Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina do të prezentoj “Fundi i qeshjes” nga Alenka Zupančič si pjesë e “Shkolla Verore si Shkollë 2018” në kuadër të programit publik, shkruan KultPlus.com
Prezantimi fillon me kryeveprën e Preston Sturges, “Udhëtimet e Sullivan-it”. Kjo komedi ‘screwball’ (ekscentrike) përfaqëson një pjesë të të ashtuquajturit “Hollivud i vjetër” dhe trajton problemin se si arti, dhe nëse arti duhet t’iu përgjigjet problemeve aktuale (shoqërore).
Nga kjo perspektivë specifike, prezantimi do të propozojë disa ide të mëtutjeshme në funksionin dhe në funksionimin e ‘seriozitetit’ në art, si dhe në atë se çfarë në përgjithësi quhet ‘kritikë shoqërore’.
Alenka Zupančič është filozofe dhe teoriciene sociale sllovene. Ajo doktoroi në Universitetin e Lubjanës dhe në Universitetin e Parisit VIII. Ajo punon si këshilltare për hulumtim në Institutin e Filozofisë, në Qendrën Shkencore për Hulumtim të Akademisë së Shkencave në Slloveni. Ajo gjithashtu është profesoreshë në Fakultetin ZRC SAZU (Ljubljanë) dhe në Fakultetin Evropian (Saas Fee).
Bashkë me Slavoj Žižek dhe Mladen Dolar, Zupančič është një nga anëtarët më të spikatur të “Shkollës së Psikoanalizës në Ljubljanë”. Ajo njihet për punën e saj në ndërthurjen e filozofisë dhe psikoanalizës, si dhe për teoritë e saj origjinale filozofike të komedisë. Ajo ka publikuar disa libra dhe mbi 150 artikuj. Punët e saj më të reja merren me marrëdhënien ndërmjet seksualitetit dhe ontologjisë.
Disa nga publikimet e saj të përzgjedhura janë: What is Sex? Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2017; The Odd One In: On Comedy, Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2008; Why Psychoanalysis: Three Interventions, Uppsala, NSU Press 2008; The Shortest Shadow: Nietzsche’s Philosophy of the Two, Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2003; dhe Ethics of the Real: Kant and Lacan, London & New York, Verso 2000, 2011. /KultPlus.com