Jeta Zymberi
Piktorja Engji Jaha po prezanton ekspozitën e saj të dytë personale, një ngjarje kjo që pritet të tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që kanë pasion artin, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë të veçantë, piktorja Jaha sjell 20 portrete të rralla të artistëve të njohur shqiptarë, duke ofruar një pasqyrë të thellë të talentit dhe ndikimit të tyre në botën e artit.
Çfarë e bën këtë ekspozitë të jashtëzakonshme është jo vetëm kualiteti i punës së piktores Engji Jaha, por edhe përzgjedhja e saj e artistëve të portretuar dhe mënyra e tyre e paraqitjes. Portretet janë të pikturuara me teknikën e vajit mbi pëlhurë, duke krijuar një efekt të veçantë dhe duke dhënë ndjenjën e një kinematografie të vjetër evropiane.
“Unë kam vendosur t’ia dedikoj këtë cikël artistik portreteve të artistëve të njohur shqiptar. Këto vepra arti, përfshijnë njëherazi dhe shumë breza të ngritura, të fushave të ndryshme artistike, që kanë qenë dhe janë kontribuues të drejtpërdrejtë në mbarë botën”, thotë Engji për KultPlus.
Pëlhura i jep këtyre veprave një theks të veçantë dhe një atmosferë nostalgjike, ndërsa ngjyrat e vajit përcjellin emocionin dhe thellësinë e çdo personazhi.
“Janë 20 vepra dhe të gjitha janë pikturuar me ngjyra vaji në pëlhurë. Nëse shihen në tërësi, ato japin ndjesinë e një kinematografie të vjetër evropiane, që ndërveprojnë dhe mund të them se duken se kanë një bisedë artistike me njëri-tjetrin. Ashtu siç shprehet edhe Aristoteli në shkrimet e tij se: “Qëllimi i artit nuk është të përfaqësojë
pamjen e jashtme të gjërave, por rëndësinë e tyre të brendshme. E bukura nuk ka të bëj me bukurinë. E bukura nuk përfaqëson përherë të bardhën e ndritshme, ajo shpesh herë na paraqitet dhe si e errët, ajo është më shumë se kaq, është një ndikim, një komunikim apo çoftë dhe një emocion”, thotë Engji.
Piktorja Engji Jaha ka investuar kohë dhe pasion të madh në këtë temë artistike, dhe kjo ekspozitë është produkti i një hulumtimi të gjatë dhe të thellë mbi psikologjinë e portretit. Ajo ka arritur të kapërcejë thjeshtësinë e një portreti dhe të na sjellë diçka më shumë, diçka që na jep mundësinë të eksplorojmë thellësinë e qenies së personave të portretuar.
“Duke qenë se jemi të ndërtuar biologjikisht për të pasur tërheqje më njëri-tjetrin, atëherë krijimi i shumë portreteve njëherësh të jep mundësinë e interpretimit të emocioneve për portretin e tjetrit si diçka thelbësore për ekzistencën tonë”, thotë për fund artistja.
Ekspozita do të hapet më datë 12 tetor, ora 18:00 në Grand Hotel Prishtina, 13th Rooftop./ KultPlus.com