Artpolis (Qendra për Art dhe Komunitet) do të lansojë sot më 14 dhjetor Muzeun e parë Virtual të Grave Aktiviste për të Drejtat e Njeriut, në Teatrin Oda, Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ky muze virtual, paraqitet si një entitet digjital që i merr karakteristikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë; Promovimin e vlerave të aktivizimit paqësor të grave të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut. Ky muze, i cili do të jetë i pari i këtij lloji në Kosovë, do të paraqitet në formën e platformës interaktive, duke sjellë rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste.
Artpolis ka mbledhur fillimisht 20 shkrime për gratë nga Kosova dhe Rajoni, të cilat kanë luftuar pabarazitë sociale në forma të ndryshme duke u angazhuar në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëritë patriarkale.
Prezantimi i platformës do të përcjellët edhe me një diskutim me aktivistet pjesëmarrëse si dhe me një koktej rasti. Kjo iniciativë është përkrahur nga Kvinna till Kvinna.
Panelist/e:
Xhejrane Lokaj – Aktiviste;
Shuki Gashi – Aktiviste
Vjollca Krasniqi – Profesoreshë e Departamentit të Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës /Aktiviste;
Ariana Qosaj – Mustafa – KIPRED;
Blerta Zeqiri – Regjisore/Dramaturge;
Anisa Ismajli – Aktore/Aktiviste;
Jeta Krasniqi – KDI;
Urim Ahmeti;
Sherife Vukshinaj – Ekonomiste;
Adelina Berisha – RrGGk;
Halit Kadriu./ KultPlus.com