Një udhëtim në sferat e artit dhe filozofisë nga Jetullah Haliti-Eti në Galerinë e Qytetit të Gjilanit 

Shkruan: Ilir Muharremi, kritik i artit  

Në ambientet  e Galerisë së Qytetit të Gjilanit, ditë më parë u hap një ekspozitë që është më shumë se një grumbull veprash artistike – është një udhëtim në thellësitë e qenies njerëzore dhe në labirintet e mendjes. “Kur flet arti nderohet kombi dhe atdheu” nga Jetullah Haliti-Eti nuk është thjesht një koleksion pikturash dhe skulpturash; është një reflektim dhe një meditacion mbi thelbin e ekzistencës dhe shpirtit, mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS). 

Ky univers krijues është një rrugëtim nëpërmjet abstraksioneve të cilat jo  vetëm që sfidojnë perceptimet tona, por gjithashtu i japin formë dhe substancë koncepteve të thella mbi qenien. “Embrionet ” janë një alegori për ndarjen e brendshme të qenies njerëzore, një përpjekje për të zbuluar veten në një botë që shpesh është e turbullt dhe e paqartë. Aty ku nisesh pa gjini, rrugëton neutral dhe si i drejt.  Forma abstrakte dhe ngjyrat e përziera krijojnë një dialog të përjetshëm ndërmjet natyrës së brendshme dhe jashtme, duke simbolizuar përpjekjet e pafundme të shpirtit për të depërtuar në thellësitë e vetvetes dhe për të kapur kuptimin e qenies. E Bardh, bluja janë një uragan ngjyror me forma të lakuara dhe të rrumbullakosura, që mund të interpretohen si paraqitje stilistike të fazave të hershme të zhvillimit të jetës. duket si një embrion i përfshirë në një hapësirë që duket si një qelizë ose një membranë amniotike. Ngjyrat e errëta dhe të lehta krijojnë një kontrast që e thekson këtë formë, duke i dhënë asaj një ndjesi të mbylljes dhe mbrojtjes. Piktura tjetër e të së njëjtës temë ka një sfond më të ndritshëm dhe të gjallë, me linja dhe rrjeta të ndërthurura që mund të simbolizojnë proceset biologjike dhe qelizore që ndodhin gjatë zhvillimit embrional. Kjo pikturë ngjall një ndjesi dinamike dhe të gjallë, duke treguar ndoshta fazat e ndryshme të zhvillimit të një embrioni. Piktura e tretë  ngërthen  ngjyra të arta dhe të kuqe që krijojnë një formë qendrore që gjithashtu ngjan me një embrion. Ajo ngjall një ndjesi të ngrohtë dhe të mbrojtjes, sikur të përfaqësonte momentet e para të jetës brenda një ambienti të sigurt dhe ushqyes. 

Në “Karbonizimet”, artisti zbulon realitetin e shpërbërjes dhe transformimit, duke krijuar një pasqyrë të pasigurisë dhe traumave që përshkojnë shpirtin kolektiv. Forma të deformuara dhe të karbonizuara janë metafora për pasojat e dhunshme të jetës dhe shkatërrimit që përndjekin mendjen dhe shpirtin njerëzor. Ky cikël është një reflektim mbi ecurinë e natyrshme të shkatërrimit dhe riformësimit, një ndihmë për të kuptuar sesi tronditjet dhe transformimet e jetës ndihmojnë në formësimin e qenies dhe identitetit. 

“Trekëndëshi i Bermudës” shpreh një përpjekje për të kuptuar misteret e ekzistencës, një hapësirë ku çdo hap është një mundësi për të humbur dhe për të kërkuar. Ky trekëndësh është një alegori për përpjekjet e pafundme të njeriut për të zbuluar dhe kuptuar më shumë rreth natyrës së realitetit dhe ekzistencës, në një botë që është përherë e mbushur me enigma dhe sfida. 

Në “Homazhin e Jezus Krishtit”, artisti eksploron dimensionet e shpirtit dhe besimit, duke ofruar një vizion të thellë mbi lidhjen e njeriut me të pavdekshmen dhe transcendentin. Ky portret është një përpjekje për të kapur dhe shprehur shpirtin e besimit dhe përkushtimit, duke ofruar një përmirësim të thellë në kuptimin e lidhjes së individit me të pavdekshmen. 

“Dritarja Artistike” është një simfoni e poetikës dhe filozofisë, ku duar që përshëndesin njëra-tjetrën janë një alegori e fuqisë transformuese të artit. Kur arti hyn në hapësirë, ai nuk eklipsohet nga asgjë tjetër; ai ndriçon dhe transformon realitetin, duke krijuar një ambient të mbushur me dritë dhe kreativitet që reflekton thellësitë e shpirtit. 

“Portreti Tragjik” është një meditacion mbi dhimbjen dhe vuajtjen njerëzore, një pasqyrë e ndjeshmërisë që shfaq sfidat dhe dhimbjet më të thella të individëve. Në të njëjtën kohë, peizazhet e vizatuara nga lartësia ofrojnë një perspektivë sublime mbi botën, duke theksuar lidhjen e përjetshme ndërmjet njeriut dhe natyrës, dhe ndikimin që ky realitet ka mbi jetën tonë. 

“Rrënjët e Shpirtit” është një eksplorim i pasur dhe i shumëdimensional i artit që nxit mendimin dhe ndjenjat më të thella. Është një mundësi për të hyrë në thellësitë e shpirtit dhe mendjes, për të reflektuar mbi historinë dhe përvojat që ndihmojnë në formësimin e identitetit tonë si individë dhe si shoqëri. Skulpturat, të ringjallura nga gurët e lashtë me formë të ndryshme tregojnë stilin e veçantë në skulpturë dhe stilizim të thellë.  

Në këtë ekspozitë, arti i Jetullah Haliti-Eti është një reflektim mbi thelbin e qenies dhe mbi ndihmën që artin mund të ofrojë në ndriçimin e natyrës njerëzore, në përpjekjen për të kapur dhe për të përjetuar thellësitë e mendjes dhe shpirtit në një botë që është përherë e mbushur me mistere dhe enigma. 

Në ekspozitë u shfaq edhe një film i punuar nga Klodi Kadillari e cila kishte trajtuar jetën e artistit Eti. 

Ekspozita do të mbyllet të premten. / KultPlus.com

Festivali i filmit ‘Ekrani i Artit’ në Shkodër vjen me edicionin e shtatë

Nga data 5 deri më 9 qershor, Shkodra do të mirëpresë edicionin e shtatë të festivalit të filmit “Ekrani i Artit” me vepra të videoartit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Qendrën Rinore Arka, Auditorin Françeskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës.

Nën titullin Solitude and Multitude filmat e edicionit të sivjetshëm eksplorojnë këto skaje të pandashme të ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash, kalimesh e sfumaturash të panumërta.

Ndryshe nga vitet e tjera, një ekspozitë e kuruar nga Lek M.Gjeloshi e Zef Paci sjell në Galerinë e Arteve pesë artistë me instalacione video e audio, ndërsa Art House mirëpret të parën ekspozitë personale të artistes Nora Bzheta.

Në Art House do të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit programe të ndryshme duke filluar nga “Personal narratives, family myths” të kuruar nga Sylvia Schedelbauer e duke vijuar me një përzgjedhje me videoart nga koleksioni i Fondacionit In Between Art Film të kuruar nga Edi Muka. Me 8 qershor do kemi një fokus në tre vepra video të William Kentridge nga koleksioni Moschini e Fischetti ndërsa të dielën me datë 9 një program me videoart shqiptar të kuruar nga Elsamina Musiq e Xhulian Millaj.

Ndërkohë Auditori Françeskan do të mirëpresë një program të sjellë nga Roland Sejko me nëntë filma të shkurtër të prodhuar nga nëntë regjisorë italianë ekskluzivisht me materiale të Arkivit të Instituto Luce në Romë. Programi mbledh filma nga Claudio Giovannesi, Alina Marazzi, Pietro Marcello e Sara Fgaier, Roland Sejko, Alice Rohrwacher, Giovanni Piperno, Marco Bonfanti, Paola Randi e Costanza Quatriglio. Te ky Auditor do të shfaqet ditën e diel me datë 9 edhe filmi i Eneos Çarka Another Day.

Në Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Santiago Sierra sjell videon e tij më të fundit The Maelström ndërsa Gentian Doda me grupin Was Bleibt Kollektiv prezantojnë filmin koreografik Gjurmë.

Qendra Rinore Arka do të mirëpresë për tre ditë shfaqjen e tre filmave të shkurtër që vijnë nga festivali i mirënjohur italian Concorto Film Festival. Të tre filmat, Night Shift, Sardine dhe Lovers ishin fitues të edicionit të vjetshëm të këtij festivali.

Dalja nga qyteti, që në dy vitet e fundit e kishte parë programin e festivalit të shpalosej buzë liqenit, këtë vit do t’i drejtohet Kalasë së Shkodrës me instalime video e projeksione fotografike nga Lek M.Gjeloshi e Sara Passerini dhe me projektimin në natën e datës 8 qershor të filmit të Wael Shawky, I am Hymns of the New Temples.

Kalaja e Shkodrës do të jetë për dy netë edhe arenë e një programi muzikor të përzgjedhur nga Rubin Beqo e Nita Deda, program i cili do përfshijë gjatë ditëve të festivalit edhe Bed Station si dhe hapësirat e ish Konsullatës italiane në Shkodër.

Qendra e festivalit mbetet Kinema Republika e cila mirëpret një seri me filma të gjatë e të shkurtër duke filluar me dy filmat e natës së hapjes nga Driant Zeneli e Roland Sejko e duke vazhduar me një program të kuruar nga Tea Paci ku përmendim filma nga regjisorë e artistë si Cecilia Vicuña, Noor Abed, Evi Gjoni, Hoda Taheri, Fabrizio Bellomo, Emilien Dubuc, Helena Wittmann, Vasilis Katsoupis, Bo Wang e Ilir Hasanaj.

Ky vit shënon edhe edicionin e tretë të punëtorisë së koordinuar nga Melisa Paci që sheh nxënësit e shkollave 9 vjeçare të dialogojnë me punën e një artisteje bashkëkohore. Këtë vit nxënësit e shkollave “Ismail Qemali” e “Miqësia”, kanë punuar për një periudhë gjashtë mujore në dialog me veprën e artistes Claudia Losi dhe punimet e tyre do të shfaqen në Galerinë Oda me datë 7 në ora 17.00.

Ish Konsullata Italiane në Shkodër do mirëpresë një program të kuruar nga Ajola Xoxa me tri vepra në video të Anri Salës, Anna Ehrenstein dhe Lek M. Gjeloshit.

Një seri bisedash e takimesh do të shoqërojne ditët e festivalit ku veçojmë prezantimin e Pavjonit shqiptar në Biennalen e Venecias me protagoniste artisten Iva Lulashi dhe kuratorin Antonio Grulli i cili do mbahet në Qendrën Rinore Arka me datë 6 Qershor, ora 16.00./ KultPlus.com

Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit/ Piktorë nga e gjithë bota mblidhen në Kolonjë për të pikturuar dhe promovuar destinacionet turistike

Më shumë se 20 piktorë vendas dhe të huaj janë bërë bashkë në një simpozium arti për të sjellë pranverën në një nga krahinat më të njohura të vendit tone. Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë qëndruar në Kolonjë për 4 ditë, duke pikturuar në vende të ndryshme, punime të cilat i kanë sjellë në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë.

“Kemi artistë që kanë ardhur nga Peruja e largët, nga Kanadaja, Turqia, nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe sigurisht artistët tanë shqiptarë të cilët në fakt këtu, sapo shënuan në njëfarë mënyre një lloj historie sepse gjetën kiminë e njëri-tjetrit dhe jo vetëm atë koloristike, pikturike, por dhe gjuhën e një lloj filozofie e cila në fakt bashkon brezat”, deklaron Helidon Haliti.

2222

Artistët pjesëmarrës kanë vlerësuar së tepërmi perisazhet e Kolonjës, ndaj për këtë sipas tyre ardhja e kaq shumë piktorëve të njohur është një promovim i natyrës.

“Vendin tuaj e ka bekuar zoti, është i mrekullueshëm dhe këto takime që bëjmë ne janë të rëndësishme sepse na bëjnë të njohim një shqioëpri e cila shpesh na ikën nga e përditshmja, e përdithsmja ka ngarkesat e veta”, shprehet Fatmir Juka, piktor.

1

Është hera e parë që vij në Shqipëri, vend fantastik, po kënaqem shumë këtu. Njoha shumë artistë të mirë dhe të talentuar, mbi të gjitha bashkëpunues. Këtu u tërhoqa nga fusha e Kolonjës dhe po e shijoj në mënyrën time”, shprehet Jorge Corpuna, piktor.

3333

Grupi i piktorëve të huaj dhe shqiptar pjesë e shoqatës ndërkombëtare të akurelistëve nën udhëheqjen e piktorit Helidon Haliti kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë muajit maj duke shëtitur në vendet më të bukura të Shqipërisë vme qëllim promovimin e tyre./balanweb/ KultPlus.com

444

Galeria e Artit Tiranë, rezidencë artistike në mbështetje të artistëve të rinj

Pas artistes gjermane Doris Graf me projektin e saj “CITY X -Tirana”, tashmë Galeria e Artit Tiranë, ka ftuar në rezidencë 4-mujore artisten e re Arnilda Kyçyku. Artistja, rishtas zhvendosur nga Elbasani për të jetuar në Tiranë, do të nisë hulumtimin dhe zhvillimin e një projekti mbi kryeqytetin sipas këndvështrimit të saj i cili do të rezultojë me një ekspozitë personale në fund të rezidencës.

Drejtorja e GAT, Edit Pula, i ka uruar mirëseardhjen Arnilda Kyçykut, në studion e saj të re.

GAT synon të kthehet në Galerinë e Qytetit e cila krijon ekspozitat dhe eventet e saj, në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës. Kjo galeri mbështet ide që lindin nga hulumtimi i njerëzve dhe fenomeneve të vetë qytetit dhe që bazohen në çështje apo interpretime që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar me rivizitimin e trashëgimisë në përgjithësi, duke përfshirë zanatet krijuese e deri tek koleksionet.

Një nga prioritetet e misionit të Galerisë së Artit Tiranë është që nëpërmjet programit të Rezidencës në GAT, të zhvillohet në një atelie kërkimi, prodhimi dhe edukimi për teoritë dhe praktikat kulturore të cilat lidhen dhe kanë për referencë Tiranën./atsh/KultPlus.com