Flonja Haxhaj
Nën moton ‘Revoltë në kohë të vështirë’, për të disatin vit radhazi, ArtPolis mbajti dje mbrëmjen poetike ‘Poezi për fuqi’. Në një ambient të ngrohtë që ofron ambienti i menzës ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë, publiku u bë pjesë e një mbrëmje që përveç poezive reflektuese e domethënëse, dhuroi edhe argëtim e muzikë, shkruan KultPlus.
‘Poezi për fuqi’ dha edhe këtë herë mesazhe të fuqishme përmes poezisë, duke shprehur ndjenja të thella që lidhen me luftën për barazi, drejtësi dhe fuqizim të gruas. Interpretimet e poezive të zgjedhura shfaqën revoltën dhe përballjen me sfidat e kohës, duke i dhënë zë shqetësimeve dhe aspiratave të grave dhe shoqërisë në përgjithësi.
Përveç poezive që dhanë mesazhe të fuqishme, emocionuese dhe domethënëse, në këtë mbrëmje poetike publiku u shoqërua me interpretimin e grupit muzikor ‘Don’t listen to your neighbours’ të cilët edhe nisën mbrëmjen me këngën ‘Ishe një ditë të muajit maj’.
Fjalën e para në këtë mbrëmje e mori vetë drejtoresha e ArtPolis, Zana Hoxha, e cila përveç se falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, theksoi edhe rëndësinë e kësaj mbrëmje në dhënien e mesazheve të forta për fuqizimin e gruas.
“ Të dashur artdashës, aktiviste, poete, njerëz të fjalës, mirë se erdhët në këtë natë poetike, një natë revolte dhe një natë fuqie. ‘Poezi për fuqi’ tash më shumë se një dekadë, na ka ftuar të dëgjojmë, të ndjejmë dhe të reflektojmë mes fjalës së fuqishme të poezisë. Sivjet nën moton ‘Revoltë në kohë të vështirë’, ne sjellim vargje që nuk janë vetëm fjalë, por akte rezistence, zëra që sfidojnë heshtjen dhe kërkojnë drejtësi. Revolta nuk është vetëm britmë, ajo është edhe një heshtje që vlon për brenda, një fjalë që guxon të thuhet, një poezi që lind për të mos u harruar. Sonte përmes vargjeve të poeteve, por edhe të artisteve dhe aktivisteve, do të ndërtojmë një mozaik ndjenjash, reflektimesh dhe një fuqie të pastër njerëzore”, tha Hoxha.
Mbrëmja poetike nisi me vargje që flasin për zemërimin e drejtë, revoltën e domosdoshme dhe dashurinë që na mban gjallë. Në pjesën e parë të leximeve të poezive. Ilire Zajmi interpretoi poezinë e saj ‘Kujtesa e trupit’, një poezi që ofroi një ndjenjë të thellë teksa në prapavijë dëgjohej melodi nga instrumentet e ‘Don’t listën to your neighbours’. Më pas aktorja Igballe Qena lexoi poezinë ‘Mëso të zemërohesh’, pas saj aktorja nga Shqipëria, Rudina Dembacaj interpretoi poezinë ‘Fajtore jam’.
“Jam shumë e dashuruar me artin e shqiptarëve të Kosovës, jam shumë e lumtur dhe e nderuar që jam këtu, sepse ndjehem edhe si në vend timin sepse jam e shumë e familjarizuar me dialektin, me traditën e me të gjitha. Jam shumë e që marr pjesë në këtë mbrëmje poezitë për një kauzë kauzë të madhe”, u shpreh Dembacaj pasi lexoi poezinë e saj.

Pas saj, Blerta Sylaj – Surroi, lexoi poezitë ‘Himn për mosbindjen’dhe ‘Mos u dorëzo kurrë çika jem”.
Mbrëmja vazhdoi me interpretimin e pashoq të këngëve ‘Kroi i fshatit tonë’ dhe ‘Shok mu bane’ nga grupi ‘Don’t listen to your neighbors’.
Pastaj, Hoxha ftoi në skenë grupin e dytë të artistëve dhe poetëve që lexuan poezitë e përzgjedhura. Sheqerie Buqaj dhuroi spektakël teksa lexoi poezinë e Alda Merinit ‘Ka gra e gra’. Me vargjet e fuqishme, poezia e përgjedhur dhuroi emocion të veçantë në publik. Më pas aktorja Anisa Ismaili lexoi poezinë ‘Çdo përgjegjësi i takon gruas’. Tutje, aktori poezinë Bislim Muqaj solli përpara publikun poezinë ‘Atëherë’ të Pablo Nerudës. Ndërkaq Ergjan Mehmeti lexoi poezinë ‘Hajde puthemi si atëherë’.

Pas këtij grupi të poezive, publiku u përfshi nën tingujt e këngës ‘A kanë ujë ato burime’ që erdhi si interpretim i veçantë nga grupi ‘Don’t listen to your neighbours’.
Radha i erdhi pjesës së tretë të grupit të poezive. Gili Hoxha dhuroi emocione ndryshe, teksa interpretoi poezinë e saj ‘Pragu i pritjes’, një poezi kushtuar familjarëve që akoma presin një lajm për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë. Alesia Xhemajli interpretoi poezinë ‘Ende ka kohë’, Jonada Jashari lexoi poezinë e saj ‘I mbyta krejt dashnitë e rreme’ dhe krejt në fund, aktorja Albulena Kryeziu – Bokshi lexoi poezinë në italisht ‘La terra santa’ dhe poezinë e Frida Kahlos ‘They ëill call you crazy’.
Tutje, pas këtij grupi, i erdhi radha e pjesës së fundit të poezive. Vetë Zana Hoxha lexoi poezinë e Sibel Halimit ‘Furtunë’. Aktoi Shpetim Kastrati solli përpara audiencës poezinë e Pablo Nerudës ‘Po të duash më lër pa bukë. Ndërkaq poetja Vlora Ademi kexoi poezinë e sa ‘Kështu ikin gratë’. E mbrëmja poetike përfundoi me interpretimin e poezisë ‘Qëndro gjallë’ të Virginia Wolf, të cilën lexoi aktorja Xhejlane Tërbunja.
Mbrëmja më pas vazhdoi me muzikë, e ata që kanë poezi të tyre, ishte momenti që të lexonin para të gjithëve si një ndërveprim e solidarizim me njëri-tjetrin./KultPlus.com
