Në nëntor do të hapet ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë më 1 nëntor hap ekspozitën e Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024 me artistët Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri.

Tre finalistët e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri në punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një shpërblim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.

Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 ka në përbërje Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Tre artistët e nominuar bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kuratorial në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe marrin pjesë në ekspozitën vjetore që prezanton finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes. Për më tepër, ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojnë skenën e gjallë të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.

Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës./express/KultPlus.com

Hapet thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024


Është hapë thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024, dhe se për këtë çmim ftohen artistët që të aplikojnë deri më 20 shtator.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të organizatorëve:

Artistët që punojnë në artin bashkëkohor, duke përfshirë mediat eksperimentale, video, instalacion, performancë, fotografi, pikturë, skulpturë, grafikë dhe vizatim inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk kanë të drejtë të aplikojnë me punë në artet aplikative, si dizajni, teatri, vallëzimi dhe filmi.

Tre finalistët e përzgjedhur për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallen jo më vonë se data 27 shtator 2024.

Ekspozita e tre finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të hapet më 1 nëntor 2024.

Fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallet më 7 dhjetor 2024.

Fituesi do të shpërblehet me rezidencë artistike dy mujore në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/) në maj/qershor 2025 dhe do t’i ofrohet realizimi i një ekspozite personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në 2026/2027.

Nëse angazhime të tjera e pengojnë artistin të marrë pjesë në rezidencën në Nju Jork brenda kornizës kohore të parashikuar, ai/ajo/ata duhet të konsiderojë aplikimin për çmimin në edicionet e ardhshme.

Procesi i aplikimit

Aplikimi për Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 bëhet online, përmes plotësimit të formularit të aplikimit dhe dërgimit të dokumentacionit të kërkuar përmes formularit të aplikimit në ueb faqen e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Procesi i përzgjedhjes

Tre finalistët dhe fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes do të përzgjidhen nga juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, e nominuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Anëtarë të Jurisë së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, Miljana Dunđerin, Vjollca Krasniqi, Alper Turan and Lulzim Zeqiri./ KultPlus.com

Shpallen finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes”

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallë finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes 2023 me deklaratën e jurisë, e cila u takua më 6 tetor 2023.

Juria ka lëshuar deklaratën e mëposhtme:


Ne anëtarët e jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2023 u takuam për
të shqyrtuar 11 aplikimet nga artistët që aplikuan në thirrjen e hapur
të këtij viti dhe plotësuan kriteret e çmimit. Pas diskutimeve të gjera,
juria ka zgjedhur njëzëri tre finalistë bazuar në propozimet e tyre
premtuese dhe në fuqinë e punës së tyre ekzistuese.

Kemi kënaqësinë të njoftojmë se tre finalistët e çmimit Artistët e së
nesërmes 2023 janë: Renea Begolli, Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa.

Vepra e Renea Begollit e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës
dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj
më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj.
Shtresimi në veprën e saj duket se pyet, si mund të përkthehet qielli i
së ardhmes në të tashmen? Cilat janë shtresat që eksplorimi
tekniko-shkencor njerëzor përpiqet t’i shtojë botës natyrore? A janë e
ardhmja dhe territoret qiellore që mund të kontrollohen dhe përcaktohen
nga njerëzit?

Shkamb Jaka është një artist që tregon një gjuhë piktoreske të pjekur
dhe të zhvilluar, që është qartësisht e tija dhe që lundron i qetë mes
disiplinave të ndryshme artistike. Ai ka një botë referimi shumë
interesante, të ankoruar në fizikën kuantike, astrofizikën dhe
metafizikën, dhe përpiqet të sigurojë përfaqësime të qëndrueshme për
fenomenet që përshkruhen në to, duke ngritur pyetjen se çfarë është e
përfaqësueshme dhe si.

Arbesa Musa është një artiste multidisiplinare e diasporës kosovare, e
cila e përdor kujtesën e përvojës së saj në Kosovë si burim kryesor për
punën e saj. Ajo përdor materialet e përditshme në mënyra delikate që
lejojnë potencialin e tyre evokues dhe emocional të dalë përpara dhe të
marrë përsipër.

Jemi të emocionuar të shohim se çfarë do të krijojnë këta tre finalistë
për ekspozitën në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe
mezi presim të përjetojmë punën e tyre në dhjetor kur juria do të
takohet për të zgjedhur fituesin e çmimit Artistët e së nesërmes 2023.

Anëtarë të jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2023 janë Julieta
Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin,
Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore
“Akvarijus”, Mitrovicë e Veriut, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e
çmimit çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe
Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork
dhe Stamboll, Driton Selmani, artist, Prishtinë.

Ekspozita e Çmimit Artistët e së nesërmes 2023 me artistët e nominuar
Renea Begolli, Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa do të hapet më 10 nëntor
2023.

Fituesi do të shpërblehet me një program dy mujor të qëndrimit artistik
në New York, SHBA, në Residency Unlimited në periudhën qershor/korrik
2024 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2025.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon të gjithë
artistët kosovarë që aplikuan për çmimin Artistët e së nesërmes 2023 për
punën dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon Jurinë e
Çmimit Artistët e së nesërmes 2023 për punën dhe bashkëpunimin e tyre.

Çmimi Artists of Tomorrow 2023 mbështetet bujarisht nga Trust for Mutual
Understanding, Nju Jork.

Çmimi Artistët e së nesërmes 2023 përkrahet edhe nga Ministria e
Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e
Prishtinës. / KultPlus.com

Mitologjia, personalja dhe lidhja familjare gërshetohen mes veti për të hapur ekspozitën “Artistët e së nesërmes”

Uranik Emini

Vizita në Klubin e Boksit, në një vend ku ka ndodhur shumë histori, është gjithnjë e veçantë për njerëzit. Por sigurisht, më e veçantë është për ata persona të cilët ekspozojnë punën e tyre përpara publikut dhe kanë mundësi të fitojnë një çmim prestigjioz, që do t’u ndihmonte shumë në karrierë, shkruan KultPlus.

“Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, ka hapur ekspozitën e finalistëve të artistët e së nesërmes, mbrëmë në ora 19:00 në Klubin e Boksit në Prishtinë, ku janë ekspozuar edhe veprat e këtyre artistëve.

Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi dhe Agrina Vllasaliu, janë finalistët e këtij edicioni dhe mbeten në garë për të fituar një rezidencë për 2 muaj në Nju Jork të Amerikës, si dhe përfitime të tjera që sjell kjo qendër.

Valdrin Thaqi thotë për KultPlus se e vlerëson shumë këtë qendër dhe këtë çmim, duke qenë si njëra prej mundësive të pakta për artistët e rinj.

“Ky konkurs është njëri prej mundësive të pakta që artistët e rinj të tregojnë punën e tyre dhe të fitojnë një çmim prestigjioz. Ky projekt që e kam shfaqur sonte është një projekt që e kam filluar në Berlin më 2020, por atëherë nuk kam mundur që ta shfaq punën time shkaku pandemisë dhe tani po më vjen mirë që puna ime po shfaqet te publiku”.

Thaqi paraqitet përpara publikut me dy vepra dhe shpjegon se është i fokusuar kryesish në abstrakten.

“Empatik, sintetik është emri i projektit. Unë mundohem që gjithnjë të kem një interaktivitet me publikun, prandaj i kam vendosur shkallët. Kjo krijesa është një lloj krijese mitologjike, në atë gjermanen e që nuk ekziston. Ky është një parafytyrim i imi, pasi kafshën se ka parë askush më parë. Pastaj kalon te light-boxi me pikturat. Aty është një material latex dhe shihen sikurse disa pjesë laboratorike. Pra, unë e shoh artistikisht që krijesa është një lepur me brina, dhe sipas meje është një nëndije kolektive që me dashtë me ndrru një formë natyrale tani është e mundur përmes modifikimit gjenetik”, thotë ai mes tjerash.

Ndërkaq, artistja Mimoza Sahiti, e cila kishte jetuar jashtë në të kaluarën, për t’u rikthyer në Kosovë që ta shijonte edhe më tepër jetën adoleshente këtu, është njëra prej të përzgjedhurave si finaliste në këtë edicion.

Ajo thotë për KultPlus se ka ardhur nga Austria në Kosovë, në Komogllavë të Vitisë dhe nga aty është frymëzuar për shumë gjëra të reja në veprat e saja.

“Unë inspirona prej vetvetes, prej rasteve që më ndodhin mu dhe krijoi vepra të ndryshme. Mund të them që mllefin e agresivitetin që e kom brenda vetes, mundohem me shpreh më së miri përmes artit dhe veprave artistike”.

Sahiti është e paraqitur në këtë ekspozitë më 18 vepra, kryesisht me vepra të cilat janë të punuara me ngjyra të vajit.

“Secila vepër e ka veçantinë e saj, e unë mundohem me shpreh veten time, pra, krejt vizatimet janë gati se vajza dhe unë shoh histori të mia këtu, që i kam krijuar si vepra artistike”.

“Give me 5 minutes”, siç e shpjegon Sahiti, është vepra e saj e preferuar, kjo për faktin se ia kujton një moment shumë të veçantë, derisa ishte pjesë e një shkolle në Gjermani.

“Unë kisha një dhomë private timen në të cilën punoja dhe papritur një ditë kur shkova aty, perdja e cila ishte vënë, e gjitha ishte në tokë. Jam nervozuar shumë dhe për 15 minuta krejt mllefin që e kom pas, e kam kthyer në art. M’jepni 5 minuta për me punu”, thotë Sahiti.

Edhe artistja Agrina Vllasaliu tregon se është marrë prej fëmijërisë me art dhe ka dashur gjithnjë që të studioi këtë lëmi.

“E kam familjen artistike, këngëtarë, muzicientë dhe sigurisht këtu më ka ardhur edhe motivi që të studioj artin. “Rozafa nuk ka qenë këtu”, është vepra ime më e re që e kam krijuar para dy viteve. Aty shihet një kombinim mes mitologjisë shqiptare dhe moderne, që vjen në formën e betonit, pra aty shihen edhe veshjet tradicionale të shqiptarëve, gjithashtu aty janë të paraqitura edhe tjegullat dhe poshtë është një motorr. Motorri është aty për të treguar se Rozafati është dashur të flijohet. Për mu kjo është një histori shumë emocionale që na ka tregu nana dhe kjo më ka motivuar që ta bëj këtë skulpturë”.

Vllasaliu paraqitet në këtë ekspozitë edhe me dy vepra të tjera, të cilat sipas saj, shprehin një lidhje emocionale nga familja.

Një divan në tokë si pjesë e ekspozitës, i quajtur pallati i ftohtë, sipas Vllasaliut, paraqet një pjesë të shtëpisë së tyre në Kosovë kur ata nuk janë në vendlindje.

“Në shtëpinë tonë në Kosovë, gjatë kohës kur ne jemi jashtë, aty nuk qëndron askush. Pra, është si një pallat i akullt dhe nuk rrinë askush. Edhe në veprën e tretë, e quajtur Thaumatrope, paraqitet një errësirë, e lidhur pikërisht me shtëpinë”, thotë artistja.

Ndërkaq, Albert Heta, i cili punoi në pjesën kuratoriale në këtë ekspozitë, njofton se për herë të parë në historinë e kësaj qendre, kanë aplikuar edhe pjesëtarë të komunitetit jo-shumicë serbë dhe këtë gjë e shohin shumë pozitive. Puna kuratoriale e kësaj ekspozite i takoi edhe Vala Osmanit përderisa arkitektura e ekspozitës është organizuar vetëm nga kjo e fundit.

“Ambienti i Klubit të Boksit shfrytëzohet nga “Stacioni” që një kohë. Këtu është një hapësirë historike dhe kanë ndodhur shumë gjëra prej që ne kemi ardhur këtu, rreth 2015-tës. Ndërtesa i ka sfidat e veta, por edhe përparësitë, ku mund të vërehet gjithçka. Ekipi është i mirë që punon në këtë ekspozitë dhe e njeh hapësirën, gjithçka është zhvilluar sipas një hapi të caktuar. Kemi sfidë kryesor ngrohjen dhe probleme të tjera teknike, por duhet të përshtatemi çdo herë”.

Heta flet edhe për veprat e tre finalistëve, ku thotë se secila ekspozitë është realizuar që të gjithë të jemi të kënaqur, ekipi, artistët e institucioni që kemi punuar.

“Nuk ka diçka që nuk kemi arritur ta bëjmë. Secili artistë i ka hapësirat e duhura që i përshtaten. Ky është edicioni i 6-të i çmimit që ne e organizojmë dhe secili është specifik e ndryshe prej njëri tjetrit. Besoj që publiku e sheh lëvizjen prej njërës e tjetrës”.

Kuratori shpjegon se kjo është hera e parë që ata punojnë së bashku me artistët, prandaj, i ka pasur edhe ky aspekt vështirësitë e veta, por gjithçka në fund ka shkuar mirë.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që të gjithë mund ta shfrytëzojnë e ta marrin një çmim prestigjioz. Në këtë edicion kemi pasur rreth 20 aplikime, e diku rreth 5 prej tyre nuk e kanë kaluar kriterin. Befasia në këtë edicion ka qenë aplikimi i komunitetit jo-shumicë. Ne vazhdimisht tentojmë që të krijojmë këtë mundësi për të gjithë artistët që punojnë në Kosovë. Gjithashtu, për herë të parë ne realizojmë një edicion që është krejtësisht i pa-mbështetur nga MKRS. Kur po rritet buxheti për festivale, po ulet ose po zhduket ai për art pamor e bashkëkohor”, thotë Heta.

Juria e çmimit Artistët e së nesërmes 2021, e përbërë nga Anne Barlow, drejtoresha e TATE St Ives, Miljana Dunderin, artiste, drejtore e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Laura Raicovich, shkrimtare, kuratore, Bernhard Rudiger, artist dhe profesor në Ecole Nationale des Beaux Arts në Lyon, Driton Selmani, artist, ka përzgjedhur tre finalistët e çmimit Artist of Tomorrow, derisa përzgjedhja e fituesit do të bëhet më 3 dhjetor me fillim nga ora 19:00. /KultPlus.com

Shpallen finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes”

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallë vendimin e jurisë për finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020.

 Juria e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020, e përbërë nga Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Flaka Haliti, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020.

 Juria ka lëshuar këtë deklaratë:

Ne anëtarët e jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 kemi pasur kënaqësinë për të shqyrtuar 8 aplikacionet e pranuara nga artistët nga Kosova të cilët kanë aplikuar në konkursin e këtij viti. 

 Juria së pari i falënderon të gjithë artistët të cilët kanë aplikuar për këtë Çmim, për kujdesin dhe konsideratën e tyre në përgatitjen e dokumentacionit për pjesëmarrje. Pas diskutimeve të gjata, juria ka zgjedhur tre finalistë bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe punën ekzistuese.

 Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka dhe Brilant Milazimi.

 Juria zgjedhi Laureta Hajrullahun për qasjen e saj poetike ndaj çështjeve kritike të kohës sonë – si marrëdhëniet midis jetës sintetike dhe organike, natyrës dhe civilizimit, dhe qenieve njerëzore dhe teknologjisë – dhe konsideratën se çka sfidat shoqërore ose realitetet e reja që ato i sjellin. Në punën e saj, Hajrullahu i sheh mediat digjitale si tipar përcaktues të jetës bashkëkohore dhe mjet me të cilin mund të zbërthehen kufijtë midis botës fizike dhe asaj virtuale.

Finalisti i dytë është Shkamb Jaka, pikturat e të cilit me forma abstrakte dhe figurative përmbajnë imazhe të koduara që kanë të bëjnë me përvoja reale ose të imagjinuara, ose ato që ai i konsideron si “në mes”. Juria ishte e interesuar për procesin artistik të Jakës që përfshin dekonstruktimin e sjelljeve njerëzore dhe mënyrën e të menduarit dhe më pas “ri-materializimin” e tyre, kryesisht përmes mediumit të pikturës dhe së fundmi, me një masë humori, në film.

Finalisti i tretë është Brilant Milazimi, pikturat figurative të të cilit duken edhe të afërta dhe të frikshme në përshkrimin e tyre të formave të zgjatura njerëzore brenda një hapësire të papërcaktuar ose disi të luhatshme. Duke u bazuar në rrëfime personale dhe kolektive, puna e Milazimit pasqyron një hulumtim të vazhdueshëm të zhvillimit shoqëror dhe politik të shoqërisë civile në Kosovë dhe asaj që ai e sheh si një “psikologji shoqërore” më të madhe të formuar nga sfidat rreth lirisë së shprehjes dhe lëvizshmërisë.

 Si juri, të gjithë jemi të ngazëllyer për të parë se çfarë do të krijojnë këta tre finalistë për ekspozitën e finalistëve në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe presim me padurim të shohim punën e tyre në dhjetor kur Juria do të takohet për të zgjedhur fituesin e Çmimit “Artistët e Nesërmes” 2020. 

 Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të shpallet me 11 dhjetor 2020 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2020.

 Çmimi “Artistët e së nesërmës” organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Zyra e Kryetarit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. / KultPlus.com