbysin foshnjën”!

Arsimit tonë i janë bërë shumë mami të varura e të “pavarura”, prandaj, arsimi ynë në përgjithësi, e sidomos arsimi i lartë, nuk mund të kishte fat tjetër nga ky qe po e vajtojmë pas njëzet vitesh.

Kur filloi kriza, sidomos në arsimin e lartë?

Kriza në arsimin tonë filloi atëherë kur, pa u rehabilituar procesi arsimor që ishte i dëmtuar rëndë nga Serbia e Millosheviqit, sidomos në fillim të viteve ’90 të shekullit XX u kalua në Sistemin e Bolonjës. Pas këtij kalimi (a thua i gabuar?!), gabimi tjetër i madh u bë me liberalizimin e arsimit – hapja e universiteteve private pa asnjë kriter të vetëm dhe pa asnjë mekanizëm që kontrollon performancën dhe cilësinë e tij. Në fakt, universitetet private, tani kolegje, nuk kishin për qëllim arsimin cilësor, por për biznesin privat thjesht përfitimin material. Këto universitete kanë filluar në baraka dhe shikoni ndonjërin prej tyre se ku kanë përfunduar. Askush në Qeveritë tona të pasluftës nuk është kujdesur për cilësinë në ato universitete a kolegje private.

As Institucioni i pavarur – KSHC – që me ligj i është dhënë ajo përgjegjësi, përkundrazi, po nga ai institucion janë privilegjuar dhe privilegjohen edhe tani kolegjet private (le ta themi disa). Si paska mundësi një institucion i pavarur me 5 a 7 veta mbi bazën e një rekomandimi të ndonjë “eksperti” të jashtëm t’i mbyllë njëherësh tri universitete publike? Pastaj t’i mbyllë edhe disa kolegje private, e t’i privilegjojë vetëm ato që kanë shumë para? Gjërat nuk janë kaq të thjeshta siç po shihen nga disa. Sidomos nga ata që e mbështeten KSHC-në!

Situata e krijuar e obligon Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë që ta shikojnë seriozisht infrastrukturën ligjore ekzistuese. A është e duhura? A duhet ndryshuar? Para se Qeveria e Kosovës të ndërhyjë në vendimin e ngutshëm të një organi të pavarur, ajo duhet urgjentisht se bashku me Kuvendin ta ndryshojnë ligjin dhe përgjegjësinë në arsimin e lartë ta marrë shteti – Qeveria. Përndryshe, cili është roli i Qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit në këtë situatë?

Si kryetar i Kuvendit, dihet kjo tashmë botërisht, kam qenë kundër krijimit të universiteteve publike për vota, pa asnjë analizë a elaborat të studiuar mirë, por atëherë opozita heshtte, heshtte se edhe ajo llogariste në vota. Në demokraci votat janë të rëndësishme, por jo për të shkelur mbi interesin e kombit e të shtetit. Tani universitetet publike janë aty dhe për to duhet të vendosin Kuvendi dhe Qeveria, të mbyllen apo t’ju krijohen kushtet për vazhdimin e aktivitetit studimor. Në një situatë të tillë, Qeveria nuk duhet të flasë se universitetet publike duhet të ekzistojnë për çështje sociale, ajo, para se të ndajë para për autostrada, le të ndajë para për arsimin nëse e ka prioritet, për kryeautostradën e kombit (arsimin), për të tërhequr kuadrot e duhura e jo ta shkelë ligjin që është në fuqi. Ligji duhet ndryshuar e pastaj vijnë veprimet e duhura te institucioneve përkatëse.

Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të krijojnë një trupë profesionale për t’i kontrolluar të gjithë trupat e deritashme të institucioneve të pavarura apo të Shoqërisë Civile që kanë përfituar nga përgjegjësitë që i kanë pasur ose u janë dhuruar për“ngritjen” e cilësisë, sa ato e paskan ngritur gjatë viteve cilësinë në arsimin e lartë!

Në situatën e krijuar një gjë shihet e dihet! Po zhurmojnë shumë pikërisht ata që deri tani kanë përfituar shumë nga arsimi i lartë, dhe pikërisht pse ky arsim i lartë nuk ka pasur zot shtëpie të përcaktuar qartë!

Gjendja në arsimin tonë seç ma kujtoi thënien e malësores lidhur me vështirësinë për të mbajtur shtëpi: “Mos me kanë për mend e dije, por me kanë për fuqi, Kola i jem i kishte mbajtë tri”! Mbase para qindra viteve, malësorja e jonë e pashkollë e ka ditur se dija e jo fuqia udhëheq me familjen. Prandaj, aq më pak arsimin e bëjnë të fuqishmit apo përfituesit e shumtë që i janë sulur atij nga të gjitha anët për zhvatje!

Si përfundim:Arsimin e organizojnë dhe e drejtojnë jo përfituesit pa parime, por të diturit, të arsimuarit, njerëzit me integritet, ata që qëllim parësor kanë për të arsimuar dhe edukuar të ardhmen e kombit, për ta zhvilluar e përparuar vendin!

Kosova pikërisht për këtë ka nevojë imediate!/KultPlus.com