Albion Rrahmani, nga ideja për të lënë futbollin deri te suksesi kolosal për t’u bërë kampion

Uranik Emini

Nuk mjaftojnë vetëm ëndrrat për të shkëlqyer në futboll. Sfidat nëpër të cilat kalon një futbollist janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga vështirësitë financiare, mungesa e ambientit për të ushtruar, vështirësit për të gjetur ekipin e duhur dhe probleme të tjera të ndryshme të cilat mund të shfaqen gjatë rrugës. I ri në moshë por me një karrierë tanimë të bujshme, Albion Rrahmani, vjen si një kampion në një intervistë për KultPlus, duke shpjeguar shumëçka nga e kaluara e tij dhe e ardhmja, të cilën e pret edhe më të suksesshme sesa ajo tani, shkruan KultPlus.

I njohur ndryshe edhe sikurse “Lewandoski”, një prej sulmuesve më të mirë në botë, Rrahmani ka kaluar në disa klube gjatë karrierës deri tani, mirëpo shkëlqimin e suksesin më të madh e shijoi me klubin nga Suhareka “FC Ballkani”.

Rrahmani arriti që të plotësojë ëndrrën e tij të fëmijërisë, duke u shpallur kampion i Superligës së Kosovës dhe gjithashtu arriti suksese kulminante në arenën ndërkombëtare, duke qenë njëri prej golashënuesve më të mirë në “Conference League”.

Rrahmani tregon se fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë për shkak të kushteve të cilat kanë qenë në Kosovë.

“Së pari kam filluar të stërvitem me babin tim, pastaj jam regjistruar te klubi i futbollit “KF Llapi”, ku aty i kam kaluar të gjitha kategoritë deri te U-19. Unë si futbollist nuk e kam pas fare lehtë për arsye të ndryshme në të cilat i kam kaluar, me dëshirë, vullnet dhe pasion për futbollin, nuk jam ndalur asnjëherë deri këtu ku jam sot. Ëndrrat e mia të fëmijërisë kanë qenë dhe janë të mëdha për t’u bërë një futbollist i nivelit të lartë pasi qe idoli im është Cristiano Ronaldo”.

Ai tutje rrëfen se klubi KF Besiana ishte klubi të cilin e ka ndjekur që kur ishte një fëmijë i vogël dhe inspirimi i tij më i madh ishte pikërisht babai.

“Klubi që e kam ndjekur më herët ka qenë KF Besiana po ashtu edhe Llapi pasi që babi im ka qenë pjesë e këtyre dy klubeve për shumë vite dhe ka qenë dëshira ime që një ditë të bëhem si ai”, tregon Rrahmani.

Albion dhe Driton Rrahmani (babai i tij)

Shumë njerëz gjejnë inspirim prej gjërave të ndryshme, dikush duke ndjekur edhe idhujt që i kanë përcjellë gjatë gjithë jetës. Njësoj ishte edhe për Albionin, i cili është rritur duke shikuar portugezin Cristiano Ronaldo.

“Idoli im është Cristiano Ronaldo, e kam përcjell që nga fëmijëria gjatë gjithë kësaj periudhe dhe do të mbetet gjithmonë preference ime. Është modeli më i mirë për t’u ndjekur nga një futbollist”, thotë ai.

Kalimin nëpër disa faza si një futbollist i ri, Rrahmani e kishte bërë te qyteti nga ku edhe ai vjen, pikërisht te KF Llapi.

“Kur kam përfunduar U-19 te klubi i Llapit nga aty kam kaluar në Ligen e dytë te klubi i Minatorit të Magurës për një gjysmë sezone ku kam shënuar 18 gola. Në sezonin e dytë kam kaluar te klubi KF Bashkimi Koretin ku aty kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje dhe kam shënuar katër gola, pastaj është ndërprerë kampionati për shkak të Covid-19. Në sezonin e re kam kaluar te klubi FC Malisheva ku kam qëndruar një vit dhe kemi arritur që të shpallemi kampion dhe të futemi në histori të klubit të Malishevës, ku në atë vit kam shënuar 18 gola, pastaj nga Malisheva kam kaluar te klubi FC Ballkani. E pikërisht atë vit jemi shpalluar kampion për herë të parë në histori të klubit dhe kemi marrë pjesë në garat evropiane”, rrëfehet tutje Rrahmani.

Sukses kolosal për të arritur qëllimet e mëdha

“Realizimin e qëllimeve të mia te FC Ballkani janë bërë realitet, e unë besoj që e kam ndihmuar klubin në objektivat që ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve. Jam shumë krenar që e kemi arritur këtë sukses për t’u kualifikuar për herë të parë në garat evropiane në histori të futbollit të Kosovës”, thotë tutje, Rrahmani, duke shpjeguar gjithashtu se për të arritur te ky sukses ka qenë një rrugë e vështirë dhe ka kërkuar punë e angazhim të madh.

Sulmuesi kryesor i skuadrës së Ballkanit, pati paraqitje magjepsëse në garat evropiane, duke arritur që të shënojë shtatë gola dhe të asistojë tre herë. E sipas tij, ky sukses nuk do të arrihej asnjëherë pa ndihmën e bashkë lojtareve, pa të cilët nuk do të ishte këtu ku është tani.

Moment “pendese” përpara shpërthimit

Lojtari i Superligës së Kosovës rrëfen se kishte menduar që një ditë ta linte futbollin, për shkak të një momenti negativ që iu ishte paraqitur gjatë kohës sa ishte “Junior” te KF Llapi.

“Po e kam një moment shumë negativ që e kam menduar ta lërë futbollin kur kam përfunduar Junioret e Llapit, por me insistimin dhe dëshirën e babit qe ka pasur çdo herë për futbollin, unë nuk jam ndalur asnjëherë që ta bëj krenar dhe ai të mburret me sukseset e mia”, thotë ai.

“Nder dhe krenari të veshësh fanellën e kombëtares, jemi një Kosovë e Shqipëri”

Rrahmani shton se është një dëshirë edhe më e veçantë që t’i mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës sepse këtu u lind dhe u rrit si një futbollist, por asnjëherë nuk do të refuzonte një ofertë nga Kombëtarja e Shqipërisë.

“Patjetër që është një dëshirë shumë e veçantë që t’i mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës sepse këtu kam lindur dhe jam rritur si futbollist dhe dëshira ime është për të luajtur për vendin tim, por edhe te Kombëtarja e Shqipërisë do isha krenar që ta pranoja ftesën sepse ne jemi një, është nder dhe krenari ta veshësh fanellën e këtyre dy kombëtareve, për të cilat krenohemi që i kemi”, shpjegon ai.

Edhe pse sporti i futbollit mbetet një prej sporteve më të popullarizuara në Kosovë, infrastruktura e këtij sporti në vendin tonë nuk është më e zhvilluara në botë dhe rrjedhimisht një prej qëllimeve kryesore që të rinjtë kanë, është largimi drejt një klubi evropian dhe pjesëmarrja në garat evropiane.

“Qëllimet e mia janë që të luaj për ndonjë klub të madh europian, por ende nuk ka oferta konkrete kështu që mbetet të shihet gjatë afatit kalimtar”.

“Mos u dorëzoni asnjëherë”,

është një prej mesazheve që Rrahmani tenton t’ua përcjellë lexuesve të KultPlus, pasi ai beson se një ditë do të shpërblehet puna gjithsesi, pa marrë parasysh vështirësitë që i kaloni gjatë rrugës.

Ndërsa, sa i përket mesazhit për vitin 2023 dhe qëllimeve të tija të ardhshme, Rrahmani thotë se synim kryesor i tij është përsëritja e suksesit të vitit të kaluar.

“Nëse nuk kaloj te ndonjë klub evropian qëllimet e mia janë që të shënoj gola sa më shumë, ta ndihmoj klubin drejt mbrojtjes së titullit kampion dhe pse jo ta përsërisim përsëri atë sukses që kemi pasur në Arenën Ndërkombëtare”, përfundon ai.

Disa njerëz janë të destinuar që të kenë sukses në jetën e tyre dhe të kalojnë nëpër shumë sfida për t’u kurorëzuar kampion në fundin e rrugëtimit të tyre. Njësoj bëri edhe Albion Rrahmani, i cili duke punuar, rritur dhe angazhuar vazhdimisht, jehoi emrin e tij në gjithë arenën ndërkombëtare, duke treguar se fjala dorëzim nuk ekziston një fjalorin e tij. /KultPlus.com