Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri

Shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore.

Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri, në kuadër të këtij muaji, ka publikuar në faqen e tij një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri, transmeton KultPlus.

MHK shprehet se Dea është e ekspozuar që nga 1981 në këtë institucion. “Koka e Apollonit ose e njohur si Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri gjendet e ekspozuar, që nga viti 1981 në Muzeun Historik Kombëtar.

Mermer, lartësia 50 cm, Butrint, gjysma e parë e shekullit IV p. Kr.”, shkruan muzeu që ka publikuar dhe foton e Deas. Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat e rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka disa pavione.

Në pavionin e lashtësisë që është ndër më të pasurit në MHK, janë ekspozuar edhe objekte që i përkasin periudhës së mesjetës së hershme. Objektet e paraqitura në vitrinat e tjera i përkasin periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit.

Objekte të tjera me interes janë mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (shek. IV para Kr.), pamja antropomorfe e lumit Vjosa (shek. III-II para Kr.), koka e Artemisës (shek. III para Kr.), portreti i një burri në gur gëlqeror (shek. V pas Kr.) dhe objektet e varrit monumental të Selcës së Poshtme, Pogradec (shek. III para Kr.).

Muzeu Historik Kombëtar me aktivitetin e tij synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. / KultPlus.com

Arti antik shkëmbor mund të marrë statusin e Trashëgimisë Botërore (VIDEO)

Petroglafët e Liqenit Onega dhe Petroglyphs të Detit të Bardhë po garojnë për statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Pothuajse 5 mijë vepra arti monumentale të jetës neolitike përshkojnë brigjet dhe ishujt e Karelias në Rusinë veri-perëndimore, me disa që datojnë 7,000 vjet më parë, raporton AP, / KultPlus.com

Arkeologët në gjurmë të artit 45 mijë vjet të vjetër

Gjersa një mani për vepra të artit figurativ bashkëkohor sa vjen e rritet në botën e sotme, arkeologët kanë zbuluar atë që mund të jetë vepra më e vjetër artistike.

Në një studim të publikuar në “Science Advances”, një ekip ekspertësh ka konstatuar se murali që paraqet një derr, zbuluar në shpellën në ishullin indonezian Sulawesi, është së paku 45 mijë vjet i vjetër, duke u bërë kështu vepra më e vjetër artistike që është gjetur deri më tash.

Edhe pse piktura, e cila paraqet një derr dhe dy forma që u ngjajnë duarve konsiderohet me vlerë për shkak të vjetërsisë së saj, mendohet se ka edhe të tjera si kjo.

“Nuk ka arsye për të supozuar, sidoqoftë, se kjo vepër e hershme në gur, është një shembull unik në Azinë Juglindore ose në rajonin me të gjerë”, kanë potencuar hulumtuesit në prezantimin e tyre.

Imazhi i derrit i zbuluar së fundi ka potencial për të vënë në pah shumë çështje të brendshme për historianët dhe arkeologët. Është më shumë se 25 mijë vjet më e vjetër sesa imazhet e kafshëve të ndryshme në shpella në Lascaux të Francës, që mendohet se datojnë para 20 mijë vjetëve dhe radhiten në mesin e pikturave më ikonike të shpellave në botë. Piktura e derrit është po ashtu rreth 1 mijë e 500 vjet më e vjetër krahasuar me një pikturë të ngjashme në Sulawesi, që ishte zbuluar më 2019.

Adam Brumm, arkeolog në universitetin “Australia Griffith”, që ka punuar në këtë studim, ka thënë për “New York Times” se “bazuar në sofistikimin e këtij prezantimi të hershëm të kësaj vepre arti”, derri mendohet se është realizuar nga një person modern. Sidoqoftë, identiteti i piktorit mbetet i panjohur.

Brumm i ka thënë “Times” që vepra e artit në shpellën në Indonezi është duke u përkeqësuar me të shpejtë.

“Kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë ai. Sipas tij, duke marrë parasysh situatën aktuale, rezultati final ka të ngjarë që të jetë shkatërrimi eventual i kësaj vepre indoneziane të epokës së akullit, ndoshta edhe gjatë jetës sonë”. /artnews/ KultPlus.com