Në bashkëpunim me Qendrën Syndrome Down në Mitrovicë dhe me kontributet e Institutit Yunus Emre, fëmijët me Sindromën Down u bashkuan në vallen e ngjyrave mbi ujë “Ebru” ku dhe krijuan vepra të bukura artistike.
Në kuadër të projektit “X21 Art Ebru”, fëmijët bashkë me prindërit e tyre morën pjesë në aktivitetin ku përfituan përvoja në fushën e artit mbi ujë, Ebru, e cila kërkon durim dhe përkushtim të veçantë.
Duke vëzhguar sesi uji kthehet në pikturë me teknikat dhe praktikat tradicionale e koordinuar nga mësuesja e artit të Ebru-së Shenaj Jusuf, fëmijët dhe familjet e tyre arritën edhe ta praktikojnë atë.
“Ne si familje e fëmijëve me aftësi të kufizuara, kemi arritur të përfundojmë me sukses punimet artistike duke arritur një rezultat unik përmes Ebru-së. Shpresojmë që të mund të formojmë një të ardhme të jetueshme për fëmijët tanë me mbështetjen sociale të siguruar nga Qendra Syndrome Down në Mitrovicë dhe Instituti Yunus Emre në Kosovë.
Në fund të ngjarjes, koordinatorja e Qendrës Syndrome Down në Mitrovicë, Zana Bashota Broja theksoi se puna që bëjnë në këtë qendër kërkon vëmendje dhe përkushtim të veçantë.
“Ju duhet të jepni një trajnim individual ndërsa jepni arsim. Komunikimi i tyre është shumë i këndshëm, është shumë e kënaqshme të punosh me ta, qasjet e tyre të dashurisë janë shumë të forta dhe këto qasje na entuziazmojnë. Për mua, kjo ngjarje ishte shumë produktive dhe e dobishme, kështu që unë do të doja të falënderoja edhe njëherë Institutin Yunus Emre.”
Duke deklaruar se arti i Ebru-së i bën njerëzit të lumtur dhe të ndihen të lirë, mësuesja Shenaj Jusuf tha se Arti Ebru, i cili ka një të kaluar të lashtë, është shumë i rëndësishëm në aspektin e të mësuarit që të ndërtojmë një urë nga e kaluara në të ardhmen dhe më e rëndësishmja ju mëson durimin.
Ndërsa Filiz Pasoma nga Instituti Yunus Emre tha se, “Falënderimet dhe përqafimet e fëmijëve pas ngjarjes ishin treguesi më i mirë se sa me vend ishte ky aktivitet.” Ajo shtoi se aktivitete të këtij lloji do të vazhdojnë gjithnjë e më shumë”.
Ngjarja përfundoi me shpërndarjen e dhuratave nga Instituti Yunus Emre për fëmijët me Sindormë Down.
Përndryshe, Ebru është art tradicional turk i pikturës mbi ujë që njihet nga shekulli i XIII dhe krijohet vetëm me materiale natyrale. Mjeshtrit e Ebru-së e kanë si traditë kalimin e mjeshtërisë nga mësuesi tek nxënësi, kështu ajo ka kaluar nga një brez në tjetrin dhe është ruajtur deri më sot. Kuptimi i fjalës “ebru” ka kuptimin e harmonisë së ngjyrave në ujë.
Për të realizuar një Ebru mundësisht përdoret një enë çeliku, në të cilën hedhim ujë natyral të përzier me një lëndë që quhet kitre e cila e kthen ujin në xhelatinë, e pas kësaj derdhim bojërat të cilave u japim forma nga më të ndryshme, ajo cilësohet si art ekologjik i cili nga pikturimi në ujë kthehet në letër. / KultPlus.com