Pesë vite nga vdekja e regjisores Arzana Kraja

Sot janë bërë pesë vite prej kur regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave”, Arzana Kraja ishte gjetur e vdekur në banesën e saj, shkruan KultPlus.

Regjisorja Kraja la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë.

Ajo ka pasuruar skenën filmike në Kosovë me një mori filmash të metrazhit të shkurtë, dhjetra realizime televizive si dhe iku duke na lënë filmin e saj të parë e të fundit të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, i përkrahur nga MKRS përmes QKK-së. / KultPlus.com

Përkujtohet regjisorja Arzana Kraja, Çeku: Arzana iku herët, por la shumë për ta kujtuar

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së dielës, në përvjetorin e tretë të vdekjes u përkujtua regjisorja, Arzana Kraja, e cila u shua nga jeta në një moshë të re dhe në kulmin e krijimtarisë e saj artistike, përcjell KultPlus.

Familjarë, miq e kolegë, me lot në sy ishin mbledhur në Kino Armata, për të kujtuar më të dashurën e tyre, e ku u shfaq edhe filmi i saj ‘Fusha e Mëllënjave’.

Në akademinë përkujtimore të organizuar për nder të regjisores Kraja, i pari e mori fjalën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili u shpreh se Arzana iku herët por la shumë për t’u kujtuar dhe se puna të cilën ajo e përcolli në komunitetin artistik ishte dhe vlerësohet ende lart dhe e tillë do të jetë edhe në të ardhmen.

“Si personalitet i ri dhe i dalluar, Arzana realizoi shumë punë të mira e në shumë profile, bashkëpunoi dhe kontribuoi  shumë për të gjithë komunitetin e filmit dhe për artin e Kosovës. Ajo ishte pjesë e kineastëve tanë të suksesshëm dhe padyshim një prej anëtarëve shumë të denja të valës së re të regjisorëve kosovarë të suksesshëm me sukses kombëtar dhe ndërkombëtar.”, u shpreh Çeku i cili mes tjerash tha se veprimtaria e saj përfshiu formatet e ndryshme si filma të shkurtër, dokumentarë, realizime të shumta televizive dhe filma të metrazhit të gjatë.

Në frymën e vlerësimit të veprimtarisë së Arzanës, Çeku tha se në kuadër të kalendarit kulturor vjetor, Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës për të nderuar emrin dhe veprimtarinë e Arzana Krajës do të bëjnë hapjen e Muajit të Filmit Evropian që mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit me partnerin lokal ‘Kino Armata’.

“Kështu do ta kujtojmë gjithmnë si një prej krijueseve të veçanta të kinematografisë kosovare, ku secili do ta mbajmë mend dhe do ta përcjellim në gjeneratat e reja për qasjen njerëzore para së gjithash, për shembullin e bashkëpunimit dhe për standardin e lartë të filmbërjes”, përfundoi Çeku.

I pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishte edhe aktori Shkumbin Istrefi, të cilit po ashtu, Arzana Kraja ia besoi rolin kryesor në filmin ‘Fusha e Mëllenjave’.

Ai tha se ikja e hershme e Arzanës në moshën kur ishte në kulmin e pjekurisë artistike, nuk ishte një humbje vetëm për familjarët, miqtë dhe kolegët e saj, por edhe për artin kosovar, në të cilin Arzana me punën dhe veprat e saj la një trashëgimi tejet të çmuar.

“Punën e Arzanës e kam përcjellë qysh në kohën kur ajo ishte studente në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Si studente u shqua me një bagazh të madh të njohurive sidomos në fushën e Artit dhe Letërsisë. Puna e saj në detyra studentore më ka zgjuar kurreshtje tej mase duke më shtyrë që ta njoh më për së afër edhe personalitetin e saj.”, tha Istrefi, i cili më tutje vlerësoi Arzanën si një njeri të qetë dhe të sjellshme, por si një artste me plot emocion dhe  intelekt, kërkuese dhe e vendosur që idetë e saj t’i realizoj deri në fund.

“Personaliteti i Azanës ishte multidimensional, ajo dinte të komunikonte me secilin dhe në çdo nivel. Ky mentalitet shpërfaqej edhe në jetën e saj profesionale, me një lehtësi të paparë kalontenga temat e thella ose projektet me karaktere filozofike në projektet e karakterit zbavitës, fushë në të cilën oashtu kemi pasur një bashkëpunim të gjatë professional në serialin ‘Kafeneja jonë’”, shtoi Istrefi.

E përlotur, para pjesëmarrësve foli edhe shoqja e ngushtë e Arzanës, Teuta Krasniqi, e cila me emocione të mëdha tregoi lidhjen shpirtërore dhe profesionale që ato kishin bashkë.

“Ka qenë një periudhë e bukur e jetës ku unë dhe Arzana kemi qenë të pandashme, edhe pse shumë të ndryshme si tipe, në një mënyrë të mrekullueshme e kemi plotësuar njëra-tjetrën, e sidomos ajo mu. Kemi qeshur e jemi mërzitur bashkë, kemi  vallëzuar shumë e kemi ëndërruar shumë, kemi udhëtuar e kemi punuar shumë bashk. Unë sot e konsideroj veten shumë më të pasur shpirtërisht, intelektualisht e edhe profesionalisht falë Arzanës dhe falë shoqërisë që e kemi pasur bashkë.”, tha Krasniqi duke shpalosur kujtimet me Arzana Krajën.

Më pas, në emrin e familjes foli motra e Arzanës, Gresa Kraja, e cila mes lotëve rrëfeu dashurinë e madhe që Arzana kishte për Prishtinën.

“Pamja e saj e preferuar ka qenë në muzg, kur është mbuluar qielli prej sorrave, i ka pëlqyer rruga përballë Katedrales, në qershor kur qel bliri, çuditërisht ka pa diçka të bukur te hotel ‘Grandi’ dhe te arkitektura e tij. E ka dashur me shpirt muzikën, me vallëzu me atë muzikë nëpër Prishtinë. Ka ecur nëpër çdo cep të këtij qyteti, tu ja pa vetëm të mirat e duke ja nxjerrë të bukurat kur na kemi ditë me pa vetëm keq. Por mbi gjithçka, Arzana e ka dashtë Prishtinën sepse ju ka pasë të gjithë juve në të, familjen, dashninë e jetës së saj Albanin, shoqërinë, kolegët dhe bashkëpunëtorët.”, përfundoi Kraja, duke i falënderuar të gjithë për të gjitha fjalët ngushëlluese që i dhanë në këto tri vite pikëllimi.

E krejt në fund u shfaq filmi ‘Fusha e Mëllenjave’ i cili është prodhim i shtëpisë kinematografike Circle Production (Kosovë – Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production (Shqipëri-Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Në rolet kryesore janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.

Filmi portretizon Sylën (Shkumbin Istrefi), një ish-i burgosur politik, i cili kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij.

Ju kujtojmë që Arzana Kraja vdiq më 13 nëntor të vitit 2019 në moshën 38-vjeçare./KultPlus.com

Sot mbahet mbrëmje përkujtimore për regjisoren Arzana Kraja në përvjetorin e tretë të vdekjes

Qendra Kinematografike e Kosovës përkujton regjisoren Arzana Kraja, në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta, përcjell KultPlus.

Për të kujtuar dhe festuar veprën dhe jetën e Arzanës, sot nga ora 19:30, QKK-ja organizon shfaqjen e filmit të gjatë artistik të regjisores “Fusha e Mëllenjave”, i cili në këtë rast do të hapë Muajin Evropian të Filmit, që mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit me partnerin lokal Kino Armatën.

Kontributi i rëndësishëm i regjisores në kinematografinë kosovare manifestohet me një mori veprash artistike, si autore e filmave të shkurtër, dokumentarëve, realizimeve të shumta televizive dhe filmit të metrazhit të gjatë “Fusha e Mëllenjave”. / KultPlus.com

Tri vite pa regjisoren Arzana Kraja

Sot janë bërë tri vite prej kur regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave”, Arzana Kraja ishte gjetur e vdekur në banesën e saj, shkruan KultPlus.

Regjisorja Kraja la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë.

Ajo ka pasuruar skenën filmike në Kosovë me një mori filmash të metrazhit të shkurtë, dhjetra realizime televizive si dhe iku duke na lënë filmin e saj të parë e të fundit të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, i përkrahur nga MKRS përmes QKK-së. / KultPlus.com

QKK organizon mbrëmje përkujtimore për regjisoren Arzana Kraja në përvjetorin e tretë të vdekjes

Qendra Kinematografike e Kosovës përkujton regjisoren Arzana Kraja, në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta, përcjell KultPlus.

Për të kujtuar dhe festuar veprën dhe jetën e Arzanës, këtë të diel, më 13 nëntor, nga ora 19:30, QKK-ja organizon shfaqjen e filmit të gjatë artistik të regjisores “Fusha e Mëllenjave”, i cili në këtë rast do të hapë Muajin Evropian të Filmit, që mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit me partnerin lokal Kino Armatën.

Kontributi i rëndësishëm i regjisores në kinematografinë kosovare manifestohet me një mori veprash artistike, si autore e filmave të shkurtër, dokumentarëve, realizimeve të shumta televizive dhe filmit të metrazhit të gjatë “Fusha e Mëllenjave”. / KultPlus.com

Një vit pa regjisoren Arzana Kraja

Sot është bërë një vit prej kur regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave”, Arzana Kraja ishte gjetur e vdekur në banesën e saj, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit me anë të një postimi në Facebook ka përkujtuar Krajën duke shkruar se ajo ka lënë pas vetes një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë e vendit.

“Kujtojmë sot në një vjetorin e ndarjes nga jeta regjisoren Arzana Kraja.

Regjisorja Kraja la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë. Ajo ka pasuruar skenën filmike në Kosovë me një mori filmash të metrazhit të shkurtë, dhjetra realizime televizive si dhe iku duke na lënë filmin e saj të parë e të fundit të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, i përkrahur nga MKRS përmes QKK-së.

I përjetshëm kujtimi!”, thuhet në postim/ KultPlus.com

Filmi “Kulla e Sahatit” i Arzana Krajës tashmë online, luan edhe Leze Qena (VIDEO)

Njëri nga filmat e regjisores tashmë të ndjerë, Arzana Krajës, “Kulla e Sahatit”, tashmë është publikuar edhe online në VIMEO, shkruan KultPlus.com

Ky film është me skenar dhe regji të regjisores Arzana Kraja, e cila ka vdekur së fundmi si dhe njëkohësisht pjesë e aktorëve që luajnë në këtë film është edhe Leze Qena, e cila është ndarë nga jeta dje.

Lajmin për publikimin  e filmit edhe online është dhënë nga Gresa Kraja- familjare e Arzana Krajës përmes një statusi në Facebook.

‘Liza në botën e çudirave’ solli edhe njëherë magjinë e Arzana Krajës

Ishte një emocion më i veçantë në mbrëmjen e së premtes në Teatrin “Dodona” të Prishtinës, ku po prezantohej prova gjeneralë e shfaqjes “Liza në botën e çudirave”, shfaqje kjo që ishte punuar me dramatizim të Arzana Krajës, e cila vdiq qysh në nëntorin e kaluar, por këtë projekt e kishte lënë të përfunduar për këtë teatër, qysh në muajin shtator.

Meli Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqje, e cila bashkë me Arzanën patën aplikuar për këtë projekt vitin e kaluar, por premiera e kësaj shfaqje erdhi pa praninë e Arzanës.

Familjarë të Arzanës kishin zënë vendet e tyre në sallën e këtij teatri, për të parë nga afër emocionin e kësaj shfaqje, dhe për të ndjerë nga afër edhe njëherë mjeshtërinë e familjares së tyre.

Por dramatizimi i Arzana Krajës dhe regjia e Meli Qenës, kishin sjell një mrekulli brenda mureve të këtij teatri, pasi që aktorët e kësaj shfaqje, me lojën e tyre sollën aq emocion, sa zërat e fëmijëve , bashkë me ata të prindërve, dëgjoheshin pothuajse gjatë gjithë kohës.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten e tij, kishin sjell vajzën e tyre që për aq kohë sa zgjati shfaqja, u argëtuan me lojën e aktorëve.

Shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’ trajton temën e një vajze e cila një ditë shikon një lepur të bardhë dhe bëhet kurioze, duke ndjekur lepurin, ajo bie në botën magjike të mrekullive ku takon krijesa nga më çuditshmet, kjo botë magjike futi thellë edhe fëmijët që ishin prezent. Liza një vajzë me imagjinatë tejet të zhvilluar ngjallte një entuziazëm të pashoq tek fëmijët që ishin të pranishëm në këtë shfaqje.

Ajo çfarë e bëri edhe më interesante këtë shfaqje ishte mesazhi që ajo përçonte. T’i duam prindërit tanë dhe t’i respektojmë ashtu siç janë, pa u shkaktuar telashe, sepse në fund jemi ata të cilët duam t’i kemi gjithmonë afër dhe të mos jemi asnjëherë larg tyre.

Me këtë lloj porosie përfundon edhe shfaqja, duke u lënë fëmijëve prezent një mesazh shumë të fortë.

Aktorët që luajtën në këtë shfaqje ishin: Njomza Tmava, Allmir Suhodolli, Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi, Faik Gashi. Shfaqja ështe edhe libër i cili është shkruar nga Leëis Caroll, dhe pritet të shfaqet këtë të shtunë prej orës 12:00 dhe 13:00 në teatrin Dodona. / KultPlus.com

Shkumbin Istrefi: Arzana Kraja insistonte në vlera edhe atëherë kur të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë

Jeta Zymberi

Fizikisht ajo nuk do të jetë më, zëri i saj nuk do të dëgjohet, por në vend të saj do të flasin veprat që la pas. Regjisorja Arzana Kraja, vdiq ditën e mërkure për të lënë një zbrastirë të pa zëvendësueshme tek të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe familjarët e saj, shkruan KultPlus.

Komuniteti artistik kishte organizuar sot mbledhje komemorative për nder të regjisores Kraja. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës ishin mbledhur një numër i madh njerëzish ku shprehja e fytyrës së tyre fliste më shumë se gjithçka.

Teatri ishte mbushur me njerëz e në rendin e parë po qëndronin familjarët të cilët po mundoheshin të përmbaheshin në mesin e kësaj dhimbje të madhe. Në sfond po dëgjohej kënga e preferuar e Arzanës që shoqëroi secilin fjalë që u tha sot për të.

Zana Radogoshi, mikja e ngushtë e Arzanës në mënyrë krejt natyrale para të pranishmëve shpalosi disa momente e natyrën e butë e të buzëqeshur të saj.

“Arzana e ka dashtë shumë muzikën, asaj i ka pëlqy me vallëzu me këngët e Shakirës, ajo e ka pasur vallëzimin më të bukur, ka vallëzuar me shpirt. Ajo nuk ka qenë vetëm një artiste, ajo ka qenë shumë e veçantë. Ajo ka pasur një shprehi, në çdo fletë që ka pasur përpara ajo ka vizatuar një pemë me disa gjethe, dje kur ne ja dhamë lamtumirën Arzanës, e pamë që Arzana e kish gjet pemën e saj”, përfundoi mes lotësh fjalën e saj Radogoshi.

Një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Arzanës ka qenë edhe aktori Shkumbin Istrefi. Ata punuan bashkë për 10 vite te “Kafeneja jonë” e për të vazhduar bashkëpunimin edhe tek filmi “Fusha e Mëllenjave”. Istrefi e kishte shumë të vështirë të flas për miken e tij. Në pamundësi t’i ndalte lotët ai shpesh pushonte për disa sekonda për të vazhduar prap të tregojë sa humbje e madhe është kjo e fundit.

“Arzana kërkonte vlerë dhe sukses çdokund. Mua personalisht ma ka dhuruar një rol jetësorë, rolin e Sylës në filmin e saj të mrekullueshëm “Fusha e Mëllenjave”. Përmes bashkëpunimit që kemi pasur kam arritur ta njoh më mirë”, ka thënë Istrefi duke vazhduar të përmednë disa nga vlerat e saj.

 “Arzana ishte e përkushtuar në punë në kohën kur kjo cilësi nuk vlerësohet, lexonte kur leximi konsiderohej humbje kohe, kërkonte dije kur dija nuk është në modë, ishte shok kur ky virtyt është shëndërruar në interes, insistonte në vlera edhe atëherë kur të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë, nuk bënte kompromis me vlerat por në fund bëri kompromis me jetën.”

Gjatë kësaj mbledhje u tha se Arzana ishte artiste që në thellësi të karakterit të saj modest dhe të heshtur vlonte nga revolta ndaj padrejtësive shoqërore që e nxiten të bëhet zëri i të heshturve. Fjalia e saj e fundit që ju mbeti njerëzve në mendje me rastin e premierës së filmit të saj “Fusha e Mëllenjave” në PriFest ishte: Na duhen më shumë idealist, na duhet zëri i tyre. Arzana ishte idealiste, kishte ideale për një botë më të drejtë, ku shemben padrejtësitë.

Krejt për fund, në emër të familjes, forcat për të thënë një fjalë i mblodhi motra e saj e vogël Gresa Kraja e cila me pak fjalë por e përmbledhur u shpreh falënderuese për të gjithë që po ndajnë dhimbjen me ta, ndërsa kërkoi që Arzana të kujtohet gjithmonë e buzëqeshur, duke vallëzuar e kënduar.

“Arzana ishte një shpirt i bardhë e cila na la fizikisht, por nuk do të na lërë kurr shpirti i saj. Ajo do të jetë gjithmonë me neve, e buzëqeshur, duke vallëzuar e kënduar dhe ashtu, vetëm ashtu duhet kujtuar, në asnjë rrethanë tjetër”, u shpreh Gresa duke falënderuar të gjithë në emër të familjes Kraja.

Për të përmbyllu këtë mbledhje, në një ekran të madh u shfaq puna e Arzanës që bëri për gjithë këto vite në fushën e kinematografisë. Fryma e saj artistike e fuqia e të bërit art folën për pak minuta me të pranishmit të cilët ishin zhytur në lot.

Kraja ishte regjisore e filmit dhe e televizionit. Studimet i kishte përfunduar në Degën e Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ishte regjisore, asistente e regjisë e producente në disa televizione e produksione vendore. Ishte njëra ndër themelueset dhe udhëheqëse e departamentit të filmit në festivalin ndërkombëtar studentor për film dhe teatër, “Skena UP”, nga vitit 2002 deri më 2007.

Kraja është autore e tetë filmave të shkurtër, midis tyre “Kulla e sahatit”, “Shkurta”, e tre filmave dokumentarë, midis tyre, “Përmes syve të mi” e “Kosova ime”. Në korrikun e këtij viti filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë artistik, “Fusha e mëllenjave”, ishte dhënë premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest” në Prishtinë. Bashkë me Shkumbin Istrefin ishin regjisorë të serialit “Kafeneja jonë”.

Vdekja e saj është përshkruar si një humbje e madhe për kinematografinë e Kosovës. / KultPlus.com

I jepet lamtumira e fundit Arzana Krajës

Sot në orën 14:00 në varrezat e kryeqytetit u bë varrimi i regjisores Arzana Kraja.

Qindra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisores së njohur.

Familjarët kanë njoftuar poashtu se dyert e familjes do të jenë të hapura për ngushëllime në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im, shkruan rtv21.tv

Regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave” është gjetur e vdekur dje në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë./KultPlus.com

“Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë” (VIDEO)

Arilena Ara është këngëtarja e re që arriti të depërtojë shpejtë në skenën muzikore, ndërsa hovin e suksesit e arriti pikërisht me këngën “Nëntori”, me të cilën u paraqit në festivalin “Kënga magjike”, shkruan KultPlus.

Kënga që në çdo tingull e fjalë shpalosë ndjenjën e këngëtares, arriti të prek shpejtë publikun veçmas ata që ky muaj u ka lënë një boshllëk. Këtë baladë këngëtarja Ara ia kushtoi babait të saj. Pasi që kënga u mirëprit nga publiku, këngëtarja Arilena Ara shumë shpejtë e realizoi një version edhe në gjuhën angleze ndërsa kënga e saj arriti shumë shpejtë të depërtojë edhe jashtë Kosovës.

Muzika dhe produksioni i kësaj këngë është punuar nga Darko Dimitrov kurse teksti është shkruar nga Lindon Berisha.

Arilena Ara është fituese e edicionit të dytë i “X Factor Albania”.

Më poshtë ju rikujtojmë këtë këngë me interpretimin fantastik të këngëtares Arilena Ara.

https://www.youtube.com/watch?v=-AKoKgVls54

Lotët më janë tharë
Buza mu bë varr
Dielli nuk më ngroh
Dielli nuk më ngroh

Dhimbje sa një mal
Zemra nuk ma fal
Ty më nuk të shoh
Ty më nuk të njoh

(Ref) Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë
Nëntori , ma mori mua dashurinë e parë!
Nuk e dua këtë muaj më në kalendar!
Nëntori , ma mori , u shua dhe ky zjarr , nëntoriiiii..

Ishin plot me zjarr
Muajt n’kalendar
Kur ishim ne bashkë , sa ishim ne bashkë

E lumtur duke qarë
Pas teje si e marrë
Gjithëve ua thashë , për ne të dy ua thashë

(Ref) Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë
Nëntori , ma mori mua dashurinë e parë
Nuk e dua këtë muaj më në kalendar
Nëntori , ma mori , u shua dhe ky zjarr

Nuk e dua më ktë muaj, nuk e dua më ktë muaj, nëntori, nëntori, nëntoriiiii..

(Bridge) Vitin më t’bukur shkatërroi
Vulën e hidhur shkaktoi
Ky muaj i gjori, t’gjitha mi mori
Në djall le të shkoi
Nëntoriiiiiii…..!

(Ref) Nuk e dua këtë muaj, nuk e dua këtë muaj, nëntori ,ma mori, nëntori..
Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë
Nëntori, ma mori mua dashurinë e parë
Nuk e dua këtë muaj, nuk e dua më ktë muaj
Nëntori, nëntori, nëntoriiiiii.. / KultPlus.com

Teatrot anulojnë shfaqjet për sonte në shenjë nderimi për vdekjen e Arzana Krajës

Teatri Kombëtar i Kosovës si dhe Teatri i Gjilanit i kanë anuluar shfaqjet e planifikuara për sonte teksa kanë shprehur ngushëllimet për vdekjen e regjisores Arzana Kraja.

Përndryshe, autori i shfaqjes që do të jepej sonte në Teatrin e Gjilanit ka qenë Mehmet Kraja, babai i regjisores tashmë të vdekur, Arzana Kraja.

Këtu keni njoftimin nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Të nderuar gazetarë dhe redaktorë të redaksive të kulturës,

Të pikëlluar thellë nga humbja e hershme e artistes Arzana Kraja, Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe artdashësve.
Në shenjë respekti ndaj familjes Kraja dhe komununitetit artistik TKK anulon shfaqjen e planifikuar për natën e sotme.
Sinqerisht,

Menagjmenti dhe stafi i TKK-se”.

Familjarët e të ndjerës kanë njoftuar se varrim do të mbahet nesër në orën 14:00 në varrezat e Dragodanit në Prishtinë. Për vdekjen e regjisores Kraja kanë shprehur ngushëllimet e tyre personalitetet më të larta shtetërore dhe ata të artit dhe kulturës në vend. / KultPlus.com


Telegram ngushëllimi i ministrit Gashi: Kontributi i Arzanës e ka sjellë artin në Kosovë në një dimension tjetër

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së regjisores Arzana Kraja.

E nderuara familja Kraja,

Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurës suaj, Arzanës, regjisores tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh.

Arzana u nda nga kjo jetë në moshë të re, por veprat që la pas janë të shumta dhe me vlerë. Krijimtaria dhe produktiviteti i saj do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin Arzana është angazhuar dhe kontributin që ajo ka dhënë në fushën e kinematografisë e ka sjellë artin në Kosovë në një dimension tjetër.

Me kontributin e saj, Arzana e ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre në botën e artit e të kulturës. Me punën e saj ka bërë që të ajo të jetë e vlerësuar dhe që ka vënë në lëvizje dhe ka nxitur të gjithë përreth saj që të punojnë sa më me vullnet. Me entuziazmin e saj, Arzana do të na sillte edhe vepra tjera përplot vlera por na iku nga kjo jetë para kohe.

Ndarja e hershme e Arzana Krajës është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e saj të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Arzana Krajës.

Sinqerisht,

Kujtim Gashi
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com


Artistët shprehen të pikëlluar për vdekjen e regjisores Arzana Kraja

Në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë, është gjetur sot e vdekur regjisorja e njohur Arzana Kraja. Lajmi për vdekjen i shokoi të gjithë, të pikëlluar thellë janë shprehur edhe miqtë e bashkëpunëtorët e saj, shkruan KultPlus.

Një numër i madh i artistëve kanë reaguar menjëherë në Facebook duke shprehur dhimbjen e tyre për këtë humbje.

Më poshtë po i sjellim reagimet e artistëve:

Eliza Hoxha: Ah bre Arzanë kaq heret? Ma këpute shpirtin. Ngushëllime familjes, kolegëve e miqëve.

Aktori Kushtrim Sheremti: Arzana bre!!!! Pse breeee.

Skenaristja Getoarbë Molliqi Bojaj: Arzane, s’po muj me e besu! Të pastë dritë shpirti.

Aktori Naser Rafuna: Ndarja jote prej nesh Arzana Kraja,na shokoj. Fort fort fooort u mërzita per kolegen, shoqen e pashembullt, njeriun qe kemi punu disa projekte bashke. Nuk shkaterrohet bota ndryshe perpos me largimin e njerezve te mire prej nesh. Familjes Kraja ngushellime, komunitetit artistik gjithashtu e edhe tere popullit sepse ne mesin tonë nuk eshtë një artiste e madhe.

Regjisori Besim Ugzmajli: Nje lajm teper i tmerrshem, i pabesueshem. Prehu ne paqe Arzana! Ngushellime familjes Kraja dhe gjithe komunitetit.

Ilir Bokshi: Lamtumirë Arzanë!

Shkumbin Istrefi: Na shokove Arzane. U prehshe ne paqe. 😪

Alban Muja: Lajm trishtues ikja e hershme e Arzanes.
Ngushellime familjes Kraja!

Në muajin korrik, filmi i metrazhit të gjatë “Fusha e Mëllenjave”, me regji të Krajës hapi edicionin e 11-të të PriFest. Kujtojmë se Arzana Kraja është vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. / KultPlus.com

Vdekja e Arzana Krajës, Prokuroria e cilëson si rast të dyshimtë, trupi dërgohet për obduksion

Në mëngjesin e sotëm në lagjen “Kalabria” në Prishtinë është gjetur trupi i pa jetë i regjisores Arzana Kraja.

Policia e Kosovës ka dhënë njoftimin për gjetjen e trupit të pajetë, ndërkohë nga Qendra Kinematografike e Kosovës, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Arzana Krajën.

Në vendin e ngjarjes tashmë ka dalë edhe Prokuroria e cila ka konstatuar se ka vdekur një grua.

Për Gazetën Express zyrtar nga Prokuroria kanë treguar se rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë, ndërkohë me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

“Prokuroria ka dalë në vend të ngjarjes është konstatuar se ka vdekur një grua. Po cilësohet si rast i dyshimtë trupi është dërguar për obduksion me urdhër te prokurorit”, kanë thënë nga Prokuroria për Express.

Ndërkohë konfirmimin për vdekjen e kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.

“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pajetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhej në përgjigjen e policisë./GazetaExpress/ KultPlus.com

QKK të shokuar me vdekjen e regjisores Kraja: Angazhimi i saj në kinematografi ishte i jashtëzakonshëm

Para pak minutash u shpërnda lajmi se ka vdekur regjisorja Arzana Kraja, vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Të shokuar për këtë lajm kanë mbetur të gjithë e sidomos ata që e njohën nga afër e punuan bashkë.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka reaguar menjëherë duke u shprehur të shokuar. Ata kanë vlerësuar angazhimin e saj në kinematografi si dhe kanë shprehur ngushëllime për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i sajë në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm! Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve!”.

Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e një vajze në lagjen “Kalabria”.

“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pa jetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësit policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Kraja, ishte regjisore e filmit “Fusha e mëllenjave”, që shënoi edhe hapjen e edicionit të 11 të PriFest. / KultPlus.com

Gjendet e vdekur regjisorja Arzana Kraja

Ka vdekur regjisorja Arzana Kraja, vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Në një përgjigje për Koha.net nga Policia e Kosovës, konfirmohet vdekja e një vajze në lagjen “Kalabria” në kryeqytet, por burime të Koha.net tregojnë se bëhet fjalë për regjisoren Kraja.

“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pa jetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësit policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Kraja, ishte regjisore e filmit “Fusha e mëllenjave”, që shënoi edhe hapjen e edicionit të 11 të PriFest. / KultPlus.com

“Fusha e Mëllenjave”, tregimi i pamundësisë, tradhëtisë dhe kokave të larta të pasluftës

Ai është i vetmi që nuk ka folur. I vetmi prej shokëve të luftës që e pëson me tredhje, i vetmi që nuk mund të ketë fëmijë, i vetmi që e pati një fëmijë por të cilin ia mbytën.

Personazhi kryesor kthehet prej Londrës në Prishtinë, për ta kuptuar se sa shuplakë të fortë i ka dhënë jeta. Ish i burgosur politik, ai kthehet në Kosovë për të hapur dosjen e tij dhe shokëve, sepse dhimbjet e tij janë të forta – të ditëpërditshme.

Histori edhe më e thellë trajtohet në filmin “Fusha e mëllenjave” me regji nga Arzana Kraja, i cili mbrëmë hapi edicionin e 11-të të PriFest në kryeqytet.

Është mbajtur sot edhe konferenca e filmit i cili erdhi mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin regjisorja Arzana Kraja, producenti Besnik Krapi, aktorët Shkumbin Istrefi, Irena Cahani dhe Xhevdet Doda.

Sipas regjisores Arzana Kraja filmi, ka marrë kritika mjaft të mira, kritika të cilat regjisorja nuk i kishte pritur. Ajo tha se është ndarë shumë e kënaqur me gjithçka, si me kritikat, me punën e realizuar nga stafi e veçanërisht me punën e aktorëve.

Producenti i filmit – Besnik Krapi tregoi për punën e vështirë dhe kohën që ka marrë filmi. Disa pjesë të filmit janë xhiruar në Angli e disa prej tyre në Kosovë. Duke qenë se ky është filmi i parë i Besnikut si producent, ai deklaroi të jetë shumë i kënaqur me punën dhe realizimin në tërësi.

Ngjarja e filmit nuk është e bazuar në ngjarje të vërtetë, mirëpo e inspiruar nga mijëra ngjarje të ngjashme me atë të filmit.

Regjisorja Kraja tregoi se dajtë e saj ishin të burgosur politik dhe se ajo fëmijërinë e ka kaluar duke dëgjuar të tilla skenare si ajo i trajtuar në filmin e metrazhit të gjatë.

Irena Cahani, e cila në film luan një grua amvise, mjaft llafazane, tha se është kënaqur shumë me një rol të tillë sepse për të rolet e tilla nuk janë shumë të zakonshme. Ajo për filmin u shpreh se është një rrëfim që të rrëmben dhe nuk të lë të shkëputesh as edhe një moment prej tij. Dhe më pas si me shaka tha: “Këtë film është mirë me ardhë me pa politikanët tanë”.

Sa për ironi, në sallën ku u dha premiera ishte Ramush Haradinaj – një prej emrave më të lakuar të spektrit politik në vend.

Shkumbin Istrefi, i cili ishte edhe personazhi kryesor i këtij filmi pohoi se nuk ka qenë aspak e lehtë realizimi i personazhit, shkruan KultPlus.

Beqa, është një personazh kompleks, introvert.

Beqa më shumë kthehet për tu ballafaquar me shokët e tij sesa të informohet rreth shtatzënisë së ish të dashurës. Shkumbin Istrefi, poashtu tha se ka pasur dilemat e veta se “a jam i duhuri për këtë rol”, mirëpo falë ndikimit të producentit dhe regjisores, realizimi i personazhit u bë më i lehtë.

Tradhëtia, mohimi, trishtimi, gënjeshtra, të gjitha këto përnjëherë i përplasen në fytyrë Beqës i cili kthehet në Kosovë për të zbuluar disa të vërteta që kanë të bëjnë me jetën e tij intime dhe më pas ndeshet me të vërteta krejtësisht të tjera që kanë të bëjnë me jetën e tij si i burgosur politik, të vërteta këto që ai i ka shtypur thellë në vete pa dashur t’i pranojë. Në fund fare personazhi mbetet buzë greminës, dhe sipas regjisores kjo ndodhë sepse ajo ka dëshiruar që shikuesi të vendosë se çfarë ndodh me fatin e personazhit, vazhdon të jetoj apo i jep fund jetës në atë moment.

“Filmi do të jetë pjesë e shumë festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi krejt për fund producenti Besnik Krapi./ KultPlus.com

Sonte, premiera e filmit artistik “Fusha e mëllenjave”

Një tjetër premierë i vjen ekraneve shqipfolëse.

“Fusha e mëllenjave” me skenar dhe regji të Arzana Krajës, do të hapë zyrtarisht edicionin e 11-të të PriFest, sot, më 16 korrik, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Filmi “Fusha e mëllenjave” është prodhim i shtëpisë kinematografike Circle Production (Kosovë – Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production (Shqipëri-Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Në rolet kryesore janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.

Syla, një ish-i burgosur politik, kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij. / KultPlus.com

Pesë filma të Kosovës janë prezantuar para selektorëve të Berlinales

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar janë prezantuar para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Mbetet të shihet se nëse ndonjë nga këta filma mund të shfaqet edhe premierë në këtë festival prestigjioz./KultPlus.com

Pesë filma të Kosovës po synojnë Berlinalen

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar do të prezantohen para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Arben Zharku, drejtor i QKK-së ka thënë për KultPlus se filmat do të prezantohen para selektorëve në mes datave 15-17 nëntor në Shkup.

“Jemi shumë të lumtur që kemi kaq numër të madh të filmave të metrazhit të gjatë dhe me kualitet të lartë dhe poashtu me produksion të cilësisë së lartë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë rrugëtimin nëpër festivale ndërkombëtare”, ka thënë Zharku për këto projekte filmike.

Zharku ka njoftuar se filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj. /KultPlus.com