Gjyzepina Kosturi ishte një nga themelueset e artit operistik shqiptar. Sopranoja e talentuar Kosturi lindi më 12 prill 1902, në Shkodër, në një familje shkodrane në Tivar dhe është Artiste e Merituar.
Ajo u diplomua nga Konservatori “Santa Cecilia” e Romës. Pas kthimit në atdhe, ashtu si shumë artistë të tjerë edhe ajo u angazhua me koncerte të ndryshme nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë së bashku me pionierët e kantos shqiptare.
Me hapjen e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë në vitin 1946, Gjyzepina është një ndër pedagoget e para të kantos dhe më pas edhe një ndër pedagoget e para të Konservatorit Shtetëror të Tiranës.
Me krijimin e Teatrit të Operas në vitin 1953, Gjyzepina Kosturi u bë një ndër solistet e para të këtij teatri duke dhënë kontributin e saj të çmuar në këtë teatër në interpretime me nivel të lartë artistik dhe muzikor. Gjyzepina Kosturi si një artiste e madhe operistike, shquhej me zërin dramatik, me diksionin e pastër dhe për teknikën e lartë të interpretimit.
Merr pjesë që në operan e parë “Rusallka” (1953), të vënë në vendin tonë nga ky teatër, me rolin e Knjagina; për të vazhduar me rolin e Ludmillës nga opera “Nusja e shitur”1956; Violetta nga “La Traviata” 1956, Santuzza në “Cavalleria Rusticana” 1958; Tatiana tek “Evgjeni Onjegin” 1959 dhe kulmin e karrierës së saj artistike në interpretimin e Cio-Cio San në operan “Madama Butterfly” 1961 si dhe Donika në operan “Skenderbeu”1968.
Edhe në jetën koncertale Gjyzepina Kosturi ka një aktivitet të pasur artistik, si brenda , ashtu dhe jashtë vendit. Këngët popullore, ariet, romancat etj. që janë interpretuar prej saj në skena të ndryshme, dëshmuan për një artiste të madhe. Por kontributi i saj i madh është pedagogjia, si në Liceun Artistik, ashtu edhe në Konservatorit, ku ajo përgatiti me nivele të lartë, breza solistësh të TOB, që u bënë shtylla kryesore e këtij teatri.
Për kontributin e saj të çmuar në fushën e artit tonë operistik, ajo është nderuar me urdhra, çmime dhe mban titullin “Artiste e Merituar”. / KultPlus.com