Fotografi Arton Sefa në kështjellën e parfumeve në Francë, realizon fotografi për Louis Vuitton dhe Vogue të Gjermanisë (FOTO)

Les Fontaines Parfumées kishte hapur portat për fotografin shqiptar Arton Sefa, i cili në një ambient si të përrallave së fundi ka realizuar fotosesionin për Louis Vuitton dhe Vogue të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Të hysh në këtë ambient ku prodhohen parfumet më të njohur botëror, të shijosh nga afër lulet e këtij kopshti, ku të njëjtat lule përdoren për krijimin e aromave më të fuqishme botërore, e që shumëkujt do ti kujtojë momente të rëndësishme të jetës, konsiderohet një eksperiencë e paharruar, por që në të njëjtën kohë me fotografi të vuloset suksesi i këtyre kompanive të mëdha botërore, me modelen emblemë të Lois Vuitton, është vetëm një sukses i radhës i fotografit shqiptar Arton Sefa.

Ai ka treguar për KultPlus për këtë fotosesion, dhe përvojën e tij në Les Fontaines Parfumées që gjendet në Grasse të Francës.

Sefa ka shpjeguar se me modelen Emmy Rappe, ai ka fiksuar fotografi nga kopshti i parfumerisë, që ka pas për qëllim që të tregojë edhe këtë vend magjik se prej ku dalin kaq shumë parfume të njohura. Në të njëjtën kohë ai ka treguar se janë fotografuar edhe proceset e krijimit të këtyre parfumeve, që janë të shtrira nëpër kate të ndryshme të  Les Fontaines Parfumées.

““Les Fontaines Parfumées” është një vend që ka një traditë që klientë të shumtë, shkojnë po në këto hapësira të blejnë parfumet e tyre, pikërisht në vendin edhe ku krijohen.

Arton Sefa ka ndarë me lexuesit e KultPlus edhe fotografitë e këtij sesioni që janë realizuar në Grasee të Francës.

Arton Sefa është fotograf i njohur nga Kosova që tashmë e sa vite bashkëpunon me revistat më prestigjioze të botës, dhe përvoja e tij me fotografinë tashmë është shtrirë në shumë vende të botës. / KultPlus.com

Për intimen dhe pyetjet e jetës, Arton Sefa hapi sonte ekspozitën personale në KultPlus Caffe Gallery

Xhemile Hysenaj
Fotografitë: Jozefina Kolic

Të fotografosh do të thotë të kapësh momentin, të kapësh të pakapshmen e shpesh edhe të bësh histori. Fotografia si cdo art tjetër, ka natyrën e saj ekspresive, ku secili autor shpalos herë një pjesë të brendësisë së tij e herë atë me të cilën preokupohet ai apo shoqëria.

Me “Nuk kam përgjigje”, Arton Sefa, fotograf shqiptar i cili ka bashkëpunuar me Vogue, Louis Vuitton dhe GQ, erdhi për herë të parë në Kosovë për të treguar përgjigjet e jopërgjigjet e fotografisë së tij.
Ekspozita zuri vend në ambientet e KultPlus Caffee Gallery, ku pjesëmarrësit patën rastin të njihen me fotografin edhe pa filluar hapja, të njoftoheshin me të personalisht e poashtu edhe rreth punës së tij më gjerësisht.

“Nuk kam përgjigjje” është homazh për jetën, për kohën në të cilën jetojmë e cila ka më shumë pyetje se përgjigjje. Ekspozita ishte e ndarë në dy pjesë, mirëpo të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Me pjesën e parë tregonte detajet të cilat autori i cilësonte si më intimet e njeriut: shpina, qafa, reflektimi i vetes në pasqyrë, pjesë apo momente me të cilat përballemi vazhdimisht gjatë jetës sonë.


Pjesa e dytë ishte pjesa kryesore e ekspozitës, aty shpaloseshin ciklet e jetës së njeriut, dëshpërimet, gëzimet, vuajtjet e hidhërimet, duke shfaqur një nyje të fortë e pothuajse të pamundur për ta zgjidhur, mes natyrës dhe intimes.

Gjatë prezantimit të ekspozitës, Arton Sefa deklaroi të jetë mjaft i kënaqur me punën që është bërë deri në realizimin final të ekspozitës, duke falenderuar KultPlus për bashkëpunimin dhe publikun pjesëmarrës, që njëkohësisht ishin edhe mjaft të fascinuar e përkrahës ndaj punës së tij.
“Arsyeja pse unë kam vendosur që ekspozitën time të parë në Kosovë ta mbaj në KultPlus është se KultPlusi ka qenë i pari që është angazhuar rreth njohjes së punës sime, në fillimet e mia të karrierës si fotograf, andaj unë gëzoj respekt të madh për këtë institucion, dhe mirënjohje jetësore”, u shpreh ai.

Ideja e kësaj ekspozite është krijimi i një debati, ku edhe pse mesazhi duket të jetë pasiv, ai prapë se prapë bartë një ide aktive, deklaroi Arton Sefa.
“Ne në jetë kemi shumë pyetje e shumë përgjigje, por ndonjëherë as njërën dhe as tjetrën. Ekspozita poashtu lidhet edhe me periudhën e vendit tonë, me shumë tema që tashmë janë bërë të parodizuara”, potencoi Arton Sefa.
Nën tingujt e këndshëm të muzikës që luhej në sfond, mysafirët u njohën edhe më afër me punën e tij artistike dhe rezoltuan të jenë mjaft të kënaqur.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun për dy javë, duke filluar nga sot.
Të gjitha fotografitë në ekspozitë janë në shitje. Të hollat që do të mblidhen nga shitja e fotografive, do të shkojnë për bamirësi./KultPlus.com