Nga 1 tetori arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar që nga 1 tetori i këtij viti, do të hiqen pagesat për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master, në universitetet publike në Kosovë. Kurti theksoi se ky vendim vlen për studentët e vitit akademik 2021/2022.

Kryeministri tha se lehtësime do të ketë edhe për studentët e Doktoratës.

“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të rajonit.

“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.

Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com

Sot fillon viti i ri akademik në institucionet e arsimit të lartë

Viti i ri akademik 2020/2021, fillon sot në institucionet e arsimit të lartë, për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, kurse për studentët e rinj të vitit të parë do fillojë me vonesë.

Viti i ri akademik për institucionet e arsimit të lartë ka filluar sot në formën online dhe të kombinuar. Për shkak të pandemisë, shumë njësi akademike e kanë filluar mësimin online, ndërsa ato që kanë specifika të veçanta, mësimin e organizojnë në klasë. Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, i cili ka marrë sot mandatin e tij, ka folur për Radio Kosovën rreth obligimeve që ka marrë menjëherë për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe prioritetet e tjera..

“Qysh sot do të fillojë të merrem me problemet, ku kam caktuar mbledhjen e senatit në ora 13:00 për tu njoftuar me përbërjen e ekipit. Ndërsa, nga dita e nesërme do të fillojmë të adresojmë problemet e mundshme për fillimin e vitit të ri akademik. Do ta kemi edhe një mbledhje të kolegjiumit, ku do të njoftohem nga afër nga të gjithë dekanët për problemet specifike.”

Sahiti, tha se mësimi do të organizohet i kombinuar.

“Pjesët e tjera të procesit mësimor, që kërkojnë përfshirjen praktike të studentëve, do të organizohen në mënyrë fizike.”
Ndërkohë, ekspertët thonë se organizimi i mësimit varet edhe nga situata pandemike në vend. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se do të ishte mirë që mësimi të zhvillohet me praninë fizike në klasë, por jo të gjitha institucionet e kanë një mundësi të tillë.

Elbasan Geci, nga Paqja Studentore, tha për Radion se studentët kanë kërkuar që disa njësi akademike të mbajnë mësimin me praninë e studentëve në klasë, për shkak të specifikave që kanë.

Provimet pranuese për kandidatët e rinj dhe provimet e tjera do të mbahen në ambiente të fakulteteve, ndërsa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet e tjera do të organizohen në distancë. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë, duhet t’i përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për respektimin e masave. / KultPlus.com