Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që po kërkohet nga Serbia do ta minonte Kushtetutën e Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e ka bëre ditë më parë gjatë një adresimi ndaj komunitetit të Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, ndërsa një pjesë nga fjalimi e ka publikuar në platformën “X”.
“Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj qeverisjes së zellshme që nxit një rritje më të barabartë dhe mbrojtje të fortë të Kushtetutës sonë”, ka theksuar ai.
Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk do të ngutet për ta vlerësuar si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga ndërkombëtarët.
Osmani tha në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se e ka lexuar e analizuar “gjerë e gjatë” propozimin për Asociacionin, por që vlerësimin tha se duhet ta japë Gjykata Kushteutese, raporton Gazeta Express.
“Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëjë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kështu që unë nuk do të ngutesha me e shpallë në përputhje me Kushtetutën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe është institucioni në Republikën e Kosovës që e bën atë vlerësim, natyrisht në qoftë se asaj i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft-statuti siç parashihet. Kështu që atë vlerësim duhet ta bëjë gjykata”, tha ajo.
Osmani tha se do t’i japë vlerësimet e saj si komente në Kushtetuese në rast se pranohet dhe miratohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit sipas propozimit europian.
“Natyrisht që e kam lexuar. Jo vetëm lexuar, por analizuar me vëmendje të thellë, gjerë e gjatë, mirëpo vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj kur shkon ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti vlerësoj se duhet të sqarohen që zbatimi të jetë në plotëni të plotë me Kushtetutën tonë”, tha Osmani.
Ajo përsëriti se vlerësimi i përputhshmërisë së propozimit për Asociacionin me Kushtetutën nuk është serioze të bëhet tash. / KultPlus.com
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.
“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.
Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Së fundi, komuniteti ndërkombëtar e ka rritur presionin ndaj Kosovës duhet e kërkuar formimin e Asociacionit sa më shpejt.
Diplomatët amerikanë e kanë përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./REL /KultPlus.com
Parlamenti studentor ka organizuar një protestë kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në kohën kur komuniteti ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Kosovës për respektimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të arritura në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Parlamenti studentor ka caktuar datën 15 shkurt të këtij viti si datë të protestës, datë e cila shënon edhe përvjetorin e 53-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
“Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës. Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj”, shkruan në njoftimin për protestë.
Vendtakimi për protestën është tek Biblioteka Kombëtare në orën 16:00.
Ky është njoftimi i plotë:
Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.
Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj.Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë.
Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.
Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.
Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë.
Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT.Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik.
DATA: 15.02.2023 VENDTAKIMI: Biblioteka Kombëtare ORA: 16:00 / KultPlus.com
Thonë se nëse nuk do ta pranojmë Asociacionin, do të ketë kthim mbrapa në raport me Perëndimin. Ndoshta duhet të kthehemi pak mbrapa, meqë s’i kemi çelë sytë kur kemi ecë përpara. Ma mirë me ecë pak mbrapa e me u kthy kah e mbara, se me ecë para drejt humnerës.
Nëse ecim qysh kemi ecë, jo në Evropë, po as në Prevallë s’kemi me mujtë me shkue, o vëllezër që iu keni hypë skijave! Së paku, jo kah Shtërpca.
E ju që keni luftu, qysh po mundeni me e përkrahë Asociacionin? Keni luftu, se nuk keni mujtë me duru kontrollin serb, e sot po lypni me ua dhanë serbëve një pjesë të Kosovës nën kontroll. Turp!
Asociacioni duhet të kundërshtohet. Jo me ia ba qejfin Kurtit, as me bâ nervoz Escobar-in, por me mbrojtë territorin e Kosovës.
U dashka me pranu Asociacionin për me na njoftë Serbia?! Serbia na njeh dhe na e njohim mirë. S’po na duhet njohja zyrtare e saj, përderisa ende s’ka kërku falje për gjenocidin që ka bâ në Kosovë.
Nëse formohet Asociacioni, atëherë Amerika s’do të mund të krenohet që na ka çlirue. Ta kundërshtosh Asociacionin domethënë t’ia njohësh meritën Amerikës për çlirimin e plotë e përfundimtar të Kosovës.
E kuptoj që Amerika është kritiku vazhdimisht, pa të drejtë, për intervenimin e saj në Kosovë, e kritikohet edhe tash, po pa të drejtë, se s’po e detyron Kosovën me pranu formimin zinxhiror serb të komunave me shumicë të pakicës serbe, mirëpo si superfuqi që është ajo mund ta tejkalojë edhe këtë presion evropian dhe t’i ofrojë mbështetje të plotë Kosovës të cilën e ka çliru vetë.
Përndryshe, na e dimë që Amerika mund të na detyrojë ta pranojmë Asociacionin, por kjo është njësoj si, pasi t’i kesh largu kriminelët nga fusha e luftës, të vendosësh mina në atë fushë dhe t’u thuash shqiptarëve: tash ecni lirisht se s’ka kriminelë! Asociacioni është tanësia e minave në Kosovë.
Asociacioni është problem mbipartiak. Nuk rrezikon partinë, po shtetin. Presioni për krijimin e tij duhet t’i shqetësojë të gjithë shqiptarët.
P. S.
Nëse flasim për dashni, unë e dua Amerikën ma shumë se Escobar-i. Por nëse flasim për drejtësi, çlirimtarët tanë amerikanë s’duhet të na bëjnë trysni. / KultPlus.com