Qendra për art edhe komunitet – Artpolis ka organizuar një protestë si thirrje kundër abuzimit sistematik të vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë e kësaj dhune, mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave, shkruan KultPlus.
Protesta do të mbahet më 5 dhjetor 2021 nga ora 12:00-13:00 në platonë e sheshit ‘Zahir Pajaziti’.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Artpolis:
Të indinjuara nga abuzimi sistematik i vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë e kësaj dhune, mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet bën thirrje për – ASNJË VAJZË E GRUA MË PAK NË MESIN TONË, ASNJË VDEKJE MË SHUMË TË VAJZAVE DHE GRAVE TONA.
Më 5 dhjetor 2021, në ora 12:00-13:00, në platonë e sheshit “Zahir Pajaziti”, ju ftojmë të na bashkoheni në protestën tonë përmes performancës artistike ASNJË VAJZË E GRUA MË PAK NË MESIN TONË, ASNJË VDEKJE MË SHUMË TË VAJZAVE DHE GRAVE TONA.
Së bashku si vajza, gra, aktiviste e artiste kërkojmë që dhuna të ndalet dhe drejtësia të arrihet!
Këtë të Diele, të veshura në të bardha, do të performojmë në heshtje për të gjitha vajzat e gratë që përjetuan dhunë e u vranë mizorisht si pasojë e saj.
Ejani të Marshojmë drejt ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për të parashtruar kërkesat tona për parandalim dhe drejtësi!
Kërkojmë drejtësi për vajzat dhe gratë që abuzohen në familje dhe shoqëri!
Kërkojmë drejtësi për vajzat dhe gratë që humbën jetën si pasojë e dhunës në familje!
Ky aktivitet organizohet nga Artpolis dhe përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia./KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet nga 26 tetori deri më 12 nëntor, do të prezantojë 20 shfaqje teatrore të klubeve në 20 shkollat kampione, në kuadër të projektit “ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim – Fuqizimi i 20 klubeve teatrore në shkollat kampione”.
Këto shfaqje forum teatër vijnë me tema e përmbajtje të veçanta që adresojnë dukuritë negative në shoqërinë tonë, të zhvilluara së bashku me trajnerët/et, aktorë/e profesioniste gjatë javëve që lamë pas.
Aventura teatrore me nxënësit e shkollave fillore nis sot në SHFMU “Xhemail Mustafa”, Prishtinë, të cilët sjellin shfaqjen forum teatër “Ekspozita” në hollin e shkollës nga ora 18:00, me ç’rast pas përfundimit të shfaqjes do të pasojë diskutim i hapur me publikun që është prezent.
“Shfaqja synon të trajtojë ndikimin dhe pasojat e mësimit online, si dhe të sjellë mendimet rreth kësaj çështjeje nga tri këndvështrime: nga ai i nxënësve, i mësimdhënësve dhe i prindërve, përmes një ekspozite. A dallojnë këto perspektiva? Si dhe pse ndryshojnë ato nga njëra-tjetra? Të intervistuarit e ekspozitës do të iu përgjigjen këtyre pyetjeve, secili në mënyrën e vet.”
Luajnë: Erblina Luma, Sara Gërguri, Teah Kastrati, Drin Selca, Anda Rugova, Ujëza Beqiri, Rajana Osmani, Rea Muriqi, Morea Kastrati, Nina Çeku, Stina Sheremeti, Enea Çeku, Arrita Cikaqi, Teuta Morina.
Mentore e klubit: Qendresa Kajtazi Mësimdhënësja: Gresa Rrahmani
Ndërsa, për këtë javë do të prezantohen edhe 2 shfaqje forum teatër:
Me 27 tetor klubi teatror i shkollës “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq nga ora 11:30 do të prezantojë shfaqjen “Jemi të vendosur”, në hapësirat e shkollës.
Kurse shkolla “Pjetër Bogdani” në Prishtinë do ta ketë premierën më 28 tetor në ora 17:00 në amfiteatrin e Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Për shfaqjet e tjera Artopolis do të njoftoj me kohë.
“Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane. / KultPlus.com
Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” i mbajtur në Dibër.
Ky është një sukses tjetër i “Zgjimit të Pranverës” që deri tani është shpërblyer si: “Shfaqja më mirë në vitin 2020” në Kosovë dhe “Shfaqja më mirë” në edicionin e 14-të të ITF SkupiFestival.
Kurse në Festivalin “Moisiu On” në Tiranë aktorja Arta Muçaj është shpërblyer me çmimin “Aktorja më mirë joprotagoniste” me rolin e saj në shfaqje.
“Zgjimi i Pranverës” është bashkëproduksion i Artpolis – Qendra për Artin dhe Komunitetin dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet ka bërë të ditur se festivali ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste është shtyrë për shkak të situatës të përkeqësuar me Covid-19 dhe versionin Delta, përcjellë KultPlus.
“Masat e Qeverisë kanë bërë që Artpolis të marrë vendim për shtyrje të Festivalit FemArt për javën e parë të tetorit. Më 1-6 tetor 2021 FemArt do të jetë sërish afër publikut me shfaqje, performanca, muzikë, poezi, ekspozita, punëtori, raporte e konferenca përmes edicionit të 9-të, që vjen me moton “F… Seksizmit””, thuhet në njoftimin e tyre.
Festivali ‘FemArt’ do të mbahet me respektim të plotë të masave kundër Covid-19 dhe versioni Delta, e vetëm personat e vaksinuar do të mund të jenë prezent në këto aktivitete artistike. / KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitet, ArtPolis me datat 3-6 korrik do të realizojë aktivitetin e parë në kuadër të projektit “ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim – Fuqizimi i 20 klubeve teatrore në shkollat kampione”, me ç’rast 20 nxënës të klubeve teatrore dhe trupa artistike rezidente e Artpolis do të përfshihen në fuqizimin e këtyre klubeve përmes edukimit jo-formal të nxënësve, përcjellë KultPlus.
Rrugëtimi me klubet teatrore të 20 shkollave kampione të Kosovës nis me kampin artistik me 20 nxënës dhe trupën artistike rezidente të Artpolis, e do të mbahet në Etno-Kompleksin në Kukaj, Prishtinë, për katër ditë radhazi.
Me 3 korrik nis fuqizimi i klubeve teatrore në shkollat kampione përmes edukimit jo-formal të nxënësve për t’i ndihmuar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional, duke përdorur artin si mjet.
Gjatë kësaj periudhe nxënësit, nën mentorimin e aktorëve/eve të Qendrës Artpolis, do të bëjnë ushtrime e prova rreth teatrit, shfaqjeve forum-teatër, aktrimit, këndimit, vallëzimit, shkrimit, derisa do të ketë edhe diskutime e aktivitete të tjera argëtuese. Ata do të mësojnë se si duhet ta përdorin artin për të promovuar dhe punuar për të drejtat e njeriut duke adresuar fenomenet negative prezente në shoqërinë tonë.
Këta nxënës do të përforcojnë njohuritë e tyre për të qenë të gatshëm të ndihmojnë klubet teatrore në shkollat e tyre.
Qëndrimi në Kukaj do të jetë 24 orësh në mbikëqyrje të stafit Artpolis në përputhje me masat e Ministrisë së Shëndetësisë për COVID-19, si dhe agjendës së aktiviteteve, të cilën e posedojnë edhe prindërit/kujdestari ligjor dhe institucionet shkollore përkatëse.
Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane. / KultPlus.com
Sonte, trupa rezidente e Qendrës Artpolis sjell leximin skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”, me autore Edna Mazyac të shqipëruar nga Artur Lena dhe nën regjinë e Zana Hoxhës, në Parkun e Qytetit në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ngjarja zë vend në vitet 1988-91 në këndin e lojërave të qytetit Kibuts të Izraelit, në të cilën trajtohet dukuria e ngacmimeve seksuale, një dukuri kaq prezente edhe në shoqërinë tonë.
Në qendër të kësaj vepre është përdhunimi i një vajze 15 vjeçare nga katër djem të rinj në oborrin e pasmë, por mbi të gjitha gjyqi publik që i bëhet viktimës, e cila pëson edhe një dhunim të dytë ligjor, pasi “ishte ajo që e nxiti dhunimin”.
Këtë lexim skenik para publikut do ta prezantojë trupa artistike rezidente e Qendrës Artpolis me aktorët si: Zhaneta Xhemajli, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Blerta Gubetini dhe Art Pasha, duke filluar nga ora 20:00.
Ky lexim skenik përkrahet nga KCSF dhe CFD. / KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, përkrahur nga CFD prezanton shfaqjen forum teatër dhe ekspozitën e klubit teatror të të rinjve të Lipjanit me titull “Çelësi Magjik” me 8 qershor, në ora 12:00, në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani”, përcjellë KultPlus.
Nën regjinë e Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli dhe Ismail Kasumi, shfaqja adreson periudhën e pandemisë Covid-19 dhe të post-pandemisë, e cila vjen si një udhëtim në kohë. “Çelësi Magjik” shpërfaq papërgjegjësinë e njerëzve, rritjen e dhunës në familje, e luftën psikologjike me të cilën përballen personazhet. Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, duke e bërë kështu edhe publikun pjesë të saj.
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet prezanton premierën e shfaqjes dans teatër “Totem dhe Tabu” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me koreografi nga Robert Nuha dhe dramaturgji të Zana Hoxhës, të martën me 18 maj, në ora 19:30, përcjellë KultPlus.
“Totem dhe Tabu”, është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.
Shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore por pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologjeve.
Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “Kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.
Në këtë shfaqje luajnë trupa artistike e Artpolis me aktorët: Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Blerta Gubetini.
Shfaqja vjen e përkrahur nga cfd, Agjensia për Barazi GJinore dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të projektit “Humanrightivism” implementuar nga CDF dhe mbështetur nga Sida në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit prezanton shfaqjen “Kur bien perdet”, përcjellë KultPlus.
Shfaqja “Kur bien perdet” ka për qëllim adresimin e bullizmit, pasojat dhe rreziqet.
Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, në këtë mënyrë duke e bërë edhe publikun pjesë të saj.
Në këtë shfaqje luajnë: Edmond Hajdini, Fatlum Bllaca, Fjolla Hoxha, Gerat Salihi dhe Lerdi Salihi
Regjisore/Moderatore do të jetë Daniela Markaj dhe Qëndresa Kajtazi.
Shfaqja do të mbahet në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani” në Lipjan me datë 30 mars, nga ora 12:00-13:00. / KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon Mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” për të shënuar 8 Marsin-Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Mbrëmja e poezisë“Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, me datë 08.03.2020, në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë prej orës 19:00.
Poete/ë, aktiviste/ë, artiste/ë e të gjithë adhurueset/it e fjalës së shkruar, artit e muzikës, janë të ftuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas që nën tingujt e muzikës të lexojmë dhe t’ia dedikojmë grave vargjet më të bukura fuqizuese të poeteve dhe poetëve të shquar. Performueset/it në këtë mbrëmje janë:Poetet/i – Arbër Selmani, Flutura Açka, Ilire Zajmi.
Në një tavolinë katërkëndëshe, janë të ulur disa të rinj e të reja nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ajo tavolinë i bashkon ata në ide e punë ndonëse gjuha mund të jetë një gjë ndarëse për ta.
Por mbi të gjitha është bota e artit, aktivizim e barazia ajo që i bënë bashkë – rrjedhimisht një organizatë që merret ekskluzivisht me këtë gjë, siç është Artpolisi në Kosovë.
Mbi atë tavolinë, u vendosën disa maska. Në këtë kohë të maskave, nuk ka se si të mungojë një trajnim i tillë.
Detyra të pjesëmarrësve ishte që maskat t’i kthenin në personazhe. Tavolina u stërmbush me ngjyra.
E talenti i tyre u shkri aq bukur sa nga secili pjesëmarrës nxirrje diçka të re, maska dukej sikur ishte prodhuar ashtu e pak a shumë, mund të mësoje edhe nga personaliteti i këtyre të rinjve, që kjo gjë ua dha mundësin të shprehin diçka që jo gjithmonë e kanë mundësinë ta thonë.
Të rinjtë e të rejat që u bënë pjesë e Trajnimit të Programit të Forum Teatrit, që nga 26 shkurti deri më 1 mars, patën mundësi që të mësojnë shumë gjëra të reja përmes trajnerëve si regjisorja e njohur kosovare Zana Hoxha si dhe aktori Edlir Gashi.
Për aktorin Gashi, ky është një ndër bashkëpunimet e shumta me Artpolisin. Ai që nga viti 2017-të, është pjesë e këtyre aktiviteteve. Gjithçka për të ka nis si aktor, pastaj participant e tashmë është bërë edhe trajner. Pra, krejt ato që Gashi i ka mësuar kohë më parë nga Artpolisi dhe aktivitete e tilla, po ua paraqet tash edhe të rinjve që nga viti në vit bëhen pjesë e këtij programi.
Edlir Gashi, tregoi në lidhje me “Maskat”, workshop-i të cilin e udhëhoqi ditën e dytë të trajnimit.
“Sot ka qenë një ditë e ngarkuar por ka qenë kënaqësi, i kemi paraqit disa skena që i kemi improvizu dje. Kemi punuar në hapësirë ndërsa tani e kemi një lloj workshopi. Pasi që, jemi në pandemi dhe kemi pas të bëjmë me maska, ne kemi bërë diçka se si kishim pas mundësi t’i shfrytëzojmë maskat në një mënyrë tjetër. Ne kemi mendu që këto maska t’i shfrytëzojmë si karaktere, si personazhe që të pikturojmë mbi to”, tregoi fillimisht Gashi.
Ai tutje, foli edhe për pjesëmarrësit për të cilët pati fjalë mjaft të mira.
“Pjesëmarrësit janë të rinj dhe kanë potencial dhe po shpresoj që ky trajnim ka me shërbyer me i vetëdijesuar për teatër. Secili në mënyrën e vet i ka të mirat e veta, dhe secili në atë mënyrë pa aspak tremë ishte shumë mirë”, theksoi ai.
Djurdjica Kazic, ishte njëra nga pjesëmarrëset e cila përveç të tjerash këtë grup e cilësoi si një ndër grupet më pozitive me të cilin ajo ka bashkëpunuar.
“Aktivitetet janë realizuar në mënyrë të shkëlqyer. Grupi si grup e ka dinamikën e saj, ka gjëra shumë pozitive dhe çka është më e mira, edhe pse nuk njihemi mes vete kemi arritë të bashkohemi. Çka e dallon këtë punëtori dhe grup prej të tjerëve, është se unë këtu nuk kam parë asnjë lloj paragjykimi diçka që kam hasë në punëtori të tjera. E ajo që ishte karakteristike, të gjithë kemi bërë përpjekje që të kuptohemi mes vete, duke qenë se nuk flasim të njëjtën gjuhë, dhe kjo është përshtypja ime më e fortë dhe më pozitive për këtë trajnim”, u shpreh Kazic.
Përveç aktiviteteve të tjera, ajo që ishte një temë kyçe në këtë trajnim, ishte edhe diskutimi i asaj se “Çfarë do të thotë për ju diversiteti, diversiteti kulturorë, toleranca, bashkëpunimi ndëretnik dhe pajtimi?”.
Diskutimi padyshim ishte mjaft impresionues, ndërsa tek pjesëmarrësit u vërejt ajo që aktivitete e tilla thyejnë tabutë për ta.
Një gjë të tillë e tha edhe pjesëmarrësja Valentinë Uka.
Kjo ishte hera e parë për të që merrte pjesë në një aktivitet të Artpolis-it, ndërsa tha se është e lumtur që ka arritur të bëhet pjesë e këtij trajnimi.
“Duke pas parasysh bagazhin e Artpolis, që e kam përcjellë përgjatë shumë kohe, kam qenë e sigurtë që do të kaloj shumë mirë dhe që do të mundemi të shkëmbejmë eksperienca e gjëra të reja. Aktivitete e tilla thyejnë stigmat, tabutë dhe gjëra të tilla duhet të vazhdojnë edhe më tutje”, u tha Uka.
Edhe për Ergjan Mehmetin, ishte hera e parë që merr pjesë në një aktivitet të Artpolisit, ndonëse ai tregoi se e ka ndjekë me shumë vëmendje gjithë punën e kësaj organizate. Madje, ai tha se i ka pëlqyer shumë puna e tyre dhe bashkëpunimet që Artpolis bënë më të tjerët.
“Kjo është hera e parë që jam pjesëmarrës në një aktivitet të Artpolisit dhe më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Unë gjithmonë i kam ndjekë aktivitete e Artpolisit dhe më ka pëlqyer shumë puna e tyre dhe bashkëpunimi që ata bëjnë me të tjerët. Më pëlqejnë shfaqjet që janë me mesazhe të forta dhe të rinjtë që janë pjesëmarrës këtu trajtohen gjithmonë barabartë, gjë që ndalon racizmin, diskriminimin dhe steriotipet që ne i hasim në shoqërinë tonë”, tregoi ai.
I gjithë ky aktivitet që zgjati katër ditë, pati gjithsej njëmbëdhjetë sesione. Në natyrën e bukur të qytetit të Prizrenit, të rinjtë e të rejat patën mundësi që përveç të tjerash të mësojnë shumë më shumë për teatrin. Në fund të gjithë kësaj, këta pjesëmarrësu u nderuan me nga një certifikatë, ndërsa mbi të gjitha atyre u mbeti një miqësi e përhershme që lidhën aty.
Ky aktivitet mbështetet nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bashkimi Evropian në Kosovë përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë” i zbatuar nga Artpolis dhe OJQ AKTIV si anëtare të Koalicionit të Kosovës për Pajtim (KCR).
Kujtojmë se aktivitetet e Koalicionit të Kosovës për Pajtim fokusin e kanë në përqendrimin dhe bashkimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë, integrimin e tyre të përbashkët, shkëmbimin dhe njohjen e kulturës së të gjithëve, me qëllim të pajtimit. /insajderi.org/ KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka shpall rezultatet e konkursit për aktorë rezidentë të trupës së parë të pavarur artistike të përbërë nga aktorë dhe aktore, regjisore dhe koreograf.
Juria e përbërë nga Zana Hoxha – themeluese drejtoreshë e Artpolis dhe FEMART Festivalit, Robert Nuha, koreograf dhe Alzan Gashi, pianist dhe muzikant teatri, vlerësuan kandidatët për dans, teknikë zëri, improvizim dhe monolog.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se pas vlerësimit individual nga anëtarët e komisionit, aktorët e përzgjedhur për trupën e pavarur artistike të Artpolis janë: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli. /KultPlus.com
Artpolis Qendra për Art dhe Komunitet ka shpallur konkurs për pesë vende të lira në pozitën e aktor/e, shkruan KultPlus.
ArtPolis e konsideron këtë konkurs si një dëshmi për talentin, kreativitetin, vullnetin dhe bashkëpunimin e punës me komunitet.
Artpolis është Organizatë Jo-Qeveritare që vepron në Kosovë duke e promovuar kulturën, artin dhe bashkëjetesën multi-etnike, nëpërmjet dialogut social dhe përdorimit të teatrit si mjet për promovimin e diverzitetit dhe ndryshimeve shoqërore.
Kriteret që duhet plotsuar për të konkuruar, janë si në vijim:
-Të kenë diplomë universitare (bachelor ose master), Fakulteti i Arteve, drejtimi aktrim.
-Bashkangjitur me Cv dhe biografi të dërgohet një video e ndonjë shfaqje/ përformance në 3 vitet e fundit ( kohëzgjatja, minimum 2 minuta max 5 minuta)
-Aftësi të mira Ritmike (të cilat do të provohen gjatë audicioneve)
-Mosha: 20-40 vjet.
-Kondicion dhe përgatitje të mirë fizike e vokale
-Të jenë kreativ dhe të hapur për detyrat artistike që do të kërkohen nga komisioni përzgjedhës
-Të kenë përvojë pune aktive në realizimin e roleve në teatër dhe të ketë dëshirë e vullnet të punojë edhe me komunitet.
-Të dëshmojë talentin dhe përvojën e tij/saj para audicionit që e organizon Komisioni profesional i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis;
-Të ketë aftësi të mira për komunikime ndër-njerëzore dhe të jetë i/e gatshme të punojë me orar fleksibil të punës;
-Të flas rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe preferohet të ketë njohuri të gjuhës angleze
Procesi i aplikimit:
Të gjithë të interesuarit/at duhet të dërgojnë CV-të e tyre, letrën motivuese, tri referenca dhe dëshminë për shkollimin e mbaruar (diplomë) në e-mail adresën: [email protected]
Afati i aplikimit: 08/02/2021- 15/02/2021
Artpolis, ndër të tjera ka bërë të ditur se vetëm personat që futen në listën e ngushtë do të kontaktohen për intervistë.
Për tu informuar më shumë për punën e Artpolis, klikoni në linkun e bashkangjitur më poshtë. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet përfaqësojnë Kosovën me shfaqjen muzikore “Zgjimi i Pranverës” në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit – ITF Skupi Festival, në Kurshumli Han – Shkup, Maqedonia e Veriut, me 20.09.2020, në ora 20:00.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit – ITF Skupi Festival, sivjet prezente do të jenë trupat teatrale nga Bullgaria, Shqipëria, Kroacia, Serbia e Bosna e Hercegovina përderisa Kosova do të përfaqësohet me shfaqjen muzikore “Zgjimi i pranverës”, me regji të Zana Hoxhës, që do të jepet në ambient të hapur, sikurse edhe shfaqjet të tjera të festivalit që do të zhvillohen jashtë, karakteristikë kjo e këtij viti.
‘Duke marrë parasysh të gjitha sfidat me të cilat përballemi në kohë pandemie, ne e konsiderojmë të rëndësishme që shkëmbimi, mësimi dhe mbështetja ndërkulturore të mos ndërpriten, por të vazhdojnë në një formë të re të modifikuar. Kështu mund të sigurojmë zgjimin që duam dhe të inkurajojmë krijimin e rrjeteve në kohë sfiduese’, thuhet në komunikatën për media.
“Zgjimi i Pranverës” tregon historinë e adoleshentëve që zbulojnë trazirën e brendshme dhe të jashtme të seksualitetit. Ajo eksploron udhëtimin nga adoleshenca në moshën e rritur me trishtim dhe pasion që është ndriçues dhe i paharrueshëm. Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e Frank Wedekind “Zgjimi i pranverës” ishte një thirrje artistike, një dëshirë dhe një nevojë për ta sjellë këtë shfaqje në Kosovë, duke e përshtatur më tej në epokën e viteve ’90 në Kosovë.
Shfaqja përkrahet nga cfd, UNFPA dhe Kvinna till Kvinna.
Shënim: Masat mbrojtëse kundër COVID-19:
Sprej për dezinfektim, dezinfektues për duar, maska për fytyrë dhe doreza do të jenë në dispozicion gjatë gjithë kohës. Distanca fizike do të ruhet (karriget do të vendosen dy metra larg njëra-tjetrës). Temperatura do të matet për të gjithë njerëzit e pranishëm me “termometra infra të kuqe pa kontakt” si mjet i përshtatshëm për matjen e temperaturës pa prekur një person dhe vlen të përmendet se i gjithë festivali do të organizohet nën mbikëqyrjen e policisë dhe sigurisë, për të siguruar respektimin e rendit dhe ligjit.
Tetë karrige në skenë, tetë njerëz për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta.
Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.
‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit e gjithsecilës.
Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e natës, disa herë i rikujtoi audiencës rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 marsit, e cila organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të pranishëm dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’.
Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit, shkruan KultPlus.
Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmiun, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic erdhi përmes tij në gjuhën e tij amë.
Në skenë një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht, shkruan KultPlus.
Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive e vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe zemrës së mirë të saj. /KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, me qëllim të mbledhjes së fondeve, organizon ekspozitën shitëse “Rruza t’zemrës”, përcjellë KultPlus.
Aksesorë të
ndryshëm, të punuar me dashuri dhe energji shumë të mirë nga viktima
të mundshme të trafikimit, nën mentorimin e artistes Njomëza Luci, do të
prezantohen të premten, më datë 27 shtator tek Menza Ramiz Sadiku, në orën
13:00 – 15:00.
Fondet e
mbledhura nga shitja e produkteve punëdore, do t’iu dedikohen grave që i kanë
punuar këto aksesorë.
Pije,
ushqim, muzikë, shoqëri do të jenë pjesë e ekspozitës. “Ejani dhe merrni
pak dashuri me vete”, thuhet në komunikatë.
Projekti “Fuqizimi Socio-Ekonomik dhe Psikosocial i Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit” financohet nga projekti i BE “Lëvizja Përpara: Promovimi i Efikasitetit dhe Efektivitetit më të Madh në Luftë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.” Projekt i zbatuar nga konzorciumi i udhëhequr nga Family and Childcare Centre (KMOP). / KultPlus.com
Mysafirët nga Kosova, Shqipëria dhe Portugalia e kanë përmbylluar odisejadën një javore të edicionit të shtatë të FemArt. Në mbrëmjen e së dielës, Teatri Oda është bërë nikoqir në përmbylljen e festivalit të vetëm rajonal kushtuar fuqizimit dhe emancipimit të gruas.
E pyetur nga
KultPlus, Venera Ismaili nga Artpolis, ka treguar për detajet e organizmit të
këtij edicioni të FemArt.
“Që nga
vullnetarët, deri te stafi i rregullt i Artpolis-it kanë bërë një punë të palodhshme
në realizimin e festivalit. Ka qenë një javë përplot aktivitete, mua më gëzon
fakti që vazhdimisht po rritet interesimi për FemArt dhe për tema që trajtojmë
ne si Artpolis.”
Gjatë gjithë
kësaj jave Prishtina ka fituar më shumë ndjesi femëroare falë performancave,
muzikës dhe panelisteve që FemArt ka mbledhur nga e gjithë bota. Duke përdorur
artin, shkrimet dhe performancat teatrore kemi bërë një hap në luftën për të
drejta dhe barazi gjinore. Duke na quar në një tur rreth Prishtinës, herë në
Galerinë Kombëtare, herë në Teatrin Oda e herë në ambientet e Hotel Grand,
FemArt ka provuar ta kthejë vëmendjen te temat që kanë tendenca të lihen anash
apo të diskutohen vetëm gjatë Ditës Ndërkombëtare të Grave.
Nga çështjet
e abortit e deri te rastet më të ndejshme të përdhunimit, kanë qenë tema të
sivjetshme të FemArt, kurse gratë më të fuqishme nga vendi dhe rajoni,
pavarësisht temperaturave ekuatoriale, kanë përdorur inteligjencën dhe
njohuritë e tyre mbi teoritë feministe si dhe eksperiencave personale kanë tentuar
ta vetëdijesojmë publikun e etur të FemArt.
Nata e fundit e FemArt ka filluar me vallëzim latin, nga valëtarët e Evolution Dance, të cilët e ngrohën skenën për këngëtarët nga Kosova dhe Shqipëria Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha bashkë me bendin. Pas tyre ka performuar YEMADAS, që me muzikë na dërguan në një udhëtim me rituale të lashta dhe kontemporane të Afrikës./RronaJaka/KultPlus
Mbrëmë në Librarinë Dukagjini në kryeqytet u lexuan poezi të autorëve të ndryshëm, të cilat në fokus të tyre kishin fuqizimin e grave.
Poezitë e shkruara nga shkrimtare e shkrimtarë
të njohur sollën para të pranishmëve copëza të përditshmërisë së grave, ëndrrat
e tyre dhe fuqinë që ato kanë për tu ngritur përsëri pas çdo sfide e pas çdo
goditjeje, ashtu siç thotë edhe poetja e njohur Maya Angelou, në një prej
poezive të saja ikonike.
Ky aktivitet u realizua nga Qendra për Art dhe Komunitet-Artpolis për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke lexuar për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre. Poezitë u lexuan nga Ilire Zajmi, Shpëtim Selmani, Nora Prekazi, Melihate Qena, Anisa Ismajli, Denis Galushi, Daniela Markaj dhe Qëndresa Kajtazi.
Aktorja e njohur Melihate Qenë në kuadër të këtij
aktiviteti solli fjalët e Nënë Terezës përmes poezisë “Gjallërohu”.
Venera Ismaili nga ArtPolis tregoi për KultPlus se qëllimi prapa kësaj nate ishte që të jepet mesazhi që çdo ditë është 8 mars, pa marrë parasysh datat.
“Edhe këtë herë, Artpolis organizoi një mbrëmje artistike, poetike, për ti dhënë fuqi grave përmes vargjeve të bukura të thurura nga poetët tanë dhe të huaj. Ideja e kësaj nate ishte të krijohet një natë e qetë, e bukur, me atmosferë intime duke performuar dhe lexuar poezi inspiruese dhe fuqizuese nga vetë poetët e këtyre vargjeve por edhe nga artistët e nderuar kosovarë. E mbi të gjitha, të përcillen përmes tingujve muzikorë të performuar ‘live’ mu aty pranë skenës së artistëve dhe poetëve. E qëllimi ishte që përmes vargjeve inspiruese, me shumë dashuri, respekt dhe vëmendje të veçuar ti fuqizojmë gratë dhe të japim një mesazh se çdo ditë është 8 mars e jo vetëm një ditë në vit”, tha ajo për KultPlus.
Poezitë e kësaj mbrëmje janë përzgjedhur nga poeti dhe aktori Shpëtim Selmani, e që u përqafuan me shumë dashamirësi nga të pranishmit. Kjo mbrëmje ishte edhe për dashurinë, për përqafimet, për puthjet sepse ashtu siç thotë edhe poetja Alda Merini, dashuria është art.
Sipas Ismajlit, e bukura e këtij organizmi është se pas leximit të poezive të zgjedhura edhe të pranishmit patën mundësinë që të lexojnë poezitë e tyre apo të poetëve të tjerë. Kështu Artpolisi edhe këtë mbrëmje ja arriti që përmes fuqisë së kulturës ti bëjë të rinjtë që të jenë nxitës për ndryshime dhe të shfaqin zërin e tyre.
“E bukura ishte se për disa prej tyre, ishte hera e parë që i lexonin para publikut dhe i shfaqnin krijimet e tyre dhe kjo falë performancës së poetëve dhe artistëve edhe të muzicientëve, por edhe falë poezive të bukura e të fuqishme. Kjo do të thotë se arti e kultura, e në këtë rast poezia, ndikoi fuqishëm dhe i bëri me të guximshëm pjesëmarrësit e sidomos gratë e vajzat që të dalin në skenë dhe të iu dëgjohet edhe zëri i tyre. Dhe po, kjo u arrit përmes poezisë” theksoi ajo.
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 6 mars organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, shkruan KultPlus.
Të gjithë aktivistët, artistët dhe qytetarët janë të ftuar për për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave
këtë vit përmes leximit për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre.
“Çdo ditë është 8 mars, çdo ditë jemi këtu e çdo ditë duhet
çmuar”, shkruhet në njoftimin e ngjarjes.
Në këtë organizim mund të takoheni me poetët Ilire Zajmi,
Shpëtim Selmani & Nora Prekazi dhe artistet Melihate Qena, Anisa Ismaili,
Qendresa Kajtazi & Daniela Markaj.
Ngjarja do të mbahet në librarinë Dukagjini në Prishtinë/Sheshi Nëna Terezë prej orës 19:00. Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër./ KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis është implementuese e projektit “Balkan Girl Power” në Kosovë.
Ky projekt i financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor bashkoi
vajzat nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Maqedonia, Kosova,
Serbia dhe Mali i Zi.
9 vajza nga Kosova iu bashkuan projektit “Vajzat e Fuqishme të
Ballkanit” për të zhvilluar përmes fotografisë, një vizion të përbashkët të
shoqërisë së vendit të tyre dhe të Ballkanit Perëndimor ku gratë luajnë një rol
po aq aktiv sa burrat në progres drejt integrimit në BE.
Në kuadër të projektit, vajzat nga Kosova u trajnuan dhe nën
mentorimin e fotografes Fjolla Besimi iu bashkuan platformës interaktive online
“Balkan Girl Power” duke ngarkuar fotografitë e tyre të realizuara në kuadër të
temës përkatëse së bashku me një profil të shkurtër për veten e tyre. Në këtë
mënyrë vajzat nga të gjitha vendet pjesëmarrëse patën mundësinë të vlerësojnë
fotografitë e njëra-tjetrës.
I gjithë ky proces votimi çoi deri në selektimin e 7 vajzave nga
Kosova, fotografitë e të cilave do të paraqiten në ekspozitën e përbashkët
“Balkan Girl Power” në Shqipëri.
Fatlinda Daku, Qëndresa Jashari, Igballe Terziqi, Kosovare Sadiku,
Selviana Hysenaj, Rita Terstena dhe Rudina Kadolli janë vajzat, fotografitë e
të cilave do të paraqiten në ekspozitën e përbashkët e cila do të mbahet me
datë: 11 shkurt 2019 në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë.
Ekspozita Balkan Girl Power është rezultat i një iniciative
rajonale (www.balkangirlpower.org) e realizuar nga pesë organizata të shoqërisë
civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe të udhëhequra nga
Instituti për Kontratën Shoqërore (SCI).
E kuruar nga artistja e mirënjohur britanike, Lala Meredith-Vula,
ekspozita Balkan Girl Power paraqet veprat më të mira të vajzave pjesëmarrëse,
disa prej të cilave do të jenë të pranishme në hapjen e ekspozitës.
E në mesin e shtatë vajzave të përzgjedhura Qendresa Jashari dhe
Selvina Hysenaj janë vajzat që u përzgjodhën për të qenë fizikisht pjesë e
kësaj ekspozite më datë 11 shkurt si dhe me datë 12 shkurt ku do të mbahen dy
aktivitete : “peer to peer” për të diskutuar për përvojën në këtë projekt,
ëndrrat dhe perspektivat e tyre për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe
çdo aktivitet të mundshëm të përbashkët të ardhshëm, bazuar në idetë e
zhvilluara gjatë diskutimeve online dhe si aktivitet i dytë, një master klasë
nga Lala Meredith Vula për fotografinë dhe potencialin e saj për të ndikuar në
ndryshimet shoqërore.
Projekti Vajzat e Fuqishme të Ballkanit është financuar nga Fondi
i Ballkanit Perëndimor dhe zbatohet nga ARTPOLIS (Kosovë), Instituti për Kontratën
Shoqërore (Shqipëri), Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë, iACT(Mali i Zi) dhe
Organizata për Promovimin e Aktivizmit (Serbi)
Ky projekt do të lë pas trashëgiminë e një rrjeti joformal prej 75 vajzash nga 5 vende të Ballkanit Perëndimor që njohin ëndrrat dhe perspektivat e njëra-tjetrës, duke përfshirë ato që lidhen me të ardhmen e vendeve të tyre përkatëse dhe Ballkanin Perëndimor si një rajon i integruar në BE. /KultPlus.com
Qendra per Art dhe Komunitet – Artpolis organizon promovimin e artit dhe artizanatit nëpërmjet “TAKIM DHE NJOFTIM” me zanatlinjtë, si pjesë e projektit “Promovimi i diversitetit kulturor dhe mirëkuptimi përmes artit dhe përfshirjes së të rinjve”.
Ky projekt është pjesë e grantit financiar të projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” zbatuar nga UNDP Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Stabilitet dhe Paqe – European Union’s Instrument contributing to Stability and Peace (IcSP).
Kjo thirrje u dedikohet të rinjve/rejave të moshës 16-25 vjeç nga 4 komuna (Gjakova, Mitrovica e Veriut, Prishtina dhe Gjilani) të pasionuar për artin, zanatet dhe punimet e dorës së parë me zanatlinjtë e këtyre komunave të lartcekura. Në çdo qytet, gjatë ditës pjesëmarrësit/et do të vizitojnë 3-4 zanatlinj, gra dhe burra. Zanatlinjtë të cilët do te vizitohen, i përkasin zanateve të mëposhtme si: këpucëtar, rrobaqepës, poçar, krijues të instrumenteve, xhamprerësit, fotografët, stoli/punëdore.
Pas mbarimit të vizitave tek këta zanatlinj, pjesëmarrësit do të ndajnë mendimet lidhur me vizitat dhe përvojen e tyre duke krijuar ese mbi mendimet, eksperiencën e tyre, si dhe ndikimin që kishte aktiviteti “Takim dhe Njoftim” në: – Mësimin e gjërave të reja për etnitë e ndryshme; – Njohjen dhe familjarizimin me procesin e prodhimit të veprave artizanale; – Mësimin rreth historisë së ndonjë procesi të veçantë të punës së artizanatit; – Ngritjen e vetëdijes mbi aktivitetet e përbashkëta që zanatlinjët gra dhe burra i përdorin në procesin e prodhimit duke krijuar kështu një të përbashkët për grupe të ndryshme etnike.
Kriteret e përzgjedhjes: – Aplikuesit/et duhet të jenë nga këto komuna (Gjakovë, Mitrovicë e Veriut, Prishtinë, Gjilan) – Aplikuesit/et duhet të jenë 16 – 25 vjeç – Motivimi – Duke u bazuar në pyetjen e mëposhtme: Pse jeni të interesuar që të jeni pjesë e këtye aktiviteteve?
Afati për aplikim deri më 31 janar 2019, në 23:59 h.
Artpolis është organizatë joqeveritare që vepron në Kosovë dhe promovon kulturën, artin dhe bashkëjetesën multietnike përmes dialogut shoqëror dhe aplikimit të teatrit si mjet për të promovuar zhvillimin social dhe kulturor. E themeluar në 2004, misioni i saj kryesor është të ndikojë në zhvillimin e një shoqërie e cila respekton vlerat kulturore të artit, kulturës dhe diversitetit shoqëror.
Vizioni i Artpolis është krijimi i një shoqëri të drejtë të bazuar në vlera feministe përmes artit dhe kulturës në rajonin e Ballkanit.
Artpolis ka identitet dhe profil të qartë në spektrin e shoqërisë civile si organizatë e cila me e punën e saj në mënyrë sistematike adreson çështje të drejtave të njeriut, siç është barazia gjinore, fuqizimi i gruas dhe feminizmi si vlera shoqërore dhe të drejta të njeriut. Ajo çka e dallon Artpolis karshi punës së organizatave tjera që merren me këtë tematikë është zgjedhja e Artpolis që të shfrytëzojë teatrin, performancat e ndryshme artistike dhe aktivitetet në rrugë si mjete për të kontribuar për një shoqëri ku respektohet diversiteti, barazia gjinore dhe feminizmi paraqet vlerë shoqërore.
Duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfituesit e saj që përfshijnë artistët, gratë dhe të rinjtë nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë dhe duke intensifikuar aktivitetet në terren, Artpolis në mënyrë të natyrshme gjatë dekadës së fundit ka fokusuar aktivitetet e saj në këto tri shtylla.
Shtylla I – promovimi i të drejtave të njeriut, promovimi i kulturës, artit, barazisë gjinore, feminizmit dhe sfidimi i mentalitetit patriarkal në shoqërinë kosovare përmes aktiviteteve kulturore që u janë dedikuar audiencës së gjerë;
Shtylla II – rritja e mirëqenies së gruas, fuqizimi i saj dhe ballafaqimi me diskriminimin gjinor përmes aktiviteteve të fokusuara në grupe të cakut, dhe
Shtylla III- Edukimi i të rinjve përmes aktiviteteve artistike në kuadër të punës së Qendrës së Artit dhe Kulturës.
Puna e organizatës Artpolis nuk është e fokusuar vetëm në Prishtinë. Në të kundërtën, aktivitetet e saj janë të shtrira pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës duke adresuar mungesën e aktiviteteve kulturore në nivel komunal dhe duke ofruar vepra artistike e teatrale me artistë eminent të Kosovës dhe të rajonit për qytetarët e në veçanti për të rinjtë e Kosovës. Këto vepra në fokus tematik kanë vlerat e artit dhe kulturës, respektimin e të drejtave të njeriut, promovimin e barazisë gjinore, diversitetin etnik dhe luftimin e paragjykimeve si pjesë e traditës së mentalitetit patriarkal. Përfituesit kryesorë të projekteve të ARTPOLIS janë kryesisht artistë/e, aktivistë/e, gra dhe të rinj me përkatësi të ndryshme etnike. Vullnetaret/ët, vajza e djem të të gjitha komunitete që jetojnë në Kosovë, janë pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të Artpolis-it.
Artpolis ka një lidhje të ngushtë me mediat zyrtare të Kosovës, artistët e teatrit dhe filmit; është pjesëtare e ISPA (Internacional Performing Arts Association www.ispa.org), Rrjetit IETM, Rrjeti i Grave të Kosovës, Forumi Kulturor, CIVIKOS, Koalicionit për Shëndetin Riprodhues dhe punon me artistë dhe aktivistë me prejardhje të ndryshme etnike dhe artistike.
Aktivitetet e krijuara nga Artpolis prezantohen dhe ofrohen pa pagesë për audiencën, që prej themelimit të organizatës në vitin 2004.
Artpolis ka krijuar:
Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve – FEMART (8 edicione) Festivali Teatral i të Rinjve (6 edicione) Festivali Kombëtar për Ndryshime Sociale (2007 – 2014) Punëtorinë: Shkolla Pranverore Feministe Trajnimin: Edukimi i Bazuar në Teatër në Kosovë Muzeu Virtual i Aktivisteve Nata e Poezisë “Poezi për Fuqi” Rrjeti i të Rinjve për Ndryshime Sociale (me prezentues nga 11 komuna) 2008 – 2011 Lidhja Regjionale e Artistëve për të Drejtat e Njeriut (2009) 48 orë HIV / AIDS Youth Film Fest (2009, 2010, 2011) Shkollën Artistike Interaktive për të Rinj (2010) Autobusi i trashëgimisë kulturore Evropiane në Kosovë (2010, 2011, 2012, 2013) Krijime të eseve Bllogje
Artpolis ka organizuar:
Forum Teatër Shfaqje teatrore Teatër vallëzimi Stand Up komedi Performancat në Rrugë Dita Ndërkombëtare e Librit Promovime librash One Billion Rising MARshojme, S’festojme Trajnime Punëtori Masterclass Takime Informuese Konferenca Panele diskutimi Raporte bazuar në hulumtimet përkatëse Ekspozita Ekspozita shitëse per ngritje fondesh Koncerte 16 dite te aktivizmit Shfaqje filmi Perfaqesime jashtë Kosoves
Art and Community Center – ARTPOLIS Tel: + 383 38 221 512 Rr. Mujo Ulqinaku 8/8 10 000 Prishtinë, Kosovë FB: ARTPOLIS – Art and Community Web: www.artpolis-ks.com IG: artpoliscenter Vimeo: artpoliscenter
“Fokusi i organizatës sonë është promovimi i pozitës së gruas në shoqëri, duke ngritur zërin kundër çdo padrejtësie dhe dhune ndaj gruas, duke marshuar, protestuar dhe duke sjellë mesazhe frymëzuese në kuadër të aktiviteteve tona përgjatë gjithë vitit”, thotë Zana Hoxha, themeluese dhe drejtore ekzekutive e Artpolis
Zana Hoxha, themeluese dhe drejtore ekzekutive e Artpolis
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis dënon gjuhën seksiste të Prorektores së Universitetit Publik të Prishtinës, znj. Teuta Pustina – Krasniqi, e cila justifikoi ngacmimet seksuale brenda Universitetit Publik në një deklaratë për media, duke i fajësuar studentet për mënyrën e veshjes së tyre, sipas të cilës, kjo është një prej arsyeve pse ndodhë ky fenomen në universitet.
“Por një porosi thotë për gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrativ ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat. Prandaj i apeloj vajzat e reja që janë një pjesë e një institucioni shumë serioz, në të cilin kryhen ligjërata nga profesorë dhe asistent, për këtë duhet të respektojnë kodin e veshjes”, kishte potencuar Prorektorja.
Ne si organizatë jemi mjaftë të shqetësuar, pasi e kemi përcjellë nga afër gjendjen e Ngacmimeve Seksuale në Universitetet Publike të Kosovës (Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Gjakovës, Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Prizrenit), madje përshkak të nevojës për t’u adresuar kjo problematikë kemi nxjerrë edhe raportin që adreson këtë fenomen “Adresimi i Ngacmimeve Seksuale në Universitetin Publik”.
Duke bashkëndje me të gjitha storiet që janë ndarë me neve gjatë përpilimit të raportit, jemi fuqimisht kundër riviktimizimit dhe tendencave mospërfillëse të zyrtarëve të Universitetit Publik rreth adresimit të këtyre rasteve.
Sipas raportit të kompletuar, gjatë intervistave me studentet, ato kanë pretenduar të jenë në dijeni të shfaqjes së rasteve të ngacmimit seksual, por ato nuk i raportojnë sepse nuk i besojnë institucionit. Ka pasur raste që studentët janë bindur të mos i çojnë rastet më tej për shkak të pasojave të mundshme akademike dhe personale.
Apelojmë që Universiteti Publik të distancohet nga kjo deklaratë dhe të marr masat e duhura karshi gjuhës seksiste të Prorektores, duke e shkarkuar znj. Pustina – Krasniqi nga të gjitha detyrat zyrtare brenda rektoratit. Njëherësh, kërkojmë që Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit.
Në këtë mënyrë, me vazhdimin e miratimit të ngacmimeve seksuale – duke fajësuar viktimat dhe duke mbështetur mite të dhunës seksuale, e të ngacmimeve, vetëm se shfajësohen agresorët dhe mirëmbahet toleranca ndaj dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale. Universitetet Publike duhet të krijojnë mekanizma që do të shërbejnë për t’i mbështetur studentët për ta raportuar ngacmimin seksual tek personat kompetentë, e jo t’ua zbehin ende më shumë besimin tek këto institucione./ KultPlus.com
Për nder të 20 vjetorit të botimit të librit Monologjet e Vaginës së autores Eve Ensler, Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis i ka dedikuar aktivizmit feminist përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe, si shenjë revolte kundër dhunës ndaj grave, shkruan KultPlus.
Nën regjinë e Zana Hoxha Krasniqit do të shënohet 20 vjetori i veprës “Monologjet e Vaginës”, që cilësohet si vepra më e rëndësishme teatrale politike dhe sociale për të drejtat e grave, si dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Leximi skenik do të mbahet më 6 mars në hapësirën e Teatrit Oda duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa, leximet do të përcillen nën tingujt e muzikës së artistes Blerta Kosova.
Performueset e monologjeve do të jenë artistet dhe aktivistet e shquara nga Kosova: Anisa Ismajli, Aurita Agushi, May-Linda Kosumovic, Vjosa Abazi, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Donjeta Morina, Adelina Tërshani, Jeta Berisha, Jovana Radosavljevic.
Viti 2018-të shënon 20 vjetorin e Lëvizjes “Dita – V”, lëvizje kjo që qysh nga fillimi ka zgjeruar përdorimin e artit dhe aktivizimit së bashku për ndërgjegjësimin e popullatës. “Dita – V” është lëvizje globale aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual. Misioni i kësaj lëvizje është “Një botë ku gratë jetojnë të sigurta dhe të lira”.
Kjo ngjarje është e mbështetur nga United Nations Population Fund – UNFPA/Kosovë, Koalicioni për të Drejtat dhe Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – K1 0 dhe CFD/Zvicërr./ KultPlus.com