Sjellja politike e turmave të “tredhura” sipas Teodor Adornos

Shkruan Artan Fuga

Si transformohet individi në turmë të bindur nën efektin e propagandës? – sipas Teodor Adornos

Propaganda e bind individin në turmë që ky i fundit të veprojë dhe sillet edhe kundër interesave të tij. E hipnotizon pra individin dhe e trajton pastaj si do në turmë.

Individi ka nevojë të identifikohet si vetja e vet.

Por, në një shoqëri në krizë, i vetmuar, i dobët, ai ndihet inferior.

Për t’i shpëtuar inferioritetit dhe shkatërrimit psikologjik identifikohet te propagandisti kryesor, pra e sheh atë sikur të ishte Babai i tij.

Në këtë mënyrë, individi në turmë, në masë, qoftë kjo masë mitingashësh, ose telespektatorë në shtëpia, ose thjesht zgjedhës, pëson një regresion psikologjik, bëhet fëmijë dhe e sheh propagandistin kryesor, si babain e vet.

Këtu i nis dashuria-bindja libidinale për udhëheqësin – propagandist, sikurse dashuria inkoshiente për Babain simbolik, nën autoritetin e të cilit në moshën e libidos orale nis të formohet si identitet.

Individi nuk sheh më interesat e tij në mënyrë të arsyeshme sepse nis t’i bllokohet arësyeja, dhe përjeton vetëm emocionalisht, psiqikisht, nisin simptomat psikopatologjike të hyjnizimit të liderit propagandistik.

Identifikimi me liderin prodhon narcizëm, narcizmin e individit në turmë që pëlqen vetëm veten e vet, dhe narcizmin e liderit që nis të identifikohet me Babain mitologjik të kohëve primitive që kastroi individin, i trodhi, dhe i bëri të binden bijtë e vet.

Instinkti i vëllezërve të tredhur që vrasin Babain, nis të kapi individn në turmë. Ai jeton nën efektin e mitit.

Idealizon objektin e dashurisë së tij që është lideri politik propagandues si Babën e vet.

Lideri bëhet edhe ai narcist sepse sheh që turma e vëllezërve të tredhur, para tij në miting, e adhuron. Këtu nis adhurimi i vetes dhe narcizmi sepse e sheh veten në pasqyrën e thirrjeve frenetike të masës të tredhur.

Lideri propagandistik, i narcizuar si baba i kombit, i turmave, e di që turmat nuk binden me argumenta, por vetëm me slogane dhe thirrje dashurie dhe ndëshkimi. Me slogane të thjeshta, budallalliqe pa kuptim. Dashuri-Ndëshkimi i të tredhurve bëhet mekanizmi i i hipnotizimit të tyre. Këta sillen si fëmijë, pësojnë regres psikologjik duke u kthyer në moshën e çilimillëkut të hershëm dhe shohin babën në sy, që është garanti i qendrimit të nënës në shtëpi. Bebja do nënën dhe turma do krodhen e bukës, do një strehë, një rrogë, një ndihmë sociale, një bursë, një shtesë rroge.

Babai u hedh diçka sa për t’i bindur se ata janë nën mbrojtjen e tij.

Turma e tredhur, e hipnotizuar, e narcizuar, e barazuar me babain lider, që idealizon objektin që ka përpara, nën mbrojtje iluzore, infantilizohet dhe në mënyrë krejt irracionale bën çfarë i kërkojnë.

Ky është thotë i madhi Teodor Adorno mekanizmi psikologjik që i bën masat të sillen si dele, si të tredhur, kastruar, para një propagande të gënjeshtër, dhe të mos arrijnë më të mendojnë më.

Ky është, thotë, ai mekanizmi i mbajtjes të pushtetit me ndihmën e masave të hipnotizuara nga propaganda! Masa e futur nën ndikimin e propagandës ka nevojë të tallet, fyhet, poshtërohet, shkruan Adorno, dhe me ndonjë krodhe të hedhur t’i simbolizohet mbrojtja nga babai i hordhisë arkaike.

Turma nis të jetë narciste dhe do cdokënd që është në anën e vet, dhe sulmon, përjashton, godet të gjithë të tjerët. Sjellje narciste violente.

Kjo është teza e Teodor Adornos!

Individualizim

Identifikim

Projektim

Regresion

Idealizim

Narcizëm

Hipnotizim

Përjashtim

Histeri/ KultPlus.com

Artan Fuga: Kombi ynë ka pësuar frakturë brezash

Artan Fuga, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24”, duke folur për protestën për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, tha se demonstrata nuk ka vetëm një shkak, por disa arsye, transmeton KultPlus.

“Unë dua të shprehem profesionalisht për këtë protestë. Unë them se asnjëherë nuk ka vetëm një shkak. Edhe nëse ka shtysë politike, nëse qytetaria vendosë të mos e ndjekë politikën, nuk e ndjek atë. Prsh politika thërret qytetarët e pjesëmarrja nuk është as 50 për qind. Nëse qytetari nuk i përgjigjet politikës, atëherë njeriu nuk vjen në demonstratë. Secili ka legjitimitetin për t’u shprehur”, tha Fuga.

Artan Fuga theksoi se nuk ka asgjë të keqe që opozitës i intereson të përkrahë kauzën për vrasjen e të riut.

“Opozitës politike i intereson të përkrahë protestën, aq më tepër që kauza është vrasja e të riut nga polici. Opozita do donte që ta kishte lëvizje si tharmë për mobilizim të forcave opozitare si dhe të diskretitimit të maxhorancës. Nga ana tjetër, mendoj se qeveria do të lëshojë sa më pak.Përfundimi është që varet sa qytetarë dalin në protestë. Opozita normal që përfiton. Shumë thonë se në një tjetër protestë 3 persona janë vrarë, por ky është diskutim kot. Nuk diskutohet si ka qenë gjendja në të kaluarën, por ne si qytetarë na intereson e tashmja. Ligjërimi i tillë është ofendues për qytetarin”, u shpreh Fuga.Më tej, Fuga nënvizoi se aktet e dhunës janë të dënueshme, duke shtuar se sërish vrasja nuk mund të krahasohet me disa akte dhune.

“Nuk ka njeri pro dhunës, por kur dhuna është atje, duhet parë çështja. Çdo akt dhune është një gjuhë. Kur të rinjtë nuk artikulojnë pakënaqësinë, nuk kanë zë në institucione, kur nuk kanë punë, kur kanë shumë kritika e dëgjohen shumë pak, atëherë lind edhe kjo gjuhë. Rinia është përpjekje pqër të thënë jemi edhe ne.

Kësaj rinie i duhet përgjigjur me dhënien e shanseve të barabarta, me politika për rininë krejt të tjera me këta që janë. Problemi të mos politizohet. Jemi komb që ka pësuar frakturë brezash. Të rinjtë nuk e gjejnë veten në institucione dhe struken në rrjetet sociale”, deklaroi Fuga.

Po ashtu, Fuga tha se policia mbron jetën e qytetarëve, por duhet të shikojë brenda vetes, për reformim të saj.

“Kam vërejtje edhe për maxhorancën, por kam edhe kritikë për opozitën, që duhet që të thotë reformat më konkretisht. Nuk mund të mbyllet çështja, duke thënë se ka shkuar tek familja. Nuk mund të mbyllet çështja publike me gjëra private.  Po të isha unë, do të shpallje një ditë zie kombëtare. Policia e Shtetit mbron jetën e qytetarëve, por duhet që të shohë brenda vetes, për t’u reformuar”, përmbylli Fuga. / KultPlus.com

Artan Fuga kritikon mësimin online, e quan bashkim banaliteti pedagogjik e televiziv

Përderisa Covid-19 ka kapluar botën, mësimi është digjitalizuar në çdo cikël arsimor të vendeve. Sociologu Artan Fuga e ka kritikuar mënyrën e të ligjëruarit që transmetohet në televizionin publik, shkruan KultPlus.

Fuga ka kritikuar mënyrën e ligjërimit të mësimdhënësve, duke marrë shembull njërin që i ka rastisur ta shoh në transmetimin e televizionit publik. Madje ai ka thënë se kjo formë është bashkim midis banalitetit pedagogjik dhe atij televiziv.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Artan Fugës:

Nuk bëhet kështu shkolla në televizion!

Ka disa ditë që më ka tërhequr vëmendjen emisioni për shkollën në televizionin publik shqiptar. Gjoja si zëvendësues ose ndihmës për mësimin në klasë në kohë pandemie.

Dje pata pak kohë ta ndiqja me kujdes disa minuta, sepse një i afërt më tha : Ore, shih se çfarë bëhet! Ka gallatë!

Pëllcet qeliza – thotë mësuesja!

Ishte një lemeri, një banalitet, një mediokritet i paparë! Më mirë pa mësim fare sesa me ato paçavure!

Ishte tema e mësimit në histori: Monarkia franceze!

Nuk kuptohej nëse atë mësim e kishte çertifikuar Ministria e arsimit apo ishte një show e televizionit publik, një koncert variete komike për të na bërë të qeshim.

Uroj që nxënësit të mos e kenë marrë seriozisht dhe t’i kenë kthyer kurrizin! Më mirë pa shkollë sesa me atë lloj mësimi të turpshëm, ku me taksat e qytetarëve disa institucione tallen.

Nuk e ka fajin prezantuesja, së cilës i kërkoj falje, por nuk kuptohej se për cilin cikël ishte mësimi.

Ishte mësim historie, por nuk kishte asgjë historie, më shumë një sociologji banale e feudalizmit, trajtuar si mos më keq. O Zot!

Jepej një citim, por pa pikë reference. Nuk tregohej se në cilat tekste mbështetej mësimi. Asnjë datë veç një gjë që kishte ndodhur si Traktat i Verdunit andej nga shekulli i nëntë. Asnjë shpjegim për këtë.

Asnjë datë tjetër, asnjë ngjarje madhore e përmendur, asnjë personazh veç legjendës të Zhanë d’Arkës që nuk kuptohej se çfarë ishte. Lufta 100 vjecare me Anglinë nuk kuptohej se përse u bë dhe çfarë lidhje kishte me Monarkinë.

Ngatërrohej koncepti mbret i frankëve me atë të mbretit dhe monarkisë të Francës. Veç Hygë Kapetit, sikur nuk kishte as Luigj të 14, as të 15, as të 16.

Nga monarkia hidhej në arsyetime banale për feudalizmin ku feudalët konsideroheshin rivalë të mbretit, i cili gjithë kohën paskësh qenë solidar me byrgerët e qyteteve.

Histori pa histori, monarkia paraqitej e njejtë në të gjitha kohët. A thua se Sharlëmanja nuk kishte ekzistuar fare dhe zëvendësohej me një personazh gjysmë mitologjik si Zhana.

U premtua se do të flitej për asamblenë kushtetuese, por asgjë nga historia e saj. Dukej si aneks i mbretit, siç ka qeveria jonë Kuvendin. Asnjë fjalë për Kishën Katolike dhe pushtetin e saj.

A thua se nuk kishte pasur iluministë! Nuk kishte pasur As Volter, as Danton, as Marat, asgjë prej gjëje!

U premtua se do të trajtoheshin dallimet mes monarkisë franceze dhe angleze, por asgjë nuk u tha. A thua se kanë qenë dy copa guri të palëvizshëm në mal që krahasohen me dy fjalë.

Nuk bëhej fjalë të lexohej ndonjë dokument historik, të jepeshin pjesë të ndonjë dokumentari, të sugjeroheshin romane a lexime, të jepej me skemë historia dhe gjenealogjia e ngjarjeve historike, të tregohej shtrirja gjeografike në kohëra të ndryshme, të tregoheshin mekanizmat e oborrit, të taksave, të ushtrisë, të kështjellave të mëdha.

o Zot, thashë, këta nuk heqin dorë nga Turi, këta nuk kanë dinjitet, nuk dinë se bëjnë krime.

Cfarë bën televizioni publik shqiptar? Pse pranon të tilla surrogato, pse bëhet palë me këto emisione ku banaliteti dhe mediokriteti të bëjnë të vjellësh! Kush vazhdon të tallet me arsimin e rinisë shqiptare edhe pasi dikush që u tall disa vjet më në fund u zbyth.

Në televizion ne po shohim aktin e parë të dramës që prodhon Turin në maturë.

Turi maturi!

Turi imaturi!

Turi aguridhja!

Pasi bëhen këto lloj mësimesh sigurisht në fund pyetjet do të jenë:

A e ke parë filmin me D’Artanjanin?

Kush aktor e ka luajtur rolin e tij në filmin Tre Moskjeterët?

Lutem jepini fund këtij banaliteti!

Këtij maskaralliku televiziv!

Këtij bashkimi midis banalitetit pedagogjik me banalitetin televiziv! /KultPlus.com

Artan Fuga: Hija e teatrit do ju ndjeki

Nga Artan Fuga

Sot, pas katastrofës, miq nuk ka cfarë them, ndaj mos më pyesni!
Teatri dukej i lëshuar qysh para disaditësh!
Mirupafshim!
Te na rrojë retorika hipokrite!

A thua se politika është tërheqje litari, kala dibrançe, a shtyrje me muskuj. Me vjen keq veç Tiranës sonë që i shkatërruan vlerat në mënyrë kriminale, pa ligj, edhe për ata njerëz të sinqertë të pamanipuluar dhe aspak hipokritë që e kaluara jonë arkitekturale ju dhemb!
Hija e teatrit do ju ndjeki

Unë pres nga opozita të deklarojë që ;
në momentin që do të ketë fuqi, do ta ringrejë ndërtesën po aty, siç ka qenë, moderne e ultramodern nga brenda! Duke e hequr çibanin që po i ze vendin!

Që do e përballi këtë çështje juridikisht sapo Shqipëria të jetë me sistem drejtësie, jo ta braktisi sikurse bëri me reformën e pushtetit lokal, me ligjin për arsimin e lartë, jo sikurse la fushatën zgjedhore në 2017 -ën, sikur la në baltë betejën për zgjedhje të drejta në universitete!

Vija e kuqe kundër arbitraritetit nuk mund të ishte ruajtja e ndërtesës të Teatrit! Janë diskutimet që po bëhen nja një kilometër më larg ku po braktisen zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta, reale me lista të hapura!
Kush na bërtet se shteti i sotëm është diktaturë!!! Që nuk duhet njohur?
Nga ana tjetër negocion si midis të barabartësh për kodin zgjedhor pa zgjedhje dhe pa zgjedhës???
Cfarë hipokrizie politike!!!

Aty është vija e kuqe! Mos i ngatërroni vijat ! Merrni njerën për tjetrën!
Po nuk bëri këto premtime, atëhere më mirë të heshti!
Qendrojmë në fatin tonë ! Secili në punë të vet! / KultPlus.com

Artan Fuga: Covid19 dhe filozofia

Shkruan: Artan Fuga

Covid19 dhe filozofia
————————-

Kjo dramë që ka pllakosur, pra covid19, tregoi dobësinë e të gjitha shkencave dhe teknologjive të njeriut, por edhe fuqinë e filozofisë!

Cfarë dije e urtë mijravjecare! Solide si shkëmb!

Atë filozofi që ne e kemi përdhosur, e kemi hequr nga formimi universitar i studentëve, atë filozofi që i çon drejt e në papunësi studentët që diplomohen atje.

Sepse e kam thënë. Në Shqipëri më kollaj gjen punë si hoxhë, prift, dervish sesa si filozof.

Filozofi jeton në dramë dhe tragjedi kur të tjerët jetojnë në qejf dhe moskokëçarje sepse ai jeton brenda universit të dijeve filozofike.

Kurse kur tragjedia vjen, filozofi qendron i qetë sepse i duket si diçka që pritej mos sot nesër!

Filozofia në një anë dhe tregu dhe puna në anë tjetër. Pa lidhje!

Shoqëri idiote!

Filozofia e vërtetë, jo ai delirimi halucinant i disave që kujtojnë se bëjne filozofi kur përdorin terma që as vetë nuk dinë se çfarë janë…, nuk delka nga moda, nuk vdiska, vdes dhe ringjallet!

Tragjeditë e mëdha të njerëzimit janë monumente të filozofisë. Por, në ato caste njerëzit e papërgatitur nisin flasin budalliqe, kurse sapo tragjedia dhe halli kolektiv kalon, nuk kujtohen më për filozofinë, por e kanë mendjen te bëhen avoketër, bankierë, a nuk e di se çfarë, shumë mirë, por filozofinë nisin e përbuzin, e hedhin tej, e përcmojnë si Hirushen, si Sirenën, si Kësulkuqen në gojë të Ujkut.

Filozofia ngrihet nga nëntoka atje varrosur pikërisht kur toka kthehet përmbys!

Ndofta nuk jeton dot ndryshe!

Njeriu budalla nuk e mban dot mbi kurriz filozofinë!

Artan Fuga: Nga ditari i dytë i Ana Frankut

Shkruan Artan Fuga: Nga ditari i dytë i Ana Frankut
———————-
Nuk e mendoja se do të më duhej ta rihapja fletoren time të vjetër dhe ta vazhdoja atë ditar që e lashë të pambaruar atë vit të largët 42. Kujtova, sapo erdhën SS për të na marrë se askush nuk do ta gjente më atë. Por, ai u bë i njohur në të gjithë botën.

Përsëri e mbyllur. Thonë ka mësyrë një armik i egër që nuk gjurmon dhe vdes vetëm ne hebrenjtë, por të gjithë njerëzit.Të gjitha vajzat dhe djemtë e moshës sime janë mbyllur nëpër shtëpi. Prindërit nuk dalin më jashtë. As ne nuk na lejojnë të dalim.

Mbi të gjitha nuk na lejojnë t’u afrohemi, të na vijnë për vizitë ose të shkëmbehemi me njerëz të tjerë.

Të jenë ribërë të gjithë spiuna vallë si atëhere kur na kallzonin te Gestapo-ja?

Cfarë të keqe mund të na bëjnë ata që u fshihemi? Cfarë duan të na marrin?

Nuk e kuptoj dot sepse sapo jam zgjuar nga një gjumë disadekadash, por diçka ndodh me të gjithë. Mua më pengojnë të dal te luaj në oborr. Shkolla është mbyllur. Më mungojnë shokët dhe shoqet.

Dëgjova babanë që tha : “Mjafton njeri të kapet dhe rrezikohemi të gjithe!”. Kush të na kapi? Ku do të na çojnë? Cfarë torturash do të na bëjnë?

“Mos tako asnjeri, bëj sikur nuk i sheh! ” – i tha mamit kur ajo shkoi të blinte ujë!

Kanë ardhur ditë të këqia. Njerëzit janë bërë të ftohtë me njeri tjetrin. Bëjnë sikur nuk e njohin njeri tjetrin. As dorën nuk e japin, as puthen më në faqe kur shihen. Dikush i vrojton për të parë se kush lidhet me kë!

Habitem sepse dhe në shtëpinë tonë ka hyrë një ftohtësi e madhe mes nesh. Askush nuk më puth më, nuk më kreh flokët, nuk më afrohet. Secili ka pjatën e vet, gotën e vet, pirunin dhe lugën e vet!

Pse kanë frikë nga unë? E vetmja që më afrohet është macja ime Kula! Nuk e mendoja që një ditë ajo do të më mbetej e vetmja që do të më jepte pak ngrohtësi. Ah sikur të isha mace edhe unë!!!

Gjyshi ka mbetur vetëm në shtëpinë e tij disa lagje më tutje: “Mos ja zgjat shumë – dëgjova mamin që i tha babit – foli me skype, por të mos vijë këtu!”

Pse është bërë kaq mizore? Dikur ne fshiheshim bashkë nga nazistët, kurse tani secilli për vete!

Po e mbyll për sot, ora e shtetrrethimit po afron. Në rrugën që shoh nga dritarja e dhomës nuk qarkullojnë veçse autoblinda!

Komshija e katit të tretë kërkoi kripë në telefon. “Po ta le te parvazi i shkallës! ” i tha mami. “Jo, jo, nuk do të takohemi! Ti hajde merre pasi të iki unë!”

Diçka po ndodh, ta shoh në ditët në vazhdim si do të vazhdojë jeta ime

Nostalgjia e Tiranës të dikurshme: “Te Feimët”

Shkruan: Artan Fuga

Nostalgjia e Tiranës të dikurshme: “Te Feimët”
—————————
Aty nga vitet ’60, ende fëmijë, me prindërit, futesha si i habitur dhe mahnitur në atë pastiçeri të vogël aty te rruga e Barrikadave.

Sigurisht nuk mund të shkoje çdo ditë atje sepse ishte luks i madh.

Një lloj shëtitjeje duke dalë nga sheshi Skënderbej për në drejtim të spitalit, aty pak metra më tej ish librari Florës, tamam ku më pas u ndërtua pallati i shkrimtarëve të realizimit socialist, ishte një lokal bonbonerie në pak metra katror ku hyje nga një derë e vogël që jepte në rrugën e Barrikadave.

Ngjitur një orëndreqës, pastaj bari i famshëm “Te Tymi” si edhe dyqane të tjerë të vegjël që vinin nga Tirana e viteve ’40.

Feim quhej i zoti i bonbonerisë. Një burrë i shkurtër, pa flokë, me faqe të kuqe, të rrumbullakta, pakëz të fryra, me sy të lëvizshëm dhe të zinj si ato të një hebreu.

Shërbente atje me dy djemtë e tij që dukeshin si dy binjakë. Të dy ishin të shkurtër sikur të kishin shtatin e atit të tyre, me kokë të rrumbullakët, pa flokë, me faqe të kuqe, disi të rrumbullakta dhe me sy të zinj të lëvizshëm, sikur të ishin hebrenj.

Tre feima!

Dera e pastiçerisë ishte hapur dimër verë. Mbulohej me një perde të formuar nga rreshta të tërë vertikalë mbushur me toptha të vegjël shumëngjyrêsh plastiku.

Ishte kënaqësi më vete kur me dorë hapje perden duke i ndarë rreshtat me toptha plastiku dhe të tjerë të binin në fytyrë e flokë sikur të përkëdhelnin.

Ishte sikur shkoje në teatër a në opera!

Ata të prisnin me mirësjellje elegante të njerëzve që janë aty për t’u shërbyer klientëve. Me krahë të shkurtër por që bënin lëvizje të shpejta dhe të prera. “Urdhëroni zotëri !”; “Po zonjë !”, “Si urdhëron zonjushe !”, këto ishin përgjigjet e tyre të shpejta dhe të prera, shoqëruar gjithmonë me buzëqeshje miqësore.

Visheshin me përparëse dritë të bardha, treçerekshe. Më kujtohen si tani, ngjanin si doktorë nga higjena e trupit të tyre dhe nga veshjet. Krahët e përparëseve ishin gjithashtu treçerekshe që u linin të dilnin gjashtë parakrahë burrash, paksa leshatorë. Duart topolake. I shihja me endje te futnin bombonat, karamelet, amaretat e vogla, pastat tortat me petë në ca qese letre bojë kafe, dritë të pastra, sikur ishin hekurosur me korrent.

I fusnin me aq kujdes në ato qese letre saqë dukej sikur mbanin në duar diamante të çmuar.

Bonboneria e tyre ishte një lokal i vogël ku nga të treja anët kishte mure të mbuluar me pasqyra kristali. Vetëm njera anë e saj, me xham të dyfishtë, jepte mbi bulevard. Tre katër tavolina me sipërfaqe mermeri tê bardhë me damare ngjyrë blu. Edhe toka ishte e veshur me pllaka me të njejtën ngjyrë. Në bar një aparat ekspresi. Ëmbëlsira, karamelet ishin futur në letra shumëngjyrëshe, amaretat dhe bonbonet, të gjitha ndodheshin brenda disa vazove të mëdha e të rrumbullakta prej xhami të kristaltë.

Njeri nga djemtë e Feimit fuste dorën topolake në to dhe pasi pyeste : Sa gramë dëshironi zotëri? – i vendoste çokollatat në qeset prej letre dhe i peshonte në një peshore metalike inoksi e prodhimit italian.

Sakohë që shërbeheshe mund të uleshe edhe në njerën nga katër tavolinat prej mermeri, në disa karrige prej hekuri, me ngjyrë të zezë, të rehatshme, qoftë për të pirë një kafe, qoftë për të degustuar një karamele, një amaretë, a një pufkë me sheqer që ta jepnin falas të zotët e pastiçerisë.

Nuk e di se çfarë më pëlqente atje më shumë, bonbonet dhe amaretat apo shërbimi që të sillte qetësi dhe butësi.

Aromat ishin të përzjera, mpleksur ajo e një kafeje ekspres me aromën e brumit të sheqerosur dhe të petëve të tortave. Gjithçka përgatitej aty. Kurrë nuk pashë të hynte e të dilte njeri nga deriçka pas banakut ku ishte atelieja e ëmbëlsirave. Asnjëherë nuk pashë njeri të furnizonte pastiçerinë kur klientët ishin në dyqan.

Nuk pipëtinte miza atje. Klientët flisnin me zë të ulët. Dëgjoheshin vetëm “të lutem” dhe “faleminderit”, “nuk ka përse”, “shto edhe 200 gram”, “mirësetëvish herë tjetër zonjushe”, “provojeni pak këtë tortë”, dhe asgjë më tepër. As radio, as televizor, jo e jo, gjithçka e rrëmujshme, politike, shtypëse, ishte pas xhamave. Aty ishte mbretëria e kristaltë e pasqyrave dhe e mermerit.

Atë luks nuk e kam parë kurrë në Tiranë pas atyre viteve kur me shpronësimet e hoqën edhe Feimin me djemtë që andej. Një kohë rrezistoi si kafene e ushqimit social, por të tre feimat tani i kishin sytë me rrathë të zinj poshtë, me vështrime të habitura, faqet po u veniteshin, nuk dëgjohej më as “zonjë”, as “zotni”, një radio ishte instaluar atje në fund te banaku dhe darkave mund të dëgjoje lajmet duke blerë amaretat e tua që ishin gjithnjë e më të thata.

Deri sa nuk shkohej më.

Pallati shkrimtarëve socialistë i dha dërmën përfundimisht bonbonerisë duke i futur eskavatorin një bote fisnike ku shqiptari dinte ende të shërbehej si fisnik dhe të shërbente me poaq dinjitet dhe fisnikëri.

Te Feimi!

Nuk e gjej dot atë shik alla italian, në asnjë hotel të Tiranës së sotme. Nuk e kam gjetur veçse ndofta në Vienë, ndofta në Oslo, por jo në Athinë, jo e jo, në Gjermani, në Pragë as bëhet fjalë, as në Milanon e sotme, ndofta ka qenë në Napolin e viteve ’30, me lupë ta kërkosh nuk e gjen më kund.

Obobo Tirana e luksit midis viteve 40 dhe 60!

Sa mirë që nuk e njohin të rinjtë e sotëm se kushedi sesa sëmundje depresioni do të kishin nga mërzia!

Tirana ishte Europë atëhere.

Mjaftonte Feimi per ta provuar.

Sa të lumtur brezat e sotëm që nuk e kanë shijuar atë luks human e të butë mes vorbullash që po ngriheshin.

Nuk e dinë ç’ka qenë, kënaqen me pak, shumë pak, sa të lumtur janë! Të shkretët!

Prandaj janë kështu si të cingërisur, me sy të habitur, me botë të brendëshme të sakatuar nga media, politika, paraja, si trumcakë të trembur!
Nuk e kanë jetuar mrekullinë e feimëve!

Drama jonë e jetimëve pas zhdukjes të feimëve!

Vendosni, vendosni një pllakë përkujtimore atje me këtë përmbajtje :

“Këtu ka qenë ëmbëltorja më e famshme e Tiranës për të gjithë shekujt : Te Feimi!

E shkatërruan shqiptarët.

Nuk do ta ndërtojnë dot më kurrë!

Mallkuar qofshin budallenjtë e çmendur për pushtet dhe për parà !

Rroftë njeriu!”

Nuk ka qytetërim nëse njerëzit nuk hanë çokollata dhe bonbone pasditeve dhe mbrëmjeve të së shtunës!

Kaq!

KultPlus.com

Kundër shurdhërisë në kohë katastrofash!

Shkruan: Artan Fuga

Duhej një ditë zie për viktimat e tërmetit! Flamurët në gjysëm shtizë, as muzikë të gëzueshme, as evente kulturore, as gaz e haré.

Kuptohet që njerëzit janë të tronditur dhe gjithçka duhet bërë në përputhje me këtë gjendje psikologjike kolektive.

Por shurdhëria në kohë “kolere” është e papranueshme, është një keqkuptim i madh.

Ngjall panik!

Nuk duhet politikë në kohë tërmeti, murtaje, lufte, përmbytjesh?

Cfarë gabimi i madh poqese do të përgjigjeshim: Jo politikë në këto kushte!

Po të thonim kështu nuk do ta kishim kuptuar atë që thotë Aristoteli i madh se politika është shkenca e shkencave. Sigurisht nuk duhet politikë e keqe, nuk duhet politikë me llafe si gratë e Napolit në shekullin e 19-të që kapeshin për flokësh, jo fushatë elektorale, sigurisht.

Por politika është arti i të qeverisurit. Pra të heqim dorë nga qeverisja dhe alternativat për t’a qeverisur situatën në krizën që na ka zënë?

Pa politikë të mirë çdo dukuri natyrore e ashpër na dëmton.

Nuk duhet art, kulturë, shkencë në kohë murtaje, tërmeti, lufte?

O Zot çfarë gabimi? Cfarë keqkuptimi i kulturës, i artit, i shkencës, i filozofisë!!!

Arti, kultura, shkenca nuk janë hargalisjet nëpër varietetet muzikore dhe nuk janë tallavaja e radhës. Kultura, shkenca dhe arti i japin forcë njeriut të përballojë gjithçka. Kultura është forca e njeriut mbi natyrën dhe botën e kafshëve. Njeriu pa kulturë është i dobët, i dorëzuar, nuk ringrihet dot pas shkatërrimit.

Habitem me këngëtarë që anullojnë shfaqjet në ven t’i ri-orientojnë ato drejt dhënies kurajo kombit!

Informacioni i medias nuk duhet në kohë kolere, murtaje, tërmeti, lufte?

O Zot çfarë budallalliku do të ishte po t’a ndërprisnin. Dihet se kur në një vend media nuk informon ashtu si di dhe si e ndjen gjëja e parë që lind te njerëzit është ankthi dhe ankthi është babai i panikut.

Eksperimentet e bëra nga universitetet amerikane tregojnë se kur mediat janë në greva, ankthi kolektiv brenda një jave bëhet i papërballueshëm.

E kujtojnë rrumpallë median këta, por ajo, edhe me të gjitha të metat e saj, sepse nuk mund të jetë e mirë kur e gjithë shoqëria është e sëmurë, është instrumenti i vetëm që krijon informimin kolektiv, krijon opinionin publik. Krijon shoqëri. Përndryshe njeriu izolohet dhe bie në depresion.

Nuk krijon panik informacioni, por informacioni i keq, si edhe kur medias i mbyllet goja. Njësoj panik krijojnë.

Qytetari në kohë rrëmeti ka nevojë ta verifikojë dhe ekuilibrojë propagandën qeveritare. Propaganda vetëm ngjall panik!

Në kohë krizash, tërmetesh, nuk duhet të ketë të drejta kushtetuese për qytetarët dhe të gjithë duhet të jemi si ushtarët para gjeneralit?

Vetëm servilat, budallenjtë dhe naivët mund të mendojnë kështu.

Pse të drejtat qytetare çfarë janë? Janë luks, janë të tepërta, janë kundër menaxhimit të krizave?!

Mendësitë totalitare gëlojnë edhe te gjoja ekspertët e paaftë.

O budalla, o krijues paniku, pse i shton shkatërrimit që na bëri natyra, me ndihmën tonë, edhe shkatërrimin e të drejtave qytetare?

Ku shërohen plagët e shkatërrimit pa liritë qytetare, pa pjesëmarrjen qytetare, pa kontrollin qytetar, pa kritikën qytetare?

Janë në vete këta krijues të zisë, të heshtjes, të ngrirjes të shoqërisë?!

Duhet edhe kultura, edhe politika, edhe të drejtat qytetare, edhe informacioni, njësoj si spitalet, vinçat, forcat e rendit.

KultPlus.com

Artan Fuga: Ne intelektualët shqiptarë përsëri gabuam

Sociologu i njohur nga Shqipëria, Artan Fuga, përmes një postimi në Facebook ka shkruar rreth gabimeve kryesore që sipas tij intelektualët shqiptarë i kanë bërë, shkruan KultPlus.com

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Ne intelektualët shqiptarë përsëri gabuam!
——–

Unë e konsideroj shoqërinë piramidale që e kam bërë objekt shqyrtimi në librin tim të fundit botuar nga Papirus : SHOQERIA PIRAMIDALE,

si :

– Rrëmbimi i fitoreve demokratike të popullit në ’90 nga pakica të organizuara politikisht, financiarisht dhe administrativisht.
– Përbuzja e politikanëve, midis të cilëve dhe të jo pak atyre që janë në opozitë, ndaj popullit si elektorat dhe sovran. “Populli nuk di të zgjedhi!!!”
-Shprehja më e lartë e mungesës së traditave politike demokratike në ndërgjegjen qytetare!
– Pengesa kryesore për emancipimin dhe modernizimin e shoqërisë shqiptare.
– Prodhuesja e paqendrueshmërisë të shtetit dhe të politikave të tij.
– Rikthimi i piramidës të viteve 80, por tashmë jo të fshehur me fraza proletare, por si përbuzje e njeriut të thjeshtë.
– Deliri i burokratit që harron se është nëpunës në një minishtet, por kujton se është nëpunës i perandorisë të Persisë!
– Naiviteti i fuqive intelektuale të vendit që nuk ditëm t’a mendojmë demokracinë jo si utopi, por si praktikë politike me shumë rreziqe! Përsëri gabuam.
– Vetmi kombëtare”.

Akademiku i dërgon letër presidentit e kryeministrit për të shkarkuar Besa Shahinin

Akademiku Artan Fuga, pas akuzave se po synon ta shkrijë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me atë të Malit të Zi e Maqedonisë, i ka dërguar një letër publike Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ku kërkon të thirret për sqarime e më pas të shkarkohet ministrja e Arsimit, Besa Sahini. “Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini flet edhe për të gjithë rajonin. Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik”,- thotë ai në letrën e hapur.

STATUSI I ARTAN FUGES

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Shqipëria në punë të vet, qytetarja Besa Shahini në punë të vet!

——–

Letër publike:

Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta !

Kryetarit të Këshillit të Ministrave, zotit Edi Rama !

Kryetarit të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë!

Po Ju drejtohem me shqetësim të thellë intelektual dhe qytetar lidhur me një deklaratë të papritur të Ministres të arsimit, rinisë dhe sporteve të Republikës të Shqipërisë, qytetares Besa Shahini, bërë sot, më datë 10 maj 2019, e cila në profilin e një rrjeti social deklaron se : “Do të jem edhe unë pjesë e këtij debati ku do të paraqes idenë time për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme.”

Eshtë e çuditshme sepse në asnjë platformë politike të partive parlamentare, të qeverisë, e së cilës ajo është pjesë, e Kushtetutës të Shqipërisë, nuk ekziston ndonjë platformë që t’a justifikojë qytetaren Besa Shahini si ministre e këtij shteti, të punojë për realizimin e një ideje të tillë!

Madje as në Bashkimin Europian nuk kërkohet shkrirja në një të vetme e agjencive publike të shteteve të veçanta anëtare!

Në këtë mënyrë, në pikën kulmore të punimeve të komisionit kuvendor për reformimin e akademisë të shkencave të Shqipërisë, qytetarja Besa Shahini, në funksionin e ministres, që ka për detyrë ligjore të zhvillojë identitetin e institucioneve të arësimit dhe të shkencës dhe të agjencive publike që funksionojnë ligjërisht në shtetin e Shqipërisë, deklaron se punon kundër kësaj mëvetësie, pra punon në të kundërt të betimit të saj si ministre!

Me megalomani kjo ide nënkupton se është qytetarja Besa Shahini që pa konsultuar komunitetin e akademikëve dhe universitarëve që janë qytetarë të shtetit të Shqipërisë, pa konsultuar as programin e qeverisë e së cilës ajo është pjesë, pa respektuar as Kushtetutën e Shqipërisë së cilës ka pranuar t’i shërbejë, po punoka për zhbërjen e mëvetësive të akademisë të shkencave të Shqipërisë, madje shkon edhe më larg, a thua se varet prej saj, edhe zhbërjen e mëvetësisë të akademisë të shkencave të Kosovës dhe më gjerë.

Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini flet edhe për të gjithë rajonin.

Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik.

Cilat janë akademitë e tjera të shkencave shqiptare në rajon veç asaj të Kosovës?

Akademikët shqiptarë në rajon kanë fituar të drejtën e të pasurit në mënyrë dinjitoze të vendeve në akademinë e shkencave të Maqedonisë dhe në atë të Malit të Zi. Si parim, edhe në Akademinë e shkencave të Serbisë. Cfarë nënkupton deklarata e qytetares Besa Shahini? Që akademikët shqiptarë të braktisin këto akademi shkencash dhe të krijojnë akademitë e tyre të shkencave në shtetet përkatëse duke u vetëizoluar? Apo nënkupton që në fund të procesit të ideuar prej saj, akademia e shkencave e Shqipërisë, ajo e Kosovës, të integrohen “në një të vetme” me atë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi?! Apo ideja e saj është që shqiptarët në cilindo nga këto shtete të ish Jugosllavisë të krijojnë akademi shkencash mbi baza etnike dhe pastaj të integrohen me akademinë e Shqipërisë?!

Të gjitha mundësitë që mund të nënkuptojë ideja që e “lumturoka” qytetaren ministre Besa Shahini janë absurde, më së paku, por edhe të mbrapshta, dhe çojnë pikërisht në zhbërjen e akademisë të shkencave të Shqipërisë duke e çuar atë drejt shkrirjes të identitetit të vet institucional si bartëse e misionit për të cilën është krijuar.

Parë rrezikshmërinë dhe dëmin e këtyre pohimeve të shkruara të zezë mbi të bardhë, si edhe sabotimin që po i bën prej muajsh procesit të reformimit të akademisë të shkencave të Shqipërisë ministria e arësimit, lind dyshimi i qartë se shkaku më i thellë qenka pikërisht strategjia e zonjës qytetare ministre Besa Shahini.

Nisur nga këtej unë ju ftoj zotërinj të nderuar, si autoritete që keni përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e sovranitetit të institucioneve publike të vendit, ta thërrisni për sqarime publike këtë antare të qeverisë, dhe nëse ajo nuk akomodohet me Kushtetutën e Shqipërisë, me platformën ligjore të qeverisë, të realizoni shkarkimin e saj pa humbur kohë!

Bersa Shahini në punë të vet, Shqipëria, kombi shqiptar, Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës në punën e tyre!

Me respekt qytetar,

Artan Fuga

Akademik

Mjerë qytetari, mjerë studenti, mjerë prindi, mjerë kombi, mjerë Shqipëria!

Nga Artan Fuga
Intelektuali në litar!

E bukur se lidhur me protestat e studentëve dëgjojmë “kinezërira” nga më absurdet.

Ka disa të “mënçur” – maskarenj të lindur, mashtruesa qysh në vezë, që thonë: Aman mo aman, plotësojua këto tetë pika studentëve që të na lënë rehat se përndryshe na prishet rehatia jonë! Dorëzo ca lekë të shpëtojmë të tjerat që i vjelim qetësisht në kohë paqeje!

Ata që deri sot na rrëfenin se sa i mirë është kuadri ligjor për arsimin e lartë!

Dhe si shpërblim kanë marrë tituj shkencorë në kundërshtim me ligjin. Pêr t’i rrasur brenda për mashtrim në bashkëpunim!

Plotësojua mo! Jo për të riparuar gjendjen, por: të na lënë rehat!

Ka të tjerë që shkojnë drejt kinezërirave të revolucionit kulturor kinez se kinezëve të sotëm u marrin të keqen ata, sipas të cilëve drejtimin e universiteteve duhet ta marrin studentët!!!

Ka pallaveshë të tjerë që thonë: Hiqu mo tarifat dhe të kenë një universitet të varfër se në fund të fundit universiteti është për t’u krijuar idenë se kanë diplomë, jo për t’u dhënë dije!

Idiotë të tjerë që nënkuptojnë që në universitet është studenti që duhet të mësojë pedagogun por jo pedagogu studentin!

Maskarenj të ndryshëm barazojnë disa pedagogë qelbësira dhe të korruptuar me të gjithë pedagogët dhe mësuesit duke harruar se poqese analizojmë mirë pedagogu i ndershëm është edhe më i varfër sesa studenti!

Dhe nuk bëjnë zë! Por deri kur?

Ka ca politikanë dembela që në vend të ulin bythën dhe të përpunojnë modele alternative për arsimin, vetëm bërtasin deklarata idiote dhe vdesin ta manipulojnë lëvizjen për të marrë vota politike.

Plot shejtan budallenj që e trajtojnë çështjen vetëm se studentët janë të varfër, por nuk shohin se kryesorja është se sa shoqëria kërkon cilësi në formimin shkencor të rinisë dhe çfarë vendi i jep të diplomuarit në tregun e punës.

Ca kolltukofagë bëjnë sikur nuk kuptojnë që universitetet publike janë vendosur në një gjendje që jo vetëm autonomi nuk kanë, por edhe qeverisen si burgje pîkërisht sepse ligji i ka lënë si subjekte të çmendura skizofrenike, as kështu as ashtu, as autonome, as të shtetëzuara.

Profesori i universitetit është

përdhosur,
dhunuar,
varfëruar,
turpëruar,
fyer,
nënshtruar,
izoluar,
alienuar,
keqpërdorur,
degraduar,
infantilizuar,
pikërisht sepse ligji e kërkon të tillë dhe unë jam gati ta provoj këtë.

Horra të korruptuar dhe të paaftë si pedagogë bërtasin: Studentët kanë të drejtë! – a thua se janë ata që studentët presin t’ua thonë! Dhe nuk mendojnë se nuk plotësojnë asnjë kriter cilësie për të qenë pedagogë, dhe në auditore tregojnë folklor dhe dije të dala boje!: Parazitë vemje!

Leshko që ca thonë sot nuk thonë nesër dhe nuk bëjnë veçse llomotisin budalliqe tavolinash.

Karrieristë që mëtojnë të kapin ndonjë kolltuk duke ja bërë sy sa qeverisë sa partive opozitare në funksion të gjendjes të rruga Muhamet Gjollesha!

O vdeksha!

Profesorin universitar e kanë shkelur me këmbë!

Sepse shoqëria nuk e do intelektualin,
politika nuk e do intelektualin,
cmira e masave nuk e do intelektualin,
injoranca nuk e do intelektualin,
burokracia nuk e intelektualin,
pijaneci në birrarinë përballë nuk e do intelektualin!

Intelektuali i fyen të gjithë këta edhe sikur të jetë më i edukuari në botë, më modesti, më i heshturi.

I fyen sepse ekziston!

Intelektualët në litar!

Gjendja e shoqërisë në kohë protestash prodhon dhe nxjerr në dritë llava të tëra cmendurish, budallalliqesh, shejtanlliqesh, poshtërsish, hipokrizish. Det, llavë, përmbytje!

Mjerë qytetari, mjerë studenti, mjerë prindi, mjerë kombi, mjerë Shqipëria!

Ndërtesa e teatrit ra !

Artan Fuga

Ra!

Ndërtesa e teatrit ra !
Qendra historike si kujtesë kolektive e qytetit të Tiranës ra!
Statusi i aktorëve dhe i gjeneratës aktoriale madhire që kishte zënë rënjë në mendjet e shqiptarëve ra!
Kuvendi ra!
Prona publike ra!
Komunikimi midis artistëve, ministrisë të kulturës dhe pushtetit ra!
Politika si veprimtari e qytetarëve ra!
Trashëgimia kulturore e vendit ra!
Endërra europiane ra!

Tërmeti ra!

Ekonomia ra!
Gjykata e larte dhe gjykata kushtetuese ra!
Sistemi i zgjedhjeve ra!
Imazhi i vendit ra!
Libri ra!

Gjithçka ka rënë si në një qytet ky tërmeti ka kthyer në rrënoja gjithçka!

Mbetet vetëm një shans: Vullneti për t’u ringritur, për ta rifilluar nga e para! Brezat e rinj duhet ta nisin ndryshe ndërtimin e vlerave të demokracisë dhe shtetit shqiptar !

Nevoja për mendim intelektual dhe veprim qytetar të mënçur, të pastër, është më e fortë se kurrë!

Jemi si në 1997 kur shteti ra!
Jemi si në 1966 kur besimi ra!
Jemi si në 1956 kur idealet e majta ranë!
Jemi si në 1946 kur republika ra!
Jemi si në 1943 kur uniteti i kombit ra!
Si në 1935!
Si në 1924!
Si në 1917!
Si në 1914!

Mbetet vetëm një shans: Vullneti për t’u ringritur, për ta rifilluar nga e para!