Art Explora sjell pranverë aktivitetesh kulturore në Shqipëri

Fondacioni Art Explora zbulon një program të larmishëm dhe ambicioz aktivitetesh ku do të marrin pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Momentet më të rëndësishme përfshijnë performancat dhe koncertet nga artistë të mirënjohur si Mykki Blanco (në Vila 31), Elsa Lila (Art Explora Festival) dhe Selma Selman (Art Explora Festival), si edhe artistë që kanë marrë pjesë në Programin e Rezidencave të Fondacionit Art Explora, si Samir Laghouati Rashwan, Astrit Ismaili, Zeineb Henchiri, Erdiola Kanda, Mikołaj Sobczak dhe Amie Barouh.

Nga 9-13 prill, në Vila 31 artistët e sesionit të parë rezidentë do të hapin studiot e tyre për publikun. Do të organizohen performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash, duke e bërë këtë fundjavë përuruese një mundësi ideale takimi dhe ndërveprimi mes publikut dhe artistëve. Ky program është i bashkëfinancuar nga Komisioni Europian.

Gjithashtu te Vila 31 do të organizohet një simpozium rreth çështjeve së kujtesës, arkitekturës dhe përcjelljes së trashëgimisë, ndërsa Kinemateka Shqiptare do të propozojë një përzgjedhje filmash dhe aktivitetesh kushtuar kinemasë së Evropës Lindore.

Përgjatë Fundjavës së Oqeanit (9-21 prill) performanca, shfaqje filmash dhe diskutime do të përqendrohen në urgjencën për veprime klimaterike.

Një skenografi e kuruar nxjerr në pah më të mirën e ambienteve, duke i shndërruar Vilën 31 dhe Art Explora Festival, në hapësira të vërteta për t’u jetuar. Studiot e hapura, performancat, tezgat e ushqimit, Bar Tore, qendra sociale, punëtori krijuese dhe radio transmetim i Radios Palestineze Alhara ndihmojnë në krijimin e një përvoje kolektive të jashtëzakonshme të mundësuar nga fuqia e artit./atsh/KultPlus.com

Artisti Jakup Ferri përzgjidhet në ‘Art Explora’ në Paris

Artisti i njohur shqiptar Jakup Ferri është përzgjedhur për një qëndrim tremujor në “Art Explora – Cité internationale des arts” në Paris, shkruan KultPlus.

Lidhur me këtë përzgjedhje artisti Ferri është shprehur të jetë tejet i nderuar, për këtë mundësi sipas tij të jashtëzakonshme.

“Jam thellësisht i nderuar që jam përzgjedhur për një rezidencë tre-mujore në Art Explora në Paris, në mars, prill dhe maj. I shpreh mirënjohjen time të sinqertë komitetit përzgjedhës të Art Explora dhe që më dha këtë mundësi të jashtëzakonshme”, është shprehur artisti Ferri përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”.

Artisti Jakup Ferri ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik, në vitin 2022./ KultPlus.com