Në Ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë janë zhvilluar takimet midis redaksive të ngritura për “Enciklopedinë shqiptare” në Shqipëri dhe në Kosovë.
Siç është rënë dakord në redaksinë qendrore, të gjitha mbledhjet dhe takimet e redaksive, të të tre niveleve, për gjashtëmujorin e parë, do të zhvillohen në Tiranë. Në pjesën e dytë të vitit në Kosovë.
Në takimet mes redaksive në fushën e arkeologjisë (lashtësia), gjuhësisë, letërsisë, trashëgimi e identitet dhe artet skenike e pamore, u shkëmbyen informacion për fjalësin paraprak të propozuar prej tyre, për përsëritjet e mundshme dhe shmangien e tyre, për zbatimin e kritereve praktike në përzgjedhjen e parë dhe për proceset e detyrat në vijim.
Gjatë kësaj periudhe nga redaksitë duhet të nxirren e të njoftohen të dhënat për numrin tërësor të fjalësit në gjendjen e tanishme, për peshën (vendin) që zë fjalësi i çdo redaksie në kuadër të së tërës. Deri në fund të qershorit redaksitë e së njëjtës fushë duhet të kenë arritur në stabilizimin e një fjalësi të përbashkët për gjithë hapësirën shqiptare. Për këtë bashkërisht duhet të hiqen nga fjalësi njësitë e përsëritura dhe duhet bërë përzgjedhja për një përfaqësim relativ sa më objektiv të çdo fushe.
U dakordësua që fjalësi i përgatitur nga redaksia e posaçme e trashëgimisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duhet të njihet nga redaksitë e fushave dhe të bëhet pjesë e listës së tyre sipas përkatësisë.
Redaksitë e fushave dhe të grupfushave gjatë kësaj periudhe do të formulojnë e propozojnë kritere ndihmëse e plotësuese dhe hartojnë artikuj ilustrues (shembuj për të gjitha madhësitë e tyre, duke ndjekur strukturën e artikujve të përgatitur nga redaksia qendrore)./atsh/ KultPlus.com
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të organizojë “Javën e Arkivit të Hapur”.
“Gjatë ‘Javës së Arkivit Hapur’, AShAK do të hapë dyert për publikun, me ç ‘rast të interesuarit kanë mundësinë të shohin për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në mjediset e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që gjendet në AShAK”, thuhet në njoftim.
Ambientet që do të mund të vizitohen janë salla e leximit, njësia e Rregullimit dhe përpunimit të lëndës arkivore, njësia e Mikrofilmimit dhe Digjitalizimit, njësia e Restaurimit/Konservimit, depo dhe biblioteka.
Hapja e “Javës së Arkivit Hapur” do të bëhet më 18 mars dhe do të zgjasë deri më 22 mars./rtk/KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka reaguar pas sulmit të grupeve kriminale serbe në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku, përcjell KultPlus.
Në reagimin në faqen zyrtare në Facebook, ASHAK dënon këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Në vijim gjeni postimin e plotë të Akademisë së Shkencave:
Reagim i Akademisë për zhvillimet e fundit në Kosovë
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kryesia e saj, është duke ndjekur me shqetësim ngjarjet më të fundit në veriun e Kosovës. Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare. I dënojmë me ndjenjën më të fuqishme të revoltës dhe indinjatës këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kundër rendit të saj kushtetues. Ne kemi tërhequr vërejtjen me shumë se një herë, se Serbia është kthyer në faktorin kryesor destabilizues të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. “Bota serbe”, versioni ballkanik i “botës ruse”, nga një program nacionalist i institucioneve akademike është kthyer tashmë në kredo politike dhe ideologjike të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrëse të Serbisë. Jemi po ashtu të shqetësuar që një akt terrorist, siç është ky i fundit, synohet të përdoret si pretekst nga qarqe arriviste shqiptare, për të “ridizajnuar” historinë, tashmë të përmbyllur, të themelimit të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ndihemi të prekur nga humbja e jetës së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Bashkëndjejmë me të afërmit dhe familjen e të ndjerit dhe përulemi para sakrificës dhe ndjenjës së përgjegjësisë të çdo mbrojtësi të rënë për liri dhe sovranitet.
Kosova dje mbeti pa një prej figurave më të rëndësishme të kombit. Akademikja, arkeologia, historiania, poetja e profesoresha Edi Shukriu sot “u përshëndet” për herë të fundit me familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e deshën e e respektuan për veprimtarinë e pazëvendësueshme e për njeriun që ishte, shkruan KultPlus.
Vendi ku ajo ka kaluar shumë ditë të jetës së saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u bë hapësira ku për herë të fundit po mirëpriste Edin Shukriu.
Një intelektuale, arkeologe dhe historiane e njohur, Edi Shukriu dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arkeologjisë nëpërmjet kërkimit të saj novator dhe botimeve të shumta. Ajo u respektua gjerësisht për ekspertizën e saj në qytetërimet e lashta dhe përkushtimin e saj në ruajtjen e vendeve dhe objekteve historike.
Puna e madhe dhe përkushtimi, Edin e çoi në shumë vende të botës, ku kontribuoi në fusha të ndryshme. Ajo ishte një mësuese dhe mentore e përkushtuar për shumë studentë dhe arkeologë të rinj, të cilëve do t’u mungojë shumë udhëzimi dhe mençuria e saj.
Vdekja e Edi Shukriut është një humbje e madhe për komunitetin akademik dhe për botën e arkeologjisë, dhe jo vetëm. Ajo do të mbahet mend si një studiuese e shkëlqyer dhe një avokate e pasionuar për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Për të nderuar veprën e saj, AShAK sot mbajti mbledhje komemorative në nderim të kësaj figurë të rëndësishme dhe më pas po në këto ambiente u mbajtën edhe homazhe.
Salla ishte mbushur përplot më akademikë, familjarë, miq e artistë që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Edi Shukriut.
Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja mori fjalën para të pranishmëve i cili tha se kujtimi për Shukriun do të jetë i përhershëm, duke shtuar se ajo do t’u mungojë të gjithëve.
“Edi Shukriu do të lë një vend të zbrazët. Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe, historiane të shkëlqyeshme, profesoreshë universitare e poete. Edi do t’u mungojë të gjithëve edhe atyre që e deshën dhe atyre që nuk e deshën. Por të jetojë mes nesh respekti dhe vepra e saj”, u shpreh Kraja.
Pas Krajës, fjalën e mori Gjyljeta Mushkolaj – sekretare e seksionit të Shkencave Shoqërore e cila u shpreh se me dhimbje dhe pikëllim të madh janë mbledhur për të kujtuar veprën e gruas të parë të Akademisë së Shkencave.
Biografia e gjatë dhe e jashtëzakonshme për Edi Shukriun u dëgjua me vëmendje nga të pranishmit e të jepte përshtypjen se po flitej për veprimtarinë e një grupi njerëzish e jo për një grua të vetme që kontributi i saj në shumë sfera e bëjnë një figurë unike.
Për të folur për një aspekt tjetër të Edit, tutje fjalën e mori Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, e cila në emër të familjes tha se ndihen të nderuar me pjesëmarrjen e kaq shumë miqve në përkujtimin e saj.
“Faleminderit që jeni sot këtu të ndani dhimbjen me ne. Falënderoj Akademinë dhe të gjithë ata që po e bëjmë këtë ditë më të lehtë për ne. Për veprimtarinë shkencore dhe profesionale të Edit, për përkushtimin e saj në fushën e arkeologjisë e të historisë, folën kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj. Si për të gjithë shoqërinë, edhe për ne, Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj. Përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëfortë për emancipim e barazi, mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive”, u shpreh Valtida.
Pas këtyre fjalëve, të pranishmit u shpërndanë e shumë prej tyre po prisnin në ambientet e Akademisë për të bërë homazhe të cilat prisnin të fillonin pas pak. Gjatë këtyre minutave, për KultPlus ndau disa fjalë edhe politikania e njohur Edita Tahiri, njëherit mike dhe bashkëpunëtore e ngushtë me Edi Shukriun.
“Edi Shukriu ishte dhe mbetet ikonë e kombit shqiptar. Gjithë veprimtarinë ka synuar cilësinë prandaj edhe ka shkëlqyer në çdo aspekt, si atë kombëtar, akademikë, politik, diplomatik e letrar. Ishte një luftëtare e vendosur, jo vetëm patriote, ishte një shtyllë e lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe pavarësi. Unë e kisha mike të madhe të jetës por edhe bashkëpunëtore në të gjitha angazhimet e mija. Njihet edhe për luftën e saj për barazi gjinore. Në fund dua të them se Edi do të jetë udhërrëfyese për të gjithë gjeneratat e ardhshme. Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, ajo ka lënë trashëgimi dhe gjeneratat e reja do të frymëzohen dhe do të marrin shembuj nga veprimtaria e saj”, u shpreh Tahiri.
Ndërkohë Don Lush Gjergji e vlerëson humbje të madhe vdekjen e Edi Shukriut, një grua shumëdimensionale e cila la gjurmë në shumë fusha, shpesh herë duke qenë edhe nismëtare e themelimit të disa prej institucioneve kulturore e shkencore, sikurse edhe nismëtare e shumë kauzave.
“Është humbje e madhe, po na ikin njerëz të mëdhenj, një brez po na shkon, e me këtë humbje po na shkëputet edhe zinxhiri. Më e keqja që hallkat e këtij zinxhiri nuk po kem kujt t’ia dorëzojmë, na kanë mbet hallkat në dorë”, tha Gjergji.
Kur homazhet nisën, ambientet e Akademisë së Shkencave ishin përplot njerëz që kishin ardhur ta nderojnë figurën e Edi Shukriut. Nën shoqërimin e tingujve muzikorë dhe leximin e poezive, Edit po i jepej lamtumira e fundit e dhimbja po vërehej në secilën fytyrë që dilte nga salla.
Edi Shukriu vdiq të martën në moshën 73 vjeçare, përderisa varrimi do të bëhet sot, e mërkure në varrezat në Prizren. / KultPlus.com
Më 20 dhjetor të vitit 1975 u themelua, në Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK).
ASHAK është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që e ushtron veprimtarinë e saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike. Akademia përbëhet nga tri organe kryesore nga Kuvendi, Kryesia dhe Kryetari. Ndër to organi më i lartë është Kuvendi i Akademisë dhe përbëhet nga të gjithë anëtarët e rregullt dhe korrespondentë të saj.
Kryetari aktual i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është akad. Mehmet Kraja.
Akademia ka anëtarë të rregullt, anëtarë korrespondentë dhe anëtarë të jashtëm. Shkencëtarët që bartin titullin akademik janë anëtarë të përjetshëm.
Akademia e Shkencave e Kosovës në fillim kishte anëtarë të të gjitha komuniteteve që vepronin dhe jetonin në Kosovë, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj. Në prill të vitit 1989 u ndërpre financimi i veprimtarisë së Akademisë me “arsyetim” se nuk i përmbushte standardet jugosllave dhe se me angazhimet e saj publike e rëndonte rendin kushtetues të ish-Jugosllavisë. Së pari ASHAK doli me Deklaratën Kushtetuese, pastaj doli në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Kosovë, sidomos të shqiptarëve në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe përkrahu referendumin për pavarësi, intensifikoi bashkëpunimin me Akademinë e Shqipërisë, etj.
Në vitin 1992 Kuvendi i Serbisë, edhe pse nuk ishte themelues i kësaj Akademie, shpalli të mbyllur ASHAK-un. Anëtarët e kësaj Akademie nuk e përfillën vendimin e Serbisë dhe vazhduan punën në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme derisa në vitin 1994 policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut duke e përdorur atë për qëllime të tjera.
Gjatë viteve jashtë objektit, Akademia e vazhdoi punën e rregullt, duke publikuar revista e publikime të tjera shkencore e shoqërore. /KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të hapin më 15 dhjetor, ora 12:00, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ekspozitën retrospektive “Rrugëtimi i abetares shqip 1844 – 1942”, shkruan KultPlus.
Për herë të parë, kjo ekspozitë sjell në Prishtinë ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve, që ruhen si një trashëgimi e vyer në fondin arkivor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, duke shërbyer edhe si një kujtesë e kontributeve në botimin e abetareve të gjuhës shqipe të personaliteteve dhe figurave të shquara të kombit.
Ato mbajnë për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin e vijuar me Kostandin Kristoforidhin, Anastas Kulluriotin, Sami Frashërin, Jeronim de Radën, Luigj Gurakuqin, Nikolla Lakon, Mati Logorecin, Ndre Mjedën, Jani Vreton, Pashko Vasën, Ndoc Nikajn, Parashqevi Qiriazin, Aleksandër Xhuvanin, Ndue Palucën etj., të cilët duhet t’i kujtojmë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Kjo ekspozitë sjell rreth 100 vite rrugëtim të abetares shqip, duke nisur nga abetarja e parë e gjuhës shqipe e njohur gjer më sot, ajo e Naum Veqilharxhit më 1844-n, që mendohet të jetë botuar në Bukuresht ose Brail, Rumani dhe shkuar deri në vitin 1942 me abetaret toskërisht e gegënisht, botuar nga Ministria e Arsimit në Firence. Shumica e abetareve të ekspozuara janë shtypur jashtë vendit, çka reflekton edhe situatën e vështirë që ekzistonte në Shqipëri dhe vështirësitë në rrugëtimin e lëvrimin, njohjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Këto abetare janë shtypur në Bukuresht, Konstancë, Athinë, Selanik, Bruksel, Firence, Milano, Vjenë, Paris, Stamboll, Sofje etj. Ndërkohë që abetarja e parë e shtypur në vend është ajo e Shoqërisë “Bashkimi”, shtypur në Shkodër më 1899-n. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi, organizojnë promovimin e kolanës prej 11 vëllimesh “Thesar kombëtar – zëri intelektual dhe krijues i mërgatës shqiptare në Suedi”. Aktiviteti do të zhvillohet fizikisht dhe online në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, 15 korrik 2022, ora 18.00
Pjesëmarrës do të jenë akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi (SHSHASHS).
Mes kumtuesve do të jenë Bedri Islami, “Thesar shqiptar” – kronikë e jetës së shqiptarëve mërgimtarë në Suedi e në vendet nordike, Jolanda Lila, “Thesar shqiptar” – tribunë e mendimit atdhetar dje e sot, Fetah Bahtiri, “Thesar shqiptar”, një urë midis dy kulturave: albanologu, përkthyesi dhe miku suedez i shqiptarëve Ullmar Qvick, Viron Kona, “Thesar shqiptar” si tribunë krijimtarie letrare; Shaban Sinani, Kërkim dhe dije në periodikun “Thesar kombëtar” dhe Osman Ahmetgjekaj, Arsimi kombëtar në Suedi në faqet e tribunës “Thesar shqiptar”. Aktiviteti mund të ndiqet edhe online në platformën ZOOM në linkun:
Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), në kuadër të vitit jubilar të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) do ë organizojnë në datat 22-24 prill për herë të parë Panairin Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor.
“Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor” zhvillohet për herë të parë këtë vit, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Panairi do të zhvillohet në mënyrë të alternuar, një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi zhvillohet në periudhën 22-24 prill, kohë në të cilën festohet Dita Botërore e Poezisë dhe Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare” thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë organizuar mbajtjen e një sesioni shkencor ditën e sotme, më 7 mars 2022, në mjedisit e institucionit tjetër bashkëpunëtor, Institutit Albanologjik të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Në punimet e këtij sesioni të zhvilluara nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, morën pjesë dhe kumtuan 25 studiues dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Fjala e rastit u mbajt nga Prof. dr. Lulëzim Lajçi.
Në mesin e referuesve qenë krerët e dy institucioneve arkivore shqipfolëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, i cili kumtoi mbi organizimin e shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova, si edhe homologu i tij nga Kosova, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, që foli lidhur me sprovat e UÇK-së. Në radhët e pjesëmarrësve, u prezantuan me kumtesa edhe Prof. Dr. Paskal Milo, akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Asoc. Dr. Maringlen Kasmi, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti etj.
Në përmbyllje të sesionit, u lexua Deklarata e përbashkët e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, prej institucioneve arkivore, përgjegjëse për ruajtjen, administrimin dhe shërbimin e materialeve dokumentareve rreth të kaluarës historike të trojeve shqiptare. Në këtë dokument, datimi i të cilit përkon me 23-vjetorin e krijimi të UÇK-së, shprehej vlerësimi për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës e ka lëshuar një deklaratë për ta tërhequr vëmendjen e vendorëve dhe ndërkombëtarëve se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor po reciklohen. ASHAK konsideron se Serbia po ofron perspektiva të errëta për rajonin dhe se situata mund të përshkallëzohet në ditët dhe muajt e ardhshëm.
ASHAK sheh se politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor së fundi kanë njohur përshkallëzim më të madh dhe janë bërë më agresive.
Sipas Akademisë, Serbia vazhdon ta zbatojë strategjinë e mbështetjes te Rusia dhe Kina për nitjen e konflikteve ndëretnike. Në këtë sens, ASHAK sjell në vëmendje deklaratën e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili kishte thënë se “bota serbe” në të vërtetë është “bota ruse”.
“Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet e këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe të një qëndrimi më të prerë ndaj Rusisë, pas shfaqjes së krizës së Ukrainës; duke shfrytëzuar edhe ambientin e pavolitshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor së fundi kanë njohur përshkallëzim më të madh dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar, në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia dhe Kina”, thuhet në deklaratën e ASHAK.
Rrezikun e ndikimeve politike të financuara nga Rusia dhe Kina, Akademia e sheh edhe në projektin e përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të quajtur “Ballkani i Hapur”.
“Në këtë kontekst duhet parë edhe nismat e Serbisë për “mini-Shengenin” dhe projektin “Ballkani i hapur”, si obstruksion i hapur ndaj BE-së dhe si hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, duke fuqizuar rolin e Serbisë në rajon dhe duke anashkaluar Kosovën në të gjitha proceset rajonale”, thuhet në deklaratën e ASHAK.
Gjykata Speciale është formuar për ta vendosur shenjën e barazimin midis agresorit dhe viktimës, thotë ASHAK.
“Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me Gjykatën Speciale synon të japë mesazhin se lufta në Kosovë ka qenë konflikt ndëretnik dhe se palët ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën, perceptim ky eurocentrist dhe arrogant.”
ASHAK vlerëson se Perëndimi ka pasur sjellje të gabuar ndaj Serbisë që prej rënies së Sllobodan Millosheviqit.
“Akademia konstaton se situata e tanishme në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, do të duhej ta nxiste Perëndimin të formulonte një strategji më të qartë kundrejt Serbisë, ndaj synimeve të saj destabilizuese dhe të aleancave të saj me Rusinë dhe Kinën. Akademia gjithashtu konsideron se një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të jetë afrimi i shteteve të veçanta me BE-në dhe NATO-n”, thuhet në deklaratën e ASHAK.
Deklarata e plotë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës:
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e sheh të arsyeshme që përmes kësaj deklarate t’ia tërheqë vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, duke krijuar një vazhdimësi të politikave të hershme të Serbisë ndaj Kosovës. Perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin mund të njohin përshkallëzim në ditët dhe muajt e ardhshëm, sepse shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar e demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha.
Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet e këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe të një qëndrimi më të prerë ndaj Rusisë, pas shfaqjes së krizës së Ukrainës; duke shfrytëzuar edhe ambientin e pavolitshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor së fundi kanë njohur përshkallëzim më të madh dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar, në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia dhe Kina.
Eskalimi i situatës para disa muajve në veriun e Kosovës e ka bërë të domosdoshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare një rikthim të vëmendjes tek sinjalet e qarta që jep Serbia, për të rindezur një konflikt të ri me Kosovën. Gjendja edhe më tej vazhdon të jetë e ngarkuar me retorikën luftënxitëse të Beogradit, me agjenda dhe premtime nacionaliste të liderëve serbë, me shqetësime rajonale në Republika Srspka në Bosnjë dhe në Mal të Zi, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe me një trysni të fortë të Rusisë për shkak të pranisë së NATO-s në Ukrainë dhe të një mori faktorësh të tjerë ndërkombëtarë.
Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, qoftë me retorikë nacionaliste apo me vringëllimë armësh, kanë synime krejtësisht të qarta: i) t’i sigurojnë pushtet një klase politike nacionalistësh të korruptuar; ii) të krijojnë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së; iii) të nxisin elementin nacionalist serb në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë për destabilizim të shteteve përkatëse; iv) të shtrijnë ndikimin e Serbisë në vendet që kanë qenë dikur sferë e saj e interesit; v) të faktorizojnë Serbinë në të gjitha agjendat ndërkombëtare, duke i siguruar asaj primatin e dhunshëm në krye të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Historikisht, Serbia është njëri nga shkaktarët kryesorë i gjithë prapambetjes ekonomike, shoqërore, infrastrukturore, arsimore dhe kulturore të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa aktualisht ajo është pengesa kryesore e avancimit të këtyre shteteve në reforma dhe në integrimet evropiane. Në Kosovë, Serbia është katalizator i të gjitha krizave politike, madje kuadri politik i brendshëm dhe i jashtëm, që aktualisht dikton profilizimet e spektrit politik të vendit.
Pas një përpjekjeje të gjatë dhe këmbëngulëse, e papenguar nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia ka arritur ta instrumentalizojë komunitetin serb në Bosnje dhe pakicën e kësaj popullsie në Mal të Zi dhe Kosovë. Ajo tashmë e ka fituar “të drejtën” për ta manipuluar politikisht këtë komunitet, për ta përdorur atë sipas interesave politike të Beogradit dhe Moskës. Faktorët politikë rajonalë dhe europianë e kanë kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të interesave të tyre strategjike, por gjithashtu është e qartë se këto koncesione kanë filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përreth tij.
*
Ndërkohë, elitat politike në Serbi, përfshirë Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, vazhdojnë me projeksionet e tyre nacionaliste. Pas “Memorandumit” të vitit 1986, i cili shkaktoi tragjedi të mëdha në hapësirat e ish-Jugosllavisë, Akademia Serbe, e paqortuar as nga ALLEA (Asociacioni i Akademive Europiane), më 2011 hartoi “Memorandumin 2”, përmes të cilit angazhohet për “mbështetje strategjike” të Serbisë te Rusia dhe Kina, si dhe për nxitjen e konflikteve ndëretnike në shtetet e rajonit, në mënyrë që përmes destabilizimit të tyre të arrijë t’i realizojë interesat serbomëdha. Ndërkohë, më 2017 është hartuar “Memorandumi 3” i Akademisë Serbe, i cili ka promovuar togfjalëshin hiperbolik “bota serbe”. Në esencë ky togfjalësh përmbledh atë që thotë diplomati amerikan Eskobar, se “bota serbe” në të vërtetë është “bota ruse”.
Në këtë kontekst duhet parë edhe nismat e Serbisë për “mini-Shengenin” dhe projektin “Ballkani i hapur”, si obstruksion i hapur ndaj BE-së dhe si hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, duke fuqizuar rolin e Serbisë në rajon dhe duke anashkaluar Kosovën në të gjitha proceset rajonale.
Akademia konsideron se nisma “Ballkani i hapur” është minim i “Procesit të Berlinit”, se bën izolimin politik të Kosovës dhe se do të ketë pasoja largvajtës për raportet e ardhshme mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Retorika nacionaliste e kreut politik të Shqipërisë për bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën etj., që gjoja përfshihen në projektin “Ballkani i hapur”, njësoj si diskutimi politikisht diletant në Kosovë për bashkim kombëtar, i shkojnë në favor politikës së Serbisë, duke e konsideruar “Serbinë e madhe” si pasojë logjike dhe kundërpeshë politike kundrejt “Shqipërisë së madhe” dhe duke vendosur shenjën e barazimit mes Kosovës dhe Republika Serpska, pavarësisht se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndara politike dhe historike.
Akademia gjithashtu konsideron se nisma “Ballkani i hapur” dhe boshti asimetrik Beograd-Shkup-Tiranë do të ndikojë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të mos jenë faktor relevant në politikat e brendshme dhe të e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e Shkupit po përpiqet ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën. Pranimi në NATO i Maqedonisë së Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por edhe si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit.
Më anë tjetër, pavarësisht se çështja e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare mori statusin e një çështjeje “sui generis”, pesë shtete të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia) ende mbeten këmbëngulëse në mosnjohje. Shtetet që përbënin “Grupin e Kontaktit” për Kosovën, nuk bënë trysni të mjaftueshme mbi këto shtete evropiane, sikundër që nuk ushtruan trysni mbi Serbinë, e cila vazhdon t’ua kërkojë hapur të gjitha shteteve të mos e njohin Kosovën, ose ta ç’njohin atë. Një sjellje e këtillë e Serbisë, agresive dhe bllokuese ndaj Kosovës, nuk mori përgjigje më eksplicite nga këto shtete, apo nga ato që u shprehen në mbështetje të pavarësisë. Për shkak të këtyre pesë shteteve dhe të vendimmarrjes koncensuale në forumet e BE-së, Kosova mbeti pa liberalizim të vizave dhe me negociata të prapambetura për integrim.
Gjatë kësaj periudhe, ndërkohë, BE-ja i bëri Serbisë favore të mëdha, duke hapur vazhdimisht kapituj të rinj të bisedimeve për integrim, duke e ndihmuar financiarisht, duke nxitur investimet dhe duke mos e ndëshkuar në asnjë formë për politikat e saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Kushtëzimi i BE-së se Serbia nuk mund të integrohet në BE pa njohjen e Kosovës, pak nga pak u zhvlerësua në fjalorin politik të diplomatëve europainë.
*
Akademia konsideron se në Bruksel, që më shumë se dhjetë vjet, zhvillohet një dialog jofrutdhënës mes Kosovës dhe Serbisë, i sponsorizuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja, i cili deri tani ka dhënë rezultate minimale. Kjo ka ndodhur për arsye se Serbia nuk bën asnjë koncesion për Kosovën, duke mos pranuar të shkojë një hap më tej se Rezoluta 1244 e OKB-së. Përkundrazi, ajo punon pareshtur që ta minojë shtetin e Kosovës, si në planin rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Për këtë arsye, një numër marrëveshjesh që janë arritur në Bruksel nuk kanë gjetur zbatim dhe shpesh kanë mbetur pa domethënie. Nga fundi i vitit 2012 janë arritur shtatë marrëveshje: lëvizja e lirë, menaxhimi i integruar i kufirit, regjistrat kadastralë, regjistrat civilë, përfaqësimi rajonal dhe njohja e diplomave, por në të gjitha këto raste Kosova i bën koncesione Serbisë: lëvizja e lirë me dokumente të UNMIK-ut, përfaqësimi rajonal bëhet me fusnotë Kosova-UNMIK, në vulat doganore nuk shkruhet Republika e Kosovës, ndërsa Kosova ka marrë nga Serbia vetëm kopjet e regjistrave civilë dhe atyre kadastralë.
Ndërkohë, në pranverën e vitit 2013 Kuvendi i Kosovës me një rezolutë “shprehu pëlqimin” që të nënshkruhet një marrëveshje të parimeve që rregullojnë marrëdhëniet me Serbinë. Më 27 qershor 2013 marrëveshja pesëmbëdhjetë pikëshe u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve, duke shkaktuar krizë të brendshme politike, ndërkaq Kuvendi i Serbisë e trajtoi atë si “informatë” dhe nuk e miratoi me votë parlamentare. Marrëveshja në tërësinë e saj trajton integrimin e komunitetit serb në Kosovë në këmbim të krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, i tillë siç u miratua në Kuvendin e Kosovës, ka kompetenca në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe planifikim hapësinor.
Për të tejkaluar situatën e krizës së brendshme që shkaktoi miratimi në Kuvendin e Kosovës i marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe, më 30 tetor 2015 ajo u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për interpretim të përputhshmërisë së parimeve të asociacionit më Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila konstatoi se “parimet e përgjithshme” të kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse asociacioni i komunave serbe do të merrte kompetenca ekzekutive, gjë që nuk e lejonte Kushtetuta. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bllokoi të gjitha përpjekjet e BE-së për të çuar përpara procesin e dialogut. Së fundi, duke e parë se kjo çështje nuk mund të marrë një zgjidhje të përshtatshme, përfaqësuesit e BE-së filluan të bëjnë trysni mbi Kosovën, për të ndryshuar Kushtetutën e saj. Kjo është një qasje joadekuate e strukturave të BE-së, meqë është e ditur se një asociacion i tillë do ta bënte Kosovën shtet jofunksional dhe do të krijonte “hapësirë kushtetuese” për autonomi territoriale të komunave serbe në Kosovë, përfshirë edhe ndarjen e saj.
Diplomacia e BE-së, ndërkaq, zhvilloi dialogun Kosovë-Serbi në dy paralele pothuajse të ndara: dialogun politik dhe dialogun teknik. Deri së fundi janë arritur mbi 30 marrëveshje, të cilat synojnë të zgjidhin disa çështje praktike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në shumicën e rasteve tekstet e marrëveshjeve janë konfuze, me ambiguitet kuptimor, me mundësi të ndryshme interpretimi, pa nënshkrime, pa numër protokolli, pa përmendur mes kujt arrihen, vetëm e vetëm që me këtë mënyrë të dialogut të pajtohet Serbia, e cila nuk pranon ta trajtojë Kosovën si subjekt të ndonjë marrëveshjeje, por vetëm si pjesë të shtetit, e ndarë “përkohësisht” me kufi administrativ, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. Edhe marrëveshja e fundit “për targat”, e bërë nën trysninë e Brukselit, ishte kompromis që bëri Kosova ndaj Serbisë, duke lejuar sërish shkeljen e sovranitetit dhe ndërhyrjen e Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës.
Përveç kësaj, edhe Rusia vazhdon trysninë e saj të pandërprerë mbi Brukselin. Siç e pohoi së fundi ministri i Jashtëm rus, Lavrov, Rusia ia përkujton BE-së “në mënyrë periodike”, se cilat janë detyrat e saj si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që Serbia të jetë palë e favorizuar në këto bisedime. Ai theksoi se asociacioni i komunave serbe në Kosovë “parashikoi dhënien e të drejtave autonome serbëve”, duke tërhequr me këtë rast një paralele ndërmjet kësaj marrëveshjeje dhe asaj të Minskut, e arritur me ndërmjetësimin e BE-së për republikat Donjecit dhe Luhanskut në Ukrainën lindore. Të dyja këto marrëveshje, thekson ai, kanë të bëjnë me të “drejtat e sllavëve, veçanërisht të ortodoksëve”.
Akademia gjithashtu ka konstatuar se Kosova është gjendur nën një presion të madh ndërkombëtar për të themeluar Gjykatën Speciale, e cila ka shumë kontradikta brenda saj dhe vendos shenjën e barazimit midis agresorit dhe viktimës. Kosovarët nuk mund ta perceptojnë Gjykatën Speciale “si funksionim adekuat i drejtësisë ndërkombëtare”, që i barazon krimet serbe (13 mijë të vrarë, rreth njëmijë fëmijë; mbi një mijë të zhdukur, kryesisht kufoma të bartura nëpër Serbi; numër i paditur i grave të dhunuara; spastrimi etnik me dëbimin e gjysmës së popullsisë së Kosovës; një pasuri e paçmuar e shkatërruar në sektorin publik dhe privat etj.) me dëmet kolaterale të palës tjetër. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me Gjykatën Speciale synon të japë mesazhin se lufta në Kosovë ka qenë konflikt ndëretnik dhe se palët ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën, perceptim ky eurocentrist dhe arrogant.
*
Akademia konstaton se situata e tanishme në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, do të duhej ta nxiste Perëndimin të formulonte një strategji më të qartë kundrejt Serbisë, ndaj synimeve të saj destabilizuese dhe të aleancave të saj me Rusinë dhe Kinën. Akademia gjithashtu konsideron se një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të jetë afrimi i shteteve të veçanta me BE-në dhe NATO-n.
Që nga rënia e Millosheviqit në vitin 2000, aleatët tanë perëndimorë (veçmas BE-ja), kanë bërë vlerësime të gabuara për hapat e Serbisë drejt Perëndimit, duke e ndihmuar atë në të gjitha fazat e procesit të integrimeve. Edhe përkundër faktit që bllokon Kosovën në të gjitha nismat rajonale, Serbia është mbështetur fuqimisht si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Aleatët perëndimorë i kanë mbështetur pothuajse haptas të gjitha nismat rajonale të Serbisë, përfshirë edhe “mini-Shengenin” dhe “Ballkanin e hapur”, ndonëse qëllimet e Serbisë janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe goditja e BE-së dhe e Aleancës Veriatlantike.
Është joproduktive dhe politikisht e gabuar që Kosovës t’i bëhet trysni ndërkombëtare për të arritur marrëveshje të dëmshme me Serbinë, duke kërkuar nga Kosova të relativizojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe të defaktorizohet politikisht në planin e jashtëm, si dhe të bëhet shtet jofunksional në planin e brendshëm.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës mbështet fuqishme përfshirjen e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht qëndrimin e shprehur së fundi nga i dërguari të posaçëm, Gabriel Eskobar, i cili rikonfirmoi se SHBA-ja i jep mbështetje të palëkundur sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Akademia gjithashtu mbështet fuqishëm perspektivën më të qartë të Kosovës drejt NATO-s, si strukturë themelore e sigurisë edhe në Ballkanit Perëndimor, e cila do ta zmbrapste Serbinë nga synimet e saj të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të reflektonte pozitivisht në stabilitetin politik të mbarë rajonit.
Shqiptarët janë populli me properëndimor në Ballkan dhe ata, duke qenë përkrahës të pakontestueshëm të vlerave perëndimore, përbëjnë boshtin kryesor të mbrojtjes së këtyre vlerave në këtë rajon.
Klasa politike e Kosovës, veçanërisht drejtuesit e institucioneve kryesore të shtetit e kanë obligim të marrin përsipër përgjegjësi të drejtpërdrejta lidhur me avancimin e proceseve politike, të cilat çojnë përpara aleancat tradicionale të Kosovës me shtetet që qëndrojnë në mbështetje të pavarësisë dhe të sovranitetin e saj dhe, përmes një diplomacie proaktive, të krijojnë aleanca të reja, veçmas me shtetet e rajonit që kanë avancuar në integrimet euroatlantike. Klasa politike e Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi më të mëdha për zhvillimet e brendshme dhe të jashtme në Kosovë, duke tejkaluar konfliktet dhe interesat e ndara dhe duke marrë vendime përbashkëta për çështje me rëndësi për vendin dhe të ardhmen e tij./ KultPlus.com
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për herë të parë nisi projekti i ri i titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekt ky i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës i cili synon të krijojë aktivitete të veçanta kulturore e letrare, me ç’rast sot për të shënuar fillimin e rrugëtimit të këtij projekti origjinal, u shqyrtua tema “Liria dhe e drejta e autorit”, shkruan KultPlus.
Për të biseduar e diskutuar rreth kësaj teme, në panel të ftuar ishin: shkrimtari Milazim Krasniqi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha si dhe moderatori Avni Spahiu.
Ora shënoi 17:00 kur të pranishmit zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër temën “Liria dhe e drejta e autorit”, temë kjo që shpeshherë zgjon kureshtjen tek jo vetëm të rinjtë e pasionuar pas letërsisë, por edhe tek ata të cilët në bagazhin e tyre tashmë kanë një numër të madh veprash por të cilët çdo herë vazhdojnë të dëgjojnë e të jenë pjesë e këtyre temave që e preokupojnë letërsinë shqiptare në përgjithësi, por sidomos atë në Kosovë.
Po ashtu, u bë e ditur se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Avni Spahiu, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur për dy temat të cilat do të shtjelloheshin pas pak momentesh.
“Janë disa tema që do të diskutohen gjatë periudhës në vijim dhe në fakt janë shumë me interes. Liria e autorit dhe të drejtat e autorit, janë këto dy tema që do të shtjellohen sot. ‘A duhet të ruhet pasuria intelektuale’, ‘A ka të drejta autori’, ‘Cilat janë të drejtat e autorit’, janë vetëm disa nga pyetjet që bëhen vazhdimisht. Ne shkrimtarët e kemi pasur një përvojë jo të mirë në këtë aspekt por tani është koha që të filloj një debat që të shihet qëndrimi i autorit nga dy pikëpamje të ndryshme”, thotë Spahiu.
Fillimisht në këtë ngjarje për të diskutuar më gjerë rreth këtyre temave që trajtojnë disa aspekte të shkrimtarit, intelektualit dhe kulturës në tërësi por edhe në kontekstin e pandemisë, shkrimtari dhe publicisti Ibrahim Berisha ka paraqitur disa vrojtime në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e autorit.
“Në Pandemi 2020, njerëzit u hutuan duke e kujtuar lirinë që e kishin dhe nuk e panë më herët as nuk e ndjenë në përmasën e duhur. Kishte dhe ka gjithë keqkuptime për të kuptuar lirinë, edhe lirinë e shprehjes. Kjo ndodhte edhe kur gjithçka ecte në ritmin normal, e lërë më në një gjendje pandemie, kufizimesh e mbylljesh drastike. A e ndryshoi mendimin për lirinë, Pandemia? Mendimin e botën e shkrimtarëve, krijuesve? Vështirë, për të thënë po, por kaq edhe për të thënë jo. Liria është me e thellë dhe më e largët se Pandemia. Por, do pranuar, se edhe Pandemia nisë pikërisht nga një cep i lirisë së virusit Kovid 19”, thotë Berisha.
Sipas tij, virusi sprovoi mendimin e Erih Fromit, psikologut social, i cili shkruan se njerëzit nuk janë të dhënë mbas lirisë, së paku jo aq sa thonë. Fromi nuk kishte pasur parasysh gjithaq lirinë fizike, të cilën Shopenhaueri e përcakton si liri të nivelit më të ulët.
“Thënë thjeshtë, liria e fjalës dhe e mendimit, bënë pjesë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ajo barazohet me detyrimet dhe përgjegjësitë. Nuk ishte edhe pamundur që të shkruhej e mendohej edhe në Pandemi. Edhe në kontekstin tonë, të Kosovës, pra, liria është e padefinueshme, sepse koha dhe rrethanat janë të pazakonshme. Kujtoj, të drejtat janë të përfshira në nenin 10 (1) te Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ku thuhet: Secili ka të drejtën e shprehjes së lirë. Kjo e drejtë do të përfshijë lirinë për mbajtjen e mendimeve dhe pranimin dhe dhënien e informacioneve dhe ideve pa ndërhyrjen e autoriteteve publike, pavarësisht nga kufijtë. Megjithatë, neni 10 (2) përcakton që: “Ushtrimi i lirive, mbasi përmban me vete detyrë dhe përgjegjësi, mund të jetë subjekt i formaliteteve, kushteve, kufizimeve dhe sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe në një shoqëri demokratike, është në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial”, shpalos Berisha.
Për të, pandemia ka treguar saktë atë që thotë Russo: Lira ka të bëj më atë që nuk do. Pra duhet bërë e padëshirueshmja. Ndodhi dhe vazhdon konflikti edhe ndër intelektual për detyrimin e vaksinimit. Natyrisht, dilema është e pazgjidhshme. Kushtetuta e Republikës, Kosovën e përkufizon shoqëri demokratike. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të garantuara. Në Kushtetutë klasifikohen një varg të drejtash dhe lirisë, po për temën për të cilën flasim, theksohen veçantë tri: Të drejtat dhe liritë personale; Të drejtat dhe liritë civile dhe politike; Të drejtat dhe liritë sociale, ekonomike dhe kulturore. Tek liritë civile dhe politike është e garantuar liria e shprehjes, liria e medieve, e tubimit, asoocimit, e drejta e zgjedhjes dhe e pjesëmarrjes etj.
“E vërteta, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, organ administrativ, nuk duket e gjallë, po aq sa edhe të tjerë organizma që marrin frymë publike duke pasur fokus programor këtë mbrojtje. Ngado sillesh, janë të dukshme fotokopjet, cenimi i autorësisë, publikimet pa autorizim. Pandemia nuk ka ndryshuar këtë praktikë, madje veç e ka konservuar. Në Kosovë, është e përhapur plagjiatura apo shfrytëzimi i vlerave intelektuale pa u shënuar burimi apo edhe pa u marrë pëlqimi i autorit apo trashëgimtarëve të të drejtës autoriale. Fotokopjet, lokale fizike këto, përreth fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë dëshmi e paprekshmërisë së shkelësve të të drejtës së autorin në sy dhe prani të të gjitha institucioneve që duhej të merreshin me ndëshkimin si; parashihet me ligj”, thotë ai.
Tutje, ai si plagjiaturë specifike të kohëve të reja, veçmas në vitet i 2000, e konsideron edhe paraqitjen e veprës si e tij, të cilën “ia ka punuar tjetërkush (autori i vërtetë nuk dihet). Kur dikush e paraqet një vepër të huaj me emrin e tij (plagjiaturë e plotë). Edhe huazimet pa theksimin e burimit, po kështu janë konsideruar nga ana e tij, si dukuri publike në Kosovë. Pra, ai beson se nuk ka ndonjë rast të jetë ndëshkuar dikush për plagjiaturë të tillë, sado që janë dëshmuar e vërtetuar ato.
“Rast drastik i shkeljes së të drejtës së autorit është RTK. Ajo shfrytëzon arkivin e një institucioni tjetër, RTP, madje duke mos treguar në asnjë formë kur shfrytëzon ato se nuk kanë të bënë me prodhim origjinal të RTK, madje në ekran del logoja gjithnjë RTK. Për dukurinë e vetëplagjiaturës në Kosovë ende nuk flitet. Shembull i shkeljes së të drejtës autoriale, vetëautoriale, për përfitime materiale, është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ribotime dhe modifikime librash pa rezultate origjinale që proklamohen dhe prodhojnë privilegje karriere dhe financiare. Formë e përhapur e shkeljes së të drejtës së autorit, kjo edhe një praktikë globale, po e pranishme gjerësisht edhe në Kosovë, është edhe plagjiatura në internet, plagjiaturë kjo e një vepre të plotë, të pjesshme, huazim teksti të huaja, pa theksuar në asnjë rast burimi. Kjo dukuri është e njohur si copy & paste. Pikërisht në këtë kontekst, gjykoj, se ka ende zbrazëti në normën aktuale pozitive po edhe në kodet etike në Kosovë, për të rregulluar, nëse jo plotësisht së paku, në një përmasë më reale”, përfundon Berisha.
Krejt në fund ai citoi edhe shkrimtarin nobelist Mario Vargas Llosa, i cili në një intervistë duke bërë fjalë për Pandeminë dhe shkrimtarin, ka dhënë një përgjigje universale që do të mund t’i përgjigjej edhe natyrës së këtyre temave: “Jam mirë, falë Zotit! Gjatë disa muajve të izolimit, praktikisht u burgosa këtu, në shtëpinë time në Madrid, i përkushtuar ekskluzivisht leximit të librave dhe shkrimit, që është një kurë për çdo shkrimtar. Shpresoj që nga kjo përvojë të dalim më të zgjuar dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit, si dhe të ndajmë shumë më tepër fonde për sistemin shëndetësor në të ardhmen. Sepse, ishte e qartë se asnjë vend nuk ishte gati të përballej me një sfidë kaq të madhe sa kjo Pandemi.”
Ndërsa, shkrimtari Milazim Krasniqi foli rreth dy pikave kryesore në analizën e tij: liria e shkrimtarit si ‘Albatrosi’ i Bodlerit dhe të drejtat e autorit si fshatrat e Potemkinit.
“Liria e shkrimtarit është në përmasat e fantazisë së tij, aty ku ai e imagjinon botën sipas mënyrës së vet, pa pasur ndërhyrje nga oponentët, ose nga institucionet e specializuara për censurë, kontroll, mbikëqyrje kafkiane e orveliane. Liria e shkrimtarit në fantazinë e tij, është tharmi i krijimtarisë artistike, sepse pa atë liri, krijimtaria do të mbetej si rrëfim kuazihistoriogafik, pseudoreligjioz, ose pseudofilozofik. Kjo liri i thyen konvencat e të menduarit konceptual, linear, duke e bërë si kalë beteje të menduarit asociativ, abstrakt dhe spekulativ. Për këtë shkak, Platoni ishte i zemëruar në poetët dhe thoshte se ata nuk mund ta realizojnë njohjen. Duke e matur me kutin e filozofit dhe ideologut të shtetit ideal, ai thoshte se poeti nuk e kupton as vetë atë që shkruan. I tmerruar nga liria e fantazisë së tyre, ai propozonte që ata të përjashtoheshin nga shteti ideal, përveç atyre që do të konvertoheshin në shkrimtarë të kontrollueshëm, realisht në poetë pa liri”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, Platoni kërkonte që poezia t’i subordinohej shtetit dhe etikës: “Në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave.” Është konsideruar se që nga ajo kohë e deri në ditët tona, ajo liri e shkrimtarit, që banon në fantazinë e tij, është denoncuar e luftuar në forma të ndryshme, që nga futja me dhunë e shkrimtarëve në spitalet psikiatrike, siç bëhej në regjimin e Stalinit, ose dënimet e tyre me pushkatime siç ka pasur raste në regjimin tij, po edhe të Enver Hoxhës.
“Lufta me lirinë e fantazisë së shkrimtarit nuk ka mundur e as nuk mund të fitohet. Ai aty mbetet i lirë dhe sovran. Natyrisht në jetën reale shoqërore nuk është ashtu. Në jetën reale shoqërore liria e shkrimtarit është e dozuar nga natyra e regjimit, nga vlerësimi për rrezikshmërinë që paraqesin idetë e tij dhe angazhimi i tij, nga ndikimi që ka vepra e tij mbi publikun. Në disa shtete si në Çekosllovaki, në Poloni dhe në ish Jugosllavi, shkrimtarët u bënë adresa e rebelimit antikomunist. Kujtojmë Adam Mihnjik, Franjo Tuxhmani, Ibrahim Rugova, Dimitrije Rupeli, Jasha Zllobeci, Adem Demaqi, Dubravko Horvatiqi e shumë të tjerë. Por, në të njëjtën kohë pati edhe raste të angazhimit për restaurimin e regjimit nazifashist, siç ndodhi në Serbi, fjala vjen me shkrimtarët si Dobrica Qosiqi, Vuk Drashkoviqi, Miodrag Bullatoviqi, Brana Cërnqeviqi e dhjetëra të tjerë. Deri sa në rastin e parë shkrimtarët aspironin ta fitonin lirinë duke iu kundërvënë regjimit totalitar, në rastin e dytë shkrimtarët iu shitën regjimit totalitar e gjakatar serbomadh kundër lirisë së kombeve të tjera”, shpalos Krasniqi.
Për të, shkrimtarët si: Mario Vargas Ljosa, Adam Mihnjik, Vacllav Havel, Umbeto Eko, Suzan Sontag, Eli Vizel dhe Hans Magnus Enserberger, ndihmuan që publiku të kuptonte përmasat e tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës. (Fatkeqësisht dhe në këtë rast pati shkrimtarë që ndoqën linjë të kundërt, siç bënë Gabriel Garsia Markes, Peter Handke e deri edhe dijetari Noam Çomski.)
“Një rol konkret dhe domethënës gjatë kohës së spastrimit etnik serb kundër shqiptarëve të Kosovës ka pasur shkrimtari hebrejo-amerikan, Eli Vizel, si emisar special i presidentit Bill Klinton. Raporti i tij që konfirmoi se në kampet e refugjatëve në Maqedoni ishte fjala për dëbim me dhunë dhe për spastrim etnik të shqiptarëve, u përdor si argument edhe nga administrata amerikane e edhe nga OKB. Kur e kam lexuar romanin e tij „Agimi“ ku e denoncon edhe cinizmin hebraik, e kam kuptuar edhe më qartë se ku e ka burimin integriteti i tij moral, te liria e tij si shkrimtar dhe si njeri, e fituar si i mbijetuar i kampeve naziste të përqendrimit. Shkrimtarët që kanë liri maksimale në fantazinë e tyre dhe konfrontime permanente me realitetin, ku shumë herë janë humbës, i ka përshkruar më së miri Sharl Bodleri në poezinë e tij me titull ,,Albatrosi” Sipas Bodlerit, ai shpend guximtar, që fluturon lart e nëpër furtuna, kur është në tokë, në mol është i objekt i talljes së marinarëve”, thotë ai.
Krejt në fund ai e shtron pyetjen: ‘A ka ndonjë shkrimtar në Kosovë që mund të jetojë nga puna si shkrimtar?’, teksa përgjigjet vetë: “Jo. Atëherë, ose kjo punë është e pavlerë, ose nuk vlerësohet realisht. Që është punë e pavlerë nuk mund të thuhet, e pakta në rastet e shkrimtarëve seriozë dhe që kanë sjellë vlera mirëfilli estetike në letërsinë shqipe.”
“Në Kosovë kushdo mund të jetojë nga puna e vet si elektricist, taksist, hidraulik, çoban, por jo si shkrimtar. Konkluzioni: ashtu si e ka shteti qëndrimin ndaj shkrimtarëve e letërsisë, ashtu e kanë qytetarët qëndrimin ndaj shtetit, pra janë mospërfillës dhe injorues. Në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Por, është ligj që synon të mbrojë diçka që nuk ekziston në realitet. Kjo ka të bëjë veçmas me krijimtarinë letrare, e cila në shtetin tonë është e dërrmuar, e injoruar, praktikisht e ngulfatur, në njërën anë nga injoranca në rritje e popullit e në anën tjetër nga politikat injorante të parlamenteve e qeverive tona. Rrjedhimisht ajo infrastrukturë ligjore për të drejtat e autorit, në këtë rast u përngjet shumë fshatrave të Potemkinit”, përfundon Krasniqi.
Pastaj të pranishmit vazhduan me bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe njëkohësisht admiruan edhe ekspozitën e artistit Sadri Morina që ende po qëndron e hapur për admiruesit.
Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës.
PEN Qendra e Kosovës më parë ka realizuar disa projekte, po ashtu me përkrahje të MKRS-së.
Nga këto projekte vlen për të përmendur ato që bosht kishin përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë. Kështu, në vitin 2020 janë mbajtur takimet me titull “Ora e Shkrimtarit”, dhe vjet, më 2021, takimet “Ora e Shkrimtarit 2”. / KultPus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja është shprehur i çuditur se pse të rinjtë kosovarë që flasin dhe shkruajnë në mënyrë perfekte anglisht, nuk dinë ta shkruajnë po aq mirë edhe shqipen.
Duke folur për përdorimin e gjuhës, Kraja tha se shpëtimi i vetëm në këtë situatë është që njerëzit të lexojnë më shumë.
“Nëse ka shumë djem dhe vajza në Kosovë, të rinj kryesisht, që e flasin perfekt anglishten, çuditem pse për tërë jetën e tyre nuk arrijnë ta mësojnë shkrimin. Nëse e shkruajnë mirë anglishten, pse nuk e shkruajnë mirë shqipen? Është një gjë që duhet ta tejkalojmë. Këtë nivel shkrimi duhet ta tejkalojmë njëherë e mirë”, tha Kraja.
Gjuhët e huaja duhet të vazhdojnë të mësohen e të fliten, por Kraja thotë se nevojitet përkushtim për ta mësuar edhe shqipen.
“Sepse nuk ka mendim pa gjuhë. Nëse jemi sakat nga gjuha, e kemi sakat edhe mendimin. Këtu është telashja. Është një telashe shumë e madhe puna e gjuhës. Nuk mund të ketë zhvillim, as mendor, as të komunikimit, as të artit, as institucional, pa zhvillim gjuhësor”, tha ai në një intervistë për RTK-në.
Kryeakademiku megjithatë vëren se përdorimi i gjuhës në Kosovë ka avancuar, ndërsa thekson se këtë “matje” nuk e bën duke parë se çfarë shkruhet në Facebook.
“Kemi një shkrim më të stabilizuar, standardin e përdorim më mirë, dhe natyrisht jemi pak më të lirë, në kuptimin që trajtat dialektore i fusim me një liri më të madhe”, tha Kraja.
Ajo që duhet të ndryshojë në Kosovë rreth gjuhës është shkolla, sipas tij.
“Ajo (shkolla) duhet të kultivojë dhe të insistojë që me gjuhën të punohet më shumë, që nga klasa e parë dhe deri në fund”, tha Kraja. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka vendosur të shpallë zgjedhjet për anëtarë të saj.
Në një mbledhje e cila është mbajtur më 31 gusht është miratuar Qarkorja për propozimin e kandidatëve për zgjedhjeve e anëtarëve të Akademisë
Siç është bërë e ditur përmes një komunikate për media, qarkorja do t’iu dërgohet të gjithë këshillave të fakulteteve dhe universiteteve publike dhe këshillave shkencorë të instituteve që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Aktualisht Akademia ka 21 anëtarë të rregullt dhe 16 korrespodentë. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka përmbledhur dhe u ka bërë një analizë të gjitha marrëveshjeve me Serbinë të arritura në dialogun e Brukselit. Dokumentet e publikuara flitet për procesin e bisedimeve të zhvilluara nga viti 2011, ASHAK i ka shoqëruar me një komunikatë për media në të cilin adresohet edhe procesi i negociatave për normalizim të raporteve që pritet shumë shpejtë të rifillojnë.
ASHAK thekson se Kosova duhet t’i qaset shumë seriozisht procesit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, ndërkohë thonë se nuk duhet lëshuar rasti aktual kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian thonë se arritja e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi do të përmbyllte burimin e pasigurisë së rajonit.
“Dialogu me Serbinë duhet të merret më me seriozitet, duke mos e lëshuar rastin që nuk vjen shpesh, kur edhe SHBA, edhe Mbretëria e Bashkuar edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë të rëndësishme për të përmbyllur kapitullin e trazirave në Ballkan dhe për të garantuar integrimin euroatlantik të tij”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ASHAK.
Gjithashtu, konsiderojnë se Republika e Kosovës duhet të ketë disa “vija të kuqe” në dialogun me Serbinë dhe se nuk duhet lejuar që të preket integriteti territorial i shtetit.
“1. Të ruhet integriteti territorial i Republikës së Kosovës, në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht, sipas Deklaratës së Pavarësisë 2008;
2. Të ruhet rendi kushtetues, duke mos lejuar kompromise, të cilat shkojnë përtej asaj që është dhënë nga Plani Ahtisari, i inkorporuar tashmë në rendin kushtetues;
3. Të mos lejohet krijimi i mekanizmave shtesë kushtetues, derisa ekzistojnë mekanizma në nivel qendror dhe lokal të pjesëmarrjes në përpjesëtim të pushtetit për serbët dhe për komunitetet e tjera jo-shumicë, që shpesh e bëjnë vendim-marrjen në Kosovë tejet të vështirë. 4.Të mos lejohet që asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore që është në fuqi në Republikën e Kosovës. 5. Të gjitha zgjidhjet e tjera në dialog të bëhen duke u ruajtur Pavarësia e Kosovës e vitit 2008, si dhe rendi kushtetues dhe ligjor, si dhe të mos lejohet pandëshkueshmëria për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.”, janë pesë pikat që ASHAK specifikon teksa flitet për vijat e kuqe në dialog.
Autorët e analizës Arsim Bajrami e Gjuljeta Mushkolaj në raport kanë përfshirë edhe pikat që duhet t’i përmbajë marrëveshja përdundimtare me Serbinë. Sipas ASHAK-ut duhet që statusi i marrëveshjes të jetë në kapacitetin e një traktati ndërkombëtar, të kërkohet heqja e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe gjithashtu thuhet se duhet të bëhet demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë bazuar në pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që marrëveshja përfundimtare do të jetë e zbatueshme dhe që do të implementohet në Kuvendet respektive .
“Ndërkaq, disa nga elementet që duhet t’i përmbajë marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë: 1. Lidhja e marrëveshjes duke pasur parasysh kapacitetet e plota shtetërore të të dyja palëve; 2. Statusi i marrëveshjes të jetë i atillë, në kapacitetin e traktatit ndërkombëtar, sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve; 3. Në marrëveshjen përfundimtare të kërkohet revokimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe të përcaktohet anëtarësimi i Kosovës në mënyrë direkte në OKB; 17 4. Në marrëveshje të kërkohet që çështja e personave të zhdukur të trajtohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare; 5. Të kërkohet nga Serbia që të hapë të gjitha dosjet me informacione për personat e zhdukur dhe të zbulojë vendndodhjen e të gjithë personave që e kanë humbur jetën gjatë luftës dhe trupat e të cilëve janë zhvendosur për të humbur gjurmët e krimeve dhe për realizimin e këtij obligimi, BE si ndërmjetësues të sigurojë një emisar special; 6. Të hapet procesi i rikthimit në shtëpi të tyre të personave të zhvendosur, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, kur shqiptarët nuk ndjehen të sigurt të kthehen pa një marrëveshje përfundimtare, por edhe të të zhvendosurve qoftë nga Serbia në Kosovë, ashtu edhe nga Kosova në Serbi; 7. Të krijohet një grup punues nga përfaqësues të të dy shteteve për reparacione të dëmeve shtetërore të shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit; 8. Në marrëveshjen përfundimtare të saktësohet obligimi i Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në BE; 9. Në marrëveshjen përfundimtare të përcaktohet statusi i të gjitha marrëveshjeve që janë lidhur deri më tani në procesin e dialogut KosovëSerbi dhe ato të inkorporohen në marrëveshjen përfundimtare; 10. Në marrëveshjen përfundimtare duhet të përcaktohet obligimi për tu bërë demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, siç është rregulluar me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës; 11. Të krijohet një mekanizëm zbatues i marrëveshjes përfundimtare, në mënyrë që të ketë garanci që marrëveshja do të zbatohet; 12. Në marrëveshje duhet të ketë zotim të qartë se të dyja shtetet do ta ratifikojnë marrëveshjen në parlamentet e tyre”, thuhet në pjesën ku flitet për atë se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja.
ASHAK-u gjithashtu insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Në këtë raport, ASHAK ka evidentuar edhe lëshimet që janë bërë gjatë proceist të negociatave e që sipas tyre janë cilësuar si devijime të rënda.
“Dialogu Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e shkuara ka pësuar devijime të rënda, duke e vendosur Kosovën në pozita inferiore dhe duke shkelur bazën e saj kushtetuese, me idenë se konstruktiviteti do të shpërblehet në cakun e fundit. Deri tani qëndrimi konstruktiv i Kosovës është interpretuar si gatishmëri për të bërë kompromise të paqëndrueshme, madje të tilla që lëndojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit në tërë territorin e tij”, thuhet në raport.
Ndër të tjera si mangësi në proces është evidentuar edhe mungesa e një platforme të qartë për dialogun.
“Përveç mungesës së një platforme dialoguese në formën e një konsensusi politik gjithëpërfshirës dhe të përbashkët, deri më tani në procesin e udhëheqjes dhe të bartjes së dialogut janë përfshirë individë që shpesh nuk kanë reflektuar përgjegjësi institucionale dhe integritet personal politik dhe moral, duke i projektuar marrëveshjet me Serbinë si atribute të karrierës së tyre ose të kompromiseve dobiprurëse për kredibilitetin e tyre politik. Në marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë, për interesa krejtësisht joinstitucionale, janë projektuar interesa partiake, biznesore private dhe oligarkike për individë dhe grupe individësh, të cilët kërkojnë që Kosova të sakrifikojë subjektivitetin shtetëror dhe pozitën e saj ndërkombëtare për favore politike dhe pushtetmbajtëse”, thekson raporti.
Tutje thuhet se besueshmëria që ka treguar Kosova ndaj aleatëve ndërkombëtar është interpretuar si gatishmëri për compromise të cilat shkelin 17 shkurtin dhe cënojnë integritetin territorial të Kosovës.
“Gjithashtu, trysnia ndërkombëtare për përshpejtimin e dialogut, përfshirë edhe një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, është interpretuar si gatishmëri e Kosovës për kompromise që tejkalojnë të gjitha limitet kushtetuese.
Lojaliteti i Kosovës ndaj mbështetësve ndërkombëtarë është interpretuar nga Serbia dhe nga një pjesë e faktorit të jashtëm si gatishmëri për të bërë kompromise me pavarësinë dhe territorin e Kosovës. Në diskutimin ndërkombëtar, për shkak të gatishmërisë për kompromise të këtilla, janë hapur tema tashmë të përfunduara më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, konstaton raporti.
Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga ASHAK thonë se synojn të tërheqin vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nga ASHAK në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, e cila i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike. /KultPlus.com
Raporti “Instituti i vetizoluar (vlerësim i shoqërisë civile për institutin albanologjik të Prishtinës)”, u prezantua para medieve në ambientet e hotelit “Sirius”, ku nëpërmjet 20 gjetjeve u shpërfaqën ngecjet dhe u dhanë rekomandimet për këto gjetje, shkruan KultPlus.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Instituti Albanologjik janë dy institucione relevante të shoqërisë tonë. Por, përgjatë viteve në këto dy institucione ka pasur mjaft probleme, me të cilat ato përballen sot e kësaj dite.
Organizata
“Integra” që mëton mëkëmbjen dhe zhvillimin e Kosovës dhe të rajonit, prezantoi
këtë raport 1-vjeçar të autorit Shkëlzen Gashi që hyn në kuadër të projektit
“Rishikim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e heshtura të
Kosovës të financuara nga fondet publike”, projekt ky që ka për qëllim të
reflektojë mbi punën e institucioneve specifike publike të Kosovës.
Botuesi i raportit Kushtrim Koliqi në fjalën hyrëse foli në pika të shkurtra për projektin, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm.
“Para se të fillojmë të iniciojmë projekte të tilla, në diskutim e sipër me shoqëritë civile e kemi parë se shumë institucione funksionojnë si ishull, nuk i japin askujt llogari, nuk dihet shumë për to, aktiviteti i tyre është shumë i izoluar”, tha Koliqi në fillim.
“Kur kemi nisur t’i listojmë këto institucione ka dalë një numër i madh i tyre që marrin para publike por nuk dihet shumë për to, nuk dihet as llogaridhënia e as çka bëhet realisht në to. Ne kemi bërë një vlerësim të tillë për Akadaminë e Shkencave të Kosovës pastaj kemi vazhduar me Institutin Albanologjik. Projekti si i tillë, synon të iniciojë dialog më të gjerë në publik rreth këtyre institucioneve të cilat besojmë që nuk bëjnë mjaftueshëm për të qenë të hapur ndaj publikut për punën e tyre”, ka thënë Koliqi.
Tutje, ai u shpreh se qëllimi i këtij projekti është që të rishikojë dhe vlerësojë punën e institucioneve publike të Kosovës të cilat financohen prej parasë publike.
“Konkretisht, ne merremi me strukturën e brendshme, funksionimin, publikimet dhe rezultatet e këtyre institucioneve. Në fund japim rekomandime se si këto institucione përmirësojnë performancën e tyre, gjithmonë në linjë të transparencës dhe llogaridhënies”, përfundoi Koliqi.
Para gazetarëve autori i këtij raporti që specifikisht merret me këto dy institucione relevante, Shkëlzen Gashi, e prezantoi atë në tërësi. Si i tillë, raporti përmban 20 gjetje që janë bërë pas hulumtimeve dhe intervistave me personat relevantë përgjatë periudhës 1-vjeçare.
Duke treguar ngecjet e këtyre institucioneve, u dhanë gjithashtu rekomandimet që do ta përmirësonin përformancën.
“Anëtarët e
Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës janë njerëzit më të paguar në regjion.
Ata marrin paga nga 1250 përkatësisht 1500 euro për dallim prej kolegëve të
tyre që i marrin trefish më pak. Gjendja bëhet edhe më rëndë sepse ata nuk
punojnë shumë”, tha ai në fillim të prezantimit.
“Nëpër tryezat, simpoziumet e konferencat që organizohen nuk e kemi të pranishme as gjuhën angleze dhe as serbe, që janë gjuhë zyrtare. Megjithëse me buxhet mbi gjysmë milioni eruo, janë vetëm dy projekte të mëdha që Akademia i realizojë, vepra shkencore e Rexhep Qosjes dhe vepra shkencore e Anton Çettës që s’ka përfunduar ende”, potencoi ai.
“Rekomandimi është ky, duhet të sqarohet cila është vlera shkencore e veprës së Qosjes dhe Çettës dhe pse nuk janë të vlefshme veprat e të tjerëve, pse është e nevojshme të botohen veprat e këtyre dy ish-punonjësve të Institutit. Qosjen jemi mësuar ta konsiderojmë si baba të kombit, sepse ka dhënë kontribut të madh në çështjen kombëtare dhe përpjekjen e shqiptarëve për pavarësi por duhet të sqarohet se çfarë ka shkencore te kjo vepër, poashtu Anton Çetta me pajtimin e gjaqeve tek shqiptarët në një periudhë të rëndë. Cila është vlera shkencore e këtyre dy personaliteteve të rëndësishme, që janë më shumë politike sesa shkencore” erdhi në konkludim Gashi.
Në vazhdim të paraqitjes së gjetjeve në kuadër të këtij raporti, Gashi foli për projektet shkencore ku hyjnë librat dhe revistat, të cilat sipas tij kanë mjaft probleme sepse nuk botohen në të gjitha gjuhët zyrtare, pra në gjuhën angleze dhe serbe, e po bëhet ekskluzivisht botimi i autorëve shqiptarë dhe në të njëjtën gjuhë, në shqip.
Po ashtu u përmend mos përditësimi i faqeve zyrtare të institucioneve dhe mos shfaqja e CV-ve të punëtorëve të tyre.
Botimi i raportit është realizuar me përkrahjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). /KultPlus.com
Fjalori Encklipedik i Kosoves i cili është përcjellë me kritika të shumta, libër ky që është publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, së fundi është kritikuar edhe nga Ag Apolloni. Ai ka shkëputë një pjesë për vendbanimet e Kosovës, ku fshati Verban i Vitisë, në këtë enciklopedi thuhet të jetë i banuar me serbe.
Më poshtë po ju sjellim rragimin e plotë të Apollonit:
Akademia ua jep serbëve një fshat shqiptar
Në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës (2018) thuhet se fshati Vërban është i banuar me popullsi serbe. Sapo e pashë lajmin në fejsbukun e botuesit tim (shqiptar), që është i asaj ane, shkova në Viti (për një punë tjetër) dhe pyeta (edhe për këtë “fakt” të Fjalorit). Kurrë asnjë serb s’kish banuar në Vërban. Madje, nga sa kërkova, as vetë serbët kurrë s’kanë thënë që në Vërban ka pasur serbë, jo më ta quajnë fshat me popullsi serbe.
Kështu, me këtë gabim kapital, Fjalori duhet të hiqet nga qarkullimi menjëherë dhe Akademia duhet të kërkojë falje që ua fali fshatin serbëve, duke falsifikuar historinë e fshatit. Po të ishte Fjalori online, jo i printuar, do të rregullohej lehtë e shpejt, por kryeredaktori i Fjalorit ishte ofenduar nga reagimi i një profesori që e kishte kritikuar botimin e printuar të Fjalorit dhe që e kishte propozuar botimin online (ashtu siç bëjnë sot edhe Amerika dhe Anglia)./KultPlus.com
Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e ‘heshtura’ të Kosovës”, të financuara nga fondet publike, Organizata Integra ka publikuar raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi, shkruan KultPlus.
Ky raport tregon se raportet vjetore narrative dhe financiare të AShAK-ut nuk janë publike. Raporti i Auditimit për vitin 2017 konstaton se gjithçka është në rregull. Gjatë miratimit të ligjit për AShAK-un në vitin 2015, është thënë se AShAK-u do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet në baza vjetore, ndërsa kanë kaluar gati tri vite nga miratimi i i ligjit të ri dhe AShAK-u deri më sot nuk i ka raportuar për punën e vet asnjë institucioni shtetëror, as Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji e as Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Lidhur me këtë, raporti “Kriza në Akademi” rekomandon që AShAK-u t’i raportojë për punën e vet të paktën një herë në vit Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës. Tutje në rekomandim thuhet se po ashtu, do të ishte mirë që, veç tjerash, të publikohen të gjitha dokumentet që lidhen me financimin e AShAK-ut./ KultPlus.com