Rizvanolli: Hapet thirrja për t’i ndihmuar qytetarët me pajisje për ngrohje gjatë dimrit

Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se është hapur thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarët.

Sipas saj, këto pajisje kanë vlerë prej gjashtë milionë eurosh.

“Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes kësaj thirrje ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: (i) reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike  dhe (ii)  rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë”.

PAJISJET TË CILAT DO TË SUBVENCIONOHEN

  • Pompë termike
  • Pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente)
  • Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket)
  • Stufa individuale me biomasë

Klikoni KËTU për ta shkarkuar thirrjen publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët./ KultPlus.com

Artane Rizvanolli: Kosovën e pret një dimër i vështirë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se do të kërkojnë që masat emergjente për situatën energjetike në Kosovë të vazhdojnë edhe më tutje.

Kjo pasi Rizvanolli ka thënë se “Kosovën e pret një dimër i vështirë”, për shkak të krizës energjetike.

Rizvanolli po ashtu bëri të ditur se kanë shfuqizuar vendimin e vitit 2018  lidhur me ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.

“Jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet. Tani po kërkojmë që masat emergjente të zgjaten duke pasë parasysh se pritet të jetë një dimër i vështirë.

Gjatë kësaj kohe kemi marrë disa vendime. Kemi marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë të dhuratës për punëtorët e KEK.

Së shpejti do të bëhet ndalimi i importit të poçave elektrikë joefiçent”, tha ndër të tjera Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin  për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. /GazetaExpress /KultPlus.com

Vendimi i Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, lajm nëpër botë

Sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në vend. Një vendim i tillë i bërë publik nga ministrja Artane Rizvanolli është bërë lajm edhe nëpër botë.

“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore. Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë sot ministrja Rizvanolli.

“Coin Desk” një platformë që ka 2 milionë e gjysmë ndjekës në “twitter”, raporton se si Kosova ka vendosur të ndalojë prodhimin e kriptovalutave si rezultat i krizës me energjinë elektrike.

“Kosova lëviz drejt ndalimit të prodhimit të kriptove derisa përballet me krizën energjetike”, shkruan “Coin Desk”.

Rizvanolli: Kosova do të ndalojë prodhimin e kriptovalutave në vend

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Komiteti Teknik ka marrë vendim që të ndalojë prodhimin e kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Rizvanolli ka bërë të ditur se gjitha këto masa emergjente kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar shumë që Kosova të perjetojë një krizë dhe kësisoj të rikthejë reduktimet në vend. /KultPlus.com

Rizvanolli: Efekti i thirrjeve për kursim të energjisë elektrike ka filluar  të vërehet - KosovaPress

Kosova përgatitet për të ardhmen rreth krizave të energjisë elektrike

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 52-të, ka miratuar Koncept Dokumentin për Burime të Ripërtërishme të Energjisë të propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, është krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që synohet të arrihet nëpërmjet teknologjisë dhe energjisë së pastër e të përballueshme.

Ky koncept dokument ka për qëllim të arrijë përmirësimin e infrastrukturës ligjore me qëllim të rritjes së furnizimit me energji të pastër, rritjen e sigurimit të furnizimit me energji, promovimin e inovacionit teknologjik dhe ofrimin e mundësive për punësim dhe zhvillim rajonal përmes industrisë së energjisë së pastër.

Qëllimi i politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë është promovimi i shfrytëzimit ekonomik e të qëndrueshëm të potencialeve vendore të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në funksion të plotësimit të nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për këtë ka reaguar edhe Ministrja Rizvanolli e cila ka thënë se zhvillimi i kapaciteteve vendore të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve tona të energjisë dhe do të na ndihmojë që në të ardhmen të jemi më të përgatitur për t’u përballur me kriza të energjisë. /KultPlus.com

Rizvanolli: Shqipëria është afër nesh për t’i zbukuruar më shumë festat

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka falënderuar shtetin e Shqipërisë për ndihmën që do ta ofrojë në fundvit rreth furnizimit me energji elektrike, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Rizvanolli ka thënë se dy ditët e ndërrimit të viteve kanë simbolikë të veçantë, se përfaqësojnë fillim të ri e është koha që ndajmë me më të afërmit.

“Shqipëria është afër nesh për t’i zbukuruar edhe më shumë këto ditë festive, jo për të filluar por për të vazhduar të qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit”, shkroi ajo.

Tutje, Ministrja e Ekonomisë pati një falënderim të veçantë për Ministren Belinda Balluku, e cila bashkëpunoi vazhdimisht me Kosovën.

“Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë në të dy anët e kufirit”, tha në fund Rizvanolli.

Kosova është duke kaluar nëpër një krizë energjetike, ku edhe janë rikthyer reduktimet e rrymës. /KultPlus.com

KEDS – SECURITY CODE | Kompania e Sigurimit | Security Company

Termokosi jep lajmin e mirë: Rikthehet furnizimi me ngrohje

Gjatë ditës së djeshme, qyteti i Prishtinës ka përjetuar një “tmerr” të vërtet, kjo pasi është ndalur ngrohtorja e Termokosit për shkak të disa problemeve që ka pasur distributori KEK dhe si rrjedhojë shumë shtëpi, banesa e vendbanime kanë mbetur pa ngrohje, transmeton KultPlus.

Megjithatë, sot është njoftuar nga Termokos se problemet janë zgjidhur dhe është rikthyer në normalitet funksionimi i ngrohtorës.

“Termokos” njofton gjithë konsumatorët se sot në orët e hershme të mëngjesit kemi filluar të marrim avullin nga KEK-u, si rrjedhojë tashmë ka filluar edhe prodhimi i energjisë termike. Kjo do të mundësojë vazhdimin e furnizmit me ngrohje të mjaftueshme, gjë që nënkupton ndëprerjen e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut. Deri në orët e mesditës së sotme pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e tyre në “Facebook.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mbajtur një konferencë për media gjatë ditës së djeshme rreth problemeve dhe krizës së energjisë elektrike që ka kapluar vendin. /KultPlus.com

Kryeministri Rama: Do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sot ka arritur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ai është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kryeministri këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së. Ndërsa, në orën 08:50 ai u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu”.

Rama e ka zhvilluar këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë. 

Pas takimit me Ramën, Kurti ka thënë se mandatet i kanë marrë në kohën me plotë sfida duke përmendur pandeminë.

Sipas tij përtej sfidave dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte të përbashkëta.

Kurti ka deklaruar se dy vendet duhet të angazhohen që tregu të jetë sa më unik, dhe që qytetarët, kapitali e malli të lëvizin lirshëm.

“Nëse ka vende që kjo të bëhet sa më shpejt, janë Kosova dhe Shqipëria. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë, e shohim si të rëndësishme koordinimin gjithandej. Biseduam për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilën do ta udhëheqë Gentian Sala. E po ashtu se janë dakorduar që mbledhja mes dy qeverive të mbahet në mes të nëntorit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtë plotësisht në çështjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, duke i dhënë mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, Rama theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është dialogu.

Rama tutje tregoi se edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kërkoi dhe do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet.

“Më vjen mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas sesionit të 76-të të OKB-së, ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë tona atje. Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e plotë e OKB-së, do të jetë nxitja e njohjes nga të gjithë, si përpjekje që edhe formalisht të njihet Kosova. Në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq për manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë, veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar apo nga fantazmat e ushtrisë së luftës së mundur 20 vite më parë, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar askush, iu paguhen faturat e energjisë elektrike dhe fatkeqësisht këto manovra risjellin në skenë vandalizmin e tyre, si djegia e qendrave zyrtare që dëmton vetëm serbët e Kosovës. Aplikimi i reciprocitetit është jo vetëm një normë legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dyja Qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, qysh nga çasti i parë që është shfaqur ky konflikt. Kosova është e drejtë dhe pikë. Duhet bërë kujdes me njësinë speciale që të mos kthehet një problem mes Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Shqipëria e ka bindjen se zgjidhja e vetme është dialogu. Forca e ushtarakëve duhet të ia lëmë forcën e arsyes dhe dijes. I takon kryeministrit dhe Qeverisë se si ta trajtojnë stratetigjikisht këtë situatë delikate, por është një mundësi për të treguar se duhet dialog i barabartë”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë arritur dakordësim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët.

“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë në një nivel tjetër”, përfundoi ai.

Po ashtu, Rama ka deklaruar se nuk ka pasur bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, duke shtuar se është krah Kosovës.

I pyetur për çështjen e Ballkanit të Hapur, Rama ka thënë se ka pasur shumë mesazhe për shkak të situatës së krijuar që kanë thënë se ‘po tani a je i bindur se nuk bëhet Open Balkan me Serbinë’, por Rama ka thënë se tani është më i bindur edhe më shumë se duhet bërë.

Kurti: Nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është i informuar që sot do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri, pas raportimeve në disa media.

“Ne biseduam me zyrtarin e KFOR-it për gjendjen dhe situatën në veri. Vendimet që i marrim s’janë të pastra politike. Unë si kryeminstër dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime politike, por nga informatat që na vijnë nga atje, pasi KFOR-i qëndron për të kontrolluar situatën. Jemi të hapur për bisedime, kam biseduar edhe me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg. Unë nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri. Jemi për t’iu kthyer bisedimeve. I ftoj qytetarët për qetësi, sepse institucionet po e kryejnë punën e tyre”, u shpreh Kurti.

Rama insiston se Ballkani i Hapur është rruga e duhur për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur është proces që duhet realizuar, për faktin se sipas tij, kjo do e përshpejtojë procesin e Berlinit. Ai ka theksuar se me veprimet e fundit të serbëve në veri, është vërtetuar se Ballkani i Hapur duhet të ndodhë.

“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij. Duke mos pritur që të mbahet një herë në vjet. Padiskutim që Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje. Kosova e ka fituar luftën”, ka thënë ai para mediave.

“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin që lidhë pasi e ke aty”.

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një nismë të quajtur “Ballkani i Hapur”, në të cilën refuzuan të ishin pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. 

Rama është pyetur nga gazetarët a ka biseduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas bllokadave të serbëve në Veri të Kosovës.

Ai tha se për këtë çështje nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, pasi e drejta është në anën e Kosovës.  

“Nuk kam pasur një bisedë me Presidentin Vuçiq, apo siç shpesh herë miqtë e mi kosovarë në rrjete sociale thonë ‘me vllaun tim Vuçiq’, sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën, dhe kaq. Dhe kjo është shumë e qartë, kështuqë ne jemi apsolutisht në krah të Kosovës, siç është I gjithë komuniteti ndërkombëtar, dhe siç thashë, leximi I çuarjes së Njësisë Speciale si një arsye për të bërë teatër me helikopterë e aeroplanë në Serbi, është leximi më i gabuar”.

“Parafytyrojeni për një moment, le ta parafytyrojë edhe vllau jem atje, sikur të kishte larg qoftë, ndodhur diçka, në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e Shtetit, natyrisht se i takon Kryeministrit këtu në krah, Qeverisë së Kosovës, të marrë qëndrimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar përpara dialogun dhe të mos ngrijë konfliktin”, ka deklaruar Rama.

Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar edhe liderët e opozitës në vend. / KultPlus.com