Asambleja e Përgjithshme e OKB në mbledhje urgjente pas agresionit rus në Ukrainë

Mbledhja urgjente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së ka nisur me një minutë heshtje. Në fjalën hyrëse Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Abdulla Shahid nga Maldivet ka përsëritur thirrjen për armëpushim të menjëhershëm.

Ai u ka bërë thirrje palëve që të shfrytëzojnë mundësinë e rrallë për dialog dhe që në mnëyrë kuptimplotë dhe me shpejtësi ta deskalojnë situatën.

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme mbahet  pas vendimit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), që dje miratoi projekt-rezolutën për  seancë të jashtëzakonshme për çështjen e Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ku do të marrin pjesë 193 vende anëtare.

Projekt-rezoluta e paraqitur nga SHBA-ja dhe Shqipëria, u miratua me votën “pro” të 11 nga 15 anëtarët, ndërkohë që Rusia ishte vendi i vetëm që ishte “kundër”. Ndërsa kanë abstenuar Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Takimet e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme në OKB zhvillohen me kërkesën e të paktën 9 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ose me shumicë votash një më shumë se gjysma e shteteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Pesë anëtarët e përhershëm (Rusia, SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Kina) që kanë të drejtën e vetos në rezolutat e Këshillit të Sigurimit, nuk mund të përdorin të drejtën e vetos rreth kërkesës për një mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme.

Pas miratimit të projekt-rezolutës në fjalë nga KS-OKB-ja, nesër do të zhvillohet takimi i jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme me 193 anëtarë. Në bisedimet e Asamblesë së Përgjithshme pritet të dënohen sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës dhe të votohet një projekt-rezolutë ku do të bëhet thirrje për t’i dhënë fund menjëherë pushtimit. / KultPlus.com

Sot shënohet dita ndërkombëtare e arsimit

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. 

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, në shenjë kremtimi të rolit të arsimit për paqen dhe zhvillimin.

Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.

Pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe mundësi jetësore për të gjithë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur. /KultPlus.com