Flonja Haxhaj
Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë u mbajt ceremonia hapëse e edicionit të katërt të festivalit ‘Art Without Limit’. Ashtu siç edhe vetë emri tregon, ky festival ka për qëllim të shfaqë filma e storje suksesi që në fokus kanë persona me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.
Si çdo vit tjetër “Art Without Limit International Film Festival” është i përkushtuar për të shfaqur një gamë të larmishme filmash, nga rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion qw do të shfaqen përgjatë tre
ditëve të festivalit.
“Arti është mbledhje e shpirtit dhe aftësia e kufizuar është vetëm një notë unike në simfoninë e përvojës njerëzore”, nisi fjalimin e saj prezantuesja Fëllanza Çitaku, duke hapur një program të stërmbushur me emocione, fjalime të fuqishme e storje që mbi të gjitha inspirojnë dhe japin shpirt në përballjen me sfidat që jeta u sjell secilit njeri.
Me fillim të kësaj ceremonie, në skenë u ngjit Yll Krasniqi, i cili pavarësisht spektrit të autizmit, ka thyer çdo barierë e pengëse dhe ka ndjekur atë që i pëlqen më së shumti, kitarën. Krasniqi dhuroi për publikun një emocion të paharrueshëm teksa interpretoi në kitarë këngën “Lamtumirë’ të Muharrem Qenës.
Më pas, në projektor u prezantuar imazhe nga edicioni i fundit, në të cilin po ashtu u prezantuan filma dhe projekte të ndryshme me qëllim të fuqizimit të personave me nevoja të veçanta. Po ashtu, prezantuesja prezantoi për publikun edhe emrat e jurisë të cilët do të gjykojnë filmat e edicionit të sivjetëm.
E në vijim, radha u erdhi edhe prezantimi i historive frymëzuese, histori që kanë kapërcyer barriera të mëdha dhe janë bërë modele frymëzimi për shumë njerëz. E tillë është historia e Lume Berishës, e cila pavarësisht se është e verbër, ka arritur t’ia dalë dhe të arrijë t’i realizojë ëndërrat e saj.
E pranishme në këtë mbrëmje, Berisha pas shfaqjes së klipit të saj tha se duke mos u dorëzuar, arrihet çdo gjë në jetë.
”Me një këmbëngulësi dhe një vendosshmëri të jashtëzakonshme mund t’ja dilni edhe ju. Nëse jeta na jep 100 arsye për t’u dorëzuar, ne jetës duhet t’ia japim një million arsye të tjera se mund t’ia dalim dhe të jemi të suksesshëm”, u shpreh Berisha.
Më pas u prezantua storja e Egzon Vatovcit, i cili pavarësisht barrierave që ai si një person shtatshkurtër u ballafaqua, ai arriti t’ia dalë dhe t’i mposhtë ato.
Vatovci u shpreh tejet falënderues ndaj gjithësecilit dhe nëpërmjet një thënie, vendosi të përshëndesë të gjithë të pranishmit.
“Në jetë mos fajëso askënd, njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japing eksperiencë, të gabuarit të japing mësim, të dashurit të japing kujtime të paharrueshme”, tha vatovci në fjalimin e tij.
Në vazhdim, radha i erdhi storjes së Elion Palojës, i cili me ndihmen ë familjarëve dhe mësuesve arriti të mposhtë pamundësitë e tij duke arritur të bëhet një pianist i suksesshëm. Pas prezantimit të storjes së tij, Paloja dhuroi para publikut emocione të mëdha teksa interpretoi një pikë muzikore në piano.
Një histori po kaq frymëzuese është edhe historia e Samire Jupollit. E lindur si një shurdhmemece, ajo përgjatë rritjes së saj, vendosi që këtë problem të mos e konsiderojë si të tillë dhe të vazhdojë të punojë në mënyrë që jetë e zonja e vetës dhe t’i tregojë të gjithëve se pavarësisht barrierave, secili mund t’ia dalë.
“Është kënaqësi e madhe që të marr pjesë në këtë festival. Jam shumë më e fuqishme që jam që jam sonte këtu para jush”, tha Jupolli nëpërmjet gjuhës së shenjave.
E për fund, u prezantua storja e Gersi Trokës, i cili pavarësisht se është sindromën doën, qysh në moshën 9-vjeçare filloi të merret me not, duke u bërë më vonë edhe kampion në këtë sport.
“Faleminderit shumëpër mbështetjen, unë si i vogël kam filluar të ushtroj në not. Kam shumë arritje të tjera të cilat dua të t’i realizoj, por hap pas hapi do t’i realizoj”, u shpreh Troka, dëshira më e madhe e të cilit është që të bëhet si Michael Phelps, notari i cili theu shumë rekorde në këtë sport.
Ndërkaq, festivali ‘Art Without Limit’, do të mbahet deri më 3 dhjetor, ku përgjatë këtyre tri ditëve do të shfaqen filma të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë dhe në përmbyllje do të shpallen edhe filmat fitues./KultPlus.com