Festivali folklorik “Hasi Jehon” është listuar si aset i mbrojtur në kategorinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore. Në vendimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, thuhet se festivali “Hasi Jehon”, është institucion unik i ruajtjes, prezantimit, bartjes dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptarëve.
“Festivali shërben si një shkollë edukative për ruajtjen, bartjen e promovimin e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të gjeneratave të reja”, thuhet në vendim.
Organizatorëve të festivalit vendimin ia dorëzoi, Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, në natën e tretë të edicionit të 33-të të festivalit “Hasi Jehon”.
Drejtori i festivalit “Hasi Jehon”, Haziz Hodaj, shprehu kënaqësinë për këtë arritje të festivalit, të cilin ai ka organizuar dhe drejtuar për shumë vjet. Këtë arritje ai ua dedikoi themeluesve dhe të gjithë kontribuesve që prej themelimit të SHKA “Malësori”, që është nikoqire e festivalit, tha Hodaj. Ai tha se festivali do të shërbejë si një qendër edukative, ku do të edukohen të rinjtë për të bartur në brezan trashëgiminë kulturore e shpirtërore shqiptare.
Festivali folklorik “Hasi Jehon” është themeluar më 1976 nga Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori” dhe të rinjtë e fshatit Gjonaj, të Prizrenit. Në dy dekadat e fundit festivali është zgjeruar me aktivitete të shumta dhe ka marrë karakter kombëtar, ku marrin pjesë shumë grupe artistike nga të gjitha viset shqiptare.
“Hasi Jehon” ruan dhe kultivon:paraqitjet burimore dhe koreografi profesionale, vallet autentike, burimore shqiptare, këngë popullore e folklorike, kostume e veshje tradicionale të të gjitha trevave shqiptare, lojëra popullore, ritet e ceremonitë tradicionale, instrumentet muzikore, etj. /rtklive /KultPlus.com