Artisti shqiptar, Defrim Kristo Hasa është vlerësuar për punën e tij artistike dhe kontributin e dhënë në komunitetin e qytetit grek Amaliada, përcjellëKultPlus.
Pas mbarimit të liceut
artistik “Jordan Misja”, Hasa u vendos në Greqi ku jeton prej 27 vitesh. Ai
është angazhuar në fushën e mësimdhënies, ku prej 15 vitesh jep mësime pikture
në këtë qytet.
Artisti shqiptar ka
marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Së fundmi, ai
ishte pjesë e ekspozitës në muzeun e Luvrit në Paris, ku morën pjesë 1108
piktorë nga e gjithë bota.
Hasa, gjithashtu, ka realizuar edhe një portret të presidentit grek. / KultPlus.com
Artisti shqiptar Josef Kote është një ndër emrat më të shquar të artit në Amerikë, por ai gjithçka e nisi nga qyteti i Vlorës ku vazhdoi tutje udhëtimin e gjatë të eksplorimit, eksperimentimit dhe emocioneve artistike. Si fëmijë ai kishte dy pasione; pikturën dhe muzikën, natyrisht piktura ishte pasioni i tij më i fortë që më pas ju dedikua tërësisht, shkruan KultPlus.
“Fillimisht konkurrova
në Vlorë, dhe më pas në Tiranë që të studioja në Liceun Artistik, Jordan Misja.
I fitova të dyja konkurset dhe në moshën 14- vjeçare u largova nga shtëpia e
prindërve të filloja rrugën time si artist”, nis të tregojë Kote për KultPlus.
“Mbas liceut, konkurrova përsëri dhe vazhdova studimet për katër vjet të tjera në Akademinë e Arteve. U diplomova për pikturë dhe skenografi. Në vitin e fundit të Akademisë punova në Kinostudion Shqiptare, dhe realizova një film të shkurtër vizatimor ‘’Lisi’’. Mbas shkollës, u emërova si skenograf në teatrin e Vlorës ku punova për një periudhë relativisht të shkurtër mbasi u largova në Greqi të vazhdoja karrierën si artist”.
Ka pothuajse
tri dekada që është larguar nga Shqipëria dhe jeton në Amerikë. Udhëtimet nga
zhvendosjet nga Greqia në Toronto, dhe më në fund në New York, kanë pasur një
impakt të madh në krijimtarinë e tij artistike. “Rrugë e gjatë… gjithmonë në
kërkim dhe eksperimentim që të gjeja veten time kudo që shkova”, thotë Kote.
New York është
një nga qendrat më të rëndësishme në botë përsa i përket artit, me mijëra artistë
nga gjithë bota shkojnë vazhdimisht në kërkim të realizimit të ëndrrës së tyre
dhe si i tillë, është shumë e lehte të humbasësh nëse nuk je i veçantë. Por,
Kote falë talentit dhe veçantisë së tij në punime arriti ta kalonte këtë pjesë
pa problem.
“Gjatë
periudhës që jetova dhe punova në Toronto, krijova një koleksion të madh
pikturash dhe mund të them se ajo ishte faza paraprake që më përgatiti për në
New York. Pra isha i ndërgjegjshëm që duhet të tregoja individualitet të veçantë
në pikturë në mënyrë që të futesha në tregun e artit amerikan dhe menjëherë
fillova punën për prezantimin e parë.”
Ekspozita e
parë që e realizoi në New York, ishte momenti më vendimtar për karrierën e tij
sepse aty mori kritika të mira nga ana profesionale.
“Nga aty,
ndryshova natyrën e punës që bëja më parë dhe më në fund fillova të krijoja atë
që kisha eksperimentuar për kohë të gjatë. Ky ndryshim ishte i domosdoshëm për
mua që të mund të shpërtheja ndjenjat që kisha brenda vetes dhe që më kishin
munduar për kohë të gjatë. Ekspozita ishte tepër e suksesshme. Shumë shpejtë
mbas kësaj ekspozite, galeritë dhe publiku amerikan vlerësuan artin tim dhe më
kanë mbështetur në një mënyrë të mrekullueshme.”
I pyetur nga KultPlus se si e definon artin e tij, Kote thotë
se nuk dëshiron ta përkufizojë se çfarë lloj artisti është. Ai thotë se çdo
artist bën artin që i përshtatet temperamentit të tij.
“Në shkollë
u trajnova si akademik, por mund të them se qysh në vitet e shkollës kam pasur
tendenca abstraksioniste. Realizmi nuk ishte një opsion për natyrën time;
thjeshtë nuk më krijonte emocione të forta të cilat të më mbanin për periudhë të
gjatë. Realizmi më përkufizonte të shprehja në mënyrë ekspresive ndjenjat e
mia. Nuk dua të keqkuptohem, kam admirim të madh për piktorët që punojnë në mënyrë
hyperealiste; sepse duhet të kesh mjeshtëri dhe durim të krijosh por arti është
tepër personal dhe mendoj se çdo artist bën artin që i përshtatet temperamentit
të tij.”
Duke qenë se
ka ushtruar profesionin e pikturës për më shumë se 30- vite, në krijimtarinë e
tij kanë ndodhur transformime të ndryshme të cilat kanë qenë të lidhura me
vendin ku ka jetuar, me eksperienca dhe horizonte të ndryshme.
“Gjatë gjithë
kohës, brenda vetes kam pasur shqetësim artistik të krijoja diçka që të më
mbushte plotësisht, diçka që të ishte e imja; të krijoja një stil që të
reflektonte personalitetin dhe ndjenjat e mia. Në mënyrë tepër organike dhe
graduale fillova të inkorporoja brenda realizmit abstrakten duke ndjekur
vizionin dhe ndjenjat e mia. Në këtë fazë të karrierës time e ndiej se kam
arritur të kem individualitetin tim duke krijuar punë të cilat kanë balancë të
mirë të realizmit me elemente abstrakte. Për mua si artist është e rëndësishme
të mbajë realiste vetëm atë pjesë që më intereson duke e shkatërruar pjesën tjetër.”
Abstraktja ia
jep lirinë të luaj me ngjyrat, format dhe materialin që përdorë duke thyer
rregullat e realizmit në një lloj mënyre. Sipas artistit, është një balancë
shumë sensitive, duhet të dish çfarë të lësh dhe çfarë të mbash që kompozimi të
qëndrojë.
Për të
arritur në pikën ku sot është, natyrisht nuk ka qenë e lehtë, ka punuar me mijëra
orë duke eksperimentuar, një dedikim i plotë që të mund të krijonte stilin dhe
teknikën që sot ka e të cilat vazhdojnë të evoluojnë në mënyrë tepër organike.
Pikturat e
Josefit të rrëmbejnë qysh në shikim të parë e të fusin në një ëndërr të bukur.
Por, i gjithë ky art buron nga shpirti i madh i artistit që mbushet çdo ditë
plot inspirim nga bota që e rrethon.
“Puna ime është
shprehje vizuale e vetës time, kush jam unë dhe çfarë unë mendoj për botën rreth
meje e cila është burimi nga unë marrë emocionet që më pas i transferoj në
pikturë. Ka kaq shumë gjëra në botë që më zgjojnë interes – natyra,
arkitektura, njerëzit, muzika…”
Së sa ka
ndikuar jeta e tij në Shqipëri për formimin artistik, Kote thotë se pikërisht
ajo periudhë e ka formuar për artistin që është sot.
“Mendoj se
katër vitet e para të liceut (periudhë në të cilën unë isha adoleshent) më
ndihmuan të formohesha me një disiplinë akademike dhe të rritesha në një ambient
mjaft konkurrues. Megjithëse isha i talentuar dhe kisha një dedikim të plotë në
pikturë, mendoj se ato 8 vite studime më dhanë bazat për artistin që jam sot.”
Arti i Josef
Kotës është përqafuar nga entuziastë të artit në gjithë botën. Koleksionistë
dhe entuziastë të arriti e mbështesin gjatë gjithë kohës artistin shqiptar dhe
gjejnë kënaqësi në atë se çfarë ai krijon dhe kjo padyshim që e frymëzon të krijojë
punë gjithnjë e më të mira.
Josef, tashmë
është edhe autor i shumë ekspozitave. Në Amerikë ka disa galeri që ekspozojnë
punët e tij gjatë gjithë vitit. Zakonisht ai punon për 3- 4 ekspozita personale
në vit.
“Është një
punë tepër intensive, por siç thashë edhe më lartë, piktura është frymëmarrja
ime dhe më jep satisfaksione të mëdha shpirtërore. Jam gjithmonë në kërkim se çfarë
do të krijoj nga ekspozita në ekspozitë. Mendoj se rruga e artit në një lloj mënyre
është një konkurs pambarim që kërkon dedikim dhe sakrificë.”
Artisti
shqiptar tash është në përgatitje të dy ekspozitave personale. Më datë 8 gusht
një e tillë do të prezantohet në New Jersey. “Kam punuar intensivisht për këtë
ekspozitë të krijoja një koleksion pikturash me tematikë detin dhe art
figurativ. Duke punuar për ekspozitën e quajtur ‘’Leeting Go’’ isha në një
moment që doja të krijoja punë që transmetonin qetësi, paqe, dhe besoj se
arrita të realizojë atë çfarë kërkova.”
Por, menjëherë pas këtij prezantimi, Koten e prej një tjetër ekspozitë. Në shtator ai hapë një të tillë në Atlanta për të cilën gjithashtu është duke punuar.
I pyetur nga
ne, nëse një ekspozitë të tillë mendon ta hapë edhe në Shqipëri, ai përgjigjet:
Pa dyshim, dëshiroj të bëjë një ekspozitë atje në mënyrë që edhe publiku
shqiptar të ketë mundësi të shikojë punimet e mia dhe unë të kem mundësi të
shikojë reagimin e tyre.”
Kote beson
se për çdo artist suksesi më i madh është atëherë kur publiku dallon veprat e
tij midis mijëra pikturave që qarkullojnë sot në internet, media sociale etj.
“Në rastin
tim, mendoj se kjo ka qenë një arritje e madhe për mua. Përsa i përket vazhdimësisë
time artistike – do vazhdojë të pikturojë dhe të eksperimentojë. Amullia është
gjëja që më shqetëson si artist, atëherë dhe vetëm atëherë është vdekja e
artistit nga pikëpamja artistike dhe shpirtërore (mendimi im) prandaj gjithmonë jam në fazë eksperimentimi
sepse dua të befasoj vetën, pastaj publikun”, thotë Kote duke përmbyllur kështu
intervistën me KultPlus.
E ardhmja e ndritshme e artit të Kotes pritet të prekë dhe shumë e shumë vende të tjera të botës, por urojmë të vijë për një natë në vendin ku gjithçka nisi e të përqafohet me publikun shqiptar të cilët e presin me padurim botën shumëngjyrëshe të Kotes. / KultPlus.com