Bienalja e parë e Maltës, historia e lashtë takohet me artin bashkëkohor

Bienalja inauguruese e Maltës mbledh artistë nga e gjithë bota duke ofruar një mënyrë të re për të parë trashëgiminë kulturore mahnitëse të ishullit.

Një komb i vogël por i populluar, Malta është e pasur me shumë trashëgimi kulturore. Me pak më shumë se 300 kilometra katrorë sipërfaqe, ajo është shtëpia e shtatë vendeve mahnitëse pjesë të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke përfshirë ndërtesat më të hershme me gurë në Evropë.

Këtë pranverë, Malta po sheh një valë të re kulture ne brigjet e saj, pasi fton dhjetëra artistë bashkëkohorë nga e gjithë bota për të krijuar vepra arti specifike për vendin në Bienalen e parë të saj.

Tetëdhjetë artistë nga 23 vende u ftuan për të ekspozuar punët e tyre në eventin i cili zgjat deri më 31 maj dhe zhvillohet në më shumë se 20 vende të ndryshme në të gjithë Maltën. Qëllimi, sipas kryekuratorit, është të krijojë një vend unik në kalendarin e arteve bashkëkohore.

“Ideja është të përdoret Malta si një observator për të adresuar atë që po ndodh në Mesdhe”, tha drejtoresha artistike e Bienales Sofia Baldi Pighi.

Bienalja trajton çështje të vështira bashkëkohore – si identiteti, migrimi, dekolonizimi dhe trashëgimia e shoqërive patriarkale, përmes një sërë panairesh me tematika në Valletta, Cottonera dhe Gozo./euronews.al/KultPlus.com

“Ekrani i artit” në Shkodër promovon lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përcolli momente nga aktivitetet që janë duke u zhvilluar në Shkodër këto ditë, nën logon “Ekrani i artit”, një festival tashmë i kthyer në traditë.

Margariti ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga një mbrëmje në Shkodër, ku ishte e pranishme mes artistësh e dashamirësish të artit. “Kënaqësi të bëhesh pjesë e kësaj atmosfere në Javën e Kulturës Italiane, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës”, shkruan Margariti.

I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë “Ekrani i Artit” , një vazhdimësi e eksperiencës së mirë për 6 vite me radhë  në Shkodër, paraqet për publikun autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë dhe atyre të Kosovës, që do të zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës.

Përveç filmave, shkodranët por edhe vizitorët do të mund të marrin pjesë njëkohësisht edhe në mbrëmje muzikore por edhe diskutime mbi artin. Pa harruar edhe aktivitetet paralele, dedikuar artistëve të rinj, si ai i videoartit, kuruar nga Elsamina Musiq e Xhulian Millaj në Qendra Rinore. Drejtor artistik i “Ekranit të artit” është Edi Muka ndërsa Zef Paci dhe Tea Paci, kuratorë të programit filmik.

Kjo nismë, tashmë e kthyer në traditë, e shenjon Shkodrën për disa ditë me radhë si skenë ndërkombëtare e artit bashkëkohor. Angazhimi i organizatorëve e interesimi i publikut, janë pa diskutim tregues të pasionit për artin, por edhe i domosdoshmërisë për zhvillimin cilësor të tij në Shkodër./ atsh /KultPlus.com