Hapet Instituti i Artit Bashkëkohor ARKIV, ministri Çeku pritet nga themeluesi Sislej Xhafa

Objekti i SHFMU ”Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë, tash do të ketë një tjetër funksion.

Kjo hapësirë është shndërruar në institucionin më të ri të artit në Kosovë, Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV.

Hapja u bë me ekspozitën e Artan Hajrullahut ”Silence Took a Hold of the Rooms”.

Ministri Çeku vizitoi ARKIV-in bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ku u pritën nga artisti Sislej Xhafa, njëkohësisht edhe themeluesi i këtij institucioni.

ARKIV, Instituti i Artit Bashkëkohor është institucioni i parë publik i dedikuar artit bashkëkohor në rajonin e Pejës. Duke bashkuar artistë vendas dhe

ndërkombëtarë në të gjithë disiplinat, do të jetë një qendër e krijuar për kërkime të avancuara, të menduarit kritik, eksperimentim dhe dialog. / KultPlus.com

“Kashta e Kumtrit” e Artan Hajrullahut, një ekspozitë mes tradicionales dhe erotikes shqiptare

Medina Pasoma

Përderisa arti në Kosovë shpesh bie ‘pre’ e mentalitetit dhe nuk arrin të jetë fushë tërësisht e lirë shprehëse, disa nga artistët po vazhdojnë t’i sfidojnë këto ‘stagnime’ nëpërmjet krijimtarisë së tyre. I tillë është edhe Artan Hajrullahu, i cili nëpërmjet ekspozitës së tij “Kashta e Kumtrit” në Paper Gallery shfaq dimensione të cilat mbesin nën pluhurin e mbulimeve moralistike, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet pikturave të tij në kartone të vogla, artisti Hajrullahu depërton thellë në shoqërinë shqiptare, veçse duke e sjellur atë me një pamje krejtësisht ndryshe. Përderisa vet krijimi i familjes kalon nëpër procese intime, përbrenda mentalitetit vazhdojnë të ekzistojnë gjykime se nuk duhet të flitet e paraqitet publikisht këto relacione. Mirëpo, Artan Hajrullahu e ka bërë të kundërtën, duke e përdorur artin për të sjellur natyrshmërinë e jetës njerëzore në kombinim me seksualen, të cilën ia sjelli syve të publikut që nga 4 dhjetori në Paper Gallery të Gazmend Ejupit.

Për të marrë më shumë detaje për qëllimin dhe mesazhet e kësaj ekspozite, KultPlus ka realizuar një intervistë me kordinatoren e kësaj Galerie, Rina Statovci.

Për ekspozitën, kurimin e së cilës e kryen Galeria, Rina shprehet se bashkëpunimi me artistin ka qenë tejet i lehtë.

“Gjithë procesi i kurimit të pikturave nuk ka qenë aspak i vështirë dhe me Artanin e kemi një bashkëpunim tejet të mirë. Koncepti e titulli që e kemi vendosur ka ardhur si fryt i këtij bashkëpunimi”, thekson Statovci.

Kordinatorja e Galerisë Paper ekspozitën “Kashta e Kumtrit” përtej si thirrje artistike, e sheh edhe si një ndërlidhje me aktualitetin global.

“Diçka që na ka munguar tepër shumë këtë vit ka qenë intimiteti, prekja e përqafimi me njerëz. Këto piktura shfaqin këtë ndjenjë sepse për shkak të Covidit është pak më e vështirë ti realizojmë këto ndjenja”, thotë ajo.

Në pikturat e varura në muret e Paper Gallery shohim protagonistë tërësisht të zhveshur, të cilët përveç që janë lakuriq fizikisht, kanë edhe lakuriqësi ndaj tabuve shoqërore, duke ardhur si një natyrshmëri artistike e realitetit shqiptar.

“Në disa prej pikturave e sheh një shporet, një grua dhe e ke një burrë të zhveshur. Janë dy pjesë që nuk i kanë menduar se do të lidheshin sidomos në botën e artit në Kosovë”, thotë Statovci.

Ndërlidhjen e nostalgjisë shqiptare me erotizëm ajo e vlerëson si të veçantë, e që sipas saj janë dy tema që nuk përputhen edhe aq shumë në Kosovë. Në anën tjetër, edhe titulli i ekspozitës është tërheqës dhe ka një simbolikë përbrenda saj.

“Këto piktura ta dhurojnë një ndjesi shpirtnore kur i sheh dhe lidhet me temën tradicionale shqiptare, andaj kemi vendosur ta gjejmë një fjalë të vjetër shqiptare që mundet me iu përshtat kësaj ekspozite”, sqaron Rina Statovci.

Tutje ajo thotë se emërtimi në gjuhën angleze e kësaj ekspozitë është “Millky Way” apo “Rruga e Qumështit”, mirëpo mishërimi me traditën shqiptare bëri që këto vepra të kenë vetëm titullin autentik shqip.

 “Kashtra e Kumtrit” me definicion është “Milky Way” dhe për shkak që pikturat janë të vogla dhe galeria është hapësirë pak më e madhe, atëherë këto konsiderohen si yje që i shohim nga Rruga e Qumështit. Kjo ka qenë ideja pse e kemi lënë këtë titull, për shkak se ashtu siç janë yjet të ndritura ashtu edhe i vlerësojmë pikturat e Artanit”, tha Statovci.

Rina e çmon mënyrën e shprehjes artistike të Artan Hajrullahut, për të cilin thotë se arrin të pikturoj në kartone aq të vogla, saqë nuk praktikohet i njëjti stil nga ndonjë artist tjetër në Kosovë.

Ekspozita e cila ishte 18+ pavarësisht mentalitetit të shoqërisë kosovare, u prit tejet mirë nga publiku dhe këtë Statovci e sheh si një shpresë për edukimin e mëtutjeshëm nëpërmjet artit.

“Ne duhet ta edukojmë shoqërinë më shumë përmes artit, të vijnë ta shohin ekspozitën, ta lexojnë konceptin, të dëgjojnë rrëfimin e autorit. Nëpërmjet këtyre ne arrijmë që dalëngadalë të largohet kjo tabu në Kosovë, sidomos që po përfshihen dy tema që nuk ndërlidhen shumë me njëra tjetrën dhe janë të çuditshme, tradicionalja shqiptare me seksin”, thotë kordinatorja e Galerisë Paper.

Në anën tjetër një kombinim tjetër ndërmjet ekspozitës dhe Galerisë erdhi nëpërmjet emrit që ka ky institucion kulturor, “Paper” si dhe përdorimit të letrës nga ana e Artan Hajrullahut për të shprehur pikëpamjet artistike.

“Është përshtatur Paper Gallery me mënyrën e pikturimit “laps në letër” të artistit. Kjo ka qenë diçka që e ka bërë edhe më të veçantë dhe ka sjell më shumë vlerë për neve si galeri”, theksoi Rina.

“Kashta e Kumtrit” do të jetë e hapur për syrin e publikut deri më 4 shkurt, ndërkaq

Paper Gallery do të vazhdoj të hap dyert edhe për ekspozita e instalacione tjera artistike si dhe me performancat e artistëve. / KultPlus.com