Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka reaguar ndaj njoftimit nga Komuna e Prishtinës, lidhur me shpalljen e Konkurseve Ndërkombëtare për Sallën Koncertale, Shkollën e Muzikës, Sallën e Sporteve dhe Spitalit të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook shoqata ka kërkuar që të bëhet respektimi i pozitës së arkitektit në procesin e hartimit të detyrës projektuese, shpalljes së konkursit, përzgjedhjes së projekteve, si dhe përcjelljes së realizimit të tyre.
Ata kanë shtuar se projektet duhet të paraqesin vizion për kryeqytetin, meqë bëhet fjalë për objekte të interesit publik. Shoqata ka ofruar gatishmërinë e tyre profesionale për tërë procesin.
Ndërkaq për Sallën Koncetrale që pritet të adoptohet në objektin e Gërmisë, shoqata ka shkruar se duhet të bëhet një studim i hollësishëm i lokacionit.
Shoqata krejt në fund ka shtuar edhe mendimin kritik të arkitektit Sali Spahiu i cili ndër të tjera ka thënë se që nga paslufta në Kosovë janë bërë shumë lëshime që do të na kushtojnë./ KultPlus.com