Rozafa Qelaj është një prej aktorëve që ka marrë vëmendje qysh me rolin e saj të parë serioz në filmin “Gardhi” të regjisores Lendita Zeqiraj. Nga ajo kohë për Rozafën nuk kanë munguar rolet, çmimet, e krahasimet me aktore të nivelit botërorë, shkruan KultPlus.
Para pak ditësh doli lajmi që Rozafa Çelaj është nominuar në Festivalin Internacional të Filmit në Spanjë në kategorinë për Aktoren më të mirë me rolin e saj në filmin “Shpia e Agës”. Ndërsa sot, producenti i filmit Bujar Kabashi ka bërë të ditur që aktorja Çelaj është nominuar në po të njëjtën kategori por kësaj radhe në “Pula Film Festival” në Kroaci. Përveç Rozafës, është edhe aktori Art Lokaj i cili është nominuar në kategorinë për Aktorin më të mirë në këtë film.
Mesa duket sukseset e filmit ‘Shpia e Agës’, nuk kanë të ndalur. Producenti i filmit, Bujar Kabashi, ka bërë të ditur për KultPlus se ‘Shpia e Agës’ është nominuar gjithashtu edhe për Filmin më të Mirë si dhe Lendita Zeqiraj për Regjinë Më Të Mirë.
Këto katër nominime janë për çmimin ‘Arena e Artë’, çmim ky që ndryshe konsiderohet edhe si Oskari i Kroacisë. Pula Film Festival ka qenë në plan që të mbahet në muajin Korrik të këtij viti, mirëpo situata pandemike ka pamundësuar mbajtjen e festivalit, duke e shtyrë kështu për në shtator.
Vlen të ceket se ‘Shpia e Agës’, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.
‘Shpia e Agës’ flet për pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja. Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.
Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit ËOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com
Art Lokaj dhe bendi i tij do të jenë këtë të enjte në Tiranë për të dhënë një koncert live, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert Lokaj
do të promovojë këngët e albumit të tij të parë i cili titullohet “Use you’. Ky
album e sjellë Artin në cilësinë e kantautorit dhe producentit.
Këtë koncert i cili do
të karakterizohet nga 8 këngë të padëgjuara më parë nga publiku i Tiranës, të
Art Lokajt të zhanrit funk, r’n’b, soul, do ta mirëpres ‘Tulla’ më datë 21
mars. Koncerti fillon në ora 21:00.
Krahas Artit, në këtë koncert do të performojnë edhe një numër i madh i muzikantëve të skenës vendore të cilët gjithashtu janë edhe bashkëpunëtor në incizimin e albumit. Në mesin e tyre janë Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, dhe artistë e muzicientë të tjerë që mbeten surprizë.
Albumi u incizua në shkurt 2019 në hapësirën e bashkëpunimit të muzikantëve Prishtinas, LICEU, iniciativë kjo gjithashtu e udhëhequr nga Art Lokaj. / KultPlus.com
KultPlus ju sjellë intervistën e
realizuar me aktorin e ri por shumë premtues, Art Lokaj. Arti ka shpalosur
kujtime nga xhirimet e tij të para, dashurinë që ka marrë gjatë xhirimeve në
Kosovë dhe sfidat të cilat po i hasë tani në Amerikë. Viti 2018 ka qenë një vit
i cili ka sjellë ndryshime të shumta në jetën e Art Lokajt. I vogël por i
roleve kryesore, Arti mishërohet lehtësisht me çdo rol që i ofrohet. Për këtë
fundvit, po e sjellim Artin në këtë formë.
KultPlus: Si lindi dashuria e Artit për
aktrimin?
Art Lokaj: Në rolin e parë që e kam marrë. Isha
6 vjeç në filmin “Rooftop story” të regjisorit Gazmend Nela. Aktori Xhevdet
Doda në një takim të rastësishëm me mamin (Arbana Xharrën) gjatë DokuFest-it në
Prizren, i tregon se në një projekt filmik po e kërkojnë një djalë 6 vjeçar dhe
e pyet mamin se sa vjeç janë fëmijët. Me dërgoi mami në audicion pas disa ditësh
dhe e fitova rolin. Ka qenë hera e parë për mua dhe më shumë gëzohesha për
ditët e xhirimit për stafin me të cilët kisha shumë afërsi. Mbaj mend skenat
kur duheshim që t’i përsëritnim, ishte e lodhshme. Kam pasur një skenë ku unë
kam pasë të pijë ujë dhe sa herë kthehej skena unë pija dhe dikur mu fry barku
shume sepse e kisha tepruar.
KultPlus: Jeni rritur në mes
të sportit, aktrimit dhe gazetarisë, profesione të familjarëve
tuaj. Si ndikoi kjo tek ju dhe cila fushë mbetet më e preferuara
për ju?
Art Lokaj: Sporti në fillim, futbolli ndoshta
për shkak se babi (Andin Lokaj) ishte tërë kohën në televizion, edhe qysh të
vegjël kemi nisë bashkë me vëllain Andin të luajmë. Gazetaria më pëlqen sepse
shkoja shpesh tek mami në redaksi dhe më pëlqente era e letrës së gazetës dhe
më bënte përshtypje sa shumë shkronja ishin të radhitura nëpër faqe. Kur nisa
me aktrim mami më thoshte se i kam ngjarë gjyshit, aktorit Selman Lokaj. Unë
mendoj se talentin e kam trashëguar nga familja dhe se ky do të jetë profesioni
im.
KultPlus: Jeni
në fillim të karrierës suaj në aktrim. Si do e përshkruanit këtë
fillim, çfarë e karakterizon atë?
Art Lokaj: Unë kam luajtur në disa filma të shkurtër
por edhe dy të metrazhit të gjatë. Më pëlqen arti i aktrimi se futesh në rol
sikurse je në një botë tjetër dhe vet ti në një trup të huaj.
Më pëlqen gjithçka rreth aktrimit, prej skenarit kur nisi ta mësoj, e deri tek puna me staf, është kënaqësi e madhe të punosh me njerëz të filmit, me të gjithë jo vetëm aktorët, por edhe stafi teknik edhe vozitësit të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua dhe dua ti falënderoj secilin.
KultPlus: Jeni me
moshë shumë të re, mirëpo keni arritur që përgjatë punës suaj të
keni përkrah regjisorë të njohur. Sa ka ndikuar kjo tek ju?
Art Lokaj: Unë kam pasur fatin të punoj me regjisoren
Lendita Zeqiraj, ajo ka luajtur një rol të madh në fillimin e karrierës sime.
Lendita
më ka dhënë rolet kryesore në dy projektet e saj filmike, “Gardhi” i metrazhit të shkurtër dhe “Aga” – film i metrazhit
të gjatë. Falë punës së saj të mrekullueshme unë kam marrë pjesë në festivale
të mëdha në Amerikë. Ndërsa në filmin ‘Aga’ i cili ende nuk është shfaqur ka
qenë një eksperiencë mahnitëse, kisha një mbështetje të madhe të Lenditës. Isha
disa muaj me ta deri natën vonë, hanim bashkë, luanim në pauzë, nuk do ta
harroj kurrë atë përvojë. Dua të përmend edhe Basri Lushtakun me të cilin kemi
luajtur në këtë film, ai më ka trajtuar sikur djalin e tij jo vetëm gjatë
xhirimeve. Po ashtu me Rosafa Çelajn ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Unë të
gjithë këta i konsideroj më shumë se kolegë, këta janë familje për mua.
KultPlus: Deri tani keni
qenë pjesë e disa filmave duke përfshirë këtu “Gardhi”, “Aga’s House” dhe
“Rooftop Story”. Çfarë mësuat gjatë këtij rrugëtimi dhe
sa ka ndryshuar Arti përgjatë këtyre projekteve filmike?
Art Lokaj: Unë kam mësuar shumë dhe më është dhënë mundësia që të shfaqem nëpër kino, nëpër festivale të mëdha të filmit, nëpër botë të krijoj miq e kolegë të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohës dhe suksesin tim gjithmonë do të ia dedikoj të gjithë atyre që më mbështetën. Unë e dua aktrimin sepse loja në film edhe në teatër më bën të lumtur. E dua botën e aktorëve.
KultPlus: Tashmë po synoni edhe një
karrierë filmike në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Si mund ta përshkruani gjithë këtë eksperiencë?
Art Lokaj: Unë kam pasur disa audicione, në më
të rëndësishmin atë për rolin në “Madam Secretary” u njoftova me aktorin Eric
Stoltz, i cili edhe më përzgjodhi nga audicioni. Pasi kisha eksperiencën nga
Kosova e mësova tekstin shpejt dhe isha i vetmi në audicion pa letër përpara.
Kur u futa në dhomën e audicionit më pyetën se ku e kam skriptën, u thash se e
kam memorizuar. Ata me kërkuan të shkoj sërish ditën tjetër, isha shumë i
lumtur. Kam pasur shfaqje në teatër të New York-ut po ashtu kam marrë pjesë
edhe në një garë të madhe në Chicago. Aty jemi prezantuar me monolog para
agjentëve dhe kompanive të ndryshme. Shtatë nga kompanitë me kërkuan të
takohesha bashkë me mamin, na morën të dhënat për projektet e tyre të
ardhshme.
KultPlus: Rrugëtimin tuaj
ndërkombëtar por edhe atë kombëtar në aktrim po e vazhdoni
suksesshëm, cilat janë projektet në të cilat jeni angazhuar
së fundmi?
Art Lokaj: Ndërkohë jam duke punuar edhe me
mësues privat për zë dhe teatër sepse në New York ku jemi të vendosur ka shumë
mundësi të mira për në Broadway. Tash kam nisur mësimet private për zë dhe
aktrim në teatër me Rance W Wright.
KultPlus: Cili është mesazhi i juaj
për moshatarët tuaj të cilët dëshirojnë po ashtu
të bëhen aktorë…
Art Lokaj:
Unë kam mesazh për prindërit e tyre, sepse ne si fëmijë e dimë çka na pëlqen
por ka shumë rëndësi që të na mbështesin prindërit. Mami jo vetëm që më ka
shtyrë nga fillimi por ajo merret me të gjitha edhe me përgatitjet e mia para
audicioneve, me monologjet, me udhëtime, me takime. Më flet çdo ditë për rëndësinë
e punës, disiplinën e leximit, më jep vullnet duke më rikujtuar suksesin
që mund ta arrij nëse punoj me përkushtim. Pra kam mesazh për prindërit, ti
përkrahin fëmijët e tyre, fëmijët tuaj…
KultPlus: Dhe për fund, Art, si do ta
përshkruani vitin që po lëmë pas me pak fjalë fjalë?
Art Lokaj: Jo shumë i lehtë por shumë i suksesshëm për fillimin e karrierës sime. Jam duke zbuluar sa shumë të jep befasi e kënaqësi aktrimi. Më pëlqen se në Amerikë ka diversitet të kulturave, të gjitha këto së bashku po i sjellim në teatër e në film. Pra ishte një vit që më ka sjellë ndryshime të mëdha. / KultPlus.com
Aktori i ri nga Kosova Art Lokaj, i cili së fundmi ka qenë pjesë e filmit “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, film ky i cili ka triumfuar në Palm Springs si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, tashmë një prezantim të denjë ka bërë edhe në Festivalin e 26-të të filmit ‘Hamptons’, shkruan KultPlus.
Pjesëmarrës në këtë prezantim ishte edhe aktori Art Lokaj, i cili ka njoftuar përmes faqes së tij në Facebook se ky përfaqësim ishte privilegj për të.
“Ishte previlegj qe te perfaqesoj ekipin e filmit FENCE dhe te flas per punen e mrekullueshme te regjisores Lendita Zeqiraj. Me vet faktin qe ishim pjesemarres ne kete festival te njohur ne Amerike do te thote shume per mua per filmin qe perfaqesova dhe per vet #Kosoven”, ka shkruar Lokaj.
‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Ëoof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.
Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com
Art Lokaj, do të jetë pjesë e sezonit të pestë të serialit amerikan “Madam Secretary”, shkruan KultPlus.
Këtë lajm e ka bërë të ditur nënë e aktorit, gazetarja Arbana Xhara. Art Lokaj tashmë ka qenë pjesë edhe e disa filmave kosovarë. Në muajin nëntor, Lokaj ka qenë pjesë e filmit “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj. Ai po ashtu ka luajtur edhe në “Aga’s House” dhe “Rooftop Story”.
Zonja Sekretare është një seri televizive politike e dramës amerikane e krijuar nga Barbara Hall dhe ekzekutivi i prodhuar nga Lori McCreary dhe Morgan Freeman. Në këtë seria Téa Leoni vjen si Elizabeth McCord, një ish-analiste e CIA-s dhe profesoreshë e shkencave politike e cila bëhet Sekretare e Shtetit. Seriali u shfaq fillimisht më 21 shtator 2014. Më 18 prill 2018, u vendos për një sezon të pestë të serialit, pjesë e të cilit siç është bërë e ditur do të jetë edhe Art Lokaj. Se çfarë roli do e ketë Lokaj në këtë serial akoma nuk dihet./ KultPlus.com