Fshihet vepra ndërgjegjësuese e artistit Bansky

Vepra e fundit e artistit Banksy në një tren në Londër, është fshirë nga punonjësit.

Vepra e sipërmendur përmbante mesazhe për koronavirusin.

Me anë të saj ai kërkonte të ndërgjegjësonte njerëzit që të mbanin maska dhe doreza, për tu mbrojtur kështu nga virusi.

Agjencia e Transportit që fshiu veprën u shpreh se e vlerëson punën e artistit, por e fton të bëjë art në një vend më të përshtatshëm. / KultPlus.com

Arti i shenjave të vuajtjes

Artisti hungarez Jozsef Szurcsik ka humbur katër shokë të tij për një periudhë të shkurtër si pasojë e virusit COVID-19, dhe dhimbja e tmerrshme e pikëllimi që ai ka ndier e kanë transformuar artin e tij.

Szurcsik, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Hungarisë, është një nga artistët më me zë në artin bashkëkohor në vend. Gjithmonë ka provuar që të reflektojë mbi marrëdhëniet e shpirtit të njeriut dhe peizazhit në pikturat e tij shpeshherë surrealiste. Ka thënë se procesi i tij kreativ është ndikuar thellë nga dhimbja që ndien tani.

Më parë kishte pikturuar duke pasur një plan në mendje, por tani imazhet e kafkave, kokave që digjen dhe fytyrat e mërzitura krijohen rrjedhshëm nga brushat e tij. Ka thënë se pa qëllim, disa nga fytyrat në pikturat e tij reflektojnë tipare të atyre që ai ka humbur.

“Unë kisha katër shokë që ishin shumë të rëndësishëm për mua, janë katër njerëz që i kam humbur në një mënyrë shumë shokuese…Sikur kjo pandemi të mos shfaqej, ata do të ishin me ne edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Ende e ka të vështirë që të flasë për këtë. Një nga miqtë që ai ka humbur, nuk ishte as 40 vjeç.

Hungaria, e cila ka një popullsi me rreth 10 milionë banorë, ka regjistruar mbi 4 mijë raste me COVID-19, përfshirë 570 vdekje.

Szurcsik, që punon me teknika si grafi, litografi, e bën piktura me vaj dhe akrilik në pëlhurë, dhe po ashtu edhe skulptura, ka thënë se shëmbëlltyra e re e pikturave të tij po vepron si një lloj terapie. /Koha /KultPlus.com

Arti si frymëzim kundër e pro racizmit

Le të fillojmë me një pasazh nga Ta-Nehisi Coates nga libri “Beetween the World and Me”, që merr formën e një letre të shkruar nga një baba me ngjyrë për djalin e tij: “Çmimi i gabimit tënd është më i lartë për ju sesa është për bashkatdhetarët tuaj, dhe në mënyrë që Amerika të justifikojë veten, historia e dekonstruksionit të një trupi të një njeriu me ngjyrë duhet që të fillojë gjithmonë me gabimin e tij ose të saj, të vërtetë ose të imagjinuar – me zemërimin e Eric Garner, me fjalët mitike të Trayvon Martin ‘Do të vdesësh sonte’, me gabimin e Sean Bell për të vrapuar me turmën e gabuar” .

Në rastin e George Floydit gabimi u pohua dhe, ndoshta pa dije, duke përdorur një faturë të falsifikuar. Dhimbja e zbuluar nga vdekja brutale e Floydit na ka bërë të reflektojmë për kulturën tonë. Kareem Abdul-Jabbar shkroi një ese të jashtëzakonshme për “The Times”, në lidhje me atë që përmbajnë protestat: “Ajo që duhet të shihni kur shihni protestuesit me ngjyrë në epokën e Trumpit dhe koronavirusit, janë njerëzit e shtyrë në skaj, jo sepse ata duan që të hapen baret dhe sallonet e bukurisë, por sepse duan të jetojnë. Ose të marrin frymë”. Ky moment i vrullshëm, shkruan Jamelle Bouie në “New York Times”, pasqyron “presionet dhe konfliktet e një vendi diversifikues, luftën për të shpëtuar nga një e kaluar ekskluzive për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe betejën tonë të vazhdueshme mbi atë që ka vlerë vërtet – kush mund të veprojë si një anëtar i plotë dhe i barabartë i kësaj shoqërie dhe kush jo”, shkruan LOS ANGELES TIMES.

“Qindra njerëz me ngjyrë të skllavëruar”, shkruan DeNeen L. Brown nga “Washington Post”, dikur “u mbajtën rob në Shtëpinë e Bardhë”. Brown ka një histori nga Sheshi “Lafayette” në Uashington, sesi ishte pastruar me forcë për fotografinë e presidentit. Brown gjurmon këtë dhe vendet e tjera historike të skllevërve. Robin Givhan kritikon foton që doli nga ai imazh: “Ai nuk hyri brenda. Përkundrazi, struktura u afrua pas tij, një set në një të verdhë limoni, tredimensional për lojën e tij torturuese”.

“E jona është një histori e varfërisë dhe metaforës së çizmeve të bardha në qafë të zezë. Nga vendosja e prangave dhe zinxhirëve në qafën e skllavëruar të detyruar që të marshojnë në rresht te kollaret e hekurta të vendosura si ndëshkime për njerëzit e skllavëruar që guxuan të shpëtonin”.

Kritikja Soraya Nadia McDonald e konsideron vdekjen e Floydit së bashku me këtë pjesë shumë të prekshme të anatomisë njerëzore.

“Krijimi më urgjent i filmave që dikush bën tani, në këtë vend, është nga njerëzit me ngjyrë përmes telefonave me kamera”, ka thënë kritiku i “New York Times”, Wesley Morris, mbi “mozaikun e egër vizual të keqtrajtimit”. “Askush nuk mund të injorojë një grua të zezë që është ulur mbi një kalë.” Një imazh i Brianna Noble duke kalëruar në mes të protestave në Oakland është bërë një imazh përcaktues i kryengritjeve. Priska Neely, për marrjen e një numri të mesazheve tekstuale për të kontrolluar nëse ajo është në rregull: “Bombardimi nga tekstet me ngjyrime faji nga njerëzit e bardhë më detyroi të përpiqem të zgjidhë pyetjen më të padiskutueshme: Pra, si jam?” “Në atë kohë këto rregulla ndiheshin të bezdisshme,” shkruan Brianna Holt për rreptësinë e prindërve të saj, “por ndërsa isha rritur, kuptova se ato ishin të nevojshme.”

Lorrene Berry ka një udhëzues për leximin e guidës “Black Lives Matter” dhe shumë ide dhe vjegëza. E, sado e vështirë që ishte java e kaluar, Ta-Nehisi Coates, sa u përket veprimeve, ka thënë: “Unë shoh shpresë. Unë shoh përparim tani.” Të martën, një figurë e një ushtari të vetëm të Konfederatës, që ka qenë në qytetin Aleksandri të Virxhinias, u hoq nga piedestali i saj. Kritiku i artit Christopher Knight, që shkruan për “Times”, shikon sesi protestat kanë çuar në një valë të heqjes së monumenteve të Konfederatës. “Skulpturat përkujtimore si kjo kanë një qëllim specifik”, shkruan ai. “Ato shfaqin në bronz racizmin institucional”. / KultPlus.com

Roli i artit në zhvillimin e fëmijëve

Nga Brunilda Basha

Arti është një element kryesor në zhvillimin intelektual të njeriut. Të qenit kreativ që në vegjëli ndihmon individin të ballafaqojë më lehtë situatat dhe të ketë larmishmëri zgjidhjesh së problemeve që mund të hasë në jetë. Të nxisësh krijimtarinë tek individi nuk do të thotë domosdoshmërisht të ndjekësh profesonin e artistit, e as të bëhesh artist i famshëm. Krijimtaria zhvillon nivelin mendimor, shoqëror dhe emocional. “Nëpërmjet eksplorimit të artit shumë probleme mund të kenë një numër të madh zgjidhjesh”- thotë Mary Ann F. Kohl.
Njëkohësisht pedagogë të Universitetit të Michiganit arritën në të njëjtën përfundim pas një studimi mbi lidhjen e studimit të artit nga fëmitë në moshë të vogël dhe suksesit që do kenë në jetë më vonë. Sipas tyre, fëmijët të cilët janë të ekspozuar ndaj një shumëllojshmërie të gjerë të artit dhe veprave artizanale janë më të prirë për të krijuar shpikje të veçanta në të ardhmen, më të prirur të kenë ide origjinale dhe të jenë më kritik në çdo fushë.

Si Arti ndihmon Zhvillimin e Fëmijëve

Disa nga arsyet pse artet janë të rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve janë:
1. Arti promovon kreativitetin.
2. Arti stimulon vetbesimin.
3. Arti aftëson fëmijët në zgjidhjen e problemeve.
4. Ndihmon në kuptimin e vetes dhe botës së tyre.
5. Ndihmon fëmitë të kenë ndërveprim dhe bashkëpunim me njëri tjetrin.
6. I ndihmon të jenë të përqendruar dhe të dedikuar ndaj diçkaje.
7. I ndihmon të ndërtojnë aftësinë e shkrimit.

Si të ndërtojmë një ambjent të rehatshëm për fëmijët që të mund të shpalosin idetë e tyre.

1. Mos kini frikë ta lini vendin rrëmujë. Mund të vendosni për një zonë të shtëpisë ku fëmija do jëtë i lirë ta përdorë si të dëshirojë dhe të mos ketë frikë të eksperimentojë.
2. Mundësojini të kenë mjete arti apo kinkalerie rreth e rrotull si lapsa, ngjyra, plastelinë, letra me ngjyra.
3. Ekspozojini punimet e fëmisë, komplimentojeni për çdo vizatim të tij/saj dhe mos e kritikoni duke e mësuar si të krijojë një punim perfekt. Lëreni të lirë dhe bëjeni të kuptojë se ajo ç’ka arritën ata është mjaftueshëm.
4. Dilni shëtitje nëpër vende ku manifestohet arti si muzeum, qëndra kulturore, teatër, nëpër rrugë e parqe.
5. Mundësojini libra të cilat lidhen me artin, libra me figura, me numra, më ngjitëse apo libra ngjyrosje.
6. Bashkëpuno me të gjatë proçesit të krijimit të artit. Pyete pse ka zgjedhur atë ngjyrë, atë formë apo vizatim, çfarë dëshiron të shprehë, etj./supergrate.net/ KultPlus.com

“Arti është i mirë për trurin tuaj”

Shkruan: Jessica Jacolbe

Përktheu: Veron Dobroshi

Fusha e neuroestetikës përdor neuroshkencën për të kuptuar se si arti ndikon në trurin tonë, kur ne jemi duke e bërë atë ashtu edhe kur jemi duke e parë atë.

A ka rëndësi arti? T’i lëmë mënjanë të gjitha përfitimet e paprekshme, rezulton se proceset e krijimit të artit dhe përjetimi i të bukurës kanë benefite nervore. Neuroestetika ekzaminon artin dhe reagimet tona ndaj tij nga një këndvështrim neurologjik. Neurobiologu i njohur Semir Zeki dokumenton se si arti mund të stimulojë “marrëdhëniet konceptuale” në mendjen tonë, dhe jo vetëm reagimet ndaj artit pamor para nesh. Sipas gjetjeve të Zekit, përjetimi i çdo lloj bukurie, vizuale apo muzikore, ndikon në zonat vendimmarrëse të trurit tonë.

Përjetimi i këtij lloj arti është si të punosh përmes provës matematikore.

Historiani i artit Gregory Minissale shpjegon se njerëzit mund ta shikojnë artin konceptual si një enigmë. Përjetimi i këtij lloj arti është si të punosh përmes provës matematikore. Sic shkruan ai:

Ka shumë vepra arti që përdorin punime dhe lojëra fjalësh për të paraqitur shikuesit me paradokse vizuale. Një nga shembujt më të hershëm është Tradhtia e Imazheve të Magritte (Ceci n ‘est pas une tub, 1928-1929), e cila, sipas Zekit,“ shkon kundër gjithçkaje që truri ka parë, mësuar dhe ruajtur në kujtesën e tij”.

Një shembull tjetër, pikturat e Seurat ose Mondrian stimulojnë një zonë të trurit që gjithashtu sjell gëzim nga zgjidhja e enigmave për kënaqësi. Minnissale i referohet studimeve të Zekit për “ambiguidet”. Ideja është që zona të shumta të trurit bashkëpunojnë për të zgjidhur këtë “enigmë” të artit që, si rezultat, krijon një ndjenjë kënaqësie. Kur kjo ndodh, ka zona të dallueshme në lobin ballor që bashkëveprojnë dhe bashkojnë “kujtesën, përvojën, [dhe] mësimin”.

Zeki mban pikëpamjen e pazakontë që artistët po bëjnë punën e neurologëve në mënyrën se si luajnë me artin e tyre dhe interpretimin e objekteve. Në një pikturë, truri kërkon rend dhe objekte. Edhe kur një artist është duke pikturuar, truri synon të përfaqësojë ose pikturojë objekte ndërsa piktori i sheh ato. Zeki shkruan, “Prandaj, do ta përcaktoj funksionin e artit si kërkim për qëndrueshmëri, i cili është gjithashtu një nga funksionet më themelore të trurit. Funksioni i artit është, pra, një shtrirje e funksionit të trurit – kërkimi i njohurive në një botë që është gjithnjë në ndryshim ”.

Ndërsa arti dhe shkenca përmbajnë karakteristika të dallueshme që nuk mund të kryqëzohen kurrë, mendja e njeriut zbulon që fushat kanë një të aspekt të përbashkët të rëndësishëm. Siç shkruan Zeki: pyetja e vetme më e rëndësishme për vizionin që dikush mund të pyes: Pse shohim? Është përgjigjja e kësaj pyetjeje që zbulon menjëherë një paralele midis funksioneve të artit dhe funksioneve të trurit, dhe me të vërtetë na çon në mënyrë të pandërprerë në një përfundim tjetër – se funksioni i përgjithshëm i artit është një shtrirje e funksionit të trurit. Virtual Sophist/ KultPlus.com

Artistët e rinj prezantojnë pikturat në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Në mjediset e Muzeut Kombëtar të Kosovës, të martën u hap ekspozita “Dekonstruksion”, e kuruar nga piktorja Majlinda Kelmendi.

Kjo ekspozitë përmban veprat e studentëve dhe të diplomuarve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ekspozita paraqet krahasimin dhe kontrastimin e ideve bashkëkohore dhe shembujve historikë, duke bërë një rikthim në kohë. Artistët dhe studentët e artit janë në gjendje të shohin se si idetë evoluojnë dhe si e kaluara informon tendencat e ditëve të sotme me ide të reja, shkruan rtv21.tv  

Kuratorja e ekspozitës, Majlinda Kelmendi, u shpreh e lumtur për punën e studentëve të saj. Theksoi se ekspozita paraqet të gjithë procesin e ngritjes profesionale të këtyre artistëve.

“Me fjalën dhe me titullin “Dekonstruksion” e ekspozitës kam dashur të them që të kthejmë kokën mbrapa tek ajo që është ë bukur, e bërthamës, e traditës sonë  por sigurisht duke e sjellur ne kohë. Ne jemi pjesë e këtyre viteve e këtij shekulli dhe sigurisht ne do të moderohemi dhe do të ecim me kohën, por asnjëherë nuk duhet ta harrojmë atë që kemi në bërthamë. Punët të cilat janë këtu janë menduar gjatë prej këtyre artisteve, ne kemi komunikuar gjatë gjithë kohës, kemi ardhur tek ideja, tek hulumtimi dhe pastaj deri tek realizimi i këtyre veprave. Unë jap lëndën e pikturës konceputale dhe së bashku me ta kemi punuar prej dy vjetëve për këtë qëllim, për realizimin e kësaj ekspozite”, tha Kelmendi.

Për punën e studentëve dhe dëshirën e madhe të Kelmendit për realizimin e ekspozitës, fjalë të mira patën edhe disa nga profesorët e Fakultetit të Arteve, Xhevdet Pantina e Agnes Nokshiqi.

“Faktikisht , arti konceptual vet me krijimin e kësaj dege në Fakultetin e Arteve po e dëshmon vazhdimisht punën e tyre, sidomos profesoresha Majlindë që më ngulm dhe arriti t’i paraqes vlerat e studenteve dhe me të vërtet është një punë vuliminoze që unë do të them tamam që jem krah jo vetëm ndaj shteteve të rajonit, por edhe shteteve evropiane sa i përket punës profesionale të studentëve, por edhe nivelit te tyre akademik dhe artistik, është gjë që duhet vlerësua jashtëzakonisht shumë”, tha Pantina.

Ndërkaq Nokshiqi tha se “Më së pari po shihet që është punë që e bën me përkushtim, dhe kur i sheh punimet është shumë interesante. Mënyra qysh jonë të punuara dhe secili e ka qasjen e vet edhe atë artin që don me shpreh në secilin punim. Edhe tepër bukur po duket. Unë jam tepër e kënaqur dhe shumë krenare që në kemi këtë kuadër dhe studentë në fakultet”.

Secila nga këto vepra interesante përmbante një mbishkrim përshkrues rreth temës së trajtuar.

Artistët e ekspozitës janë: Rea Latifi, Agnesa Eshrefi, Endrita Ibishi, Art Terstena, Ema Isaku, Enkela Maxhuni, Drilon Haxhijaj, Endrit Jashanica, Abetare Syla, Ardhmerie Bregovina, Diore Buzhala, Erza Kryeziu, Fikrete Misini dhe Kybra Alemdar. Ekspozita “Dekonstruksion” e piktorëve të rinj të Fakultetit të Arteve, do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 17 nëntor./KultPlus.com

Vepra e artit e gjetur në kuzhinë thyen rekord në ankand

Një pikturë e humbur e artistit të famshëm italian, e gjetur në kuzhinën e një gruaja të moshuar franceze, është shitur në ankand për një çmim rekord 24 milionë euro.

Christ Mocked e piktorit Cimabue u zbulua muajin e kaluar në Francën veriore.

Piktura pritej të shitej për 6 milionë euro në ankand. Por oferta fituese i tejkaloi shumë pritjet.

Acteon Auction House tha se shuma, e paguar nga një blerës anonim nga Franca veriore, ishte një rekord i ri botëror për një pikturë mesjetare të shitur në ankand.

“Kur një punë unike e një piktori aq të rrallë sa Cimabue vjen në treg, duhet të jesh gati për surpriza,”-tha drejtuesi i ankandit Dominique Le Coent për agjencinë e lajmeve Reuters, transmeton KultPlus.com

Për vite me radhë, piktura qëndroi e varur mbi një pllakë muri në një kuzhinë në qytetin e Compiegne.

Vepra e artistit u vu re nga një person që merrej me ankandet, i cili e këshilloi pronarin e saj që ta vlerësonte nga ekspertë.

Pronarja besonte se ishte një ikonë e vjetër fetare me pak vlerë.

Galeria e Ministrisë së Kulturës hap thirrjen për artistët



Galeria e Ministrisë së Kulturës ka hapur thirrjen për programin artistik të viti 2020, thuhet në njoftim, përcjellë KultPlus.com

Të drejtë konkurimi kanë krijuesit nga fusha e pikturës, skulpturës, dizajnit grafik, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës dhe arkitekturës.

Aplikimet mund të jenë për ekspozita individuale dhe ekspozita kolektive kuratoriale.

KUSHTET:

1. Të drejtë konkurimi kanë të gjithë të cilët kanë ide / vepra të realizuara në këto fusha

2. Konkuruesit duhet të sjellin dhjetë (10) punime të shtypura me ngjyra, në formatin A4, me kualitet të lartë (minimum 600 x 800 dpi); apo video me kohëzgjatje prej maksimum 10 minuta, në format DVD.

3. Punimet duhet të jenë të realizuara viteve të fundit dhe të pa ekspozuara në GMK.

4. Biografia profesionale.

5. Konceptin e punimeve apo ekspozitës.

Mesazh për mbrojtjen e kafshëve, artistët italianë sjellin ekspozitën e veçantë në Tiranë

Kërkesa, premtime, shume nevoja dhe kaos. Kështu mund te përkufizohet jeta sipas artisteve italiane Emiliano Perino dhe Luca Vele, te cilët e kane sjelle ne kryeqytet ekspozitën “Premtimet e perëndimit”.

Nëpërmjet instalacioneve, te krijuara ne letra, ata paraqesin, gjallesa te ndryshme te ekosistemit, si elefanti, gjarpri, rinoceronti qe përdoren ne mënyrë masive nga industria.

Per kuratoret Gaetano Centrone, dhe Genti Gjikola kjo ekspozite është teper e rëndësishme ne hapësirën kulturore shqiptare, pasi prek tema mjaft delikate.

Ekspozita do te qëndroje e hapur per publikun deri ne 31 Tetor ne hapësirën e COD ne kryeministri. / KultPlus.com

Piktori Burhan Ahmeti pjesëmarrës në “Nga mbeturina në Art” në Baku

Piktori Burhan Ahmeti është pjesëmarrës në Ekspozitën e 8-të Ndërkombëtare në muzeun “Nga mbeturina në Art” që do të mbahet në Baku, Azerbajxhan nga 20 Shtator deri më 02 Tetor 2019.

Objektivi i ekspozitës është të rritet vëmendje ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe për të agjituar qasje të përgjegjshme ndaj shëndetit mjedisor të planetit tonë. Ekspozita tërhoqi vëmendjen e publikut në Baku dhe më gjerë, për shkak të synimit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

Çfarë vepre do të realizojë Burhan Ahmeti në ekspozitë dhe cila është simbolika e saj? Gjegjësisht, çfarë e lidh veprën e tij me tematikën e ekspozitës?

“Do ta realizoj një vepër arti, instalacion me teknikë të kombinuar në dy shtresa nga qese plastike dhe në pllaka akriliku të tejdukshëm do ta vizitoj me gravurë portretin e Nasimit (poet dhe filozof i njohur nga azerbejxhani) Dy pjesët e veprës me dimensione 100x150cm do të jenë të ndara me nga 6 pllaka akriliku të tejdukshëm 50x50cm sikur mozaik të lidhura mes veti. Ku te pjesa e parë e mozaikut do të duket portreti i Nasimi si gravurë dhe në prapavijë pjesa e dytë e mozaikut në pllaka do të ngjiten qese plastike të kaltërta dhe të bardha. Ku qeset e kaltërta simbolizojnë ujin dhe qeset e bardha akullnajet. Te portreti dhe te duart e Nasimit në pjesën pas si prapavijë e portretit do të ngjiten qese plastike të bardha të cilat simbolizojnë dritën, njëkohësisht çiltërsinë dhe pastërtinë”, tha për Portalb.mk, Burhan Ahmeti.

Në ekspozitë do të marrin pjesë 156 artistë nga 40 vende të ndryshme të botës si Holanda, Kuba, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kolumbia, Spanja, Franca, Gjermania, Italia, Shqipëria, Bjellorusia, Japonia, Australia, Republika Çeke, Turqia, Rusia, Benini, Taxhikistani, Uzbekistani, Ukraina, Izraeli, Kazakistani, Gjeorgjia, Polonia, Rumania, Portugalia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ekspozita realizohet me mbështetjen e fondacionit “Heydar Aliyev”. Fondacioni ka karakter bamirës dhe udhëhiqet nga Zonja e Parë e Azerbajxhanit Mehriban Aliyeva, ndërkaq “Tamiz Shahar” OJSC është një organizatë shtetërore që ofron shërbime të deponimit të mbeturinave në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit. Qëllimi i kompanisë është të krijojë një sistem të azhurnuar dhe të qëndrueshëm të administrimit të mbeturinave në Baku dhe të sjellë risitë më të fundit në sferën e administrimit të mbeturinave në vend përmes shkëmbimit të përvojës me vendet e huaja dhe kompani ndërkombëtare. / KultPlus.com

Në Gjakovë po qëndron e hapur ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”

Në Gjakovë është hapur ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve dhe e njejta do të qëndrojë e hapur deri në orët e vona. Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian përmes UN Women (#EVAW), dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), shkruan KultPlus.com

“Duke ndodhur tani: Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, në sheshin “Nëna Terezë” në Gjakovë, ku do të qëndrojë e hapur për publikun deri në orën 22:00″, thuhet në postimin e tyre në Facebook.

Galeria e Arteve në Ferizaj ka hapur konkursin për Bienalin e katërt të Vizatimit

Galeria e Arteve në Ferizaj ka hapur konkursin për Bienalin e katërt të Vizatimit, thuhet në postimin e tyre në Facebook. Ata kanë dhënë të gjitha detajet rreth të kushteve të aplikimit si dhe rreth procesit të përzgjedhjet.

Këtu keni postimin e tyre të plotë:

“KONKURS
Bienali i katërt i Vizatimit 2019

Galeria e Arteve Ferizaj në bashkëpunim me SHAF “Zef Kolombi” ka kënaqësinë të shpall të hapur Konkursin për Bienalin e katërt të Vizatimit.
Bienali ka karakter ndërkombëtar dhe të drejtë konkurimi kanë të gjithë artistët nga të gjitha vendet e Botës.

Kushtet e aplikimit:
• Punimet duhet të jenë vizatime në teknika të ndryshme; 
• Tema është e lirë dhe një autor mund të aplikoj me më shumë se një punim;
• Punimet duhet të dorëzohen pa kornizë;
• Dimensionet e punimit nuk janë të kufizuara.

Procesi i Aplikimit
Punimet mund të dorëzohen çdo ditë pune (e hënë – e premte) prej orës 09:00-15:00, në Galerinë e Arteve në Ferizaj.
Në punim nuk duhet të shënohet emri dhe mbiemri, apo inicialet e autorit sepse punimet do të kodifikohen nga organizatorët e Bienalit për të ruajtur transparencën në përzgjedhjen e vizatimeve.

Afati kohor:
Konkursi është i hapur nga data 04 Shtator deri më 10 Tetor 2019

Përzgjedhja e punimeve: 11 dhe 12 Tetor 2019
Vizatimet do t’i nënshtrohen vlerësimit dhe përzgjedhjes nga juria profesionale;
Tri punime do të shpërblehen me tri çmimet e Bienalit (I, II, III).

Tërheqja e punimeve të bëhet jo më larg se dy javë pas mbylljes së ekspozitës, dhe pas këtij afati kohor Galeria e Arteve nuk mban përgjegjësi për punimet. 
Nëse autorët nuk i tërheqin punimet e tyre brenda dy viteve, punimet do të bëhen pjesë e Fondit të Koleksionit ose Fondit të Shitjes të organizatorit të Bienalit.

Kontakt: +383 49 921 232 Email: [email protected]

Adresa /Address:
Rr. “Ramadan Rexhepi” Pn. Galeria e Arteve, 70 000 Ferizaj, Kosovë

Bienali është realizuar me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Ferizaj”. /KultPlus.com

“Arti dhe kultura janë thelbësorë në identitetin e një kombi”

Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po tërheq vëmendjen e medieve të huaja, përmes artit dhe kulturës.

Kësaj here gazeta italiane “La Stampa”, ka publikuar intervistën e ministres së Kulturës Elva Margariti mbi zhvillimet kulturore në Shqipëri.

“Shqipëria është një shtet relativisht i ri, pak më shumë se një shekull, por e ngjeshur me ngjarje të mëdha historike, që kanë lënë gjurmë edhe në arkitekturë. Nga një vend pa identitet arkitekturor, Shqipëria përqafoi idetë dhe projektet e arkitektëve italianë, në vitet ’30 –40. Firmën e arkitektëve si Bosio, Brasini, Berte mbajnë kompleksi i ministrive, Korpusi i Universitetit, Universiteti i Arteve, ndërtesa e Kryeministrisë, Bulevardi, etj. Uniformiteti i stilit sovjetik dhe kinez i viteve të diktaturës, u zëvendësua me kaosin ndërtimor të viteve të tranzicionit”, u shpreh Margariti gjatë intervistës për gazetën italiane “La Stampa”.

Margariti vijoi se, “Tirana është në një fazë tjetër, kur nuk synon më, të ndërtojë thjesht për të përmbushur nevojat për strehim, por për të thurur traditën dhe modernen, identitetin kombëtar me arritjet bashkëkohore për krijimin e hapësirave publike”.

“Arti dhe kultura janë thelbësorë në identitetin e një kombi. Për ne, kultura është një motor zhvillimi dhe po përpiqemi të kthejnë në resurse ekonomike, të gjitha asetet e trashëgimisë sonë kulturore. Investojmë, rrisim vizitorët në site, parqe e monumente kulture dhe i ofrojmë komuniteteve përreth mundësi zhvillimi. Është një proces i gjatë, por që po i jep frytet e veta. Kjo është ajo që do ta quaja “ekonomia e së bukurës”, përfundoi ministrja e Kulturës Elva Margariti duke vënë dhe një herë në vëmendjen e mediave të huaja që kultura është pasaporta më e mirë e një vendi.

Kush e vendos se çfarë kuptimi ka arti?

“Ti shkruan rreth luleve të mia a thua se unë mendoj dhe shikoj se çfarë mendon dhe shikon ti… po ja që nuk është kështu.” – Georgia O’Keeffe.

Përfytyroni sikur ju dhe një miku juaj jeni duke shëtitur nëpër një ekspozitë arti dhe një pikturë e mrekullueshme kap vëmendjen tuaj. E kuqja vibrante për ju shfaqet si simboli i dashurisë, por miku juaj është i bindur se ajo është simboli i luftës. Dhe aty ku ju shikoni yjet në një qiell romantik, miku juaj shikon ngrohjen globale, duke përfshirë edhe ndotësit. Për të zgjidhur debatin, ju ktheheni nga interneti, ku lexoni se piktura është një replikë e një projekti arti të një artisti avangard: E kuqja ka qenë ngjyra e saj e preferuar dhe pikat e argjendta janë xixëllonja. Ti tani i di me saktësi qëllimet që kanë çuar në krijimin e kësaj vepre arti.

A mos është gabim që ju e shijuat atë si diçka që nuk ishte në vetvete qëllimi i artistit? A e shijoni ju atë më pak tani që e dini të vërtetën? Sa shumë e prek qëllimi i artistit interpretimin tuaj për atë pikturë?

Kjo është një pyetje e cila është hedhur vërdallë nga filozofët dhe kritikët e artit për dekada, por pa arritur në asnjë konsensus. Në mesin e shekullit të XX-të, kritiku letrar W. K. Wimsatt dhe filozofi Monroe Beardsley kanë argumentuar se qëllimi artistik është i parëndësishëm. Ata e quajtën këtë gjë ‘Falsitet i qëllimshëm’: besimi se vlerësimi i qëllimeve të artistit është keqorientues. Argument i tyre ishte i dyfishtë..

Së pari, artistët që ne studiojmë nuk jetojnë më; ata nuk i kanë regjistruar kurrë qëllimet e tyre ose thjesht janë të padisponueshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth punës së tyre.

E dyta, edhe nëse do të kishim një bollëk me informacion relevant, Wimsatt dhe Beardsley besonin se ky informacion do të na shpërqendronte nga cilësitë e vetë veprës. Ata e krahasonin artin me një ëmbëlsirë: Kur shijoni një puding, qëllimet e shefit nuk e prekin faktin nëse ju e pëlqeni shijen e tij apo pamjen. Ajo që ka rëndësi, kanë thënë ata, është që pudingu ‘funksionon.’ Sigurisht që ajo që ‘funksionon’ për një person mund të mos ‘funksionojë’ për një tjetër.

Dhe, duke qenë se interpretime të ndryshme janë tërheqëse për njerëz të ndryshëm, pikat e argjendta në pikturën tonë mund të interpretohen shumë mirë edhe si xixëllonja, yje apo si ndotës. Sipas logjikës së Wimsatt-it dhe të Beardsley-it, interpretimi i artistit për vet punën e tij është thjesht njëra mes shumë mundësive të tjera barazisht të mundshme.

Nëse mendoni se kjo është diçka problematike, mund të jeni më shumë në të njëjtën linjë me Steven Knapp-in dhe Talter Benn Michaelsin, dy teoricienë letrarë të cilët e kanë refuzuar ‘Falsitetin e qëllimshëm’. Ata kanë argumentuar se kuptimi që ka pasur për qëllim artisti nuk ka qenë thjesht vetëm një interpretim i mundshëm, por i vetmi interpretim i mundshëm. Për shembull, supozoni se ju jeni duke ecur në një plazh dhe rastisni në një seri shenjash në rërë të cilat shprehin vargun e një poezie. Knapp-i dhe Micheals-i besonin se poema do ta humbiste të gjithë kuptimin nëse ju do të zbulonit se këto shenja nuk janë vepra e një qenieje njerëzore, por një koincidencë e çuditshme e prodhuar nga dallgët. Ata besonin se një krijues i qëllimshëm është ajo që e bën poemën subjekt ndaj kuptimit tonë.

Mendimtarë të tjerë avokojnë për një vijë të mesme, duke sugjeruar se qëllimi është vetëm një pjesë e një gjëegjëze më të madhe. Filozofi bashkëkohor Noel Caroll e mori këtë shembull, duke argumentuar se qëllimet e artistit janë të rëndësishme për audiencat e tyre, në të njëjtën mënyrë si qëllimet e një folësi janë të rëndësishme për personin tjetër me të cilin ata janë duke bashkëbiseduar. Për të kuptuar se si funksionojnë qëllimet në një bashkëbisedim, Caroll thoshte që, të përfytyronim dikë që mbante një cigare dhe që kërkonte një shkrepëse. Ju përgjigjeni duke i dhënë atyre një çakmak, duke hamendësuar që qëllimi i tyre është që të ndezin cigaren. Fjalët që ata kanë përdorur për të bërë pyetjen janë të rëndësishme, por qëllimet pas pyetjes diktojnë kuptimin tuaj dhe përfundimisht, edhe përgjigjen tuaj.

Pra, drejt cili skeptër prej këtyre qëllimeve keni ju tendencën që të anoni? A mos vallë, ashtu siç besonin Wimsatt dhe Beardsley se kur kemi të bëjmë me artin, provën duhet ta gjejmë tek pudingu? Apo ju mendoni se planet dhe motivacionet e artistit për punën e tyre e prekin kuptimin e veprës?

Interpretimi artistik është një rrjetë komplekse e cila me shumë mundësi nuk do të ofrojë kurrë një përgjigje përfundimtare. /Palimpsest/

Arti kontemporan i autodidaktit

Guy Denning, i lindur në North Somerset, 1965, është autodidakt në artin kontemporan, anglezi është themelues i Neomodern Group, ku bënë promovimin e artit bashkëkohor kontemporan dhe pjestar i Stuckism, si lëvizje internacionale e krijuar nga Billy Childish dhe Charles Thomson, levizje që promovon artin figurativ në kundërshti të artit konceptual.

Dening ishte i ftuar të prticiponte në Tour Paris 2013, si projekt i artit urban, më i madhi i koleksionit të ekspozitës së artit të rrugës

.

Në ekspozitat solo të tij, që nga viti 1980, Guy Denning ka bërë prezantimin e tij, me shumë sukses në gjithë botën. Konceptimi i punës së tij, ekzekutuar me një stil të zjarrtë, të lirshëm dhe aplikime spontane të ngjyrës, këto portrete solemne lulëzojnë brenda “brushës” së fuqishme të Denning-it. Duke theksuar elementët e së shkretës dhe zemërimit, ku lënda e errët e punës së tij shpesh përputhet me teknikën e tij.

Përmes një intensiteti kompozicional, ngjyra e tij shtresore, tekstuale, ndonjëherë bërthamore, zhyt fshehjen e shikuesit në ndikime emocionale të ashpra, shprehjet e bezdisshme dhe makineritë politike të përcjellura me neveri.

.Duke postuar një skicë çdo ditë në blogun e tij që nga viti 2010, koleksioni i tij ilustron një vend intrigash dhe admirimi dhe, si rezultat, konfirmon apelin e tij universal. Me përdorimin e teknikave grafite të ndryshme të përziera që variojnë nga vaji në kanavacë dhe kolazh në fletë ari për pastel në letër gazete, manifestimet krijuese të Guy Denning lëshojnë një reagim emocional që kërcënon të mbizotërojë shqisat./ KultPlus.com


Vandalët që shkatërrojnë artin që e duan

Arti shkakton lot, te disa zemërim e te disa akte të pasionit. Këta janë njerëzit që dëmtojnë veprat e artit, shkruan kritiku William Park. Pjesë të shkrimit të tij. Shkatërrimi i artit shpesh është i motivuar politikisht – madje vet arti ndonjëherë mund të jetë i mbushur me urrejtje.

Arti duhet të prek njerëzit në aspektin emocional, por kur ky emocion është zemërimi, është e mundur të shohësh se si disa njerëz i drejtohen vandalizmit. Por, në Bienalen Ndërkombëtare të Sao Paulos, në vitin 1996, ndodhi diçka e pazakontë. Një pikturë u dëmtua jo nga zemërimi, por nga dashuria. Kjo tregon diçka të fuqishme rreth asaj se si e vlerësojmë artin.

Një punim i serisë “Torso” të vitit 1977 – realizuar nga pop-artisti Andy Warhol – ishte në Bienalen e atij viti. Seria përmban piktura dhe fotografi të akteve mashkullore dhe femërore.

“Një mëngjes marr një telefonatë që thotë: ‘Nuk do të besoni se çfarë ka ndodhur’”, thotë Ellen Baxter, konservatore në Muzeun “Carnegie”. “Një braziliane ishte aq e tronditur nga ndjenjat e saj për Andyn, saqë ‘nguliti’ puthjen në njërën nga pjesët e meshkujve”.

Një e përditshme braziliane ka shkruar se puthja ishte “në pjesën qendrore të torsos së parë – në penis”.

“Mona Liza” në disa raste ishte cak i vandalizmit, sepse arti i profilit të lart prezanton institucionin dhe shtetin ku ruhet

“Torsot janë me të vërtetë provokuese; janë imazhe private”, thotë Jessica Beck, kuratore në Muzeun “Andy Warhol”. “Është lehtë të kuptohet se pse dikush ka reagim të fortë dhe emocional”.

“Autorja” nuk u kap, e as nuk u identifikua. Buzëkuqi u hoq pa bujë. Baxter kujton se rojet e sigurisë dorëzuan video-incizimet, ku shihej një e moshuar, e veshur me elegancë, teksa puthte pikturën.

“Nuk mendoj se ka diçka politike në lidhje me këtë”, thotë Baxter.

Në vitin 1997, Muzeu “Andy Warhol” shënoi 75-vjetorin e parfumit “Chanel No 5”. Warhol e kishte përdorur një shishe të këtij parfumi të famshëm në disa prej shtypjeve të tij, të cilat më vonë u përdorën si vepra arti në një seri speciale të kutive të parfumit. Nuk i ra mend askujt se dikush mund të dehet, do të vë buzëkuq e do të lë një puthje te vaska e larjes.

“Mendimi im i parë ishte: ‘Sa budallallëk… pse dikush do të puthte një vaskë?’ Nuk them se duhet puthur Elvisin apo Marilynin, por kjo nuk ka fare kuptim”, thotë Baxter.

Fjala është për pikturën “Vaska”: një nga punimet e para të Warholit të bëra me dorë, në vitet
1961/62.

U deshën tetë orë për ta pastruar “Vaskën” nga puthja

“Kanavaca thith çdo lagështi, kështu që buzëkuqi ngjitet në sipërfaqe dhe, nëse nuk jeni të kujdesshëm, mund të bëni më shumë dëm duke u përpjekur që ta eliminoni”, thotë Baxter.

Ky akt i vandalizmit kërkonte trajtim special. Konservatori i mëparshëm kishte folur me dikë nga NASA, që përdorte oksigjenin atomik për të pastruar pllakat e nxehtësisë në satelitë. Me këtë teknikë u deshën tetë orë për të pastruar puthjen – fibër për fibër. Trajtimi gjithashtu hoqi ndotësit ajrorë që kishin errësuar kanavacën përgjatë viteve.

“Vaska” është shembull jo shumë i zakontë i vizatimit të lirë të Warholit. Ndaj, gjatë pastrimit mund të zhdukeshin dëshmitë.

“Ka shenjat të duarve të Warholit në fund të kanavacës”, thotë Beck që shton se teksa nuk ishte vepër tërheqëse për puthje, “Vaska” te dikush mund të nxis reagim intim: “Është interesante, se nuk është imazh i një personi. Është referencë për një trup pa trup. Vaska simbolizon një moment privat – larjen. Mund të jetë përvojë joshëse; një përvojë seksuale. Ndërsa torsot janë imazhe konvencionale erotike”.

Rindy Sam u dënua për të dëmtimin e kanavacës së bardhë të artistit Cy Twombly

Përsëri, keqbërësi u zhduk pa u zbuluar. Por, një vandale në Francë nuk ishte aq me fat: u arrestua dhe u gjobit se më 2007 puthi një kanavacë të piktorit Cy Twombly. Në gjyq, Rindy Sam tha: “Ishte akt dashurie. Kur e puthja, nuk mendoja. Thash se artisti e kupton”.

Afeksioni për artin mund të shfaqet ndryshe nga puthja. Shpesh audiencat qajnë, dhe kjo tregon diçka rreth asaj se si përjetohet arti. James Elkins flet për aspektin fetar. Shembull për këtë është ikonografia, ku ka plot raste që ato puthen. Por, edhe arti joreligjioz ndikon te shikuesi. Elkins jep shembullin e historianes së artit, Jane Dillenberger, që vizitoi Rothkon në studion e tij, për të parë disa piktura të papërfunduara. Pëlhurat ishin pothuajse 4.5m të larta dhe të errëta. Edhe studioja ishte e errët. Duke parë që kanavacat disi ngrihen nga errësira, kjo krijoi përvojë mbresëlënëse për të. Elkin thotë: “Ajo qante… Më ka thënë se ishte moment i ‘ndjenjave të çuditshme’, por mbi të gjitha çlirim, lehtësi e përsosur e paqes dhe gëzimit të pastër”.

Beck thotë se edhe ajo kishte momente të tilla, me “Hijet” e Warholit.

“Më duken emocionale”, thotë Beck. “Muzetë janë të rëndësishëm, sepse mund të keni këto reagime mbresëlënëse – pozitive dhe emocionale”.

Veprat e artit – si në rastin e historianes së artit Jane Dillenberger dhe artistit Mark Rothko – i bëjnë shikuesit të lotojnë

Por, çfarë do t’ju bënte Warholi, këtyre vandalëve?

Beck thotë se do ta pëlqente përzgjedhjen e buzëkuqit. Ato evokojnë buzët e kuqe të Marilynit nga shtypjet e viteve 1960. Akti i puthjes po ashtu mund të duket joshës. Warhol punoi me lëngje të trupit, sidomos me urinën në kanavacën “Pikturimi i shurrës” (1961) dhe spermën te “Derdhja” (1977-78). Kështu që, buzëkuqi nuk është larg punës që Warhol bënte.

Warhol ishte i interesuar edhe në spektakle, ndaj vetë ngjarja do ta kishte interesuar.

“I donte gostitë”, thotë Beck. “Do ta donte një fotografi nga ai momenti i puthjes… Do t’i ishte gëzuar kësaj përvoje sociale dhe do të intrigohej se si një mysafir gjeti një moment në gosti, që të jetë vetëm me pikturën”. Telegrafi/ KultPlus.com

Artistë dhe aktivistë rivendosin gërmat e Teatrit Kombëtar

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë vendosur sot gërmat në fasadën e godinës.

Rudi Erebara ishte ai që i rivendosi shkronjat në fasadë, ndërsa u shpreh se “e bëri këtë gjë pasi i vijnë për duarsh” duke theksuar se “ato në të vërtetë janë vendosur nga qytetarët”.

“Gërmat i ka vendosur populli, unë i vendosa aty. Kjo është një luftë që sapo ka filluar dhe ne do ta fitojmë. Rama Ik, bashkë me Erionin dhe gjithë këlyshët e tjerë. Unë e kisha kënaqësinë më të madhe t’i vendosja gërmat edhe sepse më vijnë për duarsh”, u shpreh shkrimtari dhe përkthyesi i njohur.

Ndërsa pedagogu Ervin Goci deklaroi: “Nuk jam më protestues por pjesë e Teatrit. Do ta mbrojmë me turne dhe të guxojë njeri që të vendos dorë mbi Teatrin. Këto germa janë të shenjta, prandaj edhe ishim të vendosur për t’i rivendosur. Ndaj kanë ardhur shumë njerëz për të na mbështetur për shkak të simbolikës dhe frymëzimit që ka. Ata duhet të dinë se nëse prekin këtë godinë kanë popullin kundër dhe nëse e dinë se kanë popullin kundër, të guxojnë t’i prekin!”

Kujtojmë që në datën 26 prill Teatrit Kombëtar iu hoqën germat në mënyrë të befasishme. Artistë dhe dashamirës të institucionet e dënuan aktin, duke i bërë thirrje instancave përkatëse që të merrnin përgjegjësi.

Intelektualë të njohur ngritën zërin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, si; Flutura Açka, Aurel Plasari, Edmond Tupe, Ardian Vehbiu, Edmond Budina, Maks Velo etj.  Si dhe artistë si Alert Çeloalija, Neritan Liçaj, regjisorët Kastriot Çipi dhe Robert Budina, pedagogu i gazetarisë Ervin Goci, etj.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreh vendosmërinë për mbrojtjen deri në fund të godinës së Teatrit Kombëtar./KultPlus.com

Janë gra dhe janë me ngjyrë por arti i tyre nuk ka të bëjë me këtë

Një ekspozitë e re në Muzeun Kombëtar i Grave në Art po përballet me dy supozime të gabuara të cilat janë ngulitur në botën e artit.

Së pari, gratë duhet të krijojnë art femëror dhe së dyti, artistet afrikano-amerikane duhet të bëjnë njëkohësisht art figurativ dhe “aktivist”, pra vepra që ballafaqohen me çështjet e racës, pabarazisë, padrejtësisë dhe historisë së gjatë të dhunës ndaj njerëzve të zinj, shkruan The Washington Post, përcjell KultPlus.

“Fushatë Magnetike: Zgjerimi i Abstraksionit Amerikan, nga 1960 deri më sot” përqendrohet tek artistet me ngjyrë të zezë të cilat punojnë përtej ose jashtë këtyre diktateve. Puna përfshin abstrakte në ngjyrë të zjarrit të bëra me oqeane të ngjyrosura me ngjyra dhe printime delikate duke përfshirë ngjyrime të trëndafilave të kuq dhe të rafinuar. Disa piktura dilnin nga muret dhe dominonin hapësirën, të tjerët pasqyrojnë një heshtje intime dhe tërheqin shikuesit gjithnjë e më afër mendjes së tyre enigmatike. Por të gjitha ndeshen me pritjet estetike të rrënjosura në kategoritë arbitrare të racës dhe gjinisë.

Siç shpjegohet në një ese hyrëse në katalogun e tregimeve, këto artiste janë “duke punuar në një periferi të një periferie”. Ku janë këto periferi të shumëfishta? Në asnjë mënyrë të veçantë të prioriteteve, mos e konsideroni gjininë si abstraksionin e parë. Nëpërmjet mesit të shekullit të kaluar, kjo fushë u dominua nga burra që i paraqitnin idetë e shekullit të 19-të të lidhura me artistin heroik dhe fuqitë e shprehura emocionale. Gratë që punonin në stile jo objektive u anashkaluan, margjinalizuan ose keqinterpretoheshin. Kur arritën të kishin sukses me konceptet e tyre, shpesh ndodhte që gjuha vizuale që ato e përdornin reflektonte pritjet për trupat dhe sjelljet e tyre, gjeste të vogla, delikate, ngjyra të mbytura ose forma të përsëritura që ta zbutnin syrin. Kishte përjashtime, natyrisht, por përjashtimet përforcuan pritjet tradicionale.

Mildred Thompson, një nga artistët më të mirë në këtë ekspozitë, thotë “Për të kopjuar simbolet që dikush nuk i kupton ose përdorimi i qëllimshëm i një formë që dikush nuk di ta analizojë ose vlerësojë ishte për mua kulmi i prostitucionit”.

Dhe ajo nuk ishte e gatshme t’i jepte abstraksion artistëve të “elitës”. “Ndoshta sepse kisha jetuar dhe studiuar me “të bardhët” që kisha mësuar të vlerësojnë ngjyrën time të zezë”./ KultPlus.com

Shtëpitë e vjetra të Prizrenit, nën llupën e shndërrimit artistik në Autostrada Biennale (FOTO)

Në një kohë rrënimesh të objekteve të vjetra, dëmtimit të kujtesës kolektive e vlerave kulturore historike nëpër qytete të Kosovës, shtëpitë e vjetra të Prizrenit janë bërë destinacon i artdashësve.

Autostrada Biennale i ka shndërruar ato në vendtakime për artin bashkëkohor.

Nën kulmet e shtëpive të vjetra të qytetit, bashkë me trashëgiminë, kanë marre jetë shumë vepra të artit bashkëkohor, të lidhura me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor të Prizrenit.

Një nga to është shtëpia e Nafis Llokvicës, që është shtëpia më e vjetër në kompleksin e Marashit. Burimet e shkruara flasin shumë pak për këtë shtëpi, por pronari i kësaj shtëpie dëshmon që kjo shtëpi është ndërtuar nga paraardhësit e tij 250 vite më parë. Shtëpia ka qenë e banueshme deri në vitin 2013 dhe në të kanë jetuar 4 gjenerata të familjes Llokvica. Nga 2013 – 2016, pronari ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse dhe NGO-të mbështetje financiare për restaurimin e saj, por fatkeqësisht nuk ka marr përgjigje pozitive. Prej asaj kohe shtëpia lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj.

“Ne prizrenasit me gjithë qejf, duke e rrahur gjoksin themi se Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, por Prizreni është kryeqyteti kulturor i Kosovës. E gjithë kultura fillon nga Prizreni. Prizrenit nuk i thonë kot muzeu i hapur” , thotë pronari i shtëpisë, Nafis Llokvica, duke shtuar se kjo përvojë e ka inspiruar për gjëra më të mira:
“Në Prizren askund nuk ka galeri. Ndoshta, pas Autostrada Biennale, këtë vend do ta bëj galeri duke i ftuar piktorët, sepse mund të hapen ekspozita të bukura. I gjıthë ky Prizren me mbi 200 mijë banorë, nuk ka asnjë galeri. Vetëm hamamin e kemi, e cila herë pas here shfrytëzohet dhe asnjë galeri tjetër nuk e kemi.”

Pronari Nafis Llokvica për 40 vite me aparatin e tij ka qenë dëshmitar i shumë ndodhive të cilat janë dokument i kohëve të shkuara, të ruajtura në foto-arkivën e tij të pasur, shkruan KultPlus.

“Kur flas rreth këtij profesioni, më duhet të kthehem më prapa, sepse kam jetuar në këtë shtëpi. Mund të them që krijimi i arkivës, filloi si një hobi, dhe më vonë u shndërrua në fobi, sepse nuk doja ta humbas asnjë moment. Çdo gjë të incizoj, të filmoj, të fotografoj, e kam ndjerë nevojën t’i ruaj të gjitha, sepse e di që të gjitha këto një ditë do të bëhen histori. Ndoshta pas meje, ndoshta unë nuk do t’i shohë ato ditë, por borxhi im është që ta ruaj të gjithë këtë arkivë, ta digjitalizoj dhe ta mbroj nga zhdukja, ” tregon Llokvica.

” Ngjarjet kulturore në Prizren, plotësisht, të gjitha i kam xhiruar, sepse afro 20 vjet kam marrë pjesë në teatër. Ka edhe ngjarje politike, protesta. Unë gjatë luftës kam qëndruar këtu. Ka pamje nga lufta, pasluftës ka pasur shumë ngjarje, pas viti 1999 kemi pamje të shumta. Dokumentari më së shumti që ka pasur interesim është ‘’Çlirimi i Prizrenit’’. Ajo kasetë ka arritur në pesë kontinente.”

“Bukuria e fundosur”
Shtëpia e Nafis Llokvicës, dikur e përmbysur nga vërshimet e Lumbardhit, është kthyer në galeri ekspozuese për fotografitë e artistit Tajvanez YANG SHUN-FA, titulluar “Bukuria e fundosur e Formosës”
Me këtë seri fotografish, Yang kërkon të zgjojë vëmendjen e njerëzve për ndryshimet klimatike dhe ndryshimeve që ndodhin rreth nesh. Sipas Yang : “Gjithçka po ndryshon, përveç të menduarit tonë. Ne nuk i marrim paralajmërimet e Nënës Natyrë seriozisht dhe ende besojmë se njerëzimi do të triumfojë mbi natyrën.”

Në njërën nga dhomat e vjetra të shtëpisë, vazhdon të shfaqet video dokumetimi i performancës së Li Binyuan nga Kina, shkruan KultPlus.

Li Binyuan punon me mjedisin e tij të afërt dhe ngjarjet që ndodhin rreth tij. Puna e tij nënvizon përsosjen e individit, trupin në sjelljet e tij të shumëfishta. Li Binyuan e vendos vetë jetën në qendër të punës së tij, por nganjëherë na sjell edhe përtej kësaj.

“BUJQËSI E LIRISË” është vepër mbi tokat që artisti trashëgoi pas vdekje së të atit, që ai i përdori për fermë.
“Kjo më bëri të humbas, duke mos ditur se çfarë të bëj me të. Unë u përpoqa ta shmangja atë. Duke u turpëruar nga përballja me realitetin, unë rrallë shkoja në shtëpi. Megjithatë, problemi nuk zgjidhet për shkak të tjetërsimit tim. Ndjesia ime e përkatësisë dhe e identitetit është zhdukur gradualisht.,” shpjegon Li Binyuan, duke vijuar:

“Nuk është se deri në vitin 2014 unë kam vendosur të bëjë një performancë në një nga pronat e tokës, që të përdor trupin tim për të rishikuar dhe riprekur vendin tim të lindjes, i cili është bërë i çuditshëm dhe i afërt me zemrën në të njëjtën kohë. Unë hidhesha lartë dhe bija përsëri në tokë vazhdueshëm derisa pushoi rraskapitja, më në fund u afrova me të. Titulli “Bujqësia e Lirisë” vjen nga certifikata e pronësisë së tokës dhënë nga Komiteti i Fshatarëve. E shoh këtë proces si një masë të vetë-shpëtimit. “Bujqësia e Lirisë” është një vepër e dialogut me vet – veten, me gjeneratën e prindërve të mi dhe realitetin tim, përmes të cilës përpiqem të gjej një ekuilibër në mes të trejave. Ndoshta për të ringjallur disa gjëra, në të njëjtën kohë për të rikonfirmuar përkatësinë time. Çdo kërcim është një largim dhe rënia është kthimi në shtëpi. Midis largimeve dhe kthimeve, diçka definitivisht mungon.”

“Bukuria e fundosur e Formosës” dhe “Bujqësi e lirisë” qëndrojnë të ekspozuara në shtëpinë Nafis deri më 23 shtator, kur edhe përmbyllet edicioni i parë i Autostrada Biennale. / KultPlus.com

Serbia i ofron shtetësi ‘Pikasos’ afgan

Serbia i ka ofruar shtetësinë serbe, familjes së 10 vjeçarit afgan, Fahrad Noory, i cili tashmë njihet si “Pikaso i Vogël”, për shkak të krijimeve të tij artistike.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë ofertë 10 vjeçarit dhe familjarëve të tij, pas një takimi me të, në Beograd. Ai po ashtu i ka premtuar bursë për zhvillimin e talentit të tij për art, si dhe punësimin e babait të tij.

Noory dhe familja e tij janë duke jetuar për 8 muaj në një kamp të refugjatëve në Beograd.

Portretet e kancelares gjermane, Angela Merkel, piktorit, Salvador Dali, dhe shumë të tjera, e kanë bërë djaloshin, yll në mediat lokale, shkruan Europa e Lirë.

Javën e kaluar është mbajtur një ekspozitë me pikturat e tij në Beograd, duke dërguar të gjitha fondet për një fëmijë, i cili po trajtohet nga kanceri një tru.

Familja e Nooryt ka arritur në Serbi gjatë valës së madhe të migrantëve për të nisur një jetë të re në vendet perëndimore evropiane, mirëpo ka mbetur në Beograd, pas mbylljes së të ashtuquajturave “Rrugët Ballkanike”.

“Ne nuk jemi të pasur sikur zviceranët, mirëpo Beogradi është qyteti i mirë, dhe nëse dëshironi të jetoni këtu, ne do t’ju japim menjëherë shtetësinë serbe”, ka thënë Vuçiq.

Familja nuk është deklaruar nëse do ta pranojë ofertën e presidentit serb. Autoritetet serbe kanë thënë se afro gjysma e 4,000 refugjatëve që jetojnë në Serbi, janë fëmijë. / KultPlus.com