Mbahet manifestimi “Eksodi Bllaca 99”, publikohen për herë të parë 24 fotografi nga Asllan Krasniqi

Në Han të Elezit u mbajt sot manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, “Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta” ndau çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka u shpreh se është obligim i të gjithëve për ta mbajtur gjallë Bllacën e viteve të 99-ta.

Lluka theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë me shumë për mirëmbajtjen e memorialit, pasi siç tha ai, pas një kohe mund të mos ekzistojë.

“E kemi për obligim ta mbajmë gjallë Bllacën e viteve 99-të, 440 mijë njerëz kanë kaluar nëpër Bllacë. Më e mira e Bllacës 99-të është pas fitores se pas UÇK-së është fitorja e refugjateve shqiptarë. Prishtina e ka për obligim t’i ndihmojë Hanin e Elezit, memorialin, sepse Prishtina ka buxhet, të cilin nuk mund ta harxhojë, kështu që, është më mirë të harxhohet për një të mirë të përbashkët. Qeveria e Kosovës pa marrë parasysh kush vjen kryeministër, duhet të ketë interesim më të madh për mirëmbajtjen e memorialit, ashtu siç kërkon shteti të mirëmbahe,t njëjtë kërkon edhe memoriali, sepse ndoshta pas një kohe edhe mund të mos ekzistojë”, tha Lluka.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Pallazhi, në një fjalë rasti tha se Bllaca do të jetë përherë pjesë e historisë së Kosovës.

Pallazhi shtoi se si kryetar i komunës çdoherë është i gatshëm te ndihmojë për gjitha projektet për Bllacën e viteve të 99-ta.

“Bllaca është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, por njëkohësisht dhe simbol i qëndrueshmërisë. Me angazhimin tonë Bllaca 99-të do të jetë përherë pjesë e historisë tonë, sepse vetëm duke i kujtuar do ta mbajmë gjallë ndjenjën e atdhedashurisë”, tha Pallazhi.

Ndërkaq, me rastin e 24 vjetorit të çlirimit, Asllan Krasniqi nxori nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh 24 fotografi të cilat i prezantoi në ekspozitën e hapur sot e të titulluar “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”. Ekspozita u hap në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit.

Po ashtu, në Bllacë u mbajt Orë letrare me poezi konkurruese të zgjedhura nga komisioni për “ 24 poet – 24 poezi – 24 vjetorin” përcjellur me program artistik nga Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve “Shota” Prishtinë.

Sot, do të shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoni. Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës. Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kanë kontribuuar në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur. Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill. / Atv / KultPlus.com

Hapet ekspozita e fotografisë “Kujtesa e Kosovës rambouillet” e reporterit Asllan Krasniqi

Në kuadër të 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të martën është hapur ekspozita e fotografisë “Kujtesa e Kosovës rambouillet” e reporterit Asllan Krasniqi, fotografi të cilat rrëfejnë momente nga konferenca e Rambujesë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, tha se fotografitë e Asllan Krasniqit paraqesin ngjarjet më të dhimbshme të historisë së Kosovës. Teksa shtoi se është nder që fotografitë e sotme po ekspozohen për të parën herë në Bibliotekën Kombëtare.

“Këto janë fotografi që nuk janë parë asnjëherë, dhe janë fotografi që sjellin ngjarjen e Rambujesë, një dokumentim i historisë së Kosovës. Të gjitha ngjarjet e gëzueshme dhe të dhimbshme të Kosovës, autori Asllan Krasniqi i ka dokumentuar përmes fotografisë. Jemi të nderuar që kjo ekspozitë është hapur në bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, tha ai.

Zëvendësministri në detyrë i MKRS-së, Engelbert Zefaj, tha se kjo ekspozitë rrëfen rrugën në të cilën u desh të kalojë Kosova deri në shpalljen e pavarësisë

“Kur i shohim këto fotografi, kthehemi prapa dhe shohim rrugën përmes së cilës erdhëm deri në pavarësinë e Kosovës. Kjo ekspozitë tregon momente tepër të rëndësishme dhe tregon se çfarë ka ndodhur në Konferencën e Ramubjesë”, u shpreh ai, raporton KP, transmeton Klan Kosova.

Me këtë rast, autori i fotografive Asllan Krasniqi tha se ndjehet krenar që ka pasur rastin të bëjë këto fotografi, të cilat i ekspozoi me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

“Ndihem krenar që jam në mesin tuaj. Ndihem krenar që kam pasur fatin të takoj këto personalitete. Falënderoj Bibliotekën Kombëtare për ftesën dhe për

I pranishëm në këtë event ishte edhe regjisori Dibran Fylli, i cili në një fjalë rasti tha se autori Asllan Krasniqi ka mbi 1 milion fotografi, përmes së cilës rrëfen gëzim e dhimbje. / KultPlus.com

Asllan Krasniqi prezantoi fotografitë e dhimbjes shqiptare

Së fundi në Kosovë, janë shënuar  “Ditët e falënderimit të Kosovës për ShBA-të 2019”, në kampusin e Kolegjit “ILIRIA” ku është hapur edhe ekspozita me vepra të fotografit të njohur, Asllan Krasniqit: “Grafitët e Lirisë – Faleminderit Amerikë dhe NATO!”, “Eksodi 99 me 99 fotografi”, “Luftë kundër harresës së gjenocidit të shekullit të kaluar”.

Për ekspozitën e fotografit të shquar shqiptar nga diaspora, Asllan Krasniqi, ka folur Dibran Fylli, i cili ka thënë se fotografin Krasniqi e konsiderojnë me cilësi e veçanti si të vetmin fotoreporter shqiptarë nga diaspora, i pranishëm në ngjarjet e fundit të tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës.

Ai ka thënë se shqetësimi i përhershëm i Krasniqit ka qenë dhe mbetet pasqyrimi fotografik i çdo ngjarje të asaj që ndodhi me popullsinë shqiptare gjatë vitit 1999./KultPlus.com