Dhurohen 190 laptopë për gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian

Është përmbyllur projekti “Rikthimi në Normalen e Re”, projekt i implementuar nga IPKO Foundation, i mbështetur nga UN Women Kosova dhe Ambasada Britanike në Kosovë.

Përgjatë këtij projekti, në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Pejës dhe Mitrovicës janë distribuar 190 laptopë tek vajzat e reja të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Në ceremoninë përmbyllëse të këtij projekti nga një fjalë rasti mbajtën Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim nga UN në Kosovë, Jacob Webber, Zevendes Drejtori i Misionit, Ambasada Britaneze në Kosovë dhe Abetare Gojani, drejtoreshë e Programeve në IPKO Foundation.

Pas fjalimeve, u bë prezentimi i të gjeturave, prezentimi i platformës digjitale dhe raporti i hartës dixhitale me të dhënat e nxjerra nga projekti.

Për vajzat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë ofruar edhe trajnime për njohuri bazike në IT si dhe në përdorimin e laptopeve. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe disa mësimdhënës të këtyre komunave janë trajnuar se si ti dallojnë vajzat që kanë potencial për të braktisur shkollën.

Raporti i hartës dixhitale do të shërbejë si model për kuptimin e faktorëve që ndikojnë në shkallën e braktisjes së shkollës te vajzat e reja nga komuniteti Roma, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.

Përshkrimi i Raportit të Hartës dhe dizajni i Platformës

Me mbështetjen e UN Women, ekipi i Projektit të Fondacionit IPKO ka identifikuar Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinën dhe Fushë-Kosovën si komuna me shkallën më të ulët të frekuentimit të shkollës nga gratë e reja dhe vajza, dhe me nivele të larta të cenueshmërisë nga braktisja e shkollës për shkak të ndikimit të pandemisë COVID -19.

Platforma e Hartësimit Dixhital do të mbushet me të dhëna të verifikuara nga Kosova.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MAS), Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), dhe nga burime të tjera të verifikuara, ndërsa të dhënat specifike të përfituesve do të mblidhen nga ky projekt, përmes mjeteve të aprovuara paraprakisht dhe treguesve të matshëm.

Platforma dixhitale e Hartësimit do të bëhet një mjet i dobishëm për hartëzimin dhe kuptimin e faktorëve që ndikojnë në shkallën e braktisjes së shkollës nga vajza të reja dhe gratë nga komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, dhe për informimin përkatëse në ndërhyrjet programatike. / KultPlus.com

Thirrje për Çmimin e BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve

Bashkësia Evropiane ka hapë thirrjen për nominim për çmimin e BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, 2021, shkruan KultPlus.

“Komunitetet e margjinalizuara ende përballen me forma të rënda të racizmit, diskriminimit, përjashtimit social dhe varfërisë. Përmirësimi i barazisë, përfshirjes dhe pjesëmarrjes së tyre vazhdon të jetë një prioritet kryesor për Komisionin Evropian dhe një kriter për progresin në rrugën e zgjerimit. Andaj që nga viti 2014, Çmimi BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve ofron njohje, publicitet dhe mbështetje për modelet pozitive që tregojnë rezultate të prekshme në fushën e Integrimit të këtyre komuniteteve”, thuhet në njoftimin e kësaj thirrje.

Kurse çmimi dhe objektivi i tij, këtë vit çmimi i BE-së do të promovojë nisma private ose publike që kanë arritur një kontribut të jashtëzakonshëm në punësimin e qëndrueshëm të komuniteteve, si një mekanizëm për të dalë nga rrethi i përjashtimit. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave të komuniteteve në fushën e punësimit do të jetë një dimension i rëndësishëm.

“Një panel i pavarur vlerësimi do të shqyrtojë aplikimet dhe do të zgjedhë fituesit e çmimit.

Të gjithë fituesit e çmimeve do të marrin njohje ndërkombëtare nëpërmjet ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e cila, nëse e lejojnë kushtet, do të mbahet në Bruksel dhe do të fitojnë pjesëmarrje në një vizitë studimore në Madrid me temën “Aksesi në punësim për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët”.
Gjithashtu, të gjithë fituesit e çmimeve mund të marrin më tej mbështetje financiare deri në 7500 Euro”, thuhet në këtë njoftim.

Më tej bëhet e ditur se çmimi është i hapur për institucionet publike dhe private, ndërmarrjet dhe bizneset, punëdhënësit, (duke përfshirë por pa u kufizuar tek NVM-të, bizneset sociale, iniciativat e sipërmarrjes dhe iniciativat e tjera të punësimit); mësuesit, gazetarët, përfaqësuesit e kujdesit shëndetësor dhe shoqëria civile (organizata dhe individë). Të jenë të vendosur/rezidentë në Kosovë.
Konkurrimi është i hapur për nominime dhe për vetë-nominime.  Aktivitetet që do të vlerësohen me çmime (qoftë nëpërmjet një çmimi monetar dhe jo-monetar) duhet të kenë arritur rezultate, ose të kenë ofruar potencial të mirë për të kontribuar në rritjen e nivelit ose cilësisë së punësimit të komuniteteve të margjinalizuara.


Organizatorët kanë bërë të ditur se aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet formularit të dedikuar të aplikimit dhe duhet të jenë të lexueshëm, të qasshëm dhe të printueshëm.

KultPlus ju sjell më poshtë edhe kriteret tjera për mënyrën e aplikimit në këtë thirrje:


Një aplikim konsiderohet i vlefshëm, kur plotësohet siç duhet së bashku me Deklaratën e Nderit.
Aplikimet duhet të dorëzohen së bashku me dokumentacionin përkatës, të tilla si fotografi, videoklipe të shkurtra (maksimumi 5 minuta) ose të ngjashme.
Vetëm një aplikim mund të paraqitet për aplikant. Në rast të aplikimeve të shumëfishta, aplikanti do të skualifikohet.

Dokumentet mbështetëse:

– Videoklipe, fotografi;

– Publikime (fletëpalosje, broshura etj, të cilat promovojnë iniciativën /projektin);

– Linqe me faqet e internetit të lidhura me iniciativën / projektin (që do të përmenden në formularin e aplikimit)
– Mbulimin mediatik (nëse ka);

Gjuha:

Gjuha e përdorur si për aplikimet edhe për nominimet është gjuha angleze.

Dokumentet mbështetëse mund të jenë në gjuhë të ndryshme, megjithatë versionet në anglisht do të vlerësohen.

Afatet:

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve dhe nominimeve, së bashku me dokumentet e tjera përkatëse, është data 30 prill 2021, ora 23:59 me kohën lokale.

Paraqitja:

Dorëzimi i aplikimeve (nominimeve dhe vetë-nominimeve) do të kryhet nëpërmjet postës elektronike në adresën: [email protected].

Titulli i emailit duhet të përmbajë inicialet e aplikantit dhe shtetin e origjinës./ KultPlus.com



Festivali i komuniteteve rom, ashkali, egjiptas bashkoi të rinj të talentuar

Diskrimineve dhe paragjykimeve për ta, ata kanë vendosur t’iu përgjigjen nëpërmjet sukseseve dhe rrëfimeve rrëqethëse të rrugëtimit të tyre. Festivali Multikulturor nën moton “T’i festojmë ngjashmëritë tona” bashkoi të rinj të talentuar të komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian, shkruan KultPlus.

Shoqërisë e cila shpesh ka tentuar t’ia ‘ndal’ zërin, i folën nëpërmjet artit, duke i kthyer frymëzimet artistike thirrje për trajtim të barabartë dhe diversitet. Edicioni i dytë i festivalit multikulturor u zhvillua përgjatë datave 16-20 nëntor, nën organizim e OJQ ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo’.

Festivali ballinën e së cilës e zbukuroi laramania e ngjyrave, pati thirrjen e bashkëpunimit dhe të jetesës harmonike, duke e kuptuar dhe pranuar njëri tjetrin. Kur ky qëllim do të arrihej, edhe ngjyrat nuk do të mbetnin vetëm në korrnizat e simbolikave por, do të bëheshin pasqyrë e realitetit.

Mirëpo, përbrenda këtij festivali nuk ishin vetëm ngjyrat ato që kishin laramani. Edhe fryma e aktiviteteve që u bë bashkim i shumë të rinjve të talentuar në fusha të ndryshime ishte i tillë. Vendtakim i shumë shkrimtarëve të rinj, piktorëve, sportistëve, artistëve dhe rrëfyesve të storieve të tyre ishte Festivali Multikulturor.

Anipse pandemia pamundësoi organizim e tërësishëm të çdo aktiviteti të planifikuar, sërish nuk munguan as ato fizike. Një ndër to ishte edhe inciativa për të kaluar një pasdite me familjet e komuniteteve në mënyrë që të dëgjohen drejtpërdrejtë sfidat, vështirësitë dhe gjjithçka tjetër që ballafaqohen ata.

Festivali mundësoi edhe komunikimin institucional, duke organizuar takime me kryetar të komunave të Vushtrrisë, Kaçanikut dhe Prizrenit. Të rinjtë e komuniteteve patën rastin të shprehin haptazi brengat e tyre dhe kërkesat nëpër komunat e tyre.

Siç është duke ndodhur në mbarë globin, edhe në këtë festival të pranishme ishin aktivitetet digjitale. Transmetimi i shfaqjes teatrale “Keqap Skola” nga teatri Rom “Nexhip Menekshe”, interpretimit për martesat e hershme nga shkrimi i bukur i Remzie Markeshit, i stories së kampionit të garave ndërkombëtare në karate Sefer Bajramit, rrëfimit të rrugëtimit si aktivist të Gazmend Qyqallës, mesazheve frymëzuese të Kendiza Lalës, koncertit solistik të talentit Daniel Eminovic, interpretimit rrëqethës ‘’Unë jam Minoritet’’ të Medina Asllanit, monologut në gjuhën rome të Edis Galushit, poezisë dramatike të Linda Hysenit dhe monologut për martesat e hershme nga Mirëzana Jashari ishin disa nga to.

Në anën tjetër, përtej fjalës dhe artit skenik, edhe arti pamor morri vend në këtë Festival. Një mural në Gjakovë është zbukuruar nga punimi artistik i Mimoza Rracit, e cila pikturoi një glob dhe dy duar me nacionalitete të ndryshme, e që shtrijnë duart ndaj njëra tjetrës si simbol i diversitetit.

Festivali multikulturor u përmbyll suksesshëm më 20 nëntor, duke përquar mesazhe të solidaritetit dhe diversitetit. / KultPlus.com

“Kujtesa në lëvizje” sonte në Prishtinë

“Kujtesa në lëvizje” e cila eksploron trashëgiminë kulturore të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian përmes kujtesës kolektive do të hapet sonte më 20 dhjetor, në ora 20:00 te Klubi i Boksit, shkruan KultPlus.

Lëvizjet e popujve gjithmonë kanë pasqyruar një lloj largimi apo shkëputje nga një entitet identitar në të cilin bënin pjesë fillimisht. Shpesh është konsideruar si kërcënim për kulturën e individit apo grupit, sepse herët a vonë lëvizja do të nënkuptonte harresë, shkrirje apo asimilim dhe tjetërsim, thuhet në përshkrimin e kësaj ekspozite, ku vlerësohet se rëndom identiteti është i lidhur me një hapësirë të caktuar gjeografike dhe në mënyrë që të ekzistojë, konsiderohet se duhet patjetër të qëndrojë me rrënjë në një tokë. Por në botë historikisht ekzistojnë grupe të cilat kanë dëshmuar se identiteti dhe ndjenja e përkatësisë mund t’i tejkalojnë kufijtë gjeografik nëse në vetëdijen e tyre është rrënjosur thellë një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore e përcjellë më këmbëngulësi ndër gjenerata.

“Të eksplorosh trashëgiminë kulturore dhe kujtesën kolektive të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë do të thotë të eksplorosh një botë shumë të pasur kulturore e shpirtërore pavarësisht kushteve materiale në të cilën është zhvilluar. Përtej jetesës së tyre të vështirë në margjinat e shoqërisë, përtej diskriminimit dhe stereotipave, komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian ngërthejnë në vetë një botë të larmishme kulturore, gjurmët e të cilës vërehen edhe në kulturën shqiptare e sidomos ballkanike”, thuhet më tutje në lidhje me këtë ekspozitë.

Ekspozita Kujtesa në lëvizje është epilog i një pune një vjeçare në mes CHwB Kosova dhe Balkan Sunflowers Kosova, në promovimin e trashëgimisë kulturore me fokus në kujtesën e përbashkët kolektive të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Kujtesa e përbashkët e këtyre komuniteteve do të paraqitet përmes artefakteve, fotografive personale, pikturave, poezisë, historive gojore dhe muzikës (performancë live ngaGipsy Groove), eksplorimi i së cilave është një ftesë për të kuptuar ruajtjen e identiteteve që arritën të mbijetojnë përtej kufijve gjeografik, përjashtimit dhe stigmatizimit./ KultPlus.com