Artmania do të fillojë edicionin e saj të dytë, publikohet orari shfaqjeve

Këtë vit do të organizohet edicioni i dytë i festivalit ARTMANIA, një festival i cili vjen në jetë nga profesionistë dhe adhurues të artit, të cilët me bashkimin e shumë aktiviteteve do të rikthejnë maninë artistike në Gjakovë për 5 netë me radhë, shkruan KultPlus.

“Artmania” ka njoftuar se do të bëjë prezantimin e pesë shfaqjeve teatrale nga Kosova, Shkupi dhe Maqedonia e Veriut.

Në anën tjetër, ky festival do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjakovës “Hadiu Shehu” nga trupat profesioniste sipas agjendës së paraqitur.

Festivali do të hapet edhe një herë tjetër me shfaqjen e Blerta Nezirajt, këtë radhë “Marksistët Leninistët e Zvicrës” dhe do të mbyllet me “Club Albania” të Fatos Berishës.

Festivali do të mbahet nga data 7 deri më 11 dhjetor. /Kultplus.com

Bujar Ahmeti fiton çmimin ‘aktori më i mirë’ në festivalin ‘Artmania’

Shfaqja ‘Andorra’ me regji të Kushtrim Bekteshit, prodhim i Teatrit të qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, ka fituar dy çmimet kryesore në edicionin e parë të festivalit ‘Artmania’ që u mbajt në Gjakovë për pesë net rresht.

Kjo shfaqje mori çmimin ‘shfaqja më e mirë’, ndërkaq aktori i kësaj shfaqjeje, Bujar Ahmeti mori çmimin ‘aktori më i mirë’ .

Ahmeti, i cili ka përfunduar studimet në akademinë e arteve në Prishtinë në vitin 2013, ka luajtur në shumë filma dhe shfaqje të cilat kanë udhëtuar nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare duke përfshirë: “An unforgettable Spring in a forgotten villiage” nga Kushtrim Bekteshi, “Home” nga Daniel Mulloy, “Samo Kazem” nga Jelena Gavrilovic dhe mbi 20 shfaqje teatrale ndër vite, 5 prej të cilave janë nga regjisori tashmë i ndjerë, Bekim Lumi.

Shfaqja “Andorra” rrëfen fatin tragjik të një të riu hebre me emrin Andri në Andorrë (vend fiktiv) i cili në vigjilje të ardhjes së nazizmit ballafaqohet me paragjykimin dhe diskriminimin për shkak të përkatësisë së tij etnike.

Siç thuhet dhe në tekst nga një koment i shtuar  model i tillë paragjykimi kemi qenë edhe ne në të kualuarën tonë të afërt dhe jo vetëm paragjykimi por edhe urrejtje, krimi e gjenocidi. Shfaqja si koncept regjisorial dialogon dhe thërret në kujtesën e afërt kolektive tonën ku dhe vetë kemi qenë personazhe tragjikë dhe pjesë e Kosovës së lyer me gjak , ndërkohë thërritet në tekst ‘ në  Andorrën tonë të bardhë si bora … ‘  edhe pse pellg gjaku, si në Kosovën tonë që ende i kullojnë plagët.

Në shfaqje luajnë aktorë të njohur si : Xhevdet Doda, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi,  Rifat Smani, Liridona Shehu , Afrim Muça, Fetah Paçarizi, Besëlidhje Bytyqi, Alban Çela e shumë të tjerë./KultPlus.com

Shkodra për festivalin ArtMania: Gjakovës i ka munguar një festival multidimensional artistik

Festivali më i ri në Gjakovë, Artmania, është duke u shfaqur nga 25 nëntori në teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Njëri prej protagonistëve në këtë festival ishte edhe artisti Avni Shkodra, i cili hapi festivalin me një stand up comedy, pasi u dha shfaqja teatrore nga Korça “A flasim për burrat”.

Shkodra në një prononcim për KultPlus tregoi se një festival i tillë i ka munguar Gjakovës.

“Uroj dhe shpresoj që festivali ArtMani të vazhdoj edhe vitet e tjera, pasi Gjakovës i mungon dhe i nevojitet një festival i tillë, multidimensional artistik”, tha ai.

Tutje, Shkodra njoftoi se do të jetë në ArtMania edhe një herë tjetër, pikërisht në natën finale, kur edhe do të jepet shfaqja “Kosovo For Dummies” nga Teatri i Gjilanit.

Profesionistët dhe adhuruesit e artit janë mbledhur në një ombrellë për të garuar rreth disa çmimeve që kanë të bëjnë me shfaqjen më të mirë, aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë.

ArtMania përmes jurisë që përbëhet nga regjisori Fatos Berisha, regjisorja Myrvete Kurtishi aktore duajene nga Teatri i Gjakovës dhe Rovena Lule regjisore dhe profesoreshë në akademinë e arteve ne Tiranë do të bëjnë edhe ndarjen e çmimeve. /KultPlus.com

Artmania do të fillojë edicionin e saj të parë, publikohet orari shfaqjeve

Këtë vit do të organizohet për herë të parë ARTMANIA, një festival i cili vjen në jetë nga profesionistë dhe adhurues të artit, të cilët me bashkimin e shumë aktiviteteve do të rikthejnë maninë artistike në Gjakovë për 5 netë me radhë, shkruan KultPlus.

“Artmania” ka njoftuar se do të bëjë prezantimin e pesë shfaqjeve teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në anën tjetër, ky festival do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjakovës “Hadiu Shehu” nga trupat profesioniste sipas agjendës së paraqitur.

Festivali do të hapet me shfaqjen “Kosovo for Dummies” me regji të Blerta Neziraj, e derisa do të mbyllet me “Gratë” nga regjia e Qendrim Rijanit./Kultplus.com