‘Arti dhe Moda’ vjen si bashkëdyzim artistik i piktores Diella Valla në ekspozitën e saj të dytë personale

Vjollca Duraku

Me 29 punime, është hapur mbrëmë ekspozita e dytë personale e piktores Diella Valla. “Arti dhe Moda” zuri vend në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku 23 skica me ilustrime të modës dhe 6 piktura me dimensione të vogla, të hënën mbrëma kishin zënë muret në tre anët e Galerisë, ku secila prej tyre shpalosnin histori, detaje dhe mbi të gjitha botën e brendshme të piktores Valla.

Akrelike ishte teknika e punës me të cilat Valla kishte punuar ilustrimet e veshjeve, të cilat erdhën edhe si ndërthurje me vepra të piktorëve të ndryshëm, e që disa të tjera mundësuan udhëtim në kohë, deri te arti i lashtë egjiptas dhe hieroglifet. Ndërsa akuarel ishte teknika e pikturave të cilat ishin realizuar edhe me motive të natyrës dhe luleve.

Hapja e ekspozitës u shënua rreth orës 19:30, nën prezencën e artdashësve, familjarëve dhe kolegëve të piktores Valla, të cilët paraprakisht patën rastin që pikturat t’i shihnin nga afër, duke e përjetuar artin e saj në forma individuale.

Kuratori i ekspozitës, Esat Valla në hapje të kësaj ekspozite për të pranishmit tregoi se veprat e Dielles përveç artit të saj, përmbanin edhe elemente të pikturave të artistëve të mëdhenj, duke e potencuar si një element dallues të kësaj ekspozite.

“Diella qysh nga fëmijëria ka filluar t’i hedh ngjyrat në ilustrimet e saj, kështu ajo edhe në këtë ekspozitë, ka bërë një komponim të pikturës në dimensione të figurave. Në këtë ekspozitë, Diella ka marrë pjesë të artistëve të njohur siç është Muslim Mulliqi, si dhe piktura të piktorëve të mëdhenj siç janë Ibrahim Kodra, Nysret Salihamixhiq, nga ku ka bërë një bashkëdyzim të dy zhanreve me një shprehje artistike”, ka thënë kuratori Esat Valla, i cili gjithashtu u shpreh shumë optimist, sa i përket prurjeve artistike të Diellës edhe në të ardhmen.

Ndërsa vetë piktorja, fillimisht falënderoi KultPlus Caffe Gallery, për mundësinë e dhënë për hapjen e ekspozitës, dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj ekspozite, e cila këtë herë erdhi si ndërthurje e pikturës dhe modës.

“Kjo ekspozitë vjen e financuar nga Komuna e Prishtinës, njëkohësisht këtu gjej rastin të falënderoj edhe Galerinë KultPlus, që na e ka mundësuar edhe hapjen e ekspozitës. Falënderoj edhe gjyshin tim që ka pranuar të jetë kurator i ekspozitës. Bashkë me të i kemi zgjedhë, i kemi selektuar ato punime të cilat na janë dukur më të përshtatshme, duke e marrë parasysh që prej ilustrimeve varion një numër pak më i madh. Është një ekspozitë e korrelacionit të pikturës dhe të ilustrimit të modës, po shpresoj që keni me shiju edhe ju”, ka thënë Valla.

Ajo më tutje tregoi që kjo ekspozitë vjen si zbërthim i një talenti për të ilustruar krijimet të modës qysh nga fëmijëria, përderisa tash si studente e vitit të tretë në Degën e Pikturës këto ilustrime përveç modës, i kishte pajisur edhe me art inteligjent.

“Duke e marrë parasysh që përpos pikturës, një element tjetër, me një qasje tjetër, e cila më ka interesuar shumë është moda. Qysh nga fëmijëria kam filluar të merrem me ilustrime të ndryshme të modës, që janë vizualizuar në ato që sot edhe patëm rastin t’i shohim. Titulli “Arti dhe Moda” vjen si korrelacion i ndërthurjes së pikturës me modën, ku në këtë rast ilustrimet e mija nuk janë thjeshtë ide të modës, ose thjeshtë krijime të fustaneve, të veshjeve mirëpo përbrenda tyre kemi një qasje të pikturës të mozaikut, në të njëjtën kohë të freskave e kështu me radhë”, tha më tej Valla, duke treguar që pjesë e krijimtarisë së saj ishin mozaiqet e lashta antike egjptase, veshje tradicionale shqiptare, dhe një veshje koleksion i Vanesa Gjinit, kreatore kjo e re nga Londra që ndërthur veshjen tradicionale me atë moderne.

“Prej skicave që mundem t’i veçoj janë ato të cilat e ndërthurin artin e lashtë egjiptas, që për mua është një madhështi e veçantë kur vjen puna te studimi i artit dhe vështrimi i historisë, ku në këtë rast jam inspiruar prej Sfinksit që është një figurë hibride, pastaj prej piramidave që janë pjesë madhështore e këtij arti, si dhe prej hieroglifeve të cilat janë pjesë e ndërthurjes së fustaneve”, ka thënë po ashtu Valla.

Artistja Valla në një prononcim për KultPlus, tha se vizitorët e kësaj ekspozite do të kenë mundësi të shijojnë histori, antikitet, traditë, artefakte dhe mbi të gjitha edhe energjinë dhe pasionin e saj të përkthyer në art.

“Unë e shijoj gjithmonë punën, sidomos këtë me ilustrime të modës, për shkak se jam në studime të pikturës. Piktura e ka një veçanti më të madhe te unë, duke e marrë parasysh që eksperimentoj me teknika të ndryshme në pikturë. Sa i përket ilustrimit të modës që e realizoj me teknikën akuarel, e shijoj në maksimum, krijoj detaje të ndryshme, elemente të cilat ndërlidhen dhe kufizohen të tilla në një ilustrim. Ajo çka pres prej vizitorëve është që ta shijojnë, duke iu kthyer pak a shumë edhe historisë e artefakte të ndryshme”, ka përfunduar piktorja Diella Valla.

Ekspozita “Arti dhe Moda” është e hapur për vizitorë çdo ditë të javës dhe gjithashtu punimet janë në shitje. / KultPlus.com

Diella Valla vjen me ekspozitë, “Arti dhe moda” takohen në KultPlus Caffe Gallery

“Arti dhe Moda” është ekspozita e radhës e piktores Diella Valla e cila përmbledh skica të modës dhe piktura të realizuara gjatë viteve të fundit.

Ekspozita e cila hapet më datë 18 dhjetor në KultPlus Caffe Gallery, do të përfshijë rreth 30 punime, në këtë mes disa skica të modës dhe disa piktura të formateve të ndryshme.

Ekspozita do të prezantojë talentin dhe krijimtarinë e piktores Diella Valla, duke sjellë para publikut një bashkëveprim unik mes artit pamor dhe modës.

Skicat e modës, ngërthejnë në vete ndërlidhjen me pikturën duke shpalosur motive të mozaiqeve, pikturave të piktorëve të mëdhenj botërorë dhe atyre shqiptarë si dhe frymëzime nga brende të ndryshme të modës.

Përqafimi i mozaikëve dhe frymëzimet nga moda janë thelbi i veprave të kësaj ekspozite, duke ndriçuar lidhjen e thellë midis këtyre dy formave të shprehjes artistike.

Esat Valla është kuratori i kësaj ekspozite i cili ka ndihmuar në krijimin e këtij koleksioni të veçantë.

Ekspozita do të hapet më datë 18 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Ekspozita është e financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com