Një konkurs ndërkombëtar, për të ndihmuar artistët e pavarur edhe për të ringjallur artin, ky është propozimi i Institutit Italian të Kulturës, në këtë periudhë të vështirë që çdo aktivitet është pezulluar për shkak të Covid 19.
“Në këto momente po diskutohet shumë, se si mund të ndihmojmë artistët e pavarur, që s’kanë një galeri që t’i mbrojnë. Kemi vendosur, që të jenë të datëlindjes së pas vitit 1979, sepse në vështirësi më të mëdha gjenden veçmas artistët e rinj. Nuk ka kufizime nacionaliteti, të gjithë artistët që kanë marrë pjesë të paktën në tre ekspozita mund të marrin pjesë”, thotë drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Alessandra Bertini Malgarini.
Tema që do të trajtojnë artistët është “Hapësira e jetuar – Ndryshime të perspektivës për dekadën e ardhshme”.
“Është një reflektim në hapësirën tonë, në hapësirën që jetojmë aktualisht. Me këtë projekt në varësi të situatës do të bëjmë edhe një ekspozitë me këta 25 artistë që do të përzgjidhen”, shprehet drejtoresha Alessandra Bertini Malgarini.
Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë teksa shprehet se ministria e Kulturës në Itali, do të ndihmojë artistët e pavarur me fonde, përfundon se ekspozita në Tiranë do të prezantohet brenda dhjetorit të vitit 2020. / Shqiptarja.com / KultPlus.com