Arta Gashi, artistja shqiptare në New York, në një intervistë flet për veprimtarinë e saj artistike dhe planet e saj në vazhdim. Ajo nëpërmjet punëve të saj artistike, ruan traditat autoktone shqiptare larg vendit të origjinës. Arta është lindur dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka një pasion për pikturën dhe frymëzimi i saj më i madh është kultura shqiptare.
“Ky pasion ka nisur nga familja, nga gjyshërit. Jemi rritur në New York, po jemi shumë të lidhur me traditat dhe kulturën shqiptare. Arti ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Është frymëzim dhe çlirim shpirtëror për tú shprehur. Gjithashtu shkollën dhe studimet i ka mbaruar në fushën e artit”, shprehet Arta Gashi në emisionin “Vizioni i Pasdites”.
E pyetur për letrat e veçanta që ajo krijon, Gashi tregon se ato janë unike dhe ndërkohë që luan, njohësh dhe me kulturën shqiptare: “Letrat që unë krijoi për lojë janë të veçanta dhe të ndara sipas grupmoshave. Gjyshja ime ka qenë tropojane dhe gjithmonë i ka ruajtur traditat, që mi ka përcjell edhe mua, sepse interesi im ishte shumë i lartë për këtë pjesë të kulturës. Këtu në New York ka njerëz nga popuj të ndryshëm, të gjithë festojnë festat e tyre, është një lloj krenarie të ruash traditat e vendit të origjinës. Ekspozita ime e parë është hapur në vitin 2008, bashkë me disa miq amerikanë, ndërsa ekspozita e dytë ishte e realizuar me shumë shqiptarë të tjerë dhe ishte një atmosferë shumë e bukur shqiptare. Unë jam rritur këtu, por e ndjej veten shumë shqiptare.”
Artistja Arta Gashi tregon se ka dhe shumë shqiptarë të tjerë që merren me punimin e veshjeve artizanale dhe punime dore, sepse i pëlqen të kultivojnë traditat e vendlindjes.
“Po punoj të krijoi një ekspozitë me miqtë e mi shqiptaro-amerikanë, sepse është dhe një mundësi e mirë për t’u bërë bashkë”, tregon Gashi. / KultPlus.com